Faqja nuk u gjet
We're sorry, but the page you are looking for doesn't exist.
Kthehuni tek kryefaqja

ARTIKUJT E FUNDIT

0 132

Teksti i hadithit:

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton dhe thotë: “Ishim të ulur te Pejgamberi (alejhi selam), kur tek ai erdhi një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Jam shkatërruar!” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) e pyeti se ç’i kishte ndodhur. Ai i tregoi: “Kam rënë mbi gruan time (bëra marrdhënie) ditën gjatë Ramazanit.” I Dërguari i Allahut (alejhi selam) e pyeti: “A mund të lirosh një skllav?” Ai i tha: Jo. E pyeti: “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” Ai i tha: Jo. E pyeti: “A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Ai i tha: Jo. Pejgamberi (alejhi selam) heshti, kur pas pak, ashtu siç ishim, i sjellin Pejgamberit (alejhi selam) një kosh plot me hurma. Ai pyeti: “Ku është ai që më pyeti më parë?” Ai u përgjigj: “Unë (ja ku jam këtu)!” Ai (alejhi selam) i tha: “Merri këto dhe jepi sadaka.” Burri i tha: ” A t’ia jap ndokujt që është më i varfër se unë?! Betohem në Allah! Nuk ka familje mes dy maleve të saj (Medines) që të jenë më të varfër se unë.” Pejgamberi (alejhi selam) buzëqeshi sa iu dukën dhëmballët, pastaj i tha: “Ushqe me të familjen tënde.” Buhariu me numër (1936) dhe Muslimi me numër (1111).

Dobi nga hadithi:

1- Hadithi tregon për dobin e uljes me njerëz të ditur dhe me vlerë, siç ka thënë transmetuesi: “Derisa ishim ulur me të Dërguarin e Allahut”, dhe nga kjo ulje njeriu përfiton sikur që është e njohur.

2- Kuptimi i dukshëm i hadithit është se ky njeri nuk i kishte përshëndetur me selam dhe ndoshta arsyeja është për shkak të habisë së tij e nuk i përshëndeti me selam, për shkak të seriozitetit dhe urgjencës së temës.

3- Hadithi tregon se personi që kërkon fetva shkon te myftiu në vendin e tij dhe përpiqet derisa të arrijë tek ai. Për shkak se çështja lidhet me fenë, kështu që burri shkoi te Pejgamberi (alejhi selam)

4- Burri ua ndërpreu bisedën njerëzve që ishin ulur dhe në bazë të kësaj lejohet të ndërpritet biseda nëse ka nevojë, si në tregimin e këtij njeriu.

5- Hadithi tregon se ndeja ku qëndronte i dërguari, (alejhi selam), ishte e hapur për këdo që dëshironte të hynte, dhe në përputhje me rrethanat, dijetari duhet të jetë në pritje të njerëzve.

6- Hadithi tregon se dijetari duhet të jetë i dobishëm për njerëzit dhe të lëshojë fetva gjatë kohës kur i kërkohet. Kur i ndodhi ngjarja, njeriu shkoi te Pejgamberi (alejhi selam) dhe kjo i bën njerëzit të lidhen me dijetarin dhe e bënë atë më afër me ata.

7- Mospërmendja e emrit të burrit kur ai ka një çështje të turpshme, nëse deklarimi i emrit të tij nuk rezulton në një çështje të rëndësishme, prandaj Ebu Hurejra nuk e përmendi emrin e burrit dhe Pejgamberit (alejhi selam) nuk e pyeti si quhej.

8- Në hadith, lejohet të thuash “unë jam shkatërruar” për veten, nëse ka arsye për këtë, dhe për këtë arsye Pejgamberi (alejhi selam) nuk e qortoi.

9- Në hadith, potencohet rëndësia e kërkimit të sqarimit për fjalë të paqarta, njeriu tha: “Unë jam shkatërruar”, andaj Pejgamberi (alejhi selam), edhe e pyeti për këtë.

10- Tregon për përdorimin e fjalëve alegorike dhe jo përmedjen e drejtpërdrejtë për atë që është e turpshme dhe e keqe që të përmendet, prandaj burri tha: kam rënë me bashkëshorten time, dhe në një transmetim: kam fjetur me bashkëshorten time, e ai nuk ka deklaruar asgjë tjetër.

11- Thënia e burrit: “U shkatërrova” tregon se veprimi i tij ishte i qëllimshëm, sepse ai e dinte se ai kishte bërë atë që do ta shkaktonte vdekjen e tij. Prandaj, nuk vlen të argumentohet me kuptimin e përgjithshëm të hadithit, e të thuhet se edhe ai i cili ka harruar kërkohet që të bëjë shpagimin.

12- Në të kuptohet se, njeriu i prezanton dhe i tregon sinqerisht dijetarit atë që i ka ndodhur.

13- Serioziteti i njeriut për të gjetur një zgjidhje, kjo vërehet te insistimi i tij në këtë.

14- Në hadith  theksohet se duhet të kërkohet një zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet njeriu dhe thjesht fshehja e tyre dhe heshtja për to nuk e zgjidh problemin. Ky njeri nuk e fshehu këtë çështje, por pyeti Pejgamberin (alejhi selam).

15- Hadithi tregon se është në rregull që një person që kërkon zgjidhje për një problem të deklarojë mëkatin e tij dhe të zbulojë atë që fshihet në çështjen e tij.

16- Gjithashtu tregon se përmendja e një mëkati si pendim nuk është e dënueshme dhe nuk është e kundërshtueshme.

Thënia e burrit: “Jam shkatërruar” dhe në transmetim “u dogja”, tregojnë se rënia në mëkate konsiderohet shkatërrim.”

17- Hadithi tregon se ai që pranon mëkatin nuk fajësohet për mëkatin e tij dhe as nuk dënohet, mjafton pendimi, rrëfimi dhe kërkesa për të dalë nga ajo që ndodhet.

18- Hadithi tregon se mëkatari duhet të pendohet për mëkatet e tij dhe për këtë arsye njeriu erdhi i penduar dhe tha: “Unë jam shkatërruar”, që është fjalë që tregon keqardhje dhe djegie në zemër, dhe keqardhja është faza e parë e pendimit.

19- Në hadith, dijetari të cilin e pyesin njerëzit nuk duhet të zemërohet me pyetjet e tyre, edhe nëse ato janë të shumta dhe të ndryshme, gjë që kërkon që dijetari të jetë i mëshirshëm ndaj tyre.

20- Hadithi tregon se njeriu që e pyet pyetjen duhet të jetë i sinqert në atë që thotë për veten e tij. Në hadith, njeriu potencoi varfërinë, pamundësinë për të agjëruar dhe mungesën e një robi për të liruar, dhe me gjithë këtë i dërguari (alejhi selam), nuk i kërkoi dëshmi.

21- Hadithi tregon se myftiu fillon duke përmendur shlyerjen e mëkatit përderisa dihet vendimi mbi atë vepër, i dërguari (alejhi selam) nuk e përmendi gjykimin e marrëdhënieve gjatë ditës së Ramazanit. Sepse njeriu këtë e dinte, për sa i përket situatës dhe prandaj mjaftohet me përmendjen e shlyerjes.

22- Në hadith potencohet qartë se marrëdhëniet intime gjatë ditës në Ramazan e prishin agjërimin.

23- Hadithi tregon se shlyerja e marrëdhënieve seksuale është sipas renditjes; Sepse Pejgamberi, (alejhi selam), e renditi shlyerjen për njeriun dhe nuk e la mundësinë që ai të bënte përzgjedhjen e tyre.

Kjo është një çështje për të cilën dijetarët u ndanë në dy mendime: E sakta, siç duket – dhe Allahu e di më së miri – është se shlyerja bazohet sipas renditjes dhe jo sipas zgjedhjes, bazuar në dialogun ndërmjet të dërguarit (alejhi selam)dhe njeriut.

24- Pejgamberi, (alejhi ve selem), e ka urdhëruar njeriun që të lirojë një rob dhe nuk e ka përcaktuar nëse duhet të ai besimtar apo jo, dhe në bazë të kësaj dijetarët kanë dy mendime për këtë çështje: A kushtëzohet besimi për lirimin robit, për zbatimin e shlyerjes së gabimit për atë që ka kryer marrëdhënie inteme gjatë ditës në Ramazan, apo nuk kërkohet?

Çështja është kogja diskutabile për shkak të fuqisë së provave dhe origjina e saj është një çështje themelore nga çështjet e shkencës së usulit, e cila është:

Nëse arsyeja ndryshon dhe vendimi është i njëjtë, a vlen absolutja për të kufizuarin?

Ajo që ka më shumë gjasa – dhe Zoti e di më së miri – është se për arsyen e marrëdhënies gjatë ditës në Ramazan kushtëzohet të lirohet një rob besimtar në analogji me shlyerjet e tjera.

25- Në hadith thuhet se dy muajt janë të njëpasnjëshëm si shlyerje për marrëdhënie gjatë ditës në Ramazan, kështu që nuk lejohet ndërprerja e tyre, pos vetëm me arsyetim, sipas asaj që ka thënë Pejgamberi (alejhi selam): “a mund të agjërosh dy muaj rresht?”

26- Po ashtu hadithi përcakton se numri i të varfërve është gjashtëdhjetë të varfër, duke u bazuar në thënien e tij, (alejhi selam): “A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Bazuar në këtë, nuk vlen të ushqehen tridhjetë të varfër për dy ditë, sepse numri është i përcaktuar.

27- Në hadith thuhet se ata të cilëve u jepet ushqimi si shlyerje për gabimin e përmendur, janë kategoria e të varfërve.

28- Thënia e përgjithshme e të dërguarit, (alejhi selam), “ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve” dhe pohimi i burrit për varfërinë tregon se kriteri i varfërisë dhe nevojës kthehet tek ajo që është e njohur tek njerëzit, se kush llogaritet i varfër apo nevojtar; sepse i dërguari (alejhi selam), e përdori fjalën “i varfër” dhe ia besoi kuptimin e saj beduinëve, dhe sigurisht që ai e kuptoi fjalën sipas zakonit dhe kuptimit të tij.

29- Hadithi tregon se tregimi i një personi për varfërinë e tij, gjendjen e tij të dobët financiare dhe kushtet e tij të jetesës nuk hyn në kategorinë e ankesave të qortueshme, dhe kjo është arsyeja pse njeriu ia përmendi varfërinë e tij të dërguarit (alejhi selam)

30- Hadithi tregon për lejueshmërinë e të thënit “jo”, që të mos merr përsipër diç që nuk do të mund ta realizojë.

31- Hadithi tregon se një musliman pyet dhe interesohet për fenë e tij, edhe nëse pyetja e tij është prej pyetjeve për të cilat njeriu mund të turpërohet, kështu që personi i turpshëm dhe arroganti nuk mund të fitojnë njohuri.

32- Hadithi tregon mundësinë për të pyetur në prani të njerëzve, dhe se lejohet të përmendet publikisht, pasi burri e përmendi pyetjen e tij në mesin e shumë njerëzve, siç mund të kuptohet nga transmetuesi. duke thënë: “Ndërsa ishim ulur me të Dërguarin e Allahut”,  i dërguari (alejhi selam) tha: “Ku është pyetësi? Nëse numri do të ishte i vogël, nuk do të mungonte nga vërejtja.

33- Nga hadithi mund të nxirret se lejohet të ulesh për një kohë të gjatë me një person nëse nuk shkakton dëm. Njerëzit ishin ulur me të dërguarin (alejhi selam) para se të vinte njeriu dhe burri qëndroi të ulet me ta derisa të dërguarit, (alejhi selam), i sollën një enë me hurma, dhe nuk ka dyshim se kjo ulje është mjaft e gjatë.

34- Hadithi tregon për lejueshmërinë e thënies “Unë.” Kur njeriu e pyeti të dërguarin (alejhi selam): “Ku është pyetësi?” burri tha: “Unë jam”.

Përkundrazi, është e urryer të thuhet “unë” kur kjo është një formë krenarie dhe arrogance, ashtu siç tha shejtani: “Unë jam më i mirë se ai”.

35- Hadithi tregon për marrjen në konsideratë të prioriteteve, i dërguari, (alejhi selam), i tha burrit: “Merre këtë dhe jepe sadaka”, edhe pse kishte të varfër që ishin më të varfër se ky. Mirëpo, ky njeri ka dashur ta pastrojë përgjegjësinë e tij dhe gabimin e tij, kështu që i dërguari (alejhi selam), i dha përparësi ndaj të tjerëve.

36- Nga hadithi merret se dijetarët janë të obliguar që t’i plotësojnë nevojat e njerëzve pa u zgjatur apo zvarritur. Sapo njeriu iu ankua të dërguarit (alejhi selam), ai i tha: “Merre këtë dhe jepe sadaka”.

37- Hadithi përfitohet që të kërkojmë mirë në mënyrën e duhur, burri kërkoi ushqim për familjen e tij në mënyrë të përshtatshme dhe ia arriti qëllimit. Sa dobi janë humbur për shkak të mënyrës së keqe !.

38- Hadithi tregon për lejueshmërinë e të qeshurit para njerëzve përderisa nuk e cenon etikën e tij. I dëgruari (alejhi selam) qeshi në mesin e njerëzve derisa iu shfaqën dhëmbët.

39- Sipas thënies se e qeshura e tij, (alejhi selam), ishte shenjë habie për gjendjen e burrit; Kjo tregon se është e lejueshme të qeshësh në rast habie dhe se nuk bën njeriu ta bëjë këtë në rast nënçmimi.

40- Hadithi tregon për daljen e dhëmbëve gjatë qeshjes para të tjerëve dhe se kjo nuk cenon burrërinë.

41- Kuptimi i dukshëm i hadithit tregon se lejohet të kërkohet ushqim apo pasuri për atë që është në nevojë.

42- Hadithi përmban shpjegimin e një karakteristike që njeriu e ka, e cila është lakmia dhe kërimi i furnizimit, pasi burri kërkonte rrugëdalje nga mëkati që bëri, ai filloi të kërkonte ushqim për familjen e tij. Megjithatë, i dërguari (alejhi selam), e trajtoi këtë situatë në një mënyrë të lartë, që tregon për mënyrën e trajtimit të karakteristikave apo cilësive të natyrshme të njeriut.

43- Hadithi flet edhe për dhembshurinë e dijetarit për njerëzit dhe të qenit i butë me ta, duke përfshirë edhe ata që kanë rënë në mëkat dhe i janë zhytur në mëkate.

44- Në hadith aludohet se mëkati ka nxehtësi për besimtarin dhe për këtë arsye njeriu tha, si në disa transmetime: “Unë u djega.” Dhe kështu është besimtari me mëkatet, sheh se ato e djegin atë dhe për shkak se janë shkatërruese, siç tha njeriu: “Unë jam i shkatërruar” dhe kjo ndjenjë është ajo që e bën besimtarin sa herë që bën mëkat, të jetë i penduar, i kthyer dhe duke kërkuar falje. Në të kundërtën, njeriu që është i pandjeshëm dhe i pakujdesshëm ndaj mëkateve të tija, e bën që ato të vazhdojnë dhe të shtohen dhe nuk u kushton vëmendje atyre.

45- Hadithi tregon për lejueshmërinë e bërjes së shumë pyetjeve nga nevoja, Pejgamberi, (alejhi selam), bëri tri pyetje të njëpasnjëshme: “A mund të gjesh një rob të lirë?” Pastaj tha: “A mund të agjërosh për dy muaj rresht?” Pastaj tha: “A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Kjo është për shkak të nevojës për të.

Ndalimi i të bërit shumë pyetje në thënien e tij, (alejhi selam): “Ai ndaloi të bëhen shumë pyetje”, i referohet pyetjeve që janë të kota, në këtë mënyrë kuptohen të dy mënyrat e bërjes së pyetjeve.

46- Hadithi tregon se lejohet që një dijetar të pyesë të tjerët për sekretet dhe punët e tyre nëse është e nevojshme.Pyetjet e Pejgamberit, (alejhi selam) kishin të bënin me punët private të një njeriu të lidhura me gjendjen e tij financiare dhe aftësinë fizike, dhe arsyeja për këtë është që fetvaja të jetë e qëlluar.

47- Myftiu duhet t’u jep fetva të tjerëve në mënyrë të detajuar dhe jo në mënyrë të përgjithësuar. Pejgamberi (alejhi selam) , nuk ishte një fetva e përgjithshme dhe e paqartë, por ai i jepte pyetësit kuptimin dhe njohurinë e duhur.

48- Hadithi tregon se shlyerja e marrëdhënieve seksuale gjatë ditës në Ramazan, bazohet në aftësi, prandaj Pejgamberi (alejhi selam) : “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” Në bazë të kësaj, vendimi sillet rreth shkakut të tij, qoftë për miratimin apo mos miratimin e vendimit, kush ka mundësi të agjërojë nuk kalon në ushqim, e kush nuk ka mundësi ushqen.

49- i dërguari, (alejhi selam), nuk e shtjelloi arsyen e paaftësisë së tij, nuk i tha: Pse nuk mund të agjërosh dy muaj, gjë që tregon se njeriu e thotë të vërtetën.

50- Pejgamberi (alejhi selam) nuk pyeti për gruan e burrit dhe për këtë arsye dijetarët u ndanë në mendime për këtë çështje: A duhet gruaja ta bëjë shpagimin?

Ka dy mendime, që të dy mendime janë të diskutueshmë dhe argumenti i atyre që nuk e detyrojnë është se i dërguari, (alejhi selam), nuk parashtroi pyetje për gruan e tij në këtë hadith, dhe ndoshta sekreti në këtë është se gruaja mund të ketë qenë e detyruar.

51- Në hadith theksohet ofrimi i ndihmës për mëkatarët dhe gjetja e zgjidhjeve për mëkatet dhe problemet e tyre. Pejgamberi (alejhi selam) qeshi edhe pse njeriu ishte fajtor dhe e ndihmoi të shlyente mëkatin e tij.

52-Në hadith theksohet mëshira e Allahut për robin e vet. Njeriu ra në gjynah dhe e shkeli shenjtërinë e muajit dhe me gjithë këtë Allahu i Madhëruar e furnizoi atë. I madhëruar dhe i pa të meta është Ai (Allahu) që mosbindja e mëkati i mëkatarve nuk i bën dëm fare, dhe bindja e të bindurve nuk i bën dobi Atij.

53- Nga hadithi kuptohet që lehtësimi është afër, kështu që të gjithë ata që janë goditur nga pikëllimi dhe brenga duhet ta dinë se lehtësimi i Zotit është afër. Njeriu ra në mëkat nga mungesa e vetëkontrollit, kështu që pas kësaj situate të vështirë erdhi lehtësimi i Zotit.

54- Në përcaktimin e mëkateve te robërit e Allahut, ekzostojë urtësi, që askush nuk e di përveç Tij, lavdërimi i qoftë Atij, dhe kjo kthehet të emri i Allahut (i Urtë), dhe prej urtësive të dukshme në këtë hadith është njohja e vendimeve ligjore (dispozitave e rregullave), përveç ushqimit që ka siguruar njeriu për shtëpinë e tij.

55- Ajo që vihet re është se burri është jashtëzakonisht i varfër, deri në atë pikë sa u betua se midis dy luginave të qytetit nuk kishte njerëz në një familje më të varfër se ata të shtëpisë së tij, e megjithatë ai vazhdonte jetën e tij normale. Me fjalë të tjera shqetësimi për jetën e vështirë nuk e ka penguar të praktikojë jetën e tij normale dhe kjo është nje nga trajtimet me te suksesshme për një njeri që e ka kapluar brenga, nuk duhet të le që shqetësimi apo brenda ta pengojë nga jetesa, sepse optimizmi, shpresa dhe harresa e shqetësimeve janë ato që e lehtësojnë gjendjen e tij.

56- Në hadith tregohet mënyra e sjelljes së beduinëve me Pejgamberin (alejhi selam), në një transmetim përmendet se ai është beduin dhe dëshmitë e rrethanave të veprimeve të këtij njeriu tregojnë se ai është një prej beduinëve, kështu që ai e ndërpreu bisedën, hyri pa kërkuar leje dhe fjalët e tij “u shkatërrova” “u dogja”, dhe beduinët kanë histori interesante dhe metoda më të veçanta me të dërguarin (alejhi selam).

57- Në hadith vërrehet heshtja para atij që është më i ngritur, derisa sahabët ishin ulur, asnjëri prej tyre nuk foli dhe as nuk e ndërpreu Pejgamberin (alejhi selam), dhe kjo ndihmon shumë për të dëgjuar diturinë dhe për ta kuptuar atë.

58- Në hadith theksohet se lejohet të thuash “mjerë për ty” për një njeri. Në një transmetim Pejgamberi, (alejhi selam), i tha një njeriu: “mjerë për ty.” Bazuar në këtë, Buhariu e ka titulluar një kapitull: Kapitulli thënia “mjerë për ty” për një njeri.

59- Në hadith, kuptohet se betimi i tepërt nuk është i dënueshëm nëse ka arsye, burri u betua dy herë: “Pasha Atë që të ka dërguar ty me të vërtetën, nuk mund të gjej asgjë tjetër” dhe e goditi qafën e tij, pastaj tha: “Pasha Allahun, nuk ka familje në mes të dy luginave të saj më të varfër se familja ime.” Bazuar në këtë, betimet e tepërta janë të dënueshme nëse janë pa ndonjë arsye, të panevojshme, ose të kota dhe pa dobi.

60- Një “arak” kosh me hurma, është e barabartë me (15) Sa’a, dhe një Sa’a është katër Mude (katër nga dy grushta), dhe në bazë të kësaj, çdo të varfëri i takon (një mud), sepse numri i të varfërve është (60), dhe dijetarët janë ndarë në mendime për këtë çështje:

Sa është sasia e ushqimit që duhet të jipet në shpagim?

Kushdo që thotë se shuma është (një mud) për çdo të varfër, argumentohet me këtë transmetim, dhe kush thotë se ajo që ka rëndësi është ushqimi në përgjithësi, duke u argumentuar me transmetimet e shumta për sasinë që janë transmetuar, gjë që tregon se ajo që synohet është të ushqehen të varfërit pa specifikuar një sasi të caktuar, dhe çështja është e lehtë në këtë, në dashtë Allahu.

61- Hadithi tregon se marrëdhëniet seksuale gjatë ditës në Ramazan janë të kufizuara në tre llojet e shlyerjes (shpagimit) dhe asnjë shpagim tjetër nuk është e detyrueshme për të.

62- Në hadith theksohet që, muslimani duhet të jetë i prirur për të mbrojtur vëllezërit e tij dhe të përpiqet që t’i ndihmojë që të lirohet nga vështirësia.  I dërguari (alejhi selam) nuk u mjaftua që vetëm ti jeo fetva atij, por ai u përpoq të pastronte përgjegjësinë e tij nga ajo që kishte të bëjë me të drejtën ndaj Zotit, dhe tha: “Merreni këtë dhe jepeni sadaka.” Kështu, muslimani është me vëllezërit e tij dhe kështu e adhuron njeriu Zotin e tij.

63- Në hadith theksohet se, myftiu duhet të tregojë vendimin dhe të shtjellojë hollësisht, e të mos japë dëshmi nga gjendja e dukshme e personit që kërkon fetva. Pejgamberi, (alejhi selam), e pyeti njeriun: A mund ta lirosh një rob?! A mund të dhurosh ushqim për gjashtëdhjetë të varfër?! edhe pse njeriu dukej i varfër, por Pejgamberi (alejhi selam) nuk ishte mjaftuar me gjendjen e dukshme, ngase ekziston mundësia të jetë i tillë, por ai e pyeti për aftësitë e tij.

64- Hadithi tregon për madhështinë e mëkatit të atyre që kryejnë marrëdhënie intime  gjatë ditës në Ramazan, pasi ligji i Sheriatit parasheh një shlyerje të rëndë për të, prandaj kërkojmë mbrojtje te Zoti nga mëkatet.

65- Hadithi tregon se shlyerja e çliron njeriun nga mëkati dhe kjo është pjesë e mëshirës së Zotit ndaj robërve të Tij.

66- Hadithi tregon se njeriu pasi ta pranojë sadakanë ai  e posedonë atë dhe e menaxhon si të dojë.

67- Hadithi tregon se kufijtë e qytetit të Medines janë midis dy luginave, siç tha ai: “Çfarëdo që është ndërmjet dy luginave të tij”.

68- Në hadith kuptohet që lejohet të kursehet ushqimi e të deponohet, bazuar në atë që Pejgamberi, (alejhi selam), i ka thënë burrit: “Ushqeje familjen tënde.” Dihet se sasia që e kishte pranuar nuk harxhohet për disa ditë.

69- Në hadith theksohet dhënia e dhuratës; sepse Pejgamberi (alejhi selam) i ka dhënë njeriut ‘arak’ me hurma.

70- Hadithi tregon se dhurata zotërohet edhe nëe kjo nuk shprehet me fjalë, si përshemull ti thuhet: merre tani është e jotja”.

71- Hadithi tregon se njerëzit e virtytshëm dhe bujarë janë të lakmuar nga bujaria e tyre, ndaj duhet të shtohen dhe pajisen me moral të mirë.

72- Në hadith thuhet gjithashtu se është e detyrueshme për atë që bën një kundërshtim me urdhrat e sheriatit të pyet, nuk lejohet që njeriu t’i le gjërat ashtu pa pyetur; Veprimi i tij mund të rezultojë në gjëra që nuk është mirë t’i lëmë pas.

73- Dijetarët janë ndarë në mendime për një çështje, e cila është:

Nëse personi që ka kryer marrëdhënie intime nuk mund t’i përmbushë tre format e shlyerjes së mëkatit, a do bie në këtë rast shlyerja? Apo i mbetet borxh?

Ka dy mendime, mendimi i atyre që thonë se shlyerja hiqet, argumentohen me atë se Pejgamberi, (alejhi selam), nuk i ka përmendur asgjë njeriut pasi njeriu përmendi se ai nuk mund ta bëjë asnjërën prje të trijave.

74- Shpagimi i përmendur në hadith vlen për atë njeri i cili kryen marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij, me dijeni, pra nuk është si ai i cili nuk e di këtë dispozitë, apo ka harruar, apo  është i detyruar.

75- Marrëdhënie intime konsiderohet edhe nëse njeriu nuk nxjerr me epsh sekrecionin (spermën).

76- Nuk i lejohet një njeriu që të del në udhëtim, e të lirohet nga agjërimi me nijetin që të kryej marrëdhënie intime.

78- Ejakulimi jashta marrëdhënieve intime e prishin atë ditë të agjërimit, nëse është bërë ejakulimi me shkas, qoftë përmes prekjes, apo shikimit, e të tjera. Por që ai detyrohet me kompensimin e vetëm të asaj dite.

79- Ejakulimi në gjum, apo pa shkas nga vet personi nuk e prish agjërimin edhe nëse ndodh gjatë ditës kur është njeriu agjërueshëm.

80

81-Lejohet që pastrimi nga xhunubllëku të bëhet edh ekur njeriu është agjërueshëm, si në rastin, të jetë njeriu xhunub, e të pastrohet pas syfyrit, ose të jetë zgjuar gjatë ditën dhe vëren se ka ejakuluar, ai pastrohet gjatë ditës.

Këto janë tetëdhjetë përfitime nga ky hadith madhështor, duke lutur Zotin që të më bëjë dobi dhe të më hapë gjoksin ndaj dritës dhe udhëzimit, dhe paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamed.

Perktheu: Hoxhe Shpend Zeneli

0 287

Të përgjigjem, lutja e cila i bëri bashkë gëzimin dhe vajin në udhëtimin që mora për ta vizituar vendin ku buroi besimi të cilit i bindem. Ishte lutja që gjuha për herë të parë e shqiptoi në qiell me qëllimin e vetëm që në tokë ta arrij kënaqësinë e Atij nëpërmjet adhurimeve. Përmes saj e mësova ndjenjën të cilën e përjeton vizitori kur do ta vizitojë vendin e bekuar. Kjo e përbën pjesën e parë të lutjes profetike, mbase esencën e ndërtimit kuptimor të saj, që ngjyrë dhe kuptim i dha udhëtimit tim të jetës. Udhëtimit të jetës që ngjyrimin e mori duke e përjetuar ndarjen nga të afërmit gjatë të përshëndeturit me ta dhe synimit për të përmbushur një nga obligimet e Zotit. Ishte udhëtimi që zemra mori për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit, ndërkaq, bëri të dëgjohen vetëm rrahjet e saj të shoqëruar me lotin që vazhdimisht i lagte faqet. Dimrin që përjetoi zemra gjatë ndarjes, zakonisht i nxitur nga kontakti i shpeshtë me ta, së shpejti u shndërrua në verë nëpërmjet lutjeve që gjuha gjithnjë i thoshte. Ky ishte hapi që u pasua nga emocionet, kryesisht të shprehura me lot, që ndikoi ta ndiej freskinë në acarin e dimrit. Udhëtimi që shpalosi një faqe të re në jetën time, me të duke i dhënë edhe freski zemrës gjatë të kujtuarit, ndikoi që malli të mbetet në sy, ndërsa kujtimi të më shoqërojë në përditshmëri. Nisja drejt Qabesë sikur e ndante zemrën prej kësaj bote dhe e përqendronte drejt qëllimit të krijimit. Ndarjet që përfundojnë në bashkim për të kryer një obligim, e lehtësojnë sprovën e largësisë me njëri-tjetrin nëpërmjet të përmendurit të Tij. Kjo vizitë më la mendjen të robëruar për atë vend, ndërkohë në përditshmëri, jetoj në vendin tim. Ndërkaq, vendi i bekuar krijoi një ëndërr të paparë deri atëherë në mendje, meqë bëri që e thëna për të, tani të ndjehet dhe të përjetohet. Syri nuk arrinte dot t’i ndal lotët duke e shikuar, ndërsa shikimi nuk ngopej dhe dëshironte t’i mbajë sytë të orientuar vetëm drejt saj. Ishte i ëmbël shikimi i përcjellë me lutjet e gjuhës, dhe në fund duke përfunduar me ballin në tokë. Ai shikimi i parë drejt Qabesë, më bëri të harroj ekzistimin tim në këtë botë, duke më dërguar në botën e parajsës dhe në mesin e njerëzve të mirë. Shikimi që, i pushtuar nga ngazëllimi, sikur jetoja në ëndrrën më të mirë me sytë e ndritur drejt saj që hijeshia e saj më merrte edhe të pamurit. Tavafin që bëja, i veshur me të njëjtat rroba si gjithë të tjerët, më dha ndjesinë e njeriut më të lumtur në botë. Të medituarit mbi të, bazuar në librat e lexuar dhe në ligjëratat e dëgjuara, m’i parafytyronte burrat e mirë që kishin qenë këtu para meje, të cilët ishin falur, kishin kryer haxhin dhe umrenë dhe të cilët kishin kryer adhurime, pikërisht në këtë vend që unë ndodhesha tani. Një krahasim i bukur në hapësirë, megjithatë na ndante koha, dhe pikërisht na bashkonte ky vend. Ndjenja që ndodhesha në vendin e bekuar, dhe në shoqërinë e njerëzve të mirë, më hapte zemrën drejt bamirësisë dhe shpresës për të fituar shpërblimin. Ndjenja që isha duke ecur aty ku kishin ecur ata para meje, bënte që zemra të m’i thur lutjet për t’i takuar në botën tjetër. Një ëndërr e mbështjellë me petkun e realitetit, që pikërisht në shikimin drejt Qabesë, më zgjonte nga gjumi. Bukurinë që Zoti ia kishte dhënë Qabesë, e zgjonte të menduarit rreth saj dhe e ngjallte përmallimin për të. Zemra, edhe pse e gëzuar nga ajo që ndiente, sërish mbetej pa fjalë kur pyetej ta përshkruante bukurinë që përjetonte. Ishte një shije e zemrës që për gjuhën si mjet komunikimi ishte e pashpjegueshme. Edhe fryma ndalej nga kthjelltësia që depërtonte nëpër poret e ndjenjave kur shijohej bukuria e saj. Sytë mbetën të ngulitur në punën që kishte bërë Ibrahimi a.s., ndërkohë që zemra sa nuk dilte nga vendi si rrjedhojë e lutjeve që gjuha i thoshte vazhdimisht. Sexhdeja në pllakën e freskët të betonit i jepte ngrohtësi zemrës duke e ushqyer shpirtin me besimin në Të dhe duke i përjetuar rrezet e diellit që binin pikërisht mbi mua. Intervali bukur i gjatë kohor duke qëndruar në këtë pozitë e lartësonte shpirtin drejt qiellit me madhërimet që i takojnë Atij. Balli, duke e ndier nevojën për sexhdenë, ngushëllimin e gjente në lotët që rrëke binin në pllakën ku balli zinte vend. Namazi i cili më dhuroi shijen më të mirë të ndier deri atëherë, m’i la kujtimet që vazhdimisht e ngacmojnë përmallimin tim. Ky adhurim më lidhi me të dhe reagimet e zemrës i bënte me kohën e zërit të myezinit. Vlera e madhe e tij për ta kryer në Qabe, përbënte motivimin që çdo vakt të jem aty duke e harruar lodhjen dhe rrëmujën që shkaktonte udha. Zëri i ëmbël që ushtonte në të katër anët e Qabesë mblidhej qetësisht në folenë e zemrës për t’ia mundësuar shpirtit ta ndiejë ëmbëlsinë e namazit. Melodia e bukur, rrjedhshmëria në të lexuar dhe shikimi drejt Qabesë, e nxitnin shpirtin të lundrojë nëpër ujërat e besimit dhe aty të pushojë qetë. E ndiej si dhuratën më të mirë që Zoti më bëri duke më ftuar si mysafir i Tij për ta vizituar vendin më të mirë që ekziston. Të shikuarit e Qabesë, aq sa e përmallonte syrin, po aq e nxiste akoma më tepër për ta shikuar. Një shikim, megjithatë, i ndarë në dysh, i pari, i ndërtuar nga miku i Zotit, dhe i dyti, unë si mysafir i Zotit. Prandaj, mendoja që kjo ishte një mrekulli e Zotit e ndërtuar në tokë që robi i Tij ta ndiejë afërsinë me Të duke bërë tavafe rrotull saj. Malli të merrte edhe sikur vazhdimisht do ta shikoje, dhe do ta ndieje afërsinë me të, edhe sikur të ndodheshe larg. Adhurimet më afronin, ndërsa lutjet kishin thur ritmin e tyre që gjithnjë i theksonin nevojat, duke i përmendur të gjallët dhe të vdekurit, me shpresën që pranimi i tyre ishte i garantuar. Koha e sabahut, nën errësirën e natës dhe në shushurimën e lutësve, më gjente i ulur në sexhadenë time me duart i kthyer drejt qiellit. Lutjet që gjithnjë e më shumë shtoheshin në karvanin e kërkesave të zemrës, shpesh më mungonin fjalët për t’i paraqitur të gjitha ato. Ndonjëherë i jepja hapësirë zemrës të lutej pa thënë asgjë, vetëm t’i shushurit kërkesat e saj, ndërsa unë këtë moment e përcillja me shikimin e Qabesë. Megjithatë, kur u vinte radha lutjeve për vajzat tona, Anesa dhe Erda, lotët flisnin në vend të fjalëve. Kjo ndarje, mall të thellë na la në zemër, si dy lule që akoma pa çelur mirë, po lënë gjurmë në lutjet tona për to. I gëzuar ku isha, ndërkaq, i mërzitur që lutjet duheshte t’i bëjë për falje dhe për bashkim në ahiret, në vend që për fat dhe për lumturi. Ky ishte momenti më i vështirë, në mungesë të tyre duke qenë në vendin e bekuar, në të njëjtën kohë, më i ëmbli, me shpresën se do të pranohen lutjet, dhe të takohemi në botën tjetër. Para se uji i zemzemit të futej në gojë, nga goja dilnin lutjet e shoqëruara me shikimin e Qabesë dhe të stolisura me fjalët e zemrës. Ky ujë që sado që pija prej tij, më shtonte oreksin të pijë akoma, gjithë këtë kohë duke e lagur gjuhën paraprakisht me lutje, më pas me ujë. Shija e tij u jepte shije edhe lutjeve që zakonisht përfundonin me rrjedhje lotësh. Ky vend më mori mendjen duke ia mundësuar të jetojë me të në kujtime, ndërsa mua duke më robëruar në meditimet për të.

Blerim Muhaxheri

0 208

Për këto shtatë arsye, përgojimi është një mëkat i madh

1- Para se gjithash, ai që merret me përgojim ka shkelur urdhrin e Allahut të Madhëruar, i cili thotë: “Dhe mos përgojoni njëri-tjetrin” [El-Huxhurat: 12];

Dhe përgojimi është një prej mëkateve të mëdha.

2. Të preokuposh veten me të metat e të tjerëve do të thotë të kthehesh prapa dhe të merresh me të shkuarën, pra ai në këtë rast ka dëmtuar shumë të tashmen dhe të ardhmen e tij. Kjo është një formë e prishjes së aftësive dhe braktisje të shumë veprave të mira.

3- Dijetarët kanë thanë: Koha është pasuri, prandaj humbja e kohës që ju ka dhënë Allahu është humbje e shumë dobive që nuk mund të vlerësohen me para. Kështu që kjo veçori nuk ndihmon aspak njeriun në ngritje të gjendjes së tij ekonomike e shoqërore.

4- Njeriu racional e i mençur në esencë nuk pranon t’i lejojë vetes të imitojë fjalët, veprimet dhe të metat e tjerëve? Ai që merret me përgojim është një nga arsyet që do t’i shkaktojë përbuzje e nënçmin. Ai që sot ty t’i përmend të metat e tjerëve, nesër do të përmend të metat tua tek dikush tjetër.

5- Kush i përmend të metat e të tjerëve në mungesë, i heq të drejtën atij për t’u mbrojtur dhe kjo është një nga mënyrat e pengimit të procesit të drejtë të gjykimit. E nuk është fare e sinqertë e as e guximshme, duhet të mësohemi që të flasim (me) njëri-tjetrin e jo (për) njëri-tjetrin.

6- Të mësuarit e gjuhës me përmendjen e të metave të të tjerëve është në të vërtetë ngrënia e mishit të njeriut, kushdo që e bën këtë është ulur nën nivelin e jetës njerëzore dhe është mësuar të përvetësojë natyrën e bishave grabitqare, ndërkohë që shumë lloje kafshësh ikin nga kjo; Islami përpiqet që ta stimulojë e ta zhvillojë e ta ngritë njerëzoren.

7- Kush i ekspozon të metat e një individi ose të një grupi në mënyrë nënçmuese, shpeshherë do të privohet nga aftësitë e tija dhe të mirat që i ka dhënë Allahu, qoftë ai t’i ekspozojë ato me fjalë apo me gjeste, bullizuesi është i kërcënuar me dënim.Ndalo përgojimin sepse ky veprim sjell apo hap dyer të shumta të të këqijave.

Përkthim Hoxhë Shpend Zeneli

0 148

“Kush e do takimin me Allahun, Allahu do ta dojë takimin me të, e kush e urren takimin me Allahun, Allahu e urren takimin me të.” Ajo (Aisheja) tha: Unë thashë: o i dërguar i Allahut, urrejtja e vdekjes? Ne të gjithë e urrejmë vdekjen! Ai tha: “Nuk është kështu, por nëse besimtarit (pas varrimit) i jepet myzhde për mëshirën e Allahut, për kënaqësinë e Tij dhe Xhenetin, ai e do takimin me Allahun, e Allahu e do takimin me Të, e nëse jobesimtarit i është dhënë lajmi për dënimin dhe zemërimin e Allahut, ai e urren takimin me Allahun dhe Allahu e urren takimin me Të.”

Transmetues: Aisheja, nëna e besimtarëve.
E shënon: Ibën Hiban, Burimi: Sahih Ibën Hiban. Faqja ose numri: 3010.

S’ka dyshim se kjo botë është vendbanim i përkohshëm, dhe se bota e ahiretit është vendbanim i përhershëm dhe se ne jemi në këtë botë si udhëtarë.
Në këtë hadith, Pejgamberi (sal-lAllahualejhivesel-lem), thotë se kush e do takimin me Zotin, Zoti do ta dojë takimin me të; Sepse kjo dashuri rezulton me shpërblim e lumturi nga Allahu për të, dhe kush e urren takimin me Zotin, Zoti e urren takimin me të; si pasojë e kësaj urrejtjeje është shpërblimi me ndëshkim dhe dënim.
Dashuri e vërtetë ndaj takimit me Të është dhënia përparësi jetës së përtejme (ahiretit) ndaj kësaj bote dhe mospëlqimi i qëndrimit të gjatë në këtë botë dhe njëkohësisht përgatitja për t’u larguar prej saj.
Ajo çfarë nënkuptohet me takimin është: t’ia mësyjë njeriu botës tjetër dhe të kërkojë atë që është te Allahu, e nuk është për qëllim kërkimi i vdekjes, sikur që e kishte kuptuar në fillim nëna e besimtarëve Aisheja, (Allahu qoftë i kënaqur me të), për shkak se askush nuk e pëlqen vdekjen nga vet natyra e krijimit të njerëzve, kështu që ai, (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i shpjegoi asaj se ajo që synohet nuk është ajo, por ajo që synohet është se kur besimtarit i vjen vdekja, ai merr lajme të mira nga Allahu i Madhëruar në lidhje me shpërblimin e mirë që e pret, pra nuk ka diçka më të dashur për të se ajo, kështu që ai e do takimin me Allahun dhe Allahu e do takimin me Të. Sa i përket jobesimtarit kur i vjen vdekja, ai sheh para syve të tij atë që i premtoi Zoti i tij për dënim dhe ndëshkim dhe nuk ka asgjë më të urryer se kjo, ai e urren takimin me Allahun dhe Allahu e urren takimin me Të.
Në një hadith thuhet: Shpërblimi është sipas llojit të punës; Ai (Allahu) e këmbeu dashurinë me dashuri dhe urrejtjen me urrejtje.
Në hadith është nxitja për atë që ka premtuar Allahu i Madhëruar në botën tjetër.
Dhe në hadith potencohet atributi i dashurisë dhe urrejtjes për Allahun e Madhëruar në atë mënyrë sikur që i takon Atij, i Lartësuar dhe pa të meta është Ai.

Përkthim hoxhë Shpend Zeneli

0 322

Atëherë kur të vijë nata e të shpërndahet errësira, njerëzit  shtrihen për të fjetur, e çdo secili prej tyre e dëshiron një vend të sigurtë, të qetë për të fjetur, sepse gjumi për ta është një dobësi, kështu ata duhet të fshehen nga sytë e tjerëve, për të mbuluar dobësinë e tyre, e të ruajnë veten dhe jetën e tyre, ngaqë errësira sjell një lloj frike për krijesat e ndryshme.

E kur njeriu vdes, vendbanim i tij bëhet varri deri në momentin e ringjalljes, ajo jetë zhvillohet në dynja; sepse është në këtë tokë dhe njerëzit e shohin varrin, ndërsa zhvillohet edhe në ahiret sepse përjetimet e varrit si kënaqësia e dënimi janë të ngjashme me ato të xhenetit dhe xhehenemit.

Errësira e varrit, dënimi e fitneja e varrit është gjë që i frikëson besimtarët e i shqetëson ata që i marrin këto këshilla, ata nuk ndalen së menduari për atë natë, të kujdesen e të frikohen e të punojnë, kështu që pagjumësia e atyre që falen, e etja e agjëruesve,  përshpëritja e atyre që përmendin Allahun, insistimi në lutje i atyre që luten, ishte që të dalin fitimtarë në atë natë. I dërguari (sal-lAlllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “këto varre janë të mbushura me errësirë për banorët e tyre, por Allahu i ndriçon ato kur unë  ua fali namazin (e xhenazes) atyre.” E shënon Muslimi

Njeriu dënohet në varr për shkak mëkateve të mëdha të cilat i ka vepruar gjatë jetës së tij në dynja, e të tjerë të cilët shpëtojnë nga dënimi i varrit pasi që Allahu i ka udhëzuar të bëjnë vepra të mira, të cilat vepra u kanë paraprirë atyre në varr, dhe e kanë bërë atë të rehatshëm kur të hyjnë aty.

E njerëz të cilët do të testohen në varr, do të pyeten për Zotin e tyre, për fenë dhe për të dërguarin e tyre, e nuk shpëton nga ky testim dhe nuk mund t’i jep njeriu përgjigjette sakta, pos ai të cilin e përqendron Allahu, këta janë besimtarët dhe vepërmirët, “Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët Allahu i bën të humbur..” Ibrahim, 27.

Kuptohet se imani dhe veprat e mira të shpëtojnë nga sprova e varrit.

Të jetë njeriu stabil është shkak për të shpëtuar nga dënimi i varrit “E, s’ka dyshim se ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej.” Fusilet, 30.

Veki’ ibën Xherah (Allahu e mëshiroftë) thotë: Përgëzimi do të jetë në tre vende; gjatë vdekjes, në varr dhe ditën e ringjalljes “Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, kudo të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni.” Fusilet, 31.

Pra, melekët u thonë besimtarëve në momentet e agonisë, ne ishim shoqëruesit tuaj në jetën e dynjasë, ju udhëzonim, ju drejtonim, dhe ju mbronim me lejen e Allahut, njashtu do të jemi me ju edhe në ahiret, jua zbusim trishtimin e varrit, po edhe gjatë fryerjes në Sur, ju japim siguri ditën e ringjalljes, së bashku me ju e kalojmë urën e siratit deri sa t’ju shpiejmë në xhenet.

Në hadithim e Ebu Hurejres transmetohet se i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kur i vdekuri vendoset në varr, e dëgjon zhurmën e këpucëve të atyre që e kanë varrosur kur ata largohen. Nëse ka qenë besimtar, namazi i qëndron tek koka, kurse agjërimi në të djathtë, zekati në të majtë, të gjitha veprat e tjera të mira që i ka bërë, si: lëmosha, namazi nafile, lidhja farefisnore, bamirësia e të tjera, i qëndrojnë tek këmbët. I vjen dënimi i varrit nga ana e kokës dhe namazi i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ime.” Pastaj i vjen nga ana e djathtë dhe agjërimi i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ana ime” Pastaj i vjen nga ana e majtë dhe zekati i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ana ime.” Pastaj i vjen dënimi nga ana e këmbëve, porse veprat e mira, lëmosha, lidhja farefisnore, bamirësia ndaj njerëzve, thonë: “Nuk mund të depërtosh nga ana jonë.” …. ndërsa jobesimtarit kur ti vije dënimi nga ana e kokës e nuk do të gjejë asgjë (për ta mbrojtur), e kur ti vijë dënimi nga ana e djathtë e nuk do të gjejë asgjë, e kur ti vije dënimi nga ana e majt e nuk do të gjejë asgjë, e kur ti vije nga ana e këmbëve e nuk do të gjejë asgjë..”  Ibën Hibani e vlerëson si autentik.

E prej veprave të cilat e shpëtojnë njeriun nga dënimi i varrit është: lufta në rrugë të Allahut, mbështetur në fjalën e Allahut : “T’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini.” Saf, 11

E që dënimi i dhembshëm në këtë ajet është i përgjithshëm, e që lufta në rurgë të Allahut është shkak për të shpëtuar nga dënimi i varrit dhe nga dënimi ditën e Kijametit.

Rënia dëshmor është shkak për të fituar siguri nga dënimi i varrit, i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) na ka treguar se dëshmori ka disa merita tek Allahu i madhëruar, prej tyre ka përmendur: “shpëton nga dënimi i varrit dhe sigurohet nga trishtimi i madh.”

Gjithashtu edhe qëndrimi në roje në rrugë të Allahut është një prej shkaqeve për të shpëtuar nga dënimi i varrit, sikur që qëndron në hadithin e Fudaleh ibën Ubejd (radijAllahu anhu),i cili ka thënë:  kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: secili që vdes do të ketë përfundimin në basë të veprave të tija përveç atij që vdes në rojë në rrugë të Allahut, ngaqë veprat e tij riten deri në ditën e Kijametit dhe ai do jetë i siguruar nga fitneja e varrit.” E shënon Ahmedi, ibën Hibani e vlerëson sahih (autentik).

Njashtu është transmetuar edhe për suren Mulk se ajo është shpëtuese dhe penguese nga dënimi i varrit. Sikur që duket kjo vlen për atë i cili e shpeshton leximin e kësaj sure, sidomos kur përmendet në hadithin e Xhabirit (radijAllahu anhu), i cili thotë: i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) nuk flinte pa e lexuar (Elif lam Mim, (Libër) i zbritur) “Sexhde” dhe (tebareke ledhi bijedihil Mulk) “Mulk”. E shënon Ahmedi.

Vdekja nga një sëmundje e barkut është shkak për të shpëtuar nga dënimi i varrit. Edhe kjo është një nga begatitë e Allahut për të sëmurit,ngaqë sëmundjet e barkut janë të shpeshta dhe të rënda, i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: silido që vdes nga barku, nuk dënohet në varr.” E shënon Ahmedi.

E një prej shkaqeve më të rëndësishmë për të shpëtuar nga dënimi i varrit është: Duaja. I dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) shpesh kërkonte mbrojtje nga dënimi i varrit, ai kërkonte mbrojtje edhe gjatë namazit, sikur në hadithin e Aishes (radijAllahu anha), se i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) lutej në namaz: o Allah, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i varrit, kërkoj mbrojtjen Tënde nga mesihu Dexhal, kërkoj mbrojtjen Tënde nga fitneja e jetës dhe fitneja e vdekjes.o Allah unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga mëkati dhe borxhi.” Këtë e shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Në hadithin e Ebu Hurejres theksohet se është lutur më këtë lutje pas teshehudit në namaz, që është vend i lutjeve.

I dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) në namazin e xhenazes lutej për të vdekurin dhe thoshte: dhe fute në xhenet dh e mbroje nga dënimi i varrit apo nga dënimi i zjarrit.” E shënon Muslimi.

I dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i mësonte sahabët kërkim mbrojtjen nga dënimi i varrit sikur që ua mësonte Kuranin, dhe e gjithë kjo për nga rëndësia e kërkim mbrojtjes nga Allahu, ngaqë fitneja dhe dënimi i varrit është shumë i rëndë. Ibën Abasi (radijAllahu anhuma) përcjell se i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ua mësomte këtë lutje sikur që ua mësonte një sure të Kuranit, u thoshte: thuani: o Allahu unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i xhehenemit, dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i varrit, kërkoj mbrojtjen Tënde nga fitneja e mesihut Dexhal, dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga fitneja e jetës dhe e vdekjes.” E shënon Muslimi në sahihun e tij, dh emë pas ka thënë: më kanë treguar se tavusi i kishte thënë djalit të tij, a je lutur me këtë lutje në namaz? Ai kishte thënë: Jo. Ky i tha: Përsërite namazin.

Përkundër që ua mësonte atyre lutjen, u tregonte për dënimin e madh dhe të frikshme të varrit, sikur në hadithin e Zejd ibën Thabit (radijAllahu anhu) i cili përcjell se përderisa i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) po qëndronte tek murri i fisit Nexhar, i hipu mbi një mushkë, e ne sihim së bashku me të, filloi mushka të largohet gati sa nuk e rrëzoi të dërguarin (alejhi selam), ku raty pranë ishin katër, pesë apo gjashtë varre dhe pyeti: Kush nga ju e di se varret e kujt janë këto? Një njeri u përgjigj: Unë e di! E pyeti: kur kanë vdekur këta? Ai i tha: kanë vdekur në shirk. Kështu ai tha: Ky umet do të sprovohet në varre, sikur të mos varroseni, do e kisha lutur Allahut që t’ua bëjë të mundshme të dëgjonit nga dënimi i varrit atë që unë tani e dëgjoj. Pastaj u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: kërkoni mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit! Ata thanë: kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit. Ai ju tha: kërkoni mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit! Ata thanë: kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit. … e shënon Muslimi.

Kurnjeriu t’i plotësojë shkaqet e shpëtimit nga dënimi dh efitneja e varrit shpresohet për të që Allahu ta shpëtojë nga dënimi dhe fitneja e varrit, e kur njeriu t’i anashkalojë apo të ketë mangësi në shkaqet që e shpëtojnë apo ai të veprojë shkaqet që sjellin dënim, ai është i kërcënuar me dënim të varrit, kështu që besimtari duhet të largohet nga gjërat që i sjellin shkatërrim dhe të mundohet rreth asaj që i sjell shpëtim.

Njeriu është shumë i kujdesur që të ndërtojë dynjanë e tij, edhe pse ai edhe sikur të arrijë ta ndërtojë do të arrijë një moshë, qoftë edhe njëqind vjet, e pak prej tyre që e kalojnë këtë moshë, po edhe ai që e arrin këtë moshë vetëm se është lodhur nga dunjaja e njerëzit, sepse nuk ka mbetur asnjë prej gjeneratës së tij, pyetni të moshuarit ju tregojnë për këtë, e njeriu është neglizhent ndaj ndërtimit të varrit, edhe pse aty mund të qëndrojë mijëra vite, e mbetet kënaqësia që e përjeton në varr edhe ditën e ringjalljes, duke u shtuar nga kënaqësitë që nuk mundtë paramendohen , e mbetet dënimi për atë që ka përjetuar dënim në varr, e i shtihet nga dënimi, saqë ai shpreson dhe lutet që të kthehen edhe një herë në dynja që të veprojë, por kthim nuk ka: “E sikur t’i shihje ata kur janë ndalur pranë zjarrit e thonë: “Ah sikur të ktheheshim (në Dunja), të mos gënjejmë faktet e Zotit tonë e të bëhemi nga besimtarët!.” En Am, 27.

Të parët e mirë nga ky Umet merrnin shembëlltyrë dhe këshillë nga varret, ndikoheshin kur i shikonin, kur mendonin për banorëte varreve, e rreth kësaj na transmetohen shumë rrëfime.

Othmani (radijAllahu anhu) kur qëndronte pranë një varri qante deri sa të lagej mjekra e tij, e i thuhej: kur e kujton xhenetin e xhehenemin nuk qan, e qan tani? Ai tha: i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: Varri është vendi i parë i ahiretit, nëse aty shpëton çfarë vije më pas është më e lehtë për të, e nëse aty nuk shpëton çfarë vije më pas do të jetë shumë më e rëndë.” Dhe i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: Nuk kam parë pamjë më të keqe se sa varri.” E shënon Ahmedi.

Ebu Derdaja (radijAllahu anhu) ka thënë: A dëshironi t’ju tregoj se në cilën ditë jam më i varfër? Është dita kur të lëshohem në varr.

Le të marrim në këshillë e shembëlltyrë para se të marrin nga ne, sepse ne tani i këshillojmë njerëzit për ata që kanë shkuar para nesh e të tjerët do të i këshillojnë njerëzit me ne.

Jahja ibën Muadhi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: O bir i Ademit, Allahu të fton në botën e shpëtimit, andaj shiko se prej ku i përgjigjesh, nëse i përgjigjesh nga dynjaja do të hysh në botën e shpëtimit, e nëse i përgjigjesh nga varri do privohesh nga hyrja në të.