TEUHIDI ËSHTË AKIDEJA (BESIMI) JONË

TEUHIDI ËSHTË AKIDEJA (BESIMI) JONË

0 2060

Të mësojmë se çdo të thotë fjala teuhid. Rrjedh prej fjalës uahade-juvahidu që d.m.th. e ka bërë një, kjo është në kuptimin gjuhësor ndërsa në atë terminologjik d.m.th. njësimi i Allahut në zotërim, në adhurim dhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Prej kësaj kuptojmë se teuhidi ndahet në tri pjesë: teuhid rububijeh (në zotërim), uluhijeh (në adhurim) dhe esmau ue sifat (emrat dhe cilësitë e Tij).

TEUHID RUBUBIJEH d.m.th. Njohja e Allahut subhanehu ue teala se është Zot, Krijues, Posedues dhe Furnizues i çdo gjëje, Ai është i Cili i ngjall dhe i vdes krijesat e Tij. Ai është Zotëruesi i çdo çështjeje, e mira është në dorën e Tij, Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë dhe nuk ka asnjë shoqërues në këtë zotërim, Allahu subhanehu ue teala thotë: ”Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave” (FATIHA 1). Po ashtu thotë: ”Vërtetë Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën” (ARAF 54).

Nuk mjafton vetëm teuhidi rububijeh për të qenë besimi i plotë dhe i vërtetë, por duhet të jetë njëkohësisht sëbashku edhe me teuhidin uluhijeh dhe esmau ue sifat. Dijeni se edhe idhujtarët e pranojnë teuhidin rububijeh, por ata pos Allahut adhurojnë tjetërkënd, për këtë shkak ata nuk janë musliman. Thotë Allahu subhanehu ue teala: ”E nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt dhe tokën, gjithsesi se do të thonë Allahu”. (ZUMER 38)

TEUHID ULUHIJEH: Eshtë dituria dhe pranimi se vetëm Allahut i takon madhërimi dhe ibadeti i krijesave të Tij. Kjo dituri vërtetohet me fjalë, besim dhe punë. Me praktikimin e këtij teuhidi adhurohet Allahu Një dhe mohohet çdo i adhuruar tjetër. E kemi obligim të jemi të sinqertë në fe vetëm për Allahun i Cili nuk ka shoqërues. Vetëm Ai meriton të adhurohet. Njerëzit dhe xhinët janë të urdhëruar të adhurojnë Allahun Një dhe të mohojnë adhurimin e çdokujt tjetër. I lartësuari thotë: ”Nuk kam krijuar njerëzit dhe xhinët pos të më adhurojnë”. Këtë lloj të teuhidit idhujtarët e kanë mohuar. Allahu subhanehu ue teala na tregon në Kur’an se ç’kanë thënë idhujtarët kur i dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem i ka thirrur në adhurimin e Zotit Një, ku thotë: ”A mendon ai ti bëjë zotat një zot? Vërtetë kjo është shumë e çuditshme”. (SAD 5)

Njeriu duhet të kujdeset shumë që mos të bjerë në shirk (idhujtari), qoftë ai i madhe apo i vogël.

TEUHIDUL ESMAI UE SIFAT: Besimi se Allahu subhanehu ue teala i ka emrat dhe cilësitë e Tij në të cilat nuk i barazohet askush Atij, si dhe të besohet në to pa kurrfarë përngjasimi, shtrembërimi, krahasimi apo mohimi.

Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij plotësohet si vijon:

1). Pohimi i emrave dhe cilësive të cilat vet Allahu i ka pohuar për Vetveten në Kur’an, apo ato i pohoi Muhammedi sal-lAllahu alejhi ue selem për të.

2). Mohimi i çfarëdo mangësie apo të mete të cilat i ka mohuar vet Allahu subhanehu ue teala prej Vetvetes në Kur’an, apo i ka mohuar ato Muhammedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nga Ai.

Disa, të cilët nuk e kuptuan këtë lloj të teuhidit duke marrë për argument  mendjet e tyre devijuan. Këta mund ti ndajmë në disa grupe:

1). Përngjasuesit – përngjasimi i tyre është dy lloj:

  1. përngjasim i Krijuesit me cilësitë e krijesave siç thonë: Allahu ka dorë si të njerëzve,
  2. përngjasim i krijesave me disa cilësi të Krijuesit p.sh. filani i di të fshehtat apo ai mund të largon ndonjë të keqe që të ka goditur.

Këto dy grupe besimin në emrat dhe cilësitë e Allahut subhanehu ue teala e kanë të shtrembëruar, ngase Allahu azze ue xhel-le thotë:”Atij nuk i përngjet askush, Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë” (ESH-SHURA 11)

2). Shtrembëruesit (falsifikuesit) – i ndryshojnë emrat dhe cilësitë e Allahut subhanehu ue teala prej kuptimit të vërtetë në kuptime të pavërteta. Këta po ashtu i ndajmë në dy lloje:

  1. Ndryshimi i tekstit në mënyrë që të ndryshohet kuptimi p.sh. te fjala e Allahut subhanehu ue teala ”VE KELEMALLAHU MUSA TEKLIMA” që d.m.th.”Allahu  i ka folur Musaut” (NISA 164). Këta fjalën e Allahut ”Allahu” e lexojnë ”Allahe” (në arabisht kur emri vokalin e fundit e ka ”e” ai është në rasën kallëzore, dhe është kundrinë, në ajetin Kur’anor fjalën ”Allah” e bëjnë kundrinë ndërsa ”Musa” e bëjnë kryefjalë) në mënyrë që prej ajetit të kuptohet ”Musau i foli Allahut”, duke dëshiruar që ta mohojnë të folurit e Allahut me Musaun.
  2. Ndryshimi i kuptimit p.sh. te fjala e Allahut ”JEDULLAHI”- ”Dora e Allahut” thonë: ka për qellim fuqinë e Allahut, duke dëshiruar që të mohojnë se prej cilësive të Allahut është se Ai ka dorë.

Ne besojmë se Allahu ka dorë ngase  Ai vetë këtë e ka vërtetuar në Kur’an, mirëpo ne i largohemi përngjasimit të cilësive të Tij me krijesat.

Shkaku pse kanë rënë në këtë është se këta, emrat dhe cilësitë e Allahut i krahasuan me krijesat, dhe si pasojë do ta përngjasojnë Allahun me krijesat, e kështu mohuan shumë cilësi të Allahut subhanehu ue teala. Ky veprim i tyre është i gabuar ngase:

  • Krahasimi i Allahut me krijesat është i pavend, e këtë e vërteton edhe mendja edhe tekstet Kur’anore,
  • Frika se do ta përngjasojnë Allahun me krijesat është e gabuar, sepse ne e dimë se shumë krijesa kanë cilësi me emra të njëjtë, por dallojnë tërësisht, p.sh. njeriu ka këmbë, poashtu edhe kafsha, zogu, karrigeja etj. ,mirëpo a i kanë të njejta? Assesi. Pasiqë, mes krijesave ka dallim edhepse emërtohen njëjtë, atëherë dallimi mes krijesave dhe Krijuesit është i papërshkrueshëm.

3). Mohuesit, refuzuesit e emrave dhe cilësive të Allahut subhanehu ue teala. Këta ndahen në tre grupe:

  1. Mohojnë të gjitha emrat dhe cilësitë e Allahut subhanehu ue teala
  2. Pohojnë emrat, mohojnë cilësitë,
  3. Pohojnë emrat, ndërsa cilësitë, disa i pohojnë disa i mohojnë.

Asnjëri prej këtyre nuk është në të vërtetë. Shkaku i devijimit të këtij grupi është sikurse i grupit të dytë, përveçse këta i mohuan emrat dhe cilësitë e Allahut subhanehu ue teala ndërsa ata i ndryshuan.

Shkaku pse këta të gjithë devijuan është se për ta kuptuar fenë nuk iu kthyen Allahut subhanehu ue teala, Resulullahut sal-lAllahu alejhi ue selem, sahabëve radijAllahu anhum dhe dijetarëve të mirëfilltë, por iu referuan mendjes së tyre dhe filozofisë së huaj, që padyshim është gjë e kotë dhe e pavërtetë.

Mësuam teuhidin në mënyrën e vërtetë dhe mësuam grupet që devijuan në teuhid, në mënyrë që të mbrohemi prej tyre apo t’i mësojmë ata se ç’është e vërteta. Me teuhid plotësohet ibadeti ndaj Allahut subhanehu ue teala dhe largohemi prej idhujtarisë. Me teuhid shpëtojmë në këtë botë dhe tjetrën dhe fitojmë kënaqësinë e Allahut subhanehu ue teala e Ai për këtë din të shpërblen më së miri.

GJITHASHTU NË ALBISLAM