VENDQËNDRIMI I SHPIRTËRAVE

VENDQËNDRIMI I SHPIRTËRAVE

0 2126

Vëndqëndrimi i shpirtërave?

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me vendbanimin e shpirtërave, kjo nga shkaku i gradave të ndryshme të shpirtërave, e si pasojë i kanë ndarë ata në tri grupe:

1. Grupi i parë: Shpirtrat e profetëve-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta –

Shpirtrat e tyre pa kurfarë diskutimi janë te Zoti i tyre në gradat më të larta. Argument për këtë është hadithi i Aishes-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë: i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur ishte i shëndoshë thoshte:” Asnjë profet nuk ka vdekur para se ta shoh vendin e tij në xhenet e pastaj zgjedh (në mes vdekjes apo jetës së kësaj jete për ta vazhduar jetën).” Thotë ajo:” Kur u sëmurë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kokën e tij e kishte të vendosur mbi kofshët e mia, e kur i ra të fikët për një kohë, e pastaj i erdhi vetëdija e drejtoj shikimin e tij lartë dhe tha: Tek miku im më i Lartë (Allahu)”. – Thashë: Atëherë e kuptova se ai ka zgjedhur të mos qëndroj me ne, e pikërisht këtu e kuptova hadithin të cilin na kishte treguar më parë. Kurse fjala e fundit e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ishte:” O Allah të lutem tek miku im më i Lartë “(e kishte për qëllim Allahun e Lartësuar)1.

2. Grupi i dytë: Shpirtrat e shehidëve, dëshmorëve –

Për të cilët ka argument se shpirtrat e tyre janë në formën e zogjëve të gjelbërt, të varura për arshi. Mesruku përcjell dhe thotë: E pyetëm Abdullah ibn Mesudin-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në lidhje me ajetin në Kuran:” Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre”2. E ai tha: Për këtë çështje ne e kemi pyetur (të dërguarin e Allahut -paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)3, e ai na tha:” Shpirtrat e tyre janë në formë të zogjëve të gjelbër bashkë me kandila (lamba) të varura për arshi, shëtisin nëpër xhenet ku të duan, pastaj kthehen tek kandilat e tyre, atëherë ju shfaqet Zoti ku ju thotë: A dëshironi diçka tjetër? – Thonë: Çfarë të dëshirojmë diçka tjetër kur shëtisim në xhenet ka të duam. – Kështu vepron me ta tri herë, atëherë kur e vërejnë se nuk do të lihen të qetë nga kjo pyetje thonë: O Zot dëshirojmë të na i kthesh shpirtrat tanë në trupat tanë derisa të vdesim përsëri në rrugën Tënde, atëherë kur e sheh Allahu se ata nuk kanë nevojë për diçka tjetër i le”4.

3. Grupi i tretë: Shpirtrat e njerëzve prej besimtarëve dhe të tjerëve –

Për këta ka mendime të ndryshme, ndjekja e mendimit më të saktë është se shpirtrat e besimtarëve janë në xhenet, ndërsa shpirtrat e pabesimtarëve janë në zjarrë, ky mendim njëherit është edhe mendimi i imam Ahmedit-Allahu e mëshiroftë. Djali i tij Abdullahu përcjell fjalën e tij ku thotë: “Shpirtrat e pabesimtarëve janë në zjarrë ndërsa shpirtrat e besimtarëve janë në xhenet”5.

Po ashtu ky mendim është saktësuar edhe nga Ibn Tejmije-Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpirtrat e besimtarëve janë në xhenet, ndërsa shpirtrat e pabesimtarëve janë në zjarrë, shpirtrat e besimtarëve shperblehen në begati, ndërsa shpirtrat e pabesimtarëve ndëshkohen derisa të kthehen shpirtrat në trup ditën e ringjalljes”6.

Dallimi ndërmjet jetës së shehidëve, dëshmorëve në berzah, jetën e varrit në xhenet dhe jeta e tjerëve pos tyre nga besimtarët

Për këtë çështje Ibn Rexhepi-Allahu e mëshiroftë, thotë:” Dallimi ndërmjet jetës së shehidëve dhe të tjerëve nga besimtarët është se shpirtrat e tyre janë në xhenet duke shikuar në dy këndvështrime:

E para: Shpirtrave të shehidëve ju jepet trup, e ajo është në formë zogu, që në këtë mënyrë të kenë mundësi ti gëzojnë komplet begatitë e xhenetit, e jo si shpirtrat tjerë të thjeshtë, sepse shehidët i kanë dhënë trupat e tyre si sakrificë për Allahun, e si shpërblim apo kompensim për ta nga ana e Allahut është: Jeta e tyre në berzah në këta lloj trupi.

E dyta: Ndërsa sa i përket të tjerëve pos tyre se edhe ata ushqehen në xhenet, nuk ka diçka autentike, kështu që në disa transmetime tregohet se shpirtrat tjerë pos shehidëve janë të lidhura në drujt e xhenetit, ka dy transmetime: يعلَقون “Jualekunë”, me fet’ha mbi lamin, si dhe dame يعلُقون “jualukunë”, prandaj është thënë se kanë kuptim të njejtë. Pra qëllimi është se hanë nga druri.

Ibn Abdulberi -Allahu e mëshiroftë, thotë: “Transmetimi me dame e ka kuptimin e të ngrënurit, ndërsa me shenjën e fet’has e ka për qëllim të varura. Kurse Ibn Xheuzi-Allahu e mëshiroftë, potencon se kjo nuk do të thotë se ata janë të njejtë me shehidët në përjetimin e begative në ushqim, e Allahu e di më së miri”7.

Përgaditi: Nexhat Ceka

1 Transmeton Buhariu nr. 6905.

2 Ali Imran:169.

3 Këtë e përmend Neveviu, d.m.th. është për qëllim i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. – “Sherh sahihul Muslim” Neveviu 13/34 nr. 1887.

4 Transmeton Muslimi nr. 1887.

5 ‘Tabakatul-hanabila” 1/181.

6 “Fetava” Ibn Tejmije 4/311.

GJITHASHTU NË ALBISLAM