VEPRAT E NJERËZVE NË DITËN E ASHURASË

VEPRAT E NJERËZVE NË DITËN E ASHURASË

0 1142

Nëse analizojmë veprat me të cilët njerëzit veçojnë ditën e ashurasë (10 Muharrem) do të vërejmë llojllojshmërinë e tyre. Disa prej tyre agjërojnë dhe kjo është në pajtim me sunnetin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Një palë prej tyre mundohet që natën e Ashurasë ta ngjall me adhurim, në kohë që grupi i tretë pregadit ushqime të ndryshme, presin kurbane, me një fjalë festojnë. Qëllimi i tyre është shprehja e gëzimit dhe haresë në këtë ditë.

Nga ana tjetër në disa vende të botës shohim ceremoni në të cilat shprehet pikëllimi, brenga si dhe hidhëri. Si zakonisht ata janë pjesë e ceremonive të organizuara nga shi’itët e botës.

Në këtë shqyrtim do të mundohemi që të hedhim dritë në llojet e veprave dhe ligjshmërinë e tyre. Para se gjithash duhet ditur se veprat që të afrojnë tek Allahu, subhanehu ve teala, kanë dy kushte

  1. Pasimi i sunnetit të Resulullahit, sal-lallahu alejhi ue selem.
  2. Sinqeriteti

Nëse i shqyrtojmë veprat e njërëzve, ditën e Ashurasë, në të kaluarën dhe në kohën prezente do të shohim se ato munden të ndahen në disa lloje:

  1. a)         Vepra që bëjnë pjesë në suazat e ibadeteve që bëhen veçanërisht në këtë ditë siç janë: falja natën e Ashurasë, vizita e varrezave, lëmosha, dhënia e zeqatit ditën e Ashurasë, lëximi i sureve ku përmendet Musa, alejhi selam, në mëngjesin e ditës së Ashurasë. Këto vepra edhe pse të ligjshme (meshru’a) shëndrrohen në risi (bidat) sepse janë veçuar me kohë të cilën nuk e ka caktuar as Allahu e as i Dërguari i Tij. Po të ishin këto vepra të veçuara për këtë ditë Ligjdhënësi do të kishte nxitur në të siç i ka nxitur në agjërimin ditën e Ashurasë.
  2. b)         Veprat që bëjnë pjesë në suazat e traditëve dhe që bëhen me qëllim të festimit në këtë ditë siç janë: larja për këtë ditë, parfymosja, zbukurimi me kuhl (pluhur që përdoret për lyerjen e syve), përgaditja e ushqimit të pasur, therrja e kurbanit, shprehja e gëzimit dhe haresë dhe tjerë. Këto adete (në shumë prej tyre janë infiltruar edhe vepra të shëmtuara që janë në kundërshtim me fenë Islame) në esencë janë kundërveprime me qëllim të mohimit të ceremonive të pikëllimit dhe hidhërimit të manifestuara prej shi’itëve me rastin e ditës në të cilën është vrarë Husejni, radijallahu anhu. Nasibijtë (ata që armiqësojnë familjën e të Dërguarit) i shpikën këto gëzime me qëllim të kundërshtimit të veprave që i bënin shi’itët duke shprehur pikëllimin e tyre. Në këto vepra ka gjëra që nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë Islame. Me këtë vepër ata u përngjasuan me çifutët të cilët këtë ditë e konsiderojnë festë. (Iktida Siratil Mustekim 2/129-134)

Të veçuarit e kësaj dite me larje, lyerje të mjekrës me këna dhe syve me kuhl nuk ka asnjë bazë. Ibën Tejmijje, rahimehullah, thotë: Gjithë këto vepra janë gënjeshtra të cilat i janë mveshur Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem. Përpos vlerës së agjërimit ditën e Ashurasë, asnjë vepër me vlerë të posaçme nuk ka bazë prej të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. (Minhaxh Es Sunne 7/39)

Nga kjo kuptojmë se Allahu subhanehu ve teala, këtë ditë nuk e ka veçuar me asnjë gjë përpos agjërimit dhe kjo shihet qartë në sunnetin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, për të cilin Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut , kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzab, 31)

Ata të cilit vetën e angazhojnë me këto vepra sa pak prej sunneteve të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, praktikojnë?!

Ceremonitë shi’ite:

Sa i përket vendit të cilin në historinë Islame e ze Husejni, radijallahu anhu, për këtë nuk ka ndarje tek Ehli Sunneti. Husejni, radijallahu anhu, konsiderohet dijetar prej dijetarëv të sahabeve, njëri prej grupës së zgjedhur të tyre në dynja dhe ahiret. I dalluari me fisnikëri, bujari, trimëri… nipi i të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Ehli Sunneti gjithashtu vrasjen e tij e konsideron vepër të shemtuar dhe ndodhi pikëlluese për çdo musliman. Vrasësit e tij Allahu, subhanehu ve teala, i poshtëroi në këtë botë dhe i bëri mësim për ata që erdhën pas tyre. Ata u goditën me sprova në këtë botë dhe shumë pak prej tyre shpëtuan.

Ajo që duhet bërë kur përmendet vrasja e Husejnit, radijallahu anhu, është durimi dhe shprehja e pajtimit me caktimin e Allahut, duke potencuar se ajo të cilën Allahu, subhanehu ve teala, e ka zgjedhur për robin e vet është hajr për të, në dynja dhe ahiret.

Sidoqoftë ajo të cilën shi’itët e bëjnë duke shprehur pikëllimin, hidhërimin, duke dënuar vetën me goditje nuk i ka hije një muslimanit dhe në ato vepime shihet dozë e madhe e aktrimit dhe të efektit artistik. Babai i Husejnit, radijallahu anhu, Aliu, radijallahu anhu, tek shi’itët ze vendin më të lartë se vendi i Husejnit, por ata me rastin e vdekjes së tij (pas atentatit) nuk organizojnë ceremoni të këtij lloji. Shumë njerëz më të vlefshëm se Husejni, radijallahu anhu, kanë vdekur para tij dhe me rastin e vdekjes së tyre nuk janë bërë vepra që u përngjajnë veprimeve të tyre në ditën e Ashurasë, në të cilën është vrarë Husejni, radijallahu anhu. Shprehja e pikëllimit në këtë mënyrë nuk ka bazë e as lidhje me fenë Islame dhe më shumë i përngjan veprimeve të Ehlul Xhahilijje (ata që jetuan në kohën e injorancës para dërgimit të Muhammedit). (Iktida Siratil Mustekim të Shejhul Islam Ibën Tejmijje 2/129-131)

Ibën Rexhebi, rahimehullah, thotë: Ceremonitë e pikëllimit të cilët i praktikojnë Rafidijtë me rastin e vrasjes së Husejnit, radijallahu anhu, janë vepra të njerëzve veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë. As Allahu e as pejgamberët e tij nuk urdhëruan shpalljen e diteve të zia me rastin e vdekjes së pejgamberëve. Nëse këtë nuk e bënë me rastin e vdekjes së tyre e cila me të drejtë konsiderohet musibet, atëherë ceremonitë e pikëllimit me rastin e vdekjes së atyre që janë në shkallë më të ultë se ata nuk vjen në konsideratë. (Letaiful Me’arif 113)

Nga faktet e paraqitura shihet së këto gjëra të cilat bëhen nga Rafidijtë, prej së afërmi e as prej së largu, në asnjë aspekt nuk lidhen me ndonjë bazë të fesë. Ato më tepër i përkasin veprave që konsiderohen ndryshim i fesë së Allahut.

Përshtati: Talha Kurtishi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM