VLERA E DASHURISË VËLLEZËRORE ( 2 )

VLERA E DASHURISË VËLLEZËRORE ( 2 )

0 1866

Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu se Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush e do vëllain e tij për hir të Allahut, le t’i tregojë atij se e do.”[1]

Transmeton Ebu Davudi me zingjir të vërtetë nga Enes Ibën Maliku,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se një person ishte me pejgamberin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- dhe kishte kaluar një person dhe ai që ishte me pejgamberin,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- i thotë: O i Dërguari i Allahut, unë e dua këtë. Pejgamberi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- i tha: A ia ke thënë këtë atij? Personi i tha: Jo. Pejgamberi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- i tha: Thuaji atij që e do. Personi e arrinë atë dhe i thotë: Të dua për hir të Allahut. Ai i përgjigjet: Të dashtë Ai (Allahu) për hir të Cilit ti më do mua.”

Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu se Omer Ibën Hatabi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: Kam kërkuar leje prej pejgamberit,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- për të shkuar në Umre dhe më lejoi të shkoj e më tha: Mos harro o vëllai im të lutesh edhe për ne. Omeri tha: Ai (i Dërguari i Allahut) e tha një fjalë që nuk do të isha i kënaqur ta ndërroja me gjithë dynjanë.” Në një transmetim tjetër i ka thënë: Bashkëngjitna edhe neve në lutjet e tua.

Transmeton Imam Muslimi se Pejgamberi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Çdo rob musliman i cili lutet për vëllain e tij në fshehtësi, melaqet do të thonë: O Allah, jepja edhe atij të njejtën.”

Gjithashtu, transmeton imam Muslimi nga Ebu Dheri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se i dërguari i Allahut,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Mos e përbuzni asnjë vepër të mirë, edhe sikur të ishte ajo kur e takon vëllain tënd fytyrëçelur.”

Transmeton Ebu Davudi nga Berra Ibën Azib,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se i dërguari i Allahut,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Kur dy muslimanë takohen dhe përshëndeten me dorë, do t’u falen mëkatet e tyre para se të ndahen.”[2]

Transmeton Imam Maliku se i dërguari i Allahut,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: Allahu,- xhele ue ala!,- ka thënë: Ia kam bërë obligim Vetes time që t’i dua ata të cilët duhen për hir Timin, ata të cilët e vizitojnë njëri tjetrin për hir Timin dhe ata të cilët sakrifikojnë për Mua.”[3]

Transmetohet nga Enes Ibën Maliku,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se i dërguari i Allahut,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Ai i cili e takon vëllanë e tij me diçka që e gëzon atë, Allahu,- xhele ue ala!,- do ta gëzojë atë në ditën e gjykimit.”[4]

Transmetohet nga Dejlemiu prej Enesit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se i Dërguari i Allahut,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Shkëmbeni dhurata, sepse kjo e shton dashurinë dhe e largon hidhërimin ndaj njëri-tjetrit.” Në transmetimin e Aishes qëndron: “Shkëmbeni dhurata që të duheni mes vete.”[5]

Transmetohet nga Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Kush ia lehtëson një brengë muslimanit, Allahu ia lehtëson atij një breng nga brengat e ditës së kijametit. Kush ia lehtëson muslimanit një vështirësi, Allahu ia lehtësonë vështirësit e tij në dunja dhe ahiret dhe kush ia mbulon një të metë muslimanit, Allahu,- xhele ue ala!,- do t’ia mbulojê një të metë në dunja dhe ahiret. Allahu është në ndihmë të robit të Tij, përderisa robi është në ndihmë të vëllait të vet.”

Dhe për fundin e kësaj ligjerate të sotme, dy fjalë nga selefi:

Omer bin Hatabi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thoshte: “Mundohu të gjesh për vëllain tënd deri në 70 (shtatëdhjetë) justifikime.”

Ebu Kilabe,- Allahu e mëshiroftë!, – thoshte: “Nëse vëren tek vëllai yt një punë që të zemëron, mendo se ndoshta ka këtë apo atë arsye. E nëse nuk gjenë asnjë arsye atëherë thuaj: Ndoshta ka justifikim të cilin unë nuk e di.”

Burimi: albislam.com

Përgatiti: Suad B. Shabani

__________

[1] (Shejh Albani rahimehullah thotë se hadithi është hasen, Sahih el Xhami: 280).

[2] (Shejh Albani rahimehullah thotë se hadithi është hasen, Sahihul Xhami: 5777).

[3] (Shejh Albani rahimehullah thotë se hadithi është hasen, Sahihul Xhami: 7289).

[4] (Imam Taberani në librin e tij: Xhamiu Sagir).

[5] (Shejh Albani thotë se hadithi është sahih, Sahihul Xhamiu: 3004).

GJITHASHTU NË ALBISLAM