VLERA E DITËS SË XHUMA

VLERA E DITËS SË XHUMA

0 4227

Dita e xhumasë është ajo ditë për të cilën Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë”.

Ibën Kajimi ,Allahu e mëshiroftë thotë: “Prej udhëzimit të Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, ishte madhërimi i kësaj dite, fisnikërimi i saj, dhe dallimi i saj me adhurime në krahasim me ditët tjera.”

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, numëroi më shumë se tridhjetë veçori dhe vlera për këtë ditë të madhe, dhe prej tyre do t’i cekim disa më kryesore.

1- Dita e xhumasë është ditë feste që përsëritet. Në këtë ditë ndalohet agjërimi ndarazi prej ditëve tjera, kështu që me këtë kundërshtohen krishterët dhe jehuditë, dhe i jepet mundësi muslimanit që të forcohet për disa adhurime të posaçme të kësaj dite si, namazi, lutjet, e tjerë. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Me të vërtetë dita e xhumasë është ditë feste, dhe ditën e festës mos e bëni ditë agjërimi, përveçse nëse ia bashkëngjitni një ditë para ose pas.”

2- Dita e xhumasë është dita e “tepricës”, dita kur i shfaqet Allahu azze ue xhel besimtarëve në xhenet. Allahu azze ue xhel thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” Kaf 35. 

                                            

Enes ibën Malik, radijallahu anhu, thotë: “I paraqitet Allahu azze ue xhel besimtarëve në xhenet çdo xhuma.”

3- Dita e xhumasë është prej ditëve më të mira. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Dita më e mirë që ka lindur dielli është dita e xhumasë”.

4- Në këtë ditë ka një orë në të cilën pranohet duaja. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Në këtë ditë gjendet një orë, nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej Allahut azze ue xhel diç, Allahu ia jep atë”. 

5- Në këtë ditë pëlqehet veprimi i veprave të mira. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Ai i cili i vepron këto pesë vepra brenda dite, Allahu azze ue xhel e shënon prej banorëve të xhenetit: Viziton të sëmurin, prezanton në xhenaze, agjëron këtë ditë, shkon në xhami për faljen e namazit të xhumasë, dhe liron një rob.”

Sqarim: Agjërimi që ceket në këtë hadith është agjërimi i cili bie në këtë ditë pa qëllim veçimi të kësaj dite, siç e ceka më lartë.

6- Kjo ditë është dita kur do të ndodhë Kiameti. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “S’do të ndodhë Kiameti përveçse në ditën e xhuma.”

7- Kjo ditë është dita kur falen mëkatet. Transmeton Selman el Farisij, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes njerëzve (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t`i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër.”

8- Ai i cili shkon për ta falur namazin e xhumasë duke ecur në këmbë, ka shpërblim të madh. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme, dhe shpejton sa më herët që është e mundshme, e shkon në këmbë e jo duke kalëruar, pastaj i afrohet imamit, e përcjell hutben me vëmendje pa kurrfarë lëvizje të palejueshme (më gjymtyrë ose me gojë) do të ketë shpërblim sikur të ketë agjëruar dhe të jetë  falur tërë vitin.”

9- Xhumaja deri në xhumanë tjetër është shkak për faljen e mëkateve mes tyre, dhe për tri ditë të tjera shtesë.Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Ai i cili pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i falë ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje, pastaj falet me imamin, Allahu azze ue xhel ia falë mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër, dhe për tri ditë të tjera shtesë.

Mëkatet e përmendura në këtë hadith janë mëkate të vogla, ashtu siç ka transmetuar Ibën Maxhe nga Ebu Hurejra fjalët e mëposhtme: “Për ata që nuk kanë bërë mëkate të mëdha”.

10- Vdekja e një muslimani ditën apo natën e xhumasë, është prej shenjave të përfundimit të mirë. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Ai i cili vdes ditën apo natën e xhumasë, i shmanget sprovës së varrit.”

11- Dhënia e lëmoshës në këtë ditë është më e mirë se në ditët tjera. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lëmosha e kësaj dite krahas ditëve tjera javore, është si lëmosha e muajit Ramazan krahas muajve tjerë.”

Pastaj tha: “E shihja ibën Tejmijën, Allahu e mëshiroftë, se kur dilte prej shtëpie për ta falur namazin e xhumasë, merrte me vete bukë apo çka gjente në shtëpi dhe e jepte si lëmoshë fshehurazi.”

Këto ishin disa prej veçorive të kësaj dite të madhe, dhe po të kishte kjo ditë vetëm një nga veçoritë që i cekëm, do të ishte e mjaftueshme për muslimanin në rast se e praktikonte dhe kujdesej për të.

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM