VLERA E DITURISË DHE DIJETARËVE

VLERA E DITURISË DHE DIJETARËVE

0 3968

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: “Allahu do t’i lartësojë besimtarët që janë prej jush, e veçanërisht dijetarët do t’i ngrisë në shkallë të lartë. E, Allahu di çdo gjë që punoni.” (Muxhadele: 11).

“(A më i mirë është ky) apo ai që bën lutje natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet (nga dënimi) i jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Vetëm mentarët i pranojnë këshillat!.” (Zumer: 9).

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Kujt ia do të mirën Allahu, ia mundëson mësimin (kuptimin e thellë) e fesë.”[1]

“Kush ndjekë rrugën e kërkimit të diturisë, atij Allahu ia lehtëson rrugën për në Xhenet.”[2]

Nuk ka dyshim se dituria e dërgon njeriun tek Allahu në rrugën më e shkurtë, prandaj ai i cili ndjek rrugën e diturisë, ai do të arrijë tek Allahu dhe tek xheneti.

Dituria e udhëzon njeriun nga errësirat e xhahiljetit (injorancës), dyshimeve dhe dilemave të ndryshme. Prandaj, Allahu e ka emërtuar librin e Tij (Kur’anin), -“dritë”.

Transmetohet nga Abdullah ibn Amri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: ” Allahu nuk e merr diturinë, duke e nxjerrë nga gjoksat e njerëzve, por Allahu e merrë diturinë duke i marrë dijetarët. Dhe kur të mos mbetet asnjë dijetarë, njerëzit do t’i llogarisin udhërrëfyes të tyre injorantët. Njerëzit i pyesin, kurse ata u përgjigjen pa dituri, kështu e hedhin në devijim veten e tyre, por edhe të tjerët i devijojnë.”[3]

E kanë pyetur Ubade ibn Samitin,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- rreth këtij hadithi, e ai ka thënë: “Nëse dëshiron të tregoj se cila nga llojet e diturisë është ngritur e para prej njerëzve, atëherë dije se ajo është përulja (hushui).”

Ubadeja ka thënë kështu, sepse dituria ndahet në dy pjesë: Dituria e cila le gjurmë në zemrën e njeriut: dituria mbi Allahun, Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Allahut.

Kjo është dituria e dobishme për të cilën Abdulla ibn Mes’udi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- tha: “Më të vërtetë ka disa njerëz që e lexojnë Kur’anin, mirëpo ky lexim nuk e kalon as fytin e tyre (nuk depërton në zemra), por nëse zë vend dhe depërton tek zemra, atëherë (leximi i Kur’anit) bën dobi.”

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Nuk lejohet të kemi xhelozi përveç ndaj dy personave: Njeriut që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai (at pasuri) e harxhon në të vërtetën, dhe njeriut që Allahu i ka dhënë urtësi dhe ai gjykon me të dhe e zbaton atë (në të vërtetën).”[4]

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Dynjaja u takon katër lloje të njerëzve: 1. Njeriut që Allahu i ka dhuruar pasuri dhe dituri. Ai i frikësohet Allahut se si e shfrytëzon pasurinë, dhe kujdeset për farefisin e tij, i dinë detyrat e tij karshi Zotit të vet në pasurinë e tij. Ky është njeriu me pozitë më të mirë tek Allahu. 2. Njeriut që Allahu i ka dhuruar dituri, por s’i ka dhuruar pasuri, andaj ky thotë: Po të kisha pasur pasuri edhe unë do veproja si filani. Ky do të shpërblehet sipas nijetit që e ka në zemrën e tij. Këta të dy janë të barabartë sa i përket shpërblimit tek Allahu. 3. Njeriut që Allahu i ka dhuruar pasuri, mirëpo nuk i ka dhuruar dituri. Ky njeri e harxhon pasurinë e tij pa kontrroll, nuk i frikësohet Allahut në pasurinë e tij, nuk kujdeset (nuk i ndihmon) farefisit të tij, e as që i di obligimet e tij karshi Allahut në pasurinë e tij. Ky është njeriu me pozitë më të keqe tek Allahu. 4. Njeriut që Allahu nuk i ka dhuruar dituri e as pasuri, e ky thotë: Po të kisha pasuri do veproja si ai që ka pasuri. Ky do të shpërblehet nga Allahu sipas qëllimit që ka në zemrën e tij. Kurse në mëkat janë të njejtë (të barabartë).”[5]

Imam Ahmedi,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Njerëzit kanë nevojë më shumë për t’u pajisur me dituri, sesa të pajisen me ushqim dhe pije. Sepse për ushqim njeriu gjatë ditës ka nevojë vetëm një apo dy herë, kurse për dituri njeriu ka nevojë për aq sa frymon në këtë botë (deri në çastin e vdekjes).”

Sufjan ibn Ujejne,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Njerëzit me pozitë më të lartë janë ata që qëndrojnë mes Allahut dhe njerëzve, e këta janë pejgamberët dhe dijetarët.”

Dhe në fund!

Një poet thotë:

Krenaria u takon vetëm dijetarëve, sepse dijetarët i udhëheqin njerëzit drejtë udhëzimit të vërtetë.

Vlera e kujtdo është ajo që di ta bëjë veprën mirë, kurse të paditurit janë armiqtë e dijetarëve

Nxito dhe fitoje diturinë dhe jeto i gjallë e përgjithmonë me të (diturinë)

Nuk ka dyshim se njerëzit janë të vdekur, kurse dijetarët janë të gjallë

Autor: Shejh Dr. Ahmed Ferid,- Allahu e ruajtë.

Nga arabishtja: Suad Burhan Shabani

Burimi: albislam.com

[1] (Shënon: Buhariu- 1/164(kapitulli mbi diturinë, Muslimi- 13/67, dhe Tirmidhiu e transmeton nga Ibn Abasi. Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen sahih).

[2] (Shënon: Muslimi- 17/21-22 (kapitulli mbi dhikrim dhe duanë), Tirmidhiu- 10/115 (kapitulli mbi diturinë), Ebu Davudi- 10/73 (kapitulli mbi diturinë) dhe Ibn Maxhe- 225 (në parathënien e tij), Tirmidhiu thotë se hadithi është Hasen).

[3] (Shënon: Buhariu- 1/234 (kapitulli mbi diturinë), Muslimi- 16/223-224 (kapitulli mbi diturinë).

[4] (Shënon: Buhariu- 3/99-100 (kapitulli mbi diturinë), Muslimi- 6/97-98 (kapitulli mbi namazin e udhëtarit)

[5] (Shënon: Tirmidhiu- 9/199-200 (kapitulli mbi zuhdin), Ahmedi- 4/230-231 dhe ibn Maxhe- 4228 (kapitulli mbi zuhdin). Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen sahih, kurse Shejh Albani thotë se hadithi është Sahih).

GJITHASHTU NË ALBISLAM