VLERA E FRIKËS NGA DËNIMI I ALLAHUT ( 2)

VLERA E FRIKËS NGA DËNIMI I ALLAHUT ( 2)

0 3240

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë:

” Me të vërtetë, ata që prej frikës së madhe ndaj Zotit të tyre, frikësohen (nga dënimi i Tij), dhe ata që besojnë në argumentet e Zotit të tyre, dhe ata që nuk i bëjnë shok Zotit të tyre, dhe ata që japin nga ajo që u është dhënë atyre, e zemrat e tyre janë të frikësuara, meqë do të kthehen te Zoti i tyre, – ata nxitojnë në vepra të mira dhe për to i kalojnë të tjerët.” (Muminun: 57-61).

Transmeton Imam Tirmidhiu nga Aisheja,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e cila thotë: E kam pyetur pejgamberin,- alejhi selam!- në lidhje me këtë ajet: A janë këta njerëz që konsumojnë alkool, bëjnë imoralitet dhe vjedhin? Pejgamberi,- alejhi selam!,- tha: Jo, oj bija e Sidikut, por janë ata që agjërojnë, falen dhe japin sadaka, mirëpo ata frikësohen se ndoshta nuk u pranohen këto vepra tek Allahu, dhe këta nxitojnë drejt kryerjes së veprave të mira.”[1]

Transmetohet nga Enesi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: Pejgamberi,- alejhi selam!,- e mbajti një hutbe që kurrë më parë nuk kam dëgjuar hutbe të tillë, ku tha: “Po të dinit ju atë që di unë, do të kishit qeshur pak dhe do të kishit qarë shumë. Atëherë shokët e Muhamedit,- alejhi selam!,- i mbuluan kokat e tyre dhe u dëgjua një rënkim.”

Në një transmetim qëndron kështu: i arriti një lajm pejgamberit,- alejhi selam!,- prej shokëve të vet, e ai tha: ”M’u shfaqën xheneti dhe xhehenemi dhe nuk kam parë më parë sikur sot kaq gjëra të mira dhe kaq të këqija. Sikur ta dinit atë që e di unë pak do kishit qeshur e shumë do kishit qarë. Shokët e pejgamberit, -alejhi selam!-, nuk përjetuan ndonjë ditë më të vështirë se kjo, ata i ulën kokat e tyre dhe u dëgjua një rënkim nga ta.”[2]

Kuptimi i hadithit: Po ta dinit atë që e di unë nga madhështia e Allahut dhe ndëshkimi i atyre që bëjnë mëkate do të kishte zgjatur qarja, mërzija dhe frika juaj nga ajo që do vjen dhe nuk do të qeshnit aspak .

Transmetohet nga Aisheja,-.Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: Kur ndryshonte qielli dhe vinte ndonjë furtunë apo ndonjë erë shumë e fuqishme, pejgamberit, -alejhi selam!-, në ato momente i ndryshohej fytyra. Hynte dhe dilte nga shtëpia i tronditur nga frika prej dënimit të Allahut.”[3]

Transmeton Abdullah Ibn Shehir,- Allahu qoftë i kënaqur me të se kur hynte Muhamedi,-alejhi selam!,-në namaz dilte prej tij një pëshpëritje dhe ndëgjohej si zhurma e cila del nga ena në të cilën është duke u zihur diçka.”[4]

Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- një ditë e lexoi ajetin suren Tur derisa arriti tek ajeti:

“Me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd, do të ndodhë.” (Tur – 7).

Qau aq shumë saqë e kaploi sëmundja dhe erdhën njerëzit ta vizitojnë.

Duke qenë në shtratin e vdekjes Omeri i tha djalit të vet: Ma vendos faqen në tokë (rërë) ndoshta më mëshiron Allahu e pastaj tha: Vaj halli për mua, nëse Allahu nuk më fal. E përsëriti tre herë dhe ndërroi jetë, vdiq Omeri.

Gjithashtu, Omeri kur lexonte ndonjë ajet që e frikesonte nga dënimi i Allahut qëndronte disa ditë në shtëpi e njerëzit mendonin se Omeri ishte i sëmurë. Aq shumë qante saqë nga të qarit e shumtë iu bënin Omerit në fytyrën e tij dy vija të zeza .

Njëherë Ibn Abasi i tha Omerit: Allahu të bëri shkak për të çliruar vende të shumta dje, për të bërë shumë gjëra tjera, ndërsa Omeri ia ktheu duke i thënë: Unë dëshiroj vetëm të shpëtoj pa shpërblime dhe pa mëkate.”

Othman Ibn Afani,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- kur ndalej tek varrezat , i lagej mjekrra nga të qajturit e tepërt. Në ato momente thoshte: “Po të isha mes Xhenetit dhe Xhehenemit dhe mos ta dija se ku do te përfundoj (në xhenet apo xhehenem) do të zgjidhja të bëhesha hi e pluhur para se ta kuptoja se ku e kam fundin.”

Shokët e Hasan el Basriut thonin: “Kur vinte në mexhlis Hasan el Basriu, neve na dukej sikur ai po vinte nga varrimi i ndonjë familjari të tij. Kur rrinte ai me neve, rrinte kokë ulur sikur të ishte ndonjë rob që pas pak do t’i hiqej (pritej) koka. Ndërsa, kur përmendej zjarri gjatë bisedës në takimet tona, aq shumë frikësohej, saqë mendonim se sikur zjarri ishte krijuar ta digjte vetëm Hasan el Basriun.”

Transmetohet se Zurare ibn Ebi Eufa,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ua kishte falur njerëzve namazin dhe ishte duke lexuar në namaz suren el Mudethir, e kur arriti tek fjala e Allahut: “E kur të fryhet në Sur, atëherë ajo është ditë e rëndë.”(Mudethir: 8-9). U ndëgjua prej tij një klithmë, ra në tokë dhe vdiq.

Dhe në fund !

Abdullah Ibn Amr Ibn Asi,- Allahu qofte i kenaqur me ta!,- ka thene: “Qani, e nëse nuk mund të qani, atëher shtiruni kinse jeni duke qarë, sepse pasha Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, po t’i dinit gjërat në detaje do të kishit bërtitur aq shumë deri sa t’ju kish shterur zëri juaj dhe do të faleshit aq shumë derisa t’ju kishte thyer kurrizi juaj.”

AUTOR: SHEJH DR. AHMED FERID

NGA ARABISHTJA: SUAD BURHAN SHABANI

Burimi: albislam.com

[1] (Shënon: Tirmidhiu- 4/12(kapitulli i tefsirit), Ibn Maxhe – 4198, Hakimi – 2/394(kapitulli i tefsirit dhe the zingjiri hadithit është sahih). Edhe Dhehebiu është i këtij mendimi. Ky transmetim ka ndërprerje në zingjirin e transmetimit: shiko – Xhamiul usul: 2/254. Shejh Albani thotë se hadithi është sahih).َ

[2] (Shënuan; Buhariu – 11/319(kitabu rrekaik), Tirmidhiu- 9/194(kitabu zuhd).

[3] (Shënuan: Buhariu- 6/347, Muslimi – 6/196).

[4] (Shënuan: Ebu Davudi – 890, Nesaiu – 3/13, Ahmedi – 4/25-26. Shejh Albani thotë se hadithi është sahih).

GJITHASHTU NË ALBISLAM