ZARARET E GJUHËS!

ZARARET E GJUHËS!

0 1143

O ju besimtarë, kini frikë Allahun! Ruani gjuhët e juaja, sepse të folurit e juaj ruhet! Allahu thotë: “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. Kaf 18, dhe thotë: “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe”. Nur 15.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, urdhëroi me heshtje, përveç se kur në atë fjalim ka dobi dhe mirësi, dhe tha: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Kiametit, le të flet për mirë ose le të hesht!”.

Allahu i Madhëruar tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. Nisa 134.

Një njeri i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar i Allahut, më trego një vepër me të cilën do të hy në Xhenet! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Frenoje këtë, duke ia bërë me gishte për gjuhën! Pastaj iu kthye dhe i tha: “E çfarë tjetër i tërheq njerëzit për hunde në xhehenem, përveç asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”.

Me korrjen e gjuhës nënkuptojmë shpërblimin e të folurit të ndaluar dhe ndëshkimet e tij. Njeriu me fjalët dhe me veprat e veta mbjell të mira dhe të liga, e pastaj e korrë Ditën e Kiametit atë që e ka mbjellë. Ai që mbjelli të mira nga fjalët apo veprat, vetëm se ka korrë mirësi dhe begati, kurse ai që mbjelli të liga nga fjalët apo veprat, vetëm se korri humbje dhe pendim!

Nga gjynahet e gjuhës bën pjesë shirku, i cili, është gjynahu më i madh tek Allahu. Poashtu, në gjynahet e gjuhës bën pjesë edhe të folurit për Allahun pa dituri, dhe kjo, vjen paralele me shirkun. Poashtu bën pjesë gjynahu i dëshmisë së rrejshme, dhe magjia, dhe shpifja, dhe gënjeshtra, dhe përgojimi, dhe bartja e fjalëve, etj. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “”Një

burrë mund të nxjerrë një fjalë që zemëron Zotin e madhëruar, fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, por që ajo fjalë e bën të rropatet në zjarrin e xhehenemit për shtatëdhjetë mijë vite”.

Tek të parët tanë të ndershëm, ekzistonte frikë e madhe nga zararet e gjuhës!

Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: Kjo është ajo nga e cila vinë të gjitha të këqijat!

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: Mjerë për ty! Fol mirë do të fitosh, ose hesht nga e keqja do të shpëtosh, ose përndryshe do të pendohesh. I thanë: O i biri Abasit, pse po e thua këtë?! U përgjigj: Më është përcjellë se njeriu më së shumti që zemërohet nga organet e trupit të tij është gjuha! Përveç se atij që ka folur me të mirësi apo me të e ka përhapur të mirën!

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, betoj në Allahun, të Cilit nuk i takon adhurimi askujt përveç se Atij, se s’ka mbi tokë gjë që është më nevojtare për burgim të gjatë sesa gjuha!

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: Gjuha është prijësi i trupit. Nëse gjuha gabon edhe trupi do të gabojë, por nëse gjuha është e ndershme edhe trupi do të jetë i ndershëm.

O ju musliman! Të folurit e tepërt për të cilën nuk ka nevojë, e detyron ngurtësimin e zemrës, ashtu si ka ardhur me një hadith: “Mos e teproni në të folurit pa e përmendur Allahun. Të folurit e tepërt pa mos e përmendur Allahun është ngurtësi për zemrën, kurse njeriu më i largët prej Allahut është ai me zemër të ngurtë!”.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thoshte se kush e tepron në të folurit i shtohen gabimet, e kujt i shtohen gabimet i shtohen gjynahet, e kujt i shtohen gjynahet Xhehenemi është më meritor për të!

Muhamed ibën Axhlan, Allahu e mëshiroftë, thotë: Të folurit janë katër: ta përmendesh Allahun, të lexosh Kuran, të pyesësh për dituri dhe t’ia përcjellësh tjerëve, ose të folsh për atë që të intereson nga çështjet e dynjasë!

Të folurit, pra, nuk është urdhëruar në përgjithësi, e as heshtja nuk është urdhëruar të jetë në përgjithësi, po patjetër duhet që njeriu të flet gjëra të dobishme për dynjanë dhe ahiretin e tij, dhe të hesht nga sherri për dynjanë dhe ahiretin e tij. Gjuha është përkthyesi dhe zëdhënësi i zemrës, dhe ne jemi të urdhëruar në përqendrimin e zemrës dhe gjuhës. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk përqendrohet imani i robit përderisa nuk përqendrohet zemra e tij, dhe nuk përqendrohet zemra e tij përderisa nuk përqendrohet gjuha e tij!”. Dhe me një hadith tjetër: “Në çdo ditë që lind dielli, organet e trupit i flasin gjuhës dhe i thonë:”Kij frikë Zotin! Nëse ti i përmbahesh rrugës së drejtë, i përmbahemi dhe ne. Por nëse devijon, kemi devijuar edhe ne”.

Zararet e gjuhës janë të shumta dhe të llojllojshme, dhe nga to:

E para: Të folurit për atë që nuk i bën dobi!

Ka ardhur me një hadith: “Nga islami i mirë i një njeriu është largimi nga ajo që nuk i intereson”.

E dyta: Zhytja në biseda të kota!

Ajo është të folurit për harame, dhe të folurit mbi to që i përhapin njerëzit nëpër shoqëri (për qëllim është të zhyturit në të kotë duke biseduar për haramet që i bën një popull apo shoqëri, dhe të marrit me zakonet e tyre e një populli të caktuar. Si p.sh, ka gra apo edhe burra që flasin nëpër telefon me ora të tëra, duke rrëfyer se çfarë bëjnë gratë apo burrat në perëndim, si e kalojnë jetën, çfarë bëjnë gjatë vikendit, apo pushimeve.. Flasin për lidhjet jashtëmartesore, për pirjen e drogës, alkoolit, jetën e natës etj.. Një zarar i tillë është i ndalur në fenë e Allahut – sh. p).

Të folurit për to nëpër mexhlise i gëzon hipokritët dhe të ligët, dhe e përhapin degjenerimin dhe shthurjen në moral tek besimtarët. Allahu thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini”. Nur 19.

Muslimani për detyrë e ka nëse e di për një gabim apo për një të metë nga vëllai i vet, ta mbulon atë dhe vëllaun ta këshillon. Kurse përhapja e të metave të tij apo gabimeve të tij

nëpër mexhlise apo ndeja, kjo është cilësia më e fëlliqur dhe vepra më e qortuar. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, thotë: “Mos i dëmtoni robërit e Allahut dhe mos i nënçmoni e mos tentoni të shpalosni turpin e tyre, sepse ai që tenton të shpalos turpin e vëllait të vet, Allahu tenton t’ia shpalos turpin derisa ta turpërojë në shtëpinë e tij”.

E treta: Të folurit me fjalë vulgare, me sharje dhe me ofendime!

Disa njerëz e kanë për traditë mallkimin e njerëzve, apo vendeve, apo kafshëve, dhe të folurit e tij me mallkime është më e lehta që i del nga goja, dhe ndoshta me ato fjalë i drejtohet shokut, apo gruas, apo burrit, apo ndonjë personit të dashur tek ai! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Mallkimi i muslimanit është si vrasja e tij!”, dhe tha me një hadith tjetër: “Besimtari nuk është shpifës, as mallkues, as fyes e as vulgar”.

Një grua e mallkoi devenë e saj dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dha urdhër që t’i merr gjërat nga deveja dhe ta len atë, dhe i tha: “Mos të na shoqëron një deve e mallkuar!”.

Ka nga ata që kur ka mospajtime me vëllain e vet musliman, e shfrytëzon gjuhën e tij për ta ofenduar dhe sharë, dhe e etiketon me cilësi të këqija që nuk i posedon, dhe i shkreti nuk e din se mbi vete ka marrë një barrë të rëndë dhe se do të japë llogari. Allahu urdhëroi që nëse ndonjëri i flet me fjalë të liga dhe fyese, tjetri t’ia kthen me fjalë më të mira sesa ato të ligat dhe fyeset. Allahu thotë: “Të keqen ktheje me të mirë”. Fusilet 34.

E katërta: Bërja e shakave të tepërta!

Teprimi në shaka dhe të vazhduarit në të është e ndaluar, sepse e rrëzon respektin dhe e detyron urrejtjen, Kurse shakaja e lehtë apo të bërit shaka ndonjëherë nuk është problem, sepse shpirtin e bën të ndjehet mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, bënte shaka, mirëpo në to nuk e thoshte vetëm se të vërtetën!

E pesta: Tallja dhe përçmimi me njerëzit dhe përcjellja e të metave dhe hulumtimi pas gabimeve të tyre!

Kjo e tëra është e ndaluar, ashtu si Allahu na mëson dhe thotë: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës”. Humeze 1, e që nënkupton mjerë për atë që merren me njerëz dhe të metat e tyre dhe ua ulin vlerën dhe peshën njerëzve, qoftë ajo me thënie apo me vepra!

E gjashta dhe e shtata: Përgojimi dhe bartja e fjalëve

Këto janë nga gjynahet e mëdha. Me përgojim nënkuptojmë ta përmendësh vëllain tënd në mos prezencën e tij, për të keq apo për një gjë që e urren ai. Kurse me bartje të fjalëve nënkuptojmë, bartjen e fjalëve mes njerëzve me qëllim shkatërrimi. Allahu atë që përgojon e përngjasoi me atë që e ha të cofëtën.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ruajuni gibetit (përgojimit),sepse gibeti është më i keq se zinaja. Njeriu që bën zina dhe pendohet, Allahu ia falë. Kurse atij që bën gibet Allahu nuk do t’ia falë derisa t’ia falë njeriu të cilin e ka përgojuar”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, lajmëroi se ai që bartë fjalë ndëshkohet në varrin e tij, dhe lajmëroi se nuk do të hyn në Xhenet. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalë”.

Ai që bart fjalë shkatërron mes njerëzve, dhe mbjell në zemrat urrejtje dhe armiqësi, dhe shkatërron shtëpi dhe shoqëri. Allahu tha: “Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme, penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi”. Kalem 10-12.

O ju musliman! Ruajuni gjuhët e juaja dhe matni thëniet e juaja! Njeriu para se të flet i posedon ato fjalë, mirëpo nëse i nxjerr ato fjalë jashtë, atëherë ato fjalë e posedojnë atë!

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. Kaf 16-18.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM