MOS I NËNVLERËSO TË TJERËT

MOS I NËNVLERËSO TË TJERËT

0 1251

Realiteti i krenarisë është afrimi tek Allahu. Dallimi ndër njerëzit është vetëm sipas devotshmërisë. Allahu thotë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet veti, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”[1]

Zbukurimi i veshjes dhe i pamjes nuk të ngrit tek Allahu. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu nuk shikon në fizionominë tuaj, e as në pasurinë tuaj, mirëpo shikon në zemrat dhe punët tuaja.”[2]

Nënvlerësimi i njerëzve nga shkaku se nuk kanë pozitë, nuk kanë pasuri apo nuk janë të bukur, tregon për mangësinë e logjikës së njeriut që mendon kështu. E metë është të mos e kuptosh realitetin, e cila shpesh vjen nga imani (besimi) i dobët. Sepse jeta, zbukurimi, pasuria dhe pozita janë rreth e rrotull krijesave. Sa e sa të varfër janë bërë të pasur, e sa e sa të ndershëm e kanë humbur nderin e tyre. Ai i cili i nënvlerëson të tjerët është shumë afër që këtij ti humbë prestigji, pasuria, pozita ose pamja e tij.

Modestia ndaj njerëzve është shenjë e besimit të saktë, logjikës së shëndoshë, butësisë së zemrës.

Ibn Rexhebi thotë: “Ka shumë njerëz që kanë pamje të bukur, pasuri, pozitë, udhëheqësi në këtë botë, ndërsa zemrën e ka të boshatisur nga devotshmëria. Ai i cili e ka në zemër devotshmërinë e nuk ka pozitë, pasuri, bukuri e udhëheqësi shpesh i këtilli tek Allahu është më i ndershëm se i pari.”[3]

Kjo ndodh shpesh siç transmeton Buhariu dhe Muslimi se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj kush janë banorët e Xhennetit?” – Thanë sahabët: Po o i Dërguari i Allahut. – Tha: “Një njeri shumë i dobët, mirëpo sikur të betohet në Allahun diçka, Allahu ia pranon duanë, a dëshironi t’ju tregoj se kush janë banorët e zjarrit?” – Thanë sahabët: Po, o i Dërguari i Allahut – Tha: “Çdo njeri i fortë dhe mendjemadh.”[4]

Modestia është krenari në dunja dhe në ahiret. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush bëhet modest para Allahut, Allahu e ngrit atë.”[5]

Ndërsa shejhu i muhadithinëve Ebu Musa el-Medeniu i mësonte fëmijët Kuran me leuhat (dërasë për të shkruar) e tyre edhe pse kishte autoritet dhe pozitë të madhe ndër njerëz. Modest është ai i cili kur e sheh dikën thotë: Ky është më i mirë se unë.

Shafiu thotë: “Njeriu me pozitë më të lartë është ai i cili nuk e ngrit veten lartë, ndërsa më i madh ndër njerëzit është ai i cili nuk sheh diçka të lartë në pozitën që ka.”

Përgaditi: Nexhat Ceka

[1] Huxhurat: 13.

[2] Transmeton Muslimi.

[3] “Xhamiul-ulumi vel-hikem” 1/276.

[4] Mutefekun-alejhi.

[5] Transmeton Muslimi.

GJITHASHTU NË ALBISLAM