A lejohet t’i japë fidje (shpagim për ditët e paagjëruara) fëmijëve, nipërve ose të tjerëve si ushqim për iftar?

A lejohet t’i japë fidje (shpagim për ditët e paagjëruara) fëmijëve, nipërve ose të tjerëve si ushqim për iftar?

0 2391

Pyetja: Nëna ime nuk është në gjendje të agjërojë muajin Ramazan, prandaj unë  paguaj fidje në emër të saj për çdo Ramazan. A më lejohet që fidjeja t’u jepet fëmijëve dhe nipërve të saj si ushqim për iftar?

Dhe a lejohet t’i jepet fidjeja për mos agjërim disa nxënësve në shkollë?

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut.

Së pari:

Nëse një person nuk mund të agjërojë për shkak të moshës së vjetër ose sëmundjes nga e cila nuk ka shpresë për shërim, atëherë i lejohet të mos agjërojë, por duhet të ushqejë një person të varfër për çdo ditë, sepse Allahu thotë:

Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” Sureja Bekare: 184.

Abdullah ibën Abasi ka thënë: Ky ajet nuk është shfuqizuar, andaj i referohet një plaku apo një gruaje të vjetër që nuk mund të agjërojë; ata duhet të ushqejnë nga një person të varfër për çdo ditë. E transmeton Buhariu, 4505.

Kjo vlen edhe për një person që është i sëmurë dhe nuk ka shpresë për t’u shëruar, ka të njejten gjendje si në rastin e një plaku që nuk mund të agjërojë. (Al-Mugni, 4/396).

Prandaj mund të kuptohet se kjo fidje (shpagiim) duhet t’u jepet vetëm të varfërve, e çdo secilit.

Nëse fëmijët, nipërit e mbesat dhe studentët e përmendur në pyetje janë të pasur dhe nuk janë të varfër, nuk lejohet t’u jepet kjo fidje atyre.

Së dyti:

Sa i përket dhënies së kësaj fidje fëmijëve dhe nipërve, dijetarët e konsiderojnë këtë fidje si nxjerrje e zekatit; nuk lejohet që t’ia jap atë atyre për të cilët ai është i detyruar të shpenzojë.

Prej atyre që njeriu është i detyruar të shpenzojë janë prindërit e gjyshërit dhe fëmijët e nipërit.

Ibën Kudameh në (el-Mugni, 11/374) ka thënë:

“Është e detyrueshme të shpenzosh për gjyshërit dhe gjyshet, pavarësisht se sa larg arrijë dhe mbi fëmijët e fëmijëve, pavarësisht se sa larg arrijnë. Kjo është gjithashtu thënija e Shafiut dhe Theurit, dhe dijetarëve të fikhut.”

Bazuar në këtë, nuk lejohet të jepni fidjen fëmijëve dhe nipërve, sepse nëna juaj është e detyruar të shpenzojë mbi to.

Imam Shafiu në (el-Um, 7/68) ka thënë:

“Nuk lejohet të japësh ushqimin që jepet si shlyerje për një zotim për këdo, përveç një muslimani të lirë që ka nevojë; nëse ushqimi i jepet një dhimiji (jomuslimani që jeton nën sundimin mysliman) që ka nevojë, ose një muslimani që nuk ka nevojë, kjo nuk i pranohet dhe është njëjtë me atë që nuk ka bërë asgjë; dhe ai duhet ta përsërisë atë. E njëjta gjë vlen nëse i jep ushqim një personi për të cilin ai është i detyruar të shpenzojë, kur të kuptojë çështjen duhet të përsërisë.”

Ndërsa në (Esna el-Metalib, 3/369):

Sa i përket të ngratërve dhe të varfërve, ata konsiderohen se janë mes atyre që kanë të drejtën e zekatit, dhe nuk llogaritet nëse i jepet një jomuslimani … ose atij për t cili është i detyruar të shpenzojë … sepse kefareti (shlyerja ) është një e drejtë e Allahut, kështu që të njëjtat kushte aplikohen si me zekatin.

Por nëse nëna juaj nuk mund të shpenzojë për ta, sepse ajo nuk është e pasur, atëherë ajo nuk është e detyruar të shpenzojë për ta, sepse Allahu thotë:

Allahu nuk e ngarkon një person përtej mundësisë së tij.” Bekare, 286.

Në këtë rast, i lejohet asaj që të japë fidjen atyre.

Në dy sahihet është shënuar se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) i tha një njeriu që pati marrëdhënie intime me gruan e tij gjatë ditës në Ramazan, kur Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) i dha hurma që t’i jep ato si shpagim, e ai e informoi të dërguarin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) se ai ishte familja më e varfër në Medine, e i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha atij: “Ushqeje familjen tënde.”

Hafidh ibën Haxheri në librin (al-Fat’h) tha:

Ibën Dekik el-Idi ka thënë: Ka disa pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë histori. Është thënë se kjo tregon se kefareti (shpagimi) bie në rastet e vështirësive, sepse shpagimi nuk mund t’i jepet vetvetes ose familjarëve të vet.

Shumica thanë se shpagimi nuk bie në rastet e vështirësive dhe se atij që i është dhënë leja për të bërë këtë nuk ishte kefaret, por ishte lëmoshë që iu dha nga Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) për këtë njeri dhe familjen e tij.

Të tjerët thanë se për shkak se ai nuk mund të shpenzonte për familjen e tij, atij iu lejua t’u jepte atyre prej këtij kefareti. Ky është kuptimi i hadithit.

Shejh Takiu Din (shejhul-Islam Ibën Tejmije) tha: Një mendim i fortë është se ajo nuk është dhënë si një shpagim, por u dha si një lëmoshë ndaj tij dhe familjes së tij, sepse ishte e qartë se ata kishin nevojë.

Nga ajo që u përmend më sipër mund të kuptohet se nuk lejohet t’i japësh shpagimin atyre që detyrohesh të shpenzosh, por nëse një person është i varfër dhe nuk mund të shpenzojë mbi ata, atëherë disa nga dijetarët janë të mendimit se lejohet t’i japësh fidjen atyre.

Në përfundim: Nëse nëna juaj është e pasur dhe mund të përballojë shpenzimet për ata, atëherë nuk lejohet për të që t’u japë atyre fidjet e saj ose shpagimin. Por nëse ajo nuk mund të përballojë shpenzimet e tyre, lejohet që ajo t’i japë atyre fidjet e saj ose shpagimin.

Së treti:

Nëse ajo e jep atë me anë të ushqimit për një person që agjëron, nuk ka asgjë të keqe me këtë, për shkak të kuptimit të përgjithshëm të ajetit: “duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”

Kjo mund të jetë me një shpërblim më të madh, sepse ai i jep ushqim një personi që agjëron. Por me kusht që personi të jetë i varfër, siç u tha më lart.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli