Babai dhe pema e mangos (tregim mbresëlënës)

Babai dhe pema e mangos (tregim mbresëlënës)

0 555

Në fëmijërinë time, kur vinte sezoni i mangos, babai sillte një sasi bukur të mirë në shtëpi dhe ne uleshim rreth enës së mbushur për të ndarë shijen e tyre të ëmbël….

Banai na jepte tulin ndërsa vetë i hante lëvozhgat….

Po e shikoja këtë sjellje të çuditshme prej tij pa e ditur arsyen…

E pyeta një ditë, pse ha lëvozhga mango babi?!!!

Më pa me një buzëqeshje dhe më tha:

 “Që të mos i hash ti”

Nuk e kuptova domethënien e fjalëve të tij në atë kohë dhe e justifikova çështjen duke thënë se mund të ishte një zakon i vjetër që ai e kishte marrë nga nëna e tij, me të cilën jetoi në krahët e varfërisë së ashpër në fëmijëri, aq më tepër që shija e lëvozhgave të mangos nuk është e keqe…por sinqerisht nuk krahasohet me atë që ka nën ato lëvozhga…

I harrova lëvozhgat e mangos… Kam harruar edhe shumë kujtime mes faqeve të Librit të asaj kohe…

Pak kohë më parë…një miku im më dha një mango…ma solli dhuratë nga një qytet i largët…

Shpresoja të shijoj shijen e tij që rivalizonte atë të mjaltit të bletës, gjatë gjithë rrugës ndërsa po kthehesha në shtëpi….

Sapo shkova në shtëpi, fillova ta pres dhe më shpërtheu në duar me tulin e artë dhe lëngun mbretëror që përmbante….

Para se të fusja pjesën e parë të saj në gojë, vajza ime e vogël m’u afrua dhe më tha: “Babi, dua një copë”.

Unë buzëqesha me kërkesën e saj dhe i dhashë pjesën që kisha në dorë… Menjëherë djali im u afrua dhe kërkoi të njëjtën gjë si ajo që kishte marrë motra e tij… Motra e tyre e tretë i ndoqi duke kërkuar pjesën e saj pikërisht si dy fëmijët tjerë….

Më mbërtheu gëzimi gjersa po i shikoja teksa fërkonin fytyrat e tyre në copa mango, dhe lumturia dhe gëzimi që rrezatonin nga sytë e tyre si dielli i ngrohtë i mëngjesit pas një nate të ftohtë dimri… ishte dërrmuese dhe e papërshkrueshme.

Në një çast, e gjeta veten para një pjate të zbrazët, përveç disa lëvozhgave mango që kishin ende pjesë të vogla të frutave të ngjitura në to…

Fillova të ha lëvozhgat e mangos pa u menduar derisa papritur ndalova të kujtoja fjalët e babait tim….

Vetëm tani, pas gjithë atyre viteve, m’u bë e qartë kuptimi i fjalëve të tij dhe çfarë donte të thoshte….

Vetëm tani e di se lumturia e vërtetë e babait tim nuk ishte asnjëherë në ngrënjen e lëvozhgave të mangos…por lumturia e tij e vërtetë ishte kur na shihte të hanim pjesën më të mirë të saj përpara tij…

Gëzimi i tij i jashtëzakonshëm ishte duke na parë ne të merrnim më të mirën, më të zgjedhurën dhe më cilësoren nga ajo që na ofronte në atë moment.

E pyeta veten me lot ne sy…

Sa mango na ofroi babai ndërsa vetë u mjaftua vetëm me lëvozhgat?!!!

Këtu nuk e kam fjalën për atë frutë në vetvete… por dua të them gjithçka që simbolizon në këtë jetë… Mango mund të jetë veshja, shtëpia, shtrati, gjumi i rehatshëm apo edukimi….

Mund të jetë gjithashtu një prekje e butë në shpatull … ose një puthje në fytyrë …

“Mangoja” e familjes nuk ka kufi dhe askush nuk mund ta vlerësojë çmimin e saj…

Unë shoh përreth meje fëmijë që nuk i vlerësojnë siç duhet familjet e tyre dhe nuk ua dinë vlerën… ata sikur mendojnë se detyra e prindërve në këtë jetë është të krijojnë pretekste që do t’u sjellnin atyre shqetësime….

Unë shoh fëmijë që janë aq arrogantë sa mendojnë se i kalojnë prindërit në njohuri, mendim dhe logjikë…

Unë shoh fëmijë që braktisin prindërit e tyre në shtëpitë e pleqëve dhe i lënë në mëshirën e të huajve….

Shoh fëmijë që bojkotojnë familjet e tyre për vite të tëra….

Unë shoh fëmijë që dëshirojnë që familjet e tyre të zhdukeshin nga kjo botë sa më shpejt që është e mundur….

Unë i shoh të gjitha këto dhe them më vete: nëse do të ishte në dorën time…do të paguaja me gjithë jetën time që të mund të kthehesha pas në kohë për t’u ulur me babain tim një ditë, përpara tij kur ai na sillte mango… që të mund të haja lëvozhgat në vend të tij ndërsa atij t’i mbetej vetëm më e mira prej tyre…dhe nëse do më pyeste pse më pëlqen të ha lëvozhgën, unë t’i thoja: “Që të mos e hash ti”

Ky tregim i dedikohet të gjithëve, prindërit i të cilëve janë ende gjallë me shpresë se këto fjalë të gjejnë rrugën në zemrën e tij….

O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit tanë dhe me mëshirën tënde bëji ata prej banorëve të Xhenetit, o Mëshirues i Mëshiruesve! 

O Zot, vishju petkun e shëndetit dhe mirëqenies të gjithë prindërve që janë gjallë, fali dhe mos i merr veç kur të jesh i kënaqur me ta, o Dëgjues, o i Gjithëdijshëm!

O Zot, drejtoji hapat e tyre, përmirëso fundin e tyre dhe bashkoi me ne në kopshtet e lumturisë!

Përktheu nga arabishtja: Agim Bekiri 

14.11.2023

GJITHASHTU NË ALBISLAM