LULJA E NJËZET E NËNTË

LULJA E NJËZET E NËNTË

0 1064

Me të kapur në dorë të kësaj luleje m’u bë e qartë se jam buzë fundit. Unë e shikoja veç edhe një lule tjetër, që më priste ta kapja në dorë. Një copë herë mbeta me shikim të ngujuar drejt lules që nuk më nxiste ta lexoj, jo që s’doja, por s’kisha dëshirë të ndahem. Kur njeriu mësohet me gjëra që e kënaqin atë, vështirë e merr rrugën t’u ndahet atyre.

Nuk pata tjetër rrugëdalje, rruga e vetme ishte të veprojë sikurse me lulet paraprake. E ktheva atë drejt syve të mi, e lexova: “Talik ibën Habibi duke e komentuar ajetin: “O ju që besuat! Ju është urdhëruar edhe juve agjërimi siç u ishte urdhëruar edhe atyre përpara jush me qëllim të bëheni të devotshëm” (El-Bekare: 183), ka thënë: ”Devotshmëria është të veprosh me bindje ndaj Allahut, në dritën e besimit tek Allahu dhe të shpresosh në mëshirën e Allahut, dhe t’i braktisësh veprat që kundërshtojnë Allahun, në dritën e Allahut dhe duke iu frikësuar Allahut.”

Nga thellësia e shpirtit doli një zë kumbues që nga gjuha u shpreh me fjalët: “I lartësuar qoftë Allahu!” Përpjekjet të cilat i bën për të arritur ku synon, e të cilat nxiten nga besimi, rezultojnë me lodhjen e trupit, por me kënaqjen e shpirtit dhe të zemrës. Kur jeta jetohet me një zemër që është nën mbikëqyrje nga frika prej Allahut, drita e syrit bëhet udhërrëfyes në rrugën e tij në përditshmëri. Nëse veprat kryhen nga gjymtyrët të cilat udhëhiqen nga mësimet hyjnore, e zbukurojnë jetën e njeriut, por edhe më tepër e hijeshojnë brendinë e tij që pasqyrohet nga pamja e jashtme e tij. E ai sa më shumë të nxënë dije nga Fjala, aq më tepër e kupton se dija s’ka krahë, por e bën atë të fluturojë. Edhe me një copë mëshirë, hap shumë zemra njerëzish, për këtë sa më e madhe zemra, aq më frytdhënëse gjymtyrët.

Dije se çdo mbyllje e derës nuk është edhe fundi i saj, përkundrazi është hapje e dyerve tjera që të shpien në shtigje të reja në jetë. Veç me frikë prej Tij, jeta e merr kuptimin e vërtetësisë dhe bëhet një rob i lirë në këtë jetë. Se aty ku loti rrjedh nga dhimbja, fjalët dalin nga bindja, e gjuha e përmend dikë, që e do me gjithë zemër. Në këtë rast disi u ndjeva i pikëlluar, por s’kisha çka të bëjë, në çdo bashkim, ka edhe ndarje, dhe në çdo kapje të lules, ka edhe lëshim të saj.

Vetëm në këtë lule e përjetova edhe këputjen e një gjethi të vogël që pikoi prej kokës së saj. E kjo edhe më shumë më pikëlloi, se m’u duk si të përjetojë dy ndarje prej një bashkimi. Pata besim të madh në tërë këtë lule, e aty ku njeriu ka besim, aty edhe është i sigurt prej tij, e mua, o Zoti im! Më siguro një vend në Parajsën Tënde, nga besimi që kam në Ty!

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM