LULJA E NJËZET E SHTATË

LULJA E NJËZET E SHTATË

0 1160

Qysh nga hyrja në kopsht, syri më kapi këtë lule. Disi m’u duk më i lartë se të tjerat dhe në njëfarë mënyre qëndronte mbi ato. U tregova i matur dhe s’desha të vijë këtu e ta marrë menjëherë. Desha të bëjë një shëtitje lule më lule sikurse bleta dhe prej secilës ta marrë nektarin e saj. Në këtë mënyrë i erdhi radha edhe kësaj luleje, ngase në maturi fitohet urtësia e cila njeriut i shërben në jetë. Me të kapur në dorë më mbushi me aromë dhe më nxiti që menjëherë ta lexojë e t’ua tregojë të tjerëve.

Aty shkruante: Ibrahim En-Nahaiu ka thënë: “Veprat e mira të kryera gjatë kësaj nate janë më të mira se sa veprat e kryera vazhdimisht për mijëra muaj tjerë.” Angazhimi i njeriut në këtë natë i arrin shpërblimet që s’mund të fitohen nëse angazhohet në netët tjerë. Bërja ditë e kësaj nate e zëvendësimi i gjumit me adhurime, e ngjall zemrën pasi shpirtin e mbush me ushqimin e tij.

Me kryerjen e adhurimeve në këtë natë, realizohet takimi i të dashurit me të Dashurin pasi kjo e paraqet ngushëllimin e zemrës së përmalluar. E njeriu çka jep, ai edhe merr, e shpërblimi i të mirës është vazhdimësia në mirësi. Nëse bëhet përmirësimi i zemrës përmes ushqimit të saj, ajo ngrihet në shkallën e lartë që veten e sheh të përulur ndaj të tjerëve. Nëse nevojiten fjalët për ta thënë atë që flenë në zemër, duhet vepra ta kryejë atë që e kënaq zemrën. Në këtë çast, lulja për pak sa nuk më ra nga dora, m‘u dhimbs kjo, ndaj i shtrëngova duart dhe e forcova më shumë.

E afrova edhe një herë afër vetes dhe e nuhata edhe një herë. Kur njeriu veten e preokupon me adhurime, e largon nga vetja pakujdesinë që mund ta godasë. Kur shpirti gjallërohet nga ujitja, lulëzon nga veprat. Një vepër që kryhet në brendinë e kësaj nate, ndriçon në përditshmëri më shumë herë se sa në netët tjera. E për njeriun sa më shumë ta përmend Zotin, aq më i sigurt ndjehet ai. E unë, u ndjeva i nxitur t’i përkushtohem ende leximit të kësaj luleje, shkurt, por me një kuptim që nëse kjo natë kalohet në adhurime, arrihet shpërblimi sikur tërë jeta të kalohet në të.

Mbeta i ngrirë në këmbë me lulen në dorë dhe me mendimet vërdallë rreth saj. Si ndjehet njeriu, me mendimet që i kultivon në veten e tij, ashtu edhe si e ushqen zemrën, ashtu i ka edhe veprat. E ngrita shikimin lartë dhe sa hap e mbyll sytë e lëshova këtë lule, por jo me një largim sikurse largimi prej luleve tjera. Kjo disi la përshtypje të thella në shpirt, dhe vazhdimisht më nxiste ta përsëris në vete të njëjtën. Përsëritja është nëna e diturisë, kisha dëgjuar më herët, e me këtë fjalë e lashë lulen pas vetes dhe e vazhdova rrugëtimin tim drejt luleve tjera të cilat më prisnin t’u afrohem e t’i kapë për lexim.

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM