REALITET I KËSAJ BOTE

REALITET I KËSAJ BOTE

0 2834

Keni frikë Allahun, duke zbatuar urdhrat dhe duke u larguar nga ndalesat, ngase Allahu me këtë ju ka urdhëruar dhe thotë: “O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni pos duke qenë musliman”. Allahu na bëftë prej robërve të devotshëm.

Vëllezër të nderuar

Zejd ibn Erkam rrëfen, se një ditë Ebu Bekri, kërkoi ujë, ia sollën një enë me ujë dhe mjaltë, kur afroi gojën për të pirë, nisi të qajë dhe qanë ata që ishin rreth tij, heshti për një kohë, e ata nuk heshtën, pastaj përsëri filloi të qajë sa që nuk kishin mundësi ta pyesin, më pas fshiu fytyrën e u kthjell. I thanë: “Çfarë të ngacmoi që të qashë? Tha: Isha me të dërguarin salallahu alejhi ue selem, kur ai po shtynte diçka nga vetja, e thoshte: “Larg prej meje, larg prej meje” e unë nuk shihja me të askënd. I Thashë: O i dërguari i Allahut, po shoh diçka po e largon nga vetja, e unë nuk shoh tjetër kënd me ty. Tha: “Kjo dynja mu paraqit me atë çfarë ka në të, e i thashë, larg prej meje, e u largu e tha: Pasha Allahun nëse ti ke shpëtuar nga unë, ata që vijnë pas nuk do të shpëtojnë prej meje”. E frikohem se mos më ka marrë dhe mua, kjo më bëri të qaj.

O ju besimtarë

Kjo ngjarje na tregon rrezikun dhe pavlefshmërinë e dynjasë, e ua tërheq vërejtjen  për secili që ka shpirt, që të mos i përkulet asaj, të mos e madhëron, apo ta bën qëllim të vetin në këtë jetë, Allahu i Madhëruar thotë: “E për sa i përket atij që ka tepruar.Dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij. E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij.”

فَأَمَّا مَنْ طَغَى ، وَآثَرَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا ، فَإِنَّ الْجَحِيمَ هِيَ الْمَأْوَى ، وَأَمَّا مَنْ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِ وَنَهَى النَّفْسَ عَنِ الْهَوَى  ، فَإِنَّ الْجَنَّةَ هِيَ الْمَأْوَى

Po, o ju vëllezër, janë të shumtë ata që lidhen me këtë botë, që e konsiderojnë gjithçka në jetën e tyre, e gjithë kjo si pasojë e mos dijes, mos kuptimit, dhe largimit nga mësimi i fesë së Zotit, gëzohen me pozitat në dynja, habiten me pamjen e saj, e kënaqen me zbukurimet e saj, ndërsa ajo nuk është vetëm se dynja e nënçmuar, e përbuzur, e mallkuar, sikur që ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem në hadithin që e transmeton Tirmidhiu nga Ebu Hurejra radijallahu anhu: “Dynjaja është e mallkuar, e mallkuar është gjithçka në të, pos përmendjes së Allahut, gjërave të ngjashme, dijetarit dhe nxënësit e dijes”.

O ju vëllezër nuk ka kush që është më i dijshëm për dynjanë se sa Krijuesi i saj, Allahu i Lartësuar. A ka kush është më i dijshëm për dynjanë e vërtetë se Allahu? Asnjëherë. Dëgjoni pra se ç’thotë për të, e me çfarë e përshkruan, thotë: “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga Allahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues”. Hadid 20.

اعْلَمُوا أَنَّمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا لَعِبٌ وَلَهْوٌ وَزِينَةٌ وَتَفَاخُرٌ بَيْنَكُمْ وَتَكَاثُرٌ فِي الْأَمْوَالِ وَالْأَوْلادِ كَمَثَلِ غَيْثٍ أَعْجَبَ الْكُفَّارَ نَبَاتُهُ ثُمَّ يَهِيجُ فَتَرَاهُ مُصْفَرّاً ثُمَّ يَكُونُ حُطَاماً وَفِي الْآخِرَةِ عَذَابٌ شَدِيدٌ وَمَغْفِرَةٌ مِنَ اللَّهِ وَرِضْوَانٌ وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ

Ajet i çuditshëm, që e kanë neglizhuar ata që janë lidhur për këtë botë, ata që janë mashtruar me pozitat e tyre, të mashtruar me pasurinë e famën e tyre “dijeni” pra të jenë të bindshëm se “jeta e kësaj bote” pra jeta jote që e je i shkujdesur, vitet të cilat po i kalon në këtë jetë, po, nuk ke tjetër në këtë botë pos jetës tënde, që nuk llogaritet asgjë nëse e krahason jetën e kësaj bote me kohën e një ditë të Ditës së Kiametit. Na thotë, duke na sqaruar se si do të shikojnë kriminelët, për kohën që kanë kaluar në jetën e tyre, thotë Allahu në suren Taha: “Ditën kur i fryhet surit (bririt), atë ditë Ne i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar). E ata pëshpërisin mes vete: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se nja dhjetë ditë”. 102.

Jeta jote, nuk krahasohet me atë çfarë të pret në Ditën e Kiametit, asnjëherë nuk krahasohet mes gjashtëdhjetave apo shtatëdhjetave apo tetëdhjetave, më pak a më shumë, me botën tjetër të pafund, të përhershëm, thotë Allahu i Madhëruar duke treguar për kohën e një dite prej ditëve tona: “Ata kërkojnë prej teje t’ua ngutësh dënimin, po Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, pse një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet, si llogaritni ju”. Haxh 47.

وَيَسْتَعْجِلُونَكَ بِالْعَذَابِ وَلَنْ يُخْلِفَ اللَّهُ وَعْدَهُ وَإِنَّ يَوْماً عِنْدَ رَبِّكَ كَأَلْفِ سَنَةٍ مِمَّا تَعُدُّونَ

Pra një ditë e Kiametit është sa një mijë vite të kësaj bote.

O ju besimtarë

Në ajet sqarohet realiteti i kësaj bote, se është lojë që preokupon trupat, kalim kohe që neglizhon zemrat, zbukurim që mashtron sytë, krenari dhe përpjekje për shtim të fëmijëve e pasurisë, shembulli i saj është si shembulli i shiut, që i habit bima bujqit, e më pas për disa ditë ajo bëhet sikur që thotë Allahu: “e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur”, përfundon dhe tretet, por çështja e kësaj bote nuk përfundon, siç thotë Allahu: “e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga Allahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues”.

Autor: Ubejd ibn Asaf Tujavi

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM