VLERA E FJALËS “SUBHANALLAH”

VLERA E FJALËS “SUBHANALLAH”

0 26069

HADITHI:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell dhe thotë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush thotë (SubhanAllahi ve bihamdihi – I lartësuar dhe pa të meta është Allahu, Atij i takon lavdia) njëqind herë, i shlyhen gabimet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” [1]

KOMENTI:

(i shlyhen gabimet), pra, i falen atij mëkatet edhe nëse janë të shumta sa shkuma e detit. Nëse njeriu e thotë këtë fjali (subhanAllahi ve bihamdihi) dhe e përsëritë atë njëqind herë, Allahu do t’ia falë mëkatet e tija, Allahu thotë: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet.” Sureja Zumer, 53.

Për Atë është gjithçka e mundur, për Atë nuk është shumë atë që Ai e jep, i madhëruari Allah, sepse Ai është i Pasuri, i Lavdëruari, Bujari, jep pa llogari dhe pakufi, i fal të gjitha mëkatet atij që pendohet.

Nëse njeriu e thotë këtë fjalë i falen gjynahet, edhe ky hadith sikur të tjera që flasin për shlyerjen e mëkateve, ka të bëjë veçanërisht për mëkatet e vogla, ndërsa për mëkatet e mëdha është kusht pendimi, Allahu thotë: “Në qoftë se ju i shmangeni gabimeve të mëdha që u janë ndaluar juve, Ne do t’ua shleyjmë mëkatet e vogla.” Sureja Nisa, 31.

Dhe i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, shlyejnë gjynahet që janë mes tyre, nëse i shmangeni mëkateve të mëdha.” [2]

Andaj, shlyerja e mëkateve ka të bëjë për mëkatet e vogla, edhe nëse janë sa shkuma e detit, ndërsa  ato të mëdha nuk shlyhen ndryshe përpos se me pendim.

Kuptimi i pjesës (subhanAllah) fjala “tesbih” është largim i çdo të mete e mangësie nga Allahu i madhëruar, besoj në Të pa i shoqëruar në adhurim diç, besoj se ai nuk ka fëmij, e nuk ka bashkëshorte, një gjë të cilën e pretendojnë paganët e të krishterët, Ai është i pastër nga çdo e metë e nga çdo mangësi, besojmë se Ai është i pastër nga ajo çfarë thonë mohuesit e emrave dhe atributeve të Tija, pohojmë për Të atë që Ai tha për Vete, për çdo emër dhe atribut, ngase është përsosmëri e Allahut.

(ve bihamdihi) lavdi është falënderim ndaj Allahut.

Ky hadith përmbledh dy lloje të dhikrit (permendjes  së Allahut): tesbihun (fjalën subhanAllah) dhe falënderim ndaj Allahut.
Transmeton Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se është pyetur i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) : Cila është fjala më e mirë? U përgjigj: “Ajo (fjalë) që ë zgjodhi Allahu për melaqet e Tija apo për robërit e Tij: subhanAllahi ve bihamdihi.” [3]


Në këtë mënyrë ti e madhëron dhe e falënderon Allahun për begatitë dhe të mirat e Tija.


Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush thotë në mëngjes dhe në mbrëmje: subhanAllahi ve bihamdihi, njëqind here, nuk do të vije në ditën e Kiametit ndokush me gjë më të mirë se ky, përpos atij që thotë sa ky apo më tepër.” [4]

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I GJASHTËDHJETË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com



1. E shënon Buhariu me numër (6405) dhe Muslimi me numër (2691).
2. E shënon Muslimi me numër (233).
3. E shënon Muslimi me numër (2731)
4. E shënon Muslimi me numër (2692)

GJITHASHTU NË ALBISLAM