Arhiva DitoreOct 15, 2014

0 8011

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili e bëri namazin shtyllë të fesë dhe tha: Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai. Bekare 45-46. Dëshmoj se adhurimi nuk i takon askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij dhe se namazi ishte porosia e fundit e tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman,

 

Frikojuni Allahut për fenë e juaj në përgjithësi dhe për namazin e juaj në veçanti. Faleni namazin dhe përkujdesuni për të. Faleni me frikërespekt dhe me qetësi shpirtërore. Faleni atë në xhemat dhe nëpër xhami dhe përkujdesuni për të sinqerisht për arsye se ai është shtyllë e fesë dhe adresa e lumturisë. Namazi është drita e juaj në tokë, thesari i juaj në qiell dhe ndihma e juaj gjatë vështirësive në jetë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!”. Bekare 45, dhe ” Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe”. Ankebut 45.  Namazi ishte gëzimi i syve të Muhamedit,alejhi salatu ue selam, dhe streha e tij gjatë vështirësive dhe pushimi i tij gjatë lodhjeve. Namazi është shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit dhe është lidhja direkte mes robit dhe Allahut dhe shenja dalluese mes kufrit dhe imanit.

Namazi në Islam peshon rëndë dhe pozita e tij tek Allahu është e lartë. Për këtë arsye kushtoni rëndësi të madhe dhe kryeni me besnikëri dhe faleni të plotë. Ai që e falë i përkushtuar dhe të plotë do të shpërblehet, kurse ai që vjedh prej tij dhe e falë të mangët dyshohet se a do t’i pranohet. Falësi prej namazit të tij fiton hise aq sa ka qenë i përkushtuar në të kurse namazi që falet shpejt nuk pranohet.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij,  tregon se i Dërguari i Allahut hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili, pasi u fal, shkoi dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam. Ai, alejhi salatu ue selam, ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Personi u kthye dhe u fal përsëri ashtu siç u fal herën e parë, pastaj u kthye dhe e përshëndeti Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, i cili përsëri i tha: “Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur”. Kjo gjë vazhdoi tri herë. (Pas gjithë kësaj) ai tha: “(Betohem) për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën! Unë nuk mund të falem më mirë se kështu! (Të lutem) më mëso pra!” Nga kjo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Kur të ngrihesh e të vendosësh për të falur namaz shqipto tekbirin (fjalët Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi, për fillimin e namazit), pastaj këndo ç’është më e lehtë për ty (që di përmendësh nga Kurani, pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt në këmbë, pastaj bjer me fytyrë për tokë në sexhde dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ulu dhe rri i qetësuar (dhe mos u ngut për në sexhden e dytë). Kështu pra vepro gjatë gjithë faljes tënde (në çdo veprim rri sa të ndihesh i qetësuar në atë gjendje që je).

 

Ky hadith është argument i qartë se namazi nuk lejohet që të falet shpejtë dhe se në të kërkohet që gjatë çdo lëvizje falësi të jetë i qetë dhe të mos ngutet. Qetësimi në namaz pra është prej shtyllave të namazit dhe pa të namazi nuk është i vërtet.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ndaloi që falësi ta vonon namazin e tij deri në namazin tjetër pa arsye dhe në fund prej frike se do t’i ikë namazi të ngrihet dhe ta falë atë shumë shpejt dhe na paralajmëroi se ky lloj i namazit i përngjan atij të hipokritëve.  Ai, alejhi salatu ue selem,thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk  e përmend Allahun vetëm se pak”.

Edhe mosfalja e namazit në xhemat është një prej vetive të tyre. Prej vetive tjera të tyre janë edhe cilësitë që ua cek Allahu në Kuran: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak. Nisa 142.  Ibën el Kajimi, Allahu e mëshiroftë,  thotë se këto gjashtë cilësi në namaz janë prej vetive të hipokritëve: ngritja me përtesë për në namaz, shtirja në faljen e tij vetëm sa për të dukur para njerëzve, vonesa e tij, nxitimi në faljen e tij, mos përmendja e Allahut në namaz shumë dhe mosfalja në xhemat.

Ebu Abdullah el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u fal me shokët e tij dhe pastaj u ul me një grup prej tyre. Ndërkohë, hyri një njeri dhe filloi të falet. Në namazin e tij filloi të bëj lëvizje të shpejta. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, tha: “A e shikoni këtë? Kush vdes kështu, vdes në fe jo të Muhamedit. Ky e fal namazin ashtu siç bën korbi”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, vjedhjen në namaz e bëri nga krimet më të mëdha të vjedhjes madje më të madhe se atë të pasurisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz”. Të pranishmit të çuditur e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Si vjedh njeriu në namaz?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden”. Padyshim se vjedhësi në fe është më i keq se sa vjedhësi i dynjasë.

Një prej gabimeve të mëdha në namaz është edhe të parapririt e imamit në ruku, sexhde, ulje dhe ngritje. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë,thotë: “Nuk ka namaz ai që e paraprin imamin”. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A nuk ka frikë ndokush prej jush, që e ngre kokën para imamit, se mos Allahu ia shndërron kokën në kokë gomari, apo t’ia shndërrojë fizionominë në fizionomi gomari?”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, rrëfen se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Imami nuk është caktuar veçse për t’u pasuar, ndaj mos e kundërshtoni atë. Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, kur të bëjë rukunë, edhe ju bini në ruku. Kur të thotë “Semi Allahu limen hamideh”, ju thoni: “Allahume rabena lekel hamd”. Kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini në sexhde. Nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur të gjithë”.

 

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam,  “Kur ai të thotë “Allahu Ekber”, edhe ju thoni “Allahu Ekber”, e ka për qëllim prite imamin deri sa të thotë Allahu Ekber, kur ta përfundon atëherë ju thoni Allahu Ekber.

Shumë njerëz nuk i dinë këto hadithe dhe shpesh gabojnë në namazin e tyre. Të gjitha veprimet në namaz duhen të veprohen dhe të shqiptohen pasi t’i thotë apo vepron imami dhe nuk lejohet as të vonohemi e as ta paraprijmë. Dihet se xhemati nuk përfiton asgjë nëse e paraprin imamin mirëpo shejtani i mashtron dhe i nxit që ta paraprijnë imamin dhe me këtë t’ua prish namazin e tyre.

O ju musliman, frikojuni Allahut dhe kujdesuni për faljen e namazit. Namazi është porosia e fundit e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, që e porositi Ummetin  e tij. Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcillet  se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!”.Këto fjalë i përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Namazi është adhurim i cili u urdhërua në qiell, është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet njeriu Ditën e Kiametit dhe është gjëja e fundit që do të humbet nga feja, sikur që ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem“Do të shkëputen hallkat e Islamit një nga një, sa herë që do të shkëputet një hallkë, njerëzit do të kapen për tjetrën, hallka e parë që shkëputet është gjykimi, e fundit është namazi”.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës(të kufijve), të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marr  dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht. Muminun 1-11.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

0 2460

Allahun e falënderojmë që e shpalli islamin fe mëshire dhe mesatare , si dhe salavatet qofshin mbi Muhamedin të dërguarin e Allahut  i cili u dërgua mëshirë për botrat. Në këtë tekst do të flasim për një dukuri negative që është përhapur tek disa njerëz , e ajo është të shpallurit qafir muslimanit duke gjykuar mbi persona, për pak e për shumë. Kështu që duke e parë rëndësinë e madhe të kësaj teme, pra gjykimi për ndonjë person të veçantë se është qafir,nga ky gjykim i rrezikshëm  pasojë vjen se : ky person ka dal prej islami, lejohet gjaku i tij, malli i tij, prishet niqahu i tij poqë se është i martuar me grua muslimane, në qoftë se vdes nuk i lahet xhenazja e as që qëfinoset, nuk i falet namazi i xhenazës ,nuk varroset në varrezat e muslimanëve  dhe ky person poqëse vdes në këtë gjendje është përgjithmonë në zjarr të xhehenemit.

Andaj dije se të shpallurit qafir të muslimanëve, është një nga cilësitë e havarixhëve, grupacion nga grupacionet e devijuara të cilët shpallin pabesimtarë muslimanët nga shkaku se ata bëjnë mëkate të mëdha. Andaj kjo cilësi po shihet tek disa muslimanë të cilët e vazhdojnë rrugën e tyre duke i shpallur besimtarët qafira pa kurrfarë argumenti ose e tregojnë argumentin duke e keqkomentuar  ose këtë argument e vendojnë në vend të gabuar ose gabojnë në argumentim kjo ndodh si pasojë e mosdijes dhe moskuptimit të qëllimeve të sheriatit. Këto persona as që janë persona kompetent për një gjë të tillë nisur nga kjo dijetarët nuk kanë toleruar të flet dikush në këtë çështje pasi që është diçka shumë e rrezikshme pra bisedohet për atë së a është personi në xhehenem apo në xhenet personi që akuzohet. Ajo çka është më e rrezikshme është se mashtrohen manipulohen disa besimtarë të sinqertë të cilët bien pre e disa personave që ju japin kompetenca besimtarëve të thjesht ti shpallin njerëzit qafira ku si pasojë e kësaj vijnë vrasjet vjedhjet e ndryshme nëpër muslimanë duke e bërë të lejuar gjakun dhe pasurinë e tyre pasi që i nxjerrin nga islami. Ndërsa në vijim shiqo vëlla i dashur se çka thotë islami për një vepër të tillë dhe si e trajton atë :

       I Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Cilido njeri që i thotë vëllaut të tij besimtarë : ”O qafir, atëherë njëri prej tyre është qafir, në qoftë se një gjë e tillë është e vërtetë mirë e në qoftë se nuk është, atëherë i kthehet fjala thënësit të saj.[1]

       Po ashtu i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Kush betohet në milet tjetër pos islamit rrejshëm ai është ashtu siç ka thënë ndërsa ai i cili e mbyt veten e tij me diçka në këtë botë do të dënohet me të në ditën e gjykimit, ai i cili e bën lanet – mallkon, besimtarin është njëjtë sikur me e vrarë atë, ai i cili gjuan besimtarin me kufër – se ka bërë kufër, kjo është sikur me e vra atë.[2]

      Po ashtu i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Kush e shpall dikënd se ka ra në kufër apo i thotë: O armik i Allahut, e një gjë të tillë ai person nuk e meriton, atëherë i kthehet atij i cili e ka thënë.[3]

      Kuptimi i hadithit është se fjalën të cilën e thotë folësi i kthehet atij që e ka thënë,

      Gjithashtu i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Kur ndonjë njeri e akuzon një njeri tjetër së është mëkatarë ose se ka rënë në kufër, kjo fjalë i kthehet thënësit të saj në qoftë se i akuzuari nuk e meriton një gjë të tillë.[4] Ky lloj kufër që ceket këtu është siç njihet tek dijetarët “kufër dune kufër” i cili nuk e nxjer nga feja personin derisa nuk e bën hallall një gjë të tillë.

     Kështu që nuk lejohet të bëhet tekfir (qafir) besimtari vetëm se ku të përmbushen kushtet për ta bërë qafir si dhe të largohen pengesat tek ai person ,madje përveç asaj të shpallurit e dikujt kafir ju takon njerëzve të ditur fortë.

      Për këtë i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Do të dalin disa njerëz të cilët e lexojnë Kuranin ,i cili nuk ju kalon më poshtë fytit të tyre, i luftojnë muslimanët dhe i lënë politeistët, këta do të dalin prej islamit siç del shigjeta prej harkut, në qoftë se unë i mbërij ato, do ti luftoj si është luftuar populli i Adit.[5]

     Gjithashtu i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Para kijametit (në ahir zeman) do të dalin disa njerëz me moshënjomë  dhe mendjelehtë, do të flasin fjalë më të mira në tokë, do ta lexojnë Kuranin i cili nuk do t’ju kalon më poshtë se fyti (pra nuk ju hyn në zemër) do të dalin nga feja siç del shigjeta prej harkut, në qoftë se i arrini luftoni ata, sepse lufta ndaj tyre ka shpërblim, për atë që i lufton ata tek Allahu në ditën e kijametit.[6]

     Po ashtu nuk ka diskutim se përgjegjësinë e vrasjes së tyre e merr udhëheqësi i muslimanëve ,e si pasojë e tekfirit vinë akte shkatërruese dhe fitne, sprova  shkatërruese si në vijim:

      –  Prej pasojave të mëdha që i sjell tekfiri është : Nënçmimi i dijetarëve dhe poshtërimi i tyre si dhe të folurit për nderin e tyre, pa dyshim se kjo është rrezik i madh, i cili gjithashtu shtyn në përçarje bashkësinë muslimane. Po ashtu i bën njerëzit të rebelohen ndaj dijetarëve, gjykatësve, udhëheqësve, valive e tjerë.

    Për këtë arsye Sehl ibn Abdullah Et-Tusturiu-Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Njerëzit do të jenë mirë përderisa e respektojnë sulltanin dhe dijetarët, në qoftë se ata i respektojnë këto dy lloj njerëzish Allahu atyre do tua përmirëson dunjanë dhe ahiretin, e poqë se nuk i përfillin këta dy grupe njerëzish atëherë Ai do tua prish atyre dunjanë dhe ahiretin e tyre.[7]

     Tregohet për Ibn Asakirin-Allahu e mëshiroftë, se ka thënë : Mishi i dijetarëve është i helmuar kurse ligj i Allahut është : ti poshtëron para tjerëve ata njerëz që flasin keq për dijetarët, andaj ai i cili e lëshon gojën e tij duke folur keq për dijetarët, Allahu atë person do ta sprovon para vdekjes së tij me vdekjen e zemrës së tij. – Allahu na faltë!

       –  Prej fesatit që ndodh nga shkaku i tekfirit është: Marrja e guximit për të dhënë fetva nga njerëzit që janë injorantë dhe të paditur duke mos patur dituri për një gjë të tillë kurse Allahu i Lartësuar thotë: “ Mos ju qas asaj për të cilën nuk ke dije.[8] Gjithashtu Allahu e ka bërë obligim që për çështjet që nuk i dimë ti pyesim dijetarët duke thënë:” Pyetni ata që dinë për atë që ju nuk e dini.[9]

         – Po ashtu prej krimeve të rrezikshme që i sjell tekfiri është edhe : Vrasja e besimtarëve të pafajshëm, ndërsa Allahu i Lartësuar ka ndaluar nga një gjë e tillë duke thënë: ”Kush e vret një besimtarë me qëllim, ndëshkimi për të është xhehenemi në të cilin do të jetë përgjithmonë si dhe Allahu është i hidhëruar me të dhe do ta mallkon atë dhe atij i ka përgatitur një dënim të madh.[10]

     –  Ndërsa nga gjërat më të shëmtuara që i sjell tekfiri është : Fesati, çrregullimi në tokë, Allahu thotë në Kuran :”Mos bëni çrregullime në tokë pasi ajo është vënë në rregull.[11] Po ashtu Allahu thotë:” Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (pse në botën tjetër gjykon Ai që e di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun Dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. [12] E posa të kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrim në te, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin).”[13]

     – Gjithashtu prej pasojave të këqija dhe të rrezikshme është futja e frikës tek muslimanët, kjo bazuar në hadithin e Ebu Hurejres -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë : Ebul Kasimi-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Kush ia drejton vëllait të tij armën, atë e mallkojnë melaiket derisa ta ul armën edhe nëse e ka vëlla prej babe dhe nëne.[14]

     Po ashtu i Dërguari i Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Tw mos bwj nishan ndonjëri prej jush drejt vëllait të tij me armë, sepse ndoshta shejtani e luan dorën e tij dhe kjo e bën atë person të hyn në gropë të zjarrit.[15]

     Po ashtu i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Nuk i lejohet besimtarit ta frikëson, trishton besimtarin.[16]

     – Po ashtu prej pasojave fatale që sjell tekfiri është: Shkatërrimi i pasurisë dhe i vendeve qofshin ato shtetërore apo private, tokave të pluguara, bimëve të ndryshme e kështu me radhë, kjo është mëkati i madh dhe çrregullim në tokë, sepse i Dërguari i Allahut-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Me të vërtet gjaku juaj, pasuria juaj janë të shenjta për ju si shenjtëria e kësaj dite, këtij muaji dhe i këtij vendi.[17]

    Andaj pas këtyre ajeteve dhe haditheve ki kujdes vëlla i dashur dhe mos u ngut se Allahu nuk na ka nxjerr në dunja për ti gjykuar njerëzit dhe për tu marrë me të tjerët apo të marrim për sipër punë që nuk na takojnë neve. ”Muslimani është thirës në rrugë të Allahut e jo gjykues i tjerëve “ dhe dije se po gjykove drejt ndaj dikujt  ,Allahu do të marrë në llogari për atë gjykim ,prandaj ki kujdes, e poqë se nuk gjykon mbi dikë nuk të merë në përgjegjësi. Andaj Ibn Kajimi thotë : Allahu kur e do dikë ia çel rrugën për të bërë vepra të mira ndërsa kur nuk e do e bën të merret me veprat e të tjerëvë. Në fund Allahun e lusim të më bekon mua dhe juve me Kuranin Famëlartë, më dhashtë dobi me të mua dhe juve me ajetet dhe përkujtimin e urtë që ka në të i them këto fjalë pastaj kërkoj falje nga Allahu për mua dhe ju madje edhe për gjithë besimtarët, kërkoni falje nga Allahu sepse me të vërtetë Ai është Falës e pranon pendimin tuaj, Ai është i Mëshirshmi, Mëshiruesi.

Referencat:

 1 – ”Davabitu-tekkirul-muajen, të autorit akademikut : Abdullah ibn Abdulazizi El-Xhibrin, Profesor në fakultetin mualimin të Rijadit. Këtë libër e ka lexuar dhe ka dhënë për të lavdatë: dijetari Abdullah ibn Abdurahman El-Xhibrin si dhe dijetari Abdulaziz ibn Abdullah Er Raxhihij, njëashtu këtë libër autori e ka lexuar para dijetarit Abdurahman ibn Nasir El-Berak.

 2 – “El-udhru bil-xhehli tahte mixhheri sherij ”, të autorit Ebu Jusuf Mid-hat ibn El-Hasen Alu Feraxh, me parathënie të dijetarit Abdullah ibn Abdurahman El-Xhibrin i cili thotë për këtë libër:  ky libër është më përmbledhës në këtë kaptinë.

 3 – “Aridul-xhehl ve etheruhu ala ahkamil itikad inde ehlu suneti vel xhemati”,të autorit : Ebu El-ala ibn Rashid ibn Ebij El-ula Erashid me kontroll lavdatë të dijetarit Salih ibn Feuzan El-Feuzan, anëtarë në komisionin e dijetarëve të mëdhej të Arabisë Saudite si dhe anëtar i komisionit të përhershëm për hulumtime diturie dhe fetfa.

 4 – Fetava Ibn Baz.

 5 – Fetava Ibn Uthejmin.

 6 – Fetava lexhnetu daime.

 7 –  Hutbeja e xhumasë me temë : “Hataru tekfir ve fesadu-tefxhir” të Dr.Seid ibn Alij ibn Vehf El-Kahtani .

 8 – www.islamqa.com

 9 – Mexhmua të  dijetarit Abdulmuhsin Abad.

 10 – Durusu Muhamed Muhtar Eshenkiti.

[1] Transmeton Muslimi nr.60.

[2] Transmeton Buhariu nr. 6047.

[3] Transmeton Muslimi nr.61.

[4] Transmeton Buhariu nr. 6045.

[5] Mutefekun alejh, Buhariu nr. 3344, Muslimi nr. 1064.

[6] Mutefekun alejh, Buhariu nr. 5057, Muslimi nr. 1066

[7] Tefsirul Kurtubiu 5/262, “El-Humetu fi bejanil-menaxheh” të el-Asbahanit, 2/409

[8] Isra:36

[9] Nahl:43

[10] Nisa:93

[11] Araf:56

[12] Transmetohet nga Aisha r. a. : I Dërguari i Allahut tha: “Njeriu më i urrejtur te Allahu është ai që më së tepërmi i nxit kundërshtarët. ” (Sahihul-Buhari, vëll. 3, had. 637).

[13] Bekare:204-205

[14] Transmeton Muslimi nr. 2616

[15] Transmeton Muslimi nr. 2617

[16] Transmeton Ebu Davudi nr. 5004, Albani e ka bërë hadithin sahih 3/428

[17] Transmeton Muslimi nr. 2064

0 5641

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili e ligjësoi istigfarin dhe i hapi dyert e pendimit për mëkatarin. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman,

Përsosmëria tek njeriu është e pamundur. Të gjithë njerëzit gabojnë dhe kanë mangësi, përveç Pejgamberëve dhe Lajmëtarëve të Allahut të cilët janë të vetmit që janë të mbrojtur në atë që thërrasin prej fesë së Allahut. Zoti i jonë është Mëshirues dhe më i Dituri për gjendjen e robërve të Vet, Ai e dinë fort mirë se robërit e Tij janë të dobët, të mangët, e të pafuqishëm dhe për këtë arsye atyre ua hapi derën e shpresës në mëshirën dhe faljen e Tij dhe u bëri thirrje t’i bashkëngjiten mejdanit të Bujarisë dhe Fisnikërisë së Tij: “Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve)“.  Bekare 221. Kurse me një hadith Kudsij që përcillet prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ka ardhur se Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, andaj kërkoni falje nga Unë që t’ua fali”.

Falja e mëkateve është begati dhe mëshirë e madhe për robin prej Allahut dhe kush mundet që t’i fal mëkatet e robit përveç Allahut: “E kush i fal gjynahet përveç Allahut? “.  Ali Imran 135. Poashtu prej begatisë së madhe të Tij është se Ai i thërret robërit e Tij që tua fal gjynahet e t’i mëshiron dhe atë begati ta pason me një begati tjetër duke ua dhënë njerëzve një afat të caktuar që të ndalen ta llogarisin vetveten dhe të meditojnë për gjendjen e tyre: “Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin caktuar”. Ibrahim 10.

O ju robërit e Allahut, mëkatet falen edhe po të janë ato sa shkuma e detit. Për këtë arsye mos të dëshpërohet robi prej mëshirës së Allahut. Ai që ka bërë shumë mëkate e gjynahe le ta din se falja dhe mëshira e Allahut janë shumë më të mëdha e më të mëdha. Mangësia është veçori e njeriut dhe për këtë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu  ue selam, thotë: “Poqë se nuk bëni mëkate, Allahu do t’ju zëvendëson me një popull që do të bëjnë mëkate dhe do të kërkojnë prej Allahut falje dhe Ai do tua falë”.

I Lartësuar është Zoti i jonë, i Cili është Falës i mëkateve dhe i Cili i mbulon të metat e robërve, e zgjat Dorën e Tij gjatë natës që t’ia fal mëkatarit të ditës dhe e zgjat Dorën e Tij gjatë ditës që t’ia fal mëkatarit të natës dhe i thërret robërit e Tij duke u thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin”. Nur 31.

Lum për ata që e dinë se Zoti i tyre është Bujar, Falës, Mëshirues, i Cili e pranon pendimin e të penduarve dhe i mbulon të metat e mëkatarëve. Prej robit kërkohet largimi prej mëkatit dhe sinqeriteti në pendimin e tij dhe Allahu do t’ia falë gabimin e tij: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret”. Muhamed 19. Ata që pendohen dhe kërkojnë falje e mëshirë janë më të lavdëruarit, më të mirët ndër robërit e Allahut, e dinë se janë nën mbikëqyrjen e Allahut dhe kjo i nxit që të jetojnë mes shpresës dhe frikës: “Allahu i vrojton robërit e Vet që thonë: “Zoti ynë! Me të vërtetë kemi besuar, andaj na i fal gjynahet tona dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!”; që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit”. Ali Imran 16-17.

Nëse në një popull shtohet istigfari dhe ai buron prej zemrave të sinqerta, Allahu prej atij populli belat dhe sprovat do t’i largon dhe prej ndëshkimeve do t’i mbron: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. Enfal 33.

Imam Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e përcjell një hadith prej Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu Umetit tim ia ka garantuar dy herë sigurinë dhe e lexoi ajetin: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij”. Enfal 33. Dhe pastaj tha: “Kur unë do të vdes atyre do tu mbetet istigfari”.

Me shpeshtimin e istigfarit zbret mëshira e Allahut: “Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!”.Neml 46.

 

Istigfari është shkak për shtimin e bereqetit, rritjen e pasurisë, zvogëlimin e varfërisë, zbritjen e shiut, furnizimin me fëmi, dhe është burim i krenarisë dhe begatisë. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e Nuhit, alejhi selam, i cili i tha popullit të vet: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”. Nuh 10-12. Dhe poashtu lexojeni lajmin e popullit të Adit me të dërguarin e tyre Hudin, alejhi selam, i cili u tha: O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj“. Hud 52.

Atyre që pendohen Allahu i begaton me zgjerim të furnizimit, me dhënien e sigurisë, me shërim prej sëmundjeve, me jetë të mirë dhe me largimin e pikëllimit. Me istigfar secili e arrin gradën e vet që e meriton dhe çdo i mirë e fiton shpërblimin e vet që e meriton. Nëse dëshironi lexojeni lajmin e të Dërguarit tonë Muhamedit, alejhi salatu ue selam, i cili tha: (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar”. Hud 3.

Istigfari me lejen e Allahut është shkak për mënjanimin e brengave dhe për rrugëdalje prej çdo situate dhe furnizim nga nuk shpreson njeriu. Në një hadith i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kush bie istigfar pa ndërprerë, Allahu do t’ia mënjanojë çdo brengë, do t’i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk shpreson”.

 

Istigfari dhe pendimi ia pastrojnë robit zemrën dhe ia përmisojmë veprën, i japin  qetësi shpirtit, i japin fuqi trupit, ia përmisojmë shëndetin, i japin shpirtit mirësi dhe i zbresin bereqet e begati.

Me këtë baraspeshë muslimani dhe i tërë Umeti bëhen Umet veprues prodhues, që bën bashkim mes marrjes së shkakut dhe mbështetjes në Allahun dhe është i kënaqur me caktimet e Tij.

Parashtrohet pyetja se nëse ky është istigfari dhe kjo është thirrja e Allahut dhe kjo është merita e Tij e gjerë, atëherë si duhet të jetë llogaritja e vetvetes?

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë se dijetarët kanë thënë: “Istigfari i kërkuar është istigfari i vazhdueshëm, të cilit i përforcohet kuptimi në zemër dhe nuk është thjesht vetëm se shqiptim me gjuhë. Kush bën istigfar me gjuhë dhe zemra e tij këmbëngul në mëkate atëherë istigfari i tij ka nevojë për istigfar”.

Disa prej dijetarëve thonë se: “Kush nuk e ka për qëllim që prej frytit të istigfarit të tij të përmisohet pendimi i tij, ai është rrenacak. Ai që bën istigfar për mëkatin dhe vazhdon në të i përngjan atij që tallet me Allahun”.

Istigfari i vërtetë është atëherë kur synohet me sinqeritet lënia e mëkatit dhe me zemër mbështetesh në Allahun. E gjithë mirësia është e ndërlidhur me përmisimin e zemrave dhe pranimin e besimit dhe atëherë vjen edhe falja: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. Enfal 70.

Për ta qartësuar më mirë pasqyrën e asaj çka e përmendëm më lart do t’i marrim disa shembuj prej atyre që e shpeshtonin istigfarin pasi që i kryenin disa prej adhurimeve madhështore.

Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thonte: “Pasha Allahun, unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu me shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës”.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thonte: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, në një mexhlis e numëronim se thonte një qind herë:“O Zot më fal mua dhe pranoje pendimin tim, se Ti je Pendimpranuesi Gjithëfalësi”.

Pejgamberi i Allahut pasi që e përfundoi misionin e tij dhe e përcolli mesazhin e Allahut në vend, Allahu e urdhëroi që t’i drejtohet Atij me pendim dhe me istigfar: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve”. Nasr 1-3.

Ata që e falin namazin, menjëherë pasi që e kryejnë faljen e namazit të tyre nxitojnë në istigfar. Haxhilerët pas ndejës në Arafat dhe Muzdelife janë të urdhëruar me istigfar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Bekare 199.

Poashtu pas marrjes së abdesit robi i drejtohet Allahut me teuhid dhe pendim dhe thotë: “Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. O Zot më bën prej të penduarve dhe më bën prej të pastruarve (prej mëkateve)”.

 

Kurse ata që kërkojnë falje në agim, e që janë më të zellshmit, ata së pari u falën natën e pastaj nxituan për në istigfar: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)“. Dharijat 17-18.

 

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “U falën deri në agim e pastaj u ulën dhe kërkonin falje”.

I biri i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, u falte natën e pastaj iu drejtonte Nafiut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, shërbëtorit të tij dhe i thonte: “O Nafi, a arriti agimi? Nëse i thonte po, atëherë nxitonte për në lutje dhe istigfar deri në mëngjes”.

O ju musliman, një prej shkaqeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të pranimit të istigfarit është njësimi i Allahut dhe sinqeriteti në adhurimin e Tij dhe largimi prej të gjitha llojeve të politeizmit dhe idhujtarisë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm”. Nisa 48.

Kurse me një hadith Kudsij ka ardhur: “O biri i Ademit, nëse vjen te Unë me mëkate të mëdha sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”.

Falja pra, është e ndërlidhur me dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj Muhamedit, alejhi salatu ue selam: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. Ali Imran 31.

Kjo është mëshira e Allahut dhe butësia e Tij ndaj krijesave të Tij, mirëpo ke kujdes prej kuptimit të gabueshëm të disave se istigfari na mundëson që ne të shkojmë pas gjynaheve dhe se Allahu do të na falë. Është e vërtetë se Allahu fal por Ai edhe dënon rreptë. Nëse robi jepet pas gjynaheve dhe këmbëngul në to, ato gradualisht do ta shkatërrojnë. Mëkat pas mëkati, gjynah pas gjynahi deri sa ta shkatërrojnë tërësisht dhe mos t’ia mundësojnë që të kthehet në pendim. Sa të rinj janë shkatërruar si shkak i këtij besimi të rrejshëm? Sa të rinj i mashtroi shpresa e rrejshme se do të jetojnë gjatë dhe se ka kohë për pendim? Plotë!.

O ti rob i Allahut, për këtë arsye nxito në pendim dhe istigfar kur të bësh mëkat dhe tento që të këmbëngulsh në to, se ato janë shkak i shpëtimit tënd dhe lumturisë tënde në dynja dhe ahiret.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.  Zumer 53.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NA NDIQNI NË