MUSAI, ALEJHI SELAM – 3

MUSAI, ALEJHI SELAM – 3

0 2608

BENI ISRAILËT ADHURUAN VIÇIN

Pasi që Allahu shkatërroi Faraonin dhe ushtrinë e tij, Musai, alejhi selam, së bashku me beni israilët u nis  për në Kuds, ku më pas rrugës diku u nda nga ata, duke lënë vëllanë e tij Harunin përgjegjës të tyre. Shkoi që t’i lutet Allahut, në ato momente i erdhi lajmi hyjnor për atë se çfarë kishin shpikur populli i tij në mungesë të tij, duke adhuruar viçin, pasi që ua kishte zbukurar këtë një person me emrin Samirij, emër që i referohet vendit Samira, në Palestinë. Kur ata e panë viçin të cilin ua kishte ndërtuar Samiriu, ai u tha: Ky është Zoti juaj dhe i Musait, andaj atë adhuroni, sepse Musai e ka harruar Zotin e tij këtu, e shkoi për ta kërkuar në një vend tjetër.

Haruni, alejhi selam, këshilloi adhuruesit e viçit edhe para se të kthehej Musai, alejhi selam. U tregoi atyre se janë në devijim të qartë duke adhururar viçin, i cili as që sjell dëm e as dobi, dhe se i adhuruari i vërtetë është Allahu Një, i porositi ata që të kthehen e të ndjekin të vërtetën, në të cilën ishte ai dhe vëllau i tij Musai. Por, kjo këshillë nuk gjeti kush do e dëgjojë, megjithatë u ballafaqua me nënçmim, tallje dhe përqendrim në të vazhduarit në rrugën e devijimit.

Kur Musai, alejhi selam, u kthye, e qortoi vëllanë e tij, pse nuk kishte marrë një qëndrim të prerë, e të vendosur ndaj adhuruesve të viçit. E Haruni i tregoi atij se nuk i kishte luftuar ata për krimin që ata kishin vepruar, nga frika se mos ndodhte ndonjë fitne në mesin e tyre, e të ndahen në grupe e parti, kështu që vendosi të priste kthimin e Musait e të ndërmer më pas diç ndaj tyre. Pasi që përfundoi Musai duke dëgjuar arsyetimet e vëllait të tij, iu drejtua me fjalë popullit, që të kuptonte shkakun pse kishin qëndruar duke adhuruar viçin, kështu ata e njoftuan atë për arsyet e pabaza, që aludonin në marrëzi të mendjeve të tyre, për idetë e përçmuara, e i treguan atij se adhurimi i viçit ishte një gjë jashta mundësive e zgjedhjeve të tyre, në çfarë i kishte joshur në të Samiriju, e që po të mos ishte kjo –ashtu siç pretendonin- do mbesnin në marrëveshjen e duhur dhe premtimin që e kishin dhënë.

Musai, alejhi selam, me hidhërim iu drejtua Samirijut, filloi ta nënçmon e ta qorton, e më pas urdhëroi njerëzit që ta distancojnë e të mos i afrohen atij, sepse është shpifës, mëkatar, i keq, e përçarës.

Më pas, Musai morri viçin që e kishin ndërtuar dhe e shkatërroi, i hodhi copëzat e tij në det, dhe u sqaroi atyre që e kishin adhuruar se adhurimi i tij ishte injorancë, pas së cilës nuk ka injorancë më të madhe, e nuk i takon një të mençuri të vepron ashtu, e përfundoi fjalimin e tij duke sqaruar se i Adhuruari i vërtetë është Allahu, që nuk ka zot tjetër pos Tij, i Cili me diturinë e Tij ka përfshirë çdo gjë.

TREGIMI I SHTATËDHJETË PERSONAVE TË CILËT I KISHTE ZGJEDHUR MUSAI

Musai, alejhi selam, zgjodhi shtatëdhjetë burra, nga më të mirët e popullit të tij në takimin me Allahun, në atë kohë që Allahu ia kishte caktuar, ai i ftoi që të shkojnë së bashku me të. Ky takim – sipas mendimit më të sakt- ka ndodhur pasi që beni israilët kishin adhuruar viçin në mungesë të Musait. Më pas këta shtatëdhjetë burra kërkuan nga Musai gjë që nuk u takonte atyre ta kërkojnë, për çfarë ata i goditi një tërmet katastrofal. Musai iu drejtua Zotit me fjalët: O Zot! Do dëshiroja që vullneti Yt për ti shkatërruar të ndodhte para se të dilnin me mua në këtë vend, e së bashku me ta të më shkatërrosh edhe mua, e të mos bie në siklet të madh me beni israilët, ngase ata do më thonë mua: Ti i morre më të mirët nga ne që t’i shkatërrosh. Musai, alejhi selam, tha këtë fjalë që të përfiton faljen e Zotit nga ky krim që e kishin vepruar populli i Tij, pasi që Allahu i kishte begatuar me me dhunti të mëhershme të shumta, e i shpëtoi nga Faraoni dhe parija e tij. Më pas Musai, alejhi selam, e luti Zotin që t’ia lehtëson më të mirën e kësaj jete nga dhuntitë, adhurimet, shëndetin e suksesin, e t’i jep në ahiret gjithashtu më të mirën e faljes, mëshirës, xhenetit gjërësia e së cilit është sa qiejt e toka.

MUSAI, ALEJHI SELAM, DHE POPULLI I FUQISHËM (DHUNUES)

Pasi që Allahu fundosi Faraonin dhe shpëtoi Musain dhe ata që ishin me të prej beni israilëve, Musai u drejtua për kah Toka e Shenjtë. Vetëm sa kishin kaluar detin panë një popull që adhuronin idhuj, natyrshmëria pagane e tyre i riktheu ata, kërkuan prej Musait që të ndreq një idhull që ata ta adhurojnë, në këtë moment Musai u nevrikos shumë, e i përshkroi ata si një popull që nuk e njohin të vërtetën, duke u sqaruar atyre mizorinë e paganëve, ua kujtoi dhuntitë e shumta që me çfarë i kishte begatuar Allahu, me ç‘rast obligohen që ta njësojnë duke iu nënshtruar vetëm urdhërit të Tij, t’i dorëzohen dëshirës së Tij, më pas Musai, alejhi selam, refuzoi kërkesën e tyre, se vetëm Allahu është Një që meriton të adhurohet.

Në atë kohë, Allahu i Madhëruar urdhëroi Musain, alejhi selam, që të zgjedh dymbëdhjetë persona nga populli i tij, nga më të ndershmit që ishin me të, i urdhëroi që të nisen për në tokën e Shenjtë, që të vëzhgojnë gjendjen e banorëve të atij vendi, e të marrin ca lajme mbi ta. Musai zbatoi urdhërin e Zotit, i dërgoi ata tek toka e Shënjtë, kur të dërguarit shkuan gjetën se ata ishin shumë të fuqishëm, e fizikisht të mëdhej, u kthyen tek Musai e i thanë: Ne shkuam deri tek vendi ku na dërgove, në të vërtetë ishte përplot qumësht e mjaltë, pos që banorët ishin shumë të fuqishëm, vendi i tyre fortë i fortifikuar e me shumë kala, dhe gjithsecili prej tyre filloi ta ndalonte shokun e tij nga të luftuarit, përpos dy personave, ata këshillonin popullin që të respektojnë profetin e tyre Musa, për të luftuar së bashku me të. Por, beni israilët kundërshtuan këshillën e dy të dërguarve duke respektuar fjalën e të tjerëve, këmbëngulën për të mos luftuar, filluan të qajnë me zë, dhe thanë: Mjerë për ne, më mirë të kishim vdekur në Egjipt apo në këtë vend ku gjendemi!

Allahu i shpalli Musait, alejhi selam, që t’i pengon ata nga ajo që ata ranë –frika e kundërshtimi- e t’i nxisë për luftë kundër popullit dhunues, por ata mbyllën veshët nga urdhëri i tij, dhe e refuzuan. Edhe dy personat besimtarë, kundërshtuan bojkotin e tyre ndaj luftës, i nxitën që të respektojnë profetin e tyre, i ftuan që çështjen e tyre t’ia dorëzojnë Krijuesit pasi që të kenë marrë parasysh shkaqet, të marrin vendimin e duhur për t’u ballafaquar me kundërshtarët në luftë.

Pos që, një këshillë nga këta dy burra besimtarë nuk hasën tek beni israilët zemra të ndërgjegjshme, e as veshë që dëgjojnë, por atë që morrën ishte rebeli e inat, duke i përsëritur profetit të tyre mohimin e prerë për mosshkuarje në tokën e Shenjtë, përderisa ai popull ishte aty duke qëndruar, duke u arsyetuar se nuk kishin aftësi që të luftojnë, se ata ishin shumë më të fortë e më të vrazhdë. Saqë i thanë Musait, alejhi selam, se nëse hyrja në këtë vend është aq me rëndësi për të, le të shkon ai së bashku me Zotin e të luftojnë kundër atij populli, e t’i nxjerrin nga aty, ndërsa ata do qëndrojnë ulur në vendin e tyre, pa u larguar, ngase luftimi me atë popull nuk u interesonte as për një afat të afërt e as për më vonë!

Kur Musai pa prej popullit të tij inatin e frikën që kishin, iu kthye Zotit për t’iu ankuar Atij, e të kërkon që ta ndaj atë pre tyre, sepse ata më nuk ishin meritorë që ta shoqërojnë e ta ndjekin atë, iu drejtua me fjalët: O Zoti im! Ti e di se unë nuk posedoj diç më tepër për të ndihmuar fenë Tënde, pos vetes dhe vëllain tim, ndërsa populli ka dalë nga respektimi ndaj meje, kundërshtuan urdhërin Tënd, përderisa ky është qëndrimi i tyre, më ndaj mua prej tyre, sipas gjykimit Tënd të drejtë, ngase vetëm Ti gjykon me të drejtë mes robërve, Ti je  gjykatës më drejti. Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Musait, alejhi selam,  e i tregoi se toka e Shenjtë është haram për ata frikacakë e kundërshtarë për katërdhjetë vitë, për atë kohë do bredhin nëpër shkretëtirë të hamendur, duke mos përmirësuar çështjen që kanë, pa mos patur mundësi të marrin vendim të drejtë, ky është shpërblim i atyre që kundërshtojnë Allahun e nuk i përmbahen ligjeve të Tij.

Për Musain, ishte edhe një lajm tjetër, që në vazhdim do tregojmë për të.

Burimi: albislam.com / Islamweb.net

Përktheu: Shpend Zeneli