SHEMBULLI I DASHURISË SË NDËRSJELLË TË BESIMTARËVE

SHEMBULLI I DASHURISË SË NDËRSJELLË TË BESIMTARËVE

0 2589

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Numan Ibn Beshir, radijAllahu anhu,. tregon se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në mëshirën, dashurinë e në përzemërsinë ndërmjet tyre i ngjajnë një trupi të vetëm aq sa, kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi ndan me të pagjumësinë dhe ethet.”[1]

SHPJEGIM I HADITHIT

Ibn Ebu Xhemra, ka thënë: “Ajo që kuptohet nga hadithi është se mëshira, dashuria dhe përzemërsia edhe pse janë të përafërta në kuptim, por mes tyre ka një dallim të veçantë për secilën, mëshira ka për qëllim: që njëri tjetrin ta mëshirojnë për hir të vëllazërisë imanore e jo për ndonjë shkak tjetër, ndërsa dashuri është kontakti i cili sjell dashuri, si vizita, dhurimi i hedijeve, ndërsa përzemërsia është ndihma e ofruar ndaj njëri tjetrit.”

Kadi Ijadi ka thënë: “Ngjasimi i besimtarit si një trup është një ngjasim i sakt, përafrim i kuptimit dhe një tregues i kuptimeve me anë të formave të dukshme.”

Ibn Ebu Xhemra ka thënë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ngjasoi trupin me imanin, ndërsa besimtarët me gjymtyrët, ngase imani (besimi) është baza e degët e saj janë obligimet, që nëse njeriu anashkalon diç nga obligimet, kjo tregon për çrregullimet që i ka edhe në bazë, njashtu edhe trupi është po si pema, e gjymtyrët e saja janë si degët, kur një gjymtyrë ankohet, ankohen edhe gjymtyrët e tjera, po si pema, kur një degë e saj goditet lëkunden të gjitha degët tjera, levizin e dridhen.”

Forma e ngjasimit në këtë rast është pajtueshmëria mes tyre në lodhje e rehati.

DOBI NGA HADITHI

  1. Shenjtërimi i të drejtave të muslimanëve ndaj njëri-tjetrit, nxitja e tyre për mëshirim, përzemërsi e bashkpunim, jo në mëkate e gjëra të urryera.
  2. Lejueshmëria e shëmbëllimit për të lehtësuar kuptimin e gjërave.
  3. Prej parakushteve të imanit është edhe veprimi i kërkesave vëllazërore si mëshirimi, dashuria e ndihma, dhe se neglizhimi i tyre dhe anashkalimi është dobësi e imanit. Shejh Islam ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Për këtë besimtarin e gëzon ajo që i gëzon besimtarët dhe e mërzit ajo që i mërzit ata, e kush nuk është i tillë, nuk është prej tyre.”
  4. Muslimani duhet të jap mundin në pastrimin e zemrës drejt vëllezërve të tij musliman, e të gëzohet kur atyre i vije ndonjë e mirë, dhe të brengoset kur i godet gjë që i dëmton apo vuajnë prej saj. Të qëndron me ta në fatkeqësitë që u kanë zbritur, t’i ndihmon nevojtarit, të shtypurit, e të bashkpunon me ta në vepra të mira.
  5. Madhështia e kësaj feje, përsosmëria e saj, duke nxitur në bashkim dhe mëshirim, e muslimani kështu jeton në mesin e vëllezërve të tij, në shpatullat e tyre, krenar, i nderuar, qoftë në vështirësi e qoftë në rehati, qoftë kur është i fortë, apo kur është i dobët, në çdo situatë.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] Buhariu 6011. Muslimi 2586.

GJITHASHTU NË ALBISLAM