Arhiva DitoreAug 31, 2014

0 3908

Dëgjimi i ajeteve të Kur’anit është adhurim (ibadet) dhe disa fjalë rreth muzikës

Pyetje:

-Jam një djalë i ri dhe një ditë e pashë një moshatar timin, duke dëgjuar muzikë, ndërsa unë duke e ditur se muzika është haram, iu afrova dhe e këshillova, por ai më tha: “Çfarë dobie ke nga dëgjimi i Kur’anit?” Unë i thashë se dëgjimi i Kur’anit është adhurim dhe ke dobi të mëdha nga Kur’ani, por ai ma ktheu dhe tha: “Unë kam dobi nga muzika ashtu siç ke ti nga Kur’ani.”

Pra çka mendoni për këtë thënie të tij?

Përgjigje:

-Kjo është një fjalë e shëmtuar, këtë fjalë nuk e thotë ai i cili e njeh Kur’anin dhe Islamin, bile frikësohem se ka mundësi që ky person të dal nga feja Islame me këtë thënie nëse beson se ai ka dobi nga muzika ashtu siç ka dobi nga Kur’ani, Allahu na ruajt nga devijimi i zemrave dhe rrëshqitjeve të gjuhëve, me të vërtetë Allahu është Dëgjues.

-Duhet që këtij personit dhe të tjerëve të llojit të tij, tu tregohet se nga Kur’ani ka dobi të shumta, sepse aty e gjejmë udhëzimin dhe përmirësimin, aty është shpëtimi, përmirësimi i zemrave dhe veprave, aty është sigurimi i fesë dhe jetës së kësaj bote, aty gjejmë përmirësimin e moralit dhe veprimin e veprave të shumta që e kënaqin Allahun dhe se si me këto vepra afrohemi tek Ai, pra Kur’ani thërret që të kemi moralin më të lartë, na thërret që t’i përmirësojmë veprat tona, na i mëson obligimet që i kemi ndaj Tij, na i mëson gjërat e ndaluara, na e mëson rrugën e pejgamberëve, na i mëson virtytet dhe moralin e pejgamberëve dhe besimtarëve, virtytet e banorëve të xhenetit dhe moralin e tyre dhe si të bëhemi prej tyre, na i mëson cilësitë e banorëve të zjarrit dhe si të shmangemi prej tyre, e tërë kjo gjendet në Kur’an, vallë a ka dobi më të madhe se kjo, a ka dobi më të madhe në botë se sa të mësosh se si e kënaq Allahun e Lartësuar dhe si hidhërohet Ai? I mëson emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Tij, vallë a ka diçka më të mirë se kjo?!

Ndërsa sa i përket muzikës, nuk kënaqet nga muzika përveç ai që e ka zemrën e sëmurë dhe është i devijuar nga rruga e vërtetë, pra kjo është dobia e muzikës, në një hadith pejgamberi, -salallahu alejhi ve selem!- thotë:

“Muzika e mbjellë nifakun (dyfytyrësinë) në zemër, ashtu siç i mbjell uji bimët”1

Shejh AbdulAziz bin Baz –Allahu e mëshiroftë!-

Burimi: albislam.com

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja:

Mujdin Xh. Xhaferi

 

1. Transmetuesi është Abdullah ibn Mesud, shënon Ebu Davud në El Edeb 4279

0 3273

Pyetja: Cila është dispozita mbi braktisjen e Kuranit? Cili është afati kohor për ta konsideruar dikë braktisës i Kuranit. Kam dëgjuar disa që e kufizojnë me afat treditor, Allahu ju dhashtë çdo të mirë.

Përgjigje: I falënderuar qoftë Allahu… leximi i Kuranit është prej veprave që më shumë e afrojnë njeriun pranë Allahut, afrim ky i cili bëhet me fjalët që i ka zbritur vet Ai për t’i udhëzuar njerëzit drejt asaj që u siguron lumturi në dynja dhe ahiret.

Ky është edhe shkaku i teksteve të shumta që nxisin në lexim të Kuranit Famëmadh, që shpjegojnë shpërblimin e madh që e fiton lexuesi dhe hafizi i Librit të Allahut. Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Prej veprave vullnetare me të cilat njeriu më shumë i afrohet Allahut është leximi i shpeshtë i Kuranit, dëgjimi i tij me kuptim, meditim dhe reflektim rreth ajeteve.

Habab ibn El Eret, radijallahu anhu, i tha një njeriut: Afroju Allahut si të duash por dije se nuk do ti afrohesh më gjë më të dashur për Të se fjala e Tij.

Tirmidhiu në Sunenin e tij e transmeton hadithin e Ebu Umames, radijallahu anhu, teksti i të cilit është: Robërit nuk do ti afrohen Allahut me asgjë sikur i afrohen me atë që ka dal prej Tij (Kuranin). (Tirmidhiu, 2911 dhe e vlerëson si Garib dhe Albani e vlerëson si të dobët)

Othmani, radijallahu anhu, ka thënë: Po të ishin të pastra zemrat tuaja nuk do të ngopeshin me fjalët e Zotit tuaj.

Ibn Mes’udi, radijallahu anhu, ka thënë: Ai që e do Kuranin, ai e do Allahun dhe të dërguarin e Tij.

Disa asketë i thanë nxënësit të tyre: A e ke mësuar Kuranin përmendsh. Tha: Jo. Thanë: O Allah ndihmoji, nxënës që nuk e di Kuranin përmendsh. E me çfarë do të kënaqet, më çfarë do të bën intonacion, më çfarë do ti drejtohet Zotit të tij. (Xhamiul ulumi vel hikem, fq. 364)

Këto tekste nuk nënkuptojnë detyrën që Kurani të lexohet në çdo çast dhe moment, e as që nënkuptojnë që ai që nuk lexon Kuranin për një kohë të caktuar kë mëkat dhe meriton dënim. Qëndrimin e këtillë e arsyetojmë me dy shkaqe:

  1. Nuk kemi tekst të Kuranit apo Sunetit sipas të cilit leximi i tërë Kuranit brenda, për shembull, tre ditëve apo një muaji është farz për muslimanët. Tekstet që flasin për vlerën e leximit të shpeshtë të Kuranit, janë tekste nxitëse në bazë vullnetare dhe nuk e kanë kuptimin e detyrimit/obligimit.
  2. Në fjalët e dijetarëve, fukaha, muhadithinë, mufesirinë nuk kemi gjetë ndonjë fjali që detyron muslimnët dhe muslimanet të lexojnë Kuranin brenda një afati kohor, ose që flet për ndonjë mëkat nëse nuk veprohet ashtu. Shumë prej tyre e kanë konsideruar mekruh të kalojë më shumë prej një muaj pa e lexuar Kuranin (pa bërë hatme). Tek disa përmendet edhe afati dyzet ditësh.

Ibn Kudame, Allahu e mëshiroft, thotë: Është mekruh të vonohet hatmeja e Kuranit mbi dyzet ditë. Imam Ahmedi ka thënë: Afati më i gjatë që kam dëgjuar për të bërë hatme është dyzet ditë, sepse vonimi më shumë se ky afat çon deri në harrim të Kuranit dhe shkujdes ndaj tij. Prandaj afati i përmendur është më primar që ti përmbahemi, përveç në raste ku kemi arsye. Nëse kemi arsye atëherë kemi lehtësime. (El Mugni, 1/459 dhe El Meusua El Fikhije, 33/58-59)

Disa dijetarë kanë përmendur se afatizimi i përmendur është i veçantë për hafizin e Kuranit, sepse kë rrezik të harrohet nëse tregohet i shkujdesur lidhur me leximin e tij dhe me bërjen e hatmes.

Ibn Abdidin Hanefiu, thotë: Hafizi i Kuranit duhet të bëj një hatme brenda dyzet ditëve. (Durrul Muhtar, 6/757).

Megjithëatë themi se nuk i ka hije muslimanit,  të cilin Allahu e ka nderuar me këtë fe madhështore dhe me këtë libër që është udhëzim dhe dritë, të lejojë të kalojnë ditë pa medituar rreth ajeteve të tij, pa lexuar ajete plotë urtësi dhe këshilla. Nuk ka dyshim se i tilli e ka privuar veten prej shumë të mirave.

Allahut i takon dija absolute.

Burimi: albislam.com

Përktheu: Talha Kurtishi

0 5203

Pyetje: selam alejkum. Jam nxënëse dhe po punoj rreth një projekti për të mësuarit, andaj desha te di: Cilat janë disa nga dobitë e leximit të Kur’anit dhe a ndikon leximi i Kur’anit në zhvillimin e aftësive mendore. Allahu ju shpërbleftë!

 

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin, familjen dhe ithtarët e tij:

S’ka dyshim se prej punëve më të mira është leximi i Kuranit. Allahu ka garantuar një shpërblim të madh për ata që e mësojnë, lexojnë, sodisin dhe veprojnë sipas tij. Një rregull gjeneral që është edhe emëruesi i përbashkët i të gjitha riteve (ibadeteve) është dobia që sjellin ato në këtë dynja, krahas dobive në botën e përtejme, edhe pse herë i perceptojmë ato dobi e herë jo. Shumë dijetarë që merren më mrekullitë shkencore të Kuranit kanë vërtetuar dobi të shumta që lë mësimi dhe leximi i Kuranit, prej tyre:

–         kthjellon trurin

–         forcon memorien

–         qetëson dhe stabilizon psikikën

–         gëzon dhe lumturon

–         mënjanon frikën dhe dëshpërimin

–         zhvillon oratorinë

–         shtonë fuqinë për forcimin e raporteve sociale dhe fiton besueshmërinë e njerëzve

–         shëron sëmundjet kronike

–         zhvillon fuqinë e kuptimit

–         e bën njeriun më të fortë, më stabil dhe më të qetë.

Dy studime kam lexuar që vërtetojnë ndikimin e Kuranit në zhvillimin mendor, sidomos te fëmijët. Njërin studim e ka bërë Ahmed Mexhdhub, profesor i Sociologjisë, në Institutin Nacional për Studime Sociologjike të Kajros dhe një tjetër eksperimentim të publikuar në revistën ElBEJAN ku vërtetohet ajo që thash më lartë. Nuk është për t’u habitur, fjalët e Krijuesit, janë dritë, bar, shërim dhe përmirësim për gjithçka. Ashtu siç ndikon Kurani në përmirësimin e zemrës dhe sjelljes ashtu ndikon edhe në trupin dhe mendjen e njeriut.

 

www.albayan.co.uk / albislam.com

 

0 3553

Pyetje: Pse Kurani quhet Kuran dhe kush e bëri atë emërtim?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut ndërsa lavdërimet dhe bekimet e Tij qofshin mbi Muhamedin, të dashurin tonë…

Libri i Madhërishëm nga Allahu, Kurani u emërtua nga vetë Allahu dhe nuk ia la këtë nder askujt prej krijesave. Këtë e shohim nga fjalët e Tij:

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ

“A nuk përsiatin ata për Kuranin” (Nisa 82)

وَإِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَأَنصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ

“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni” (Araf 204)

وَنُنَزِّلُ مِنْ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِلْمُؤْمِنِينَ وَلا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلاَّ خَسَارًا

“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje” (Isra 82)

يس (1) وَالْقُرْآنِ الْحَكِيمِ

“Jasin, pasha Kuranin plot urtësi” (Jasin 1,2)

إِنَّ اللَّهَ اشْتَرَى مِنْ الْمُؤْمِنِينَ أَنفُسَهُمْ وَأَمْوَالَهُمْ بِأَنَّ لَهُمْ الْجَنَّةَ يُقَاتِلُونَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَيَقْتُلُونَ وَيُقْتَلُونَ وَعْدًا عَلَيْهِ حَقًّا فِي التَّوْرَاةِ وَالإِنجِيلِ وَالْقُرْآنِ

“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është premtimi i Tij vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran” (Teube 111).

Si dhe shumë ajete tjera. Pra, në këtë ajete shohim qartë se Allahu e bëri emërtimin e librit të Tij ndërsa kuptimi i fjalës Kuran rrjedh nga fjala arabe القَرْء (el-kar’ë) që nënkupton tubimin dhe mbledhjen dhe për këtë dijetarët kanë dhënë tre komentime:

1. I tuboi suret e Kuranit afër njëra tjetrës,

2. I tuboi frytet e librave të mëparshëm në një vend,

3. I tuboi të gjitha llojet e diturive në një vend. Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com

0 10620

Pyetje: A saktësohet diç se Meleku i vdekjes ka emër tjetër përveç këtij?!

Përgjgje: Ky është emri i tij në Kuran, kurse emërtimi i tij me “Azrail”, gjë kjo e përhapur ndër njerëz, s’ka kurrfarë baze, po thjesht është prej israilateve.[1]

Shejh Muhamed Nasirudin Albani

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

albislam.com

 

[1] Fjala e Shejhut është marrë “Sherh Akidetut-Tahavije”, kurse pyetja është e improvizuar.

0 1886

Pyetja: Kam një pyetje rreth kuptimit të fjalës “lailahe il-lall-llah”? e dimë se Allahu është një, d. m. th. nuk ekziston Zot tjetër i cili merr pjesë në zotërimin e Tij. Pyetja është: si mund ta dimë se nuk ka zot tjetër të ngjashëm me Allahun, me cilësitë dhe veprat e Tij?

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, subhanehu ve teala, Logjika dhe natyrshmëria e pastër e njeriut aludojnë, kurse pejgamberët kanë lajmëruar se kjo botë është e krijuar, kontrollohet, Krijuesi i saj ka dije të pakufishme, fuqi të plotë, vullnet që mund ta aplikoj, urtësi të përkryer dhe se mendja nuk mund ta parafytyroj realitetin e cilësive të Tij.

Po ashtu aludojnë në atë se Krijuesi dhe Mbikëqyrësi i kësaj gjithësie është i Vetmi që meriton adhurimin, duke e dashur, duke iu frikësuar, shpresuar në Të dhe duke e madhëruar. Fjala “lailahe il-lall-llah” i ngërthen në vete të gjitha kuptimet e Teuhidit, se Allahu është Një në zotërimin e Tij, në të adhuruar dhe në emrat dhe cilësitë e Tij, ai nuk ka rival as të ngjashëm. Allahu, subhanehu ve teala, na ka sqaruar se sikur të ishin dy zota, dy krijues, do të shkatërrohej gjithësia “Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos All-llahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është All-llahu, Zoti i Arshit. ” (Enbija -22), poashtu në ajetin tjetër qëndron: “All-llahu nuk ka marrë për Vete kurrfarë fëmijë (as nga engjëjt, e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar, dhe do të dominonin njëri mbi tjetrin! i lartë, i pastër është All-llahu nga ato që ia përshkruajnë. ” (Mu’minun – 91). Sikur kjo gjithësi t’i kishte dy krijues do të çrregullohej sistemi i saj. Harmonia që ekziston në këtë gjithësi vërteton se ka vetëm një zot. Kur të pranosh se Allahu është Shpikësi dhe Rregulluesi i gjithësisë dhe se Ai është i Vetmi që meriton adhurimin, atëherë patjetër të pranosh se nuk ka të barabartë më Të, sepse në të kundërtën do të ishin dy zota. Pra besimi se edhe dikush tjetër mund të ketë cilësitë e Zotit është besim në më shumë zota. Llojet e Teuhidit (njëshmërisë së Allahut) janë të ndërlidhura fortë mes tyre, ai që mohon njërën ka mohuar edhe tjetrën. Pra ke për obligim të besosh në Allahun fortë, të besosh se Ai është Zoti i çdo gjëje dhe Mbreti i tyre, se askush nuk meriton adhurimin askush përpos Tij. Ai i meriton të gjitha cilësitë e plota, dhe është larg çdo të mete. Kjo është rruga e pejgamberëve dhe robërve të Allahut të sinqertë. E ai i cili pohon se ka të ngjashëm me Allahun, ai ka trasuar rrugën e politeistëve (mushrikëve), e Allahu është denoncuar nga një gjë e tillë duke thënë: “I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i gjithëfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë. çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarëve. Dhe falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të gjithësisë!” (Safat – 180, 181)

Burimi: albislam.com

Abdurahman el Berrak

0 1879

Pyetja: sa është e lejuar të shprehurit me fjalën: e kemi njohur Zotin me mendjet tona? Shtjelloni në hollësi këtë çështje, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, subhanehu ve teala, . Kur Zoti i krijoi njerëzit, në natyrën e tyre skaliti njohjen ndaj Tij. Njeriu pra, me natyrën e tij të pastër (fitren) e din se çdo krijesë patjetër të ketë krijuesin e sajë dhe se gjërat e shpikura patjetër të kenë shpikësin e tyre.

Allahu, subhanehu ve teala, për ekzistimin, fuqinë, dijen dhe urtësinë e Tij ka përmendur argumentet kosmologjike të qiejve dhe Tokës dhe ka dënuar mospërfilljen e tyre nga mushrikët, Allahu thotë: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare.” (Jusuf, 105). Kjo njohuri të cilën e përfitojmë nga argumentet qiellore arrihet me mendje, studim dhe meditim, për këtë Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Dhe, a nuk menduan ata me veten e tyre se All-llahu nuk krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim të caktuar dhe për një kohë të kufizuar.” (Rum, 8) kurse ajetet më këtë kuptim janë të shumtë. Megjithëkëtë, kjo njohuri që arrihet me mendje është njohuri globale, sepse njeriu në këtë mënyrë nuk mund ta njeh Zotin me gjithë emrat, cilësitë dhe veprat e Tij në mënyrë të detajizuar vetëm nëpërmjet pejgamberëvë, librave që ka zbritur Allahu, subhanehu ve teala. Pejgamberët, sal-lall-llahu alejhim ve sel-lem, u dërguan për t’i njoftuar njerëzit me Zotin e tyre, me emrat dhe cilësitë e Tij, ç‘është e domosdoshme dhe ç‘është e lejuar për Të në mënyrë të hollësishme. Me këtë na bëhet e ditur se mendjet janë të paafta për t’i njohur cilësitë dhe emrat e Allahut, subhanehu ve teala, dhe ç‘është e domosdoshme dhe ç‘është e lejuar për Të në mënyrë të hollësishme. Kjo gjë pra nuk mund të arrihet vetëm se nëpërmjet pejgamberëve, mirëpo përsëri nuk mund që dija njerëzorë ta përfshijë Zotin në të gjitha aspektet, siç thotë Allahu “po dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë” (Ta ha, 110) kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “nuk mund që të të jap falënderimin e duhur, por ti (o Zot) je ashtu siç e ke lavdëruar Veten.” (Muslimi). Nga tërë kjo që u tha mund të përfundojmë se mënyrat e njohjes së Allahut janë mendja dhe Shpallja e Allahut (Kur’ani dhe Sunneti) dhe se disa emra dhe cilësi të Allahut njihen më shpallje dhe mendje kurse disa të tjera nuk mund të njihen vetëm se me shpallje.

Në këtë rast është mirë të tërheqim vëmendjen se bazë të njohjes duhet të bëjmë Shpalljen kurse mendjen ta bëjmë pasuese të saj me të cilën udhëzohet. Nga utopia e qartë është që të vijnë në kundërshtim Shpallja dhe logjika e shëndoshë siç pretenduan disa filozof dhe apologjet.
Allahu e udhëzoi Ehli Sunne vel xhema’a që të kapet për Kur’anin dhe Sunnetin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe ecjen gjurmëve të gjeneratave të para e të mira (selefit), duke venduar çdo gjë në vendin e tyre. Ata nderuan mendjen duke mos nënvlerësuar pozitën e saj as duke mos i dhënë përparësi ndaj Kur’anit dhe Sunnetit siç vepruan të devijuarit. Allahu udhëzoi ithtarët e Sunnetit në rrugën e drejtë. Lusim Allahun që edhe neve të na udhëzojë në këtë rrugë dhe ta na mbrojë nga rruga e atyre më të cilët Allahu u hidhërua dhe nga rruga e të devijuarve. Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com

Shqipëroi: Agim Bekiri

0 1977

Shkruam derisa u lodhëm, u mërzitëm derisa u sëmurëm, bërtitëm derisa mbetëm pa zë… pastaj heshtëm

Dhimbjet, vështirësitë dhe fatkeqësia në Gaza kanë dy gjendje:

Një: E shpejtë: Të ndalet armiqësia sa më shpejtë, të hapen kufijtë, të mjekohen të plagosurit dhe të ndihmohen të gjithë që janë prekur nga ky zullum.


Kjo mbetet në kompetencë të vendeve myslimane, sepse në rend të parë atyre i bie kjo përgjegjësi, sepse ata kanë në dorë atë që nuk e ka individi.

 

Dy: E mëvonshme dhe për një afat më të gjatë: Të njoftohemi me shkaqet që na sollën deri te kjo armiqësi kundër myslimanëve dhe të mundohemi t’i flakim ato.

Shkaku është i qartë: “dobësia”, zgjidhja është ta heqim dobësinë. Shërimi i dobësisë kërkon kohë sikurse paraqitja e saj që mori kohë, sepse kjo dobësi nuk u shfaq tek Umeti përpos kur kaluan shumë shekuj. Ndaj, largimi i saj është çështje e cila nuk largohet dot për një kohë të shkurtë, ndoshta në këtë rrugëtim do të kalojnë gjenerata.

– (فَاصْبِرْ إِنَّ وَعْدَ اللَّهِ حَقٌّ فَإِمَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ الَّذِي نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِلَيْنَا يُرْجَعُونَ) [غافر:77].

“Por, duro sepse premtimi i Allahut është i vërtet. E Ne ose do të bëjmë të shohësh diçka nga ajo që u premtojmë ose do të ta marrim jetën, por ata gjithsesi te Ne do të kthehen”. (Gafir 77).

– (وَإِن مَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ الَّذِي نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِنَّمَا عَلَيْكَ الْبَلاَغُ وَعَلَيْنَا الْحِسَابُ). [الرعد:40].

“Ne mund ta mundësojmë ty që të shohësh (dënimin) që ua premtojmë atyre, ose ta marrim shpirtin ty. E jotja është të kumtosh ndërsa e Jona është llogaria”. (Raëd 40).

Por, ç’është dobësia? Ajo është ta duash dynjanë dhe ta urresh vdekjen. Nuk është problemi pse do apo urren diçka, problemi është ajo që rezulton prej tyre.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“يوشك أن تداعى عليكم الأمم من كل أفق، كما تداعى الأكلة إلى قصعتها. قيل: يا رسول الله! فمن قلة يومئذ؟ قال: لا، ولكنكم غثاء كغثاء السيل، يجعل الوهن في قلوبكم، وينزع الرعب من قلوب عدوكم؛ لحبكم الدنيا، وكراهيتكم الموت”.

“Së afërmi popujt do të thërrasin njeri-tjetrin për tu turrur drejt jush, ashtu siç ngrënësit thërresin njeri-tjetrin për tu turrur drejt ushqimit të tyre.” Dhe atë e pyetën: A për shkak se ne në atë kohë do të jemi pak? Dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Jo, ju në atë kohë do të jeni shumë, por do të jeni një llum, si llumi i vërshimit të shiut. Allahu do të hedh në zemrat tuaja dobësinë, do ta shkul nga kraharorët e armiqve tuaj frikën që kanë ndaj jush sepse do ta doni dynjanë dhe do ta urreni vdekjen”. (Ahmedi, Sahihul Xhamië 1359).

Ai që e do dynjanë dhe urren vdekjen, i ka hapur vetvetes dyert e gjynaheve të mëdha, të bëjë harame të ndryshme, t’i miqësojë qafirët, të flet për Allahun pa dije, të bëjë punë të fëlliqura; varësisht sa e do dhe sa e urren. Kur dynjaja bëhet qëllim parësor i tij, ai nuk mërzitet qysh e fiton, me hallall apo me haram e fiton?

Sekreti i fitores për besimtarët gjithherë ka qenë: Puna e mirë dhe imani, ndërsa dashuria ndaj dynjasë dhe urrejtja e vdekjes i flakin punët e mira dhe imanin, ndaj s’ka ikje nga dështimi dhe humbja e fitores. Analizoji të gjitha fitoret e myslimanëve dhe do të shohësh se imani dhe punët e mira ishin elementi kryesor, prandaj fitonin dhe pse ishin më të vegjël në numër dhe armatim.

Ne kemi dy përvoja sesi u rikthye Aksaja pasi ishte e okupuar:

E para: Okupimi i saj nga romakët, nga të cilët e riktheu kalifi Omer me shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

E dyta: Okupimi i saj nga kryqtarët, nga të cilët e riktheu Salahudini 90 vjet pas robërimit.

Këto dy përvoja janë shumë të rëndësishme, prandaj duhet të studiohen që t’i mësojmë faktorët e okupimit dhe faktorët, shkaqet e çlirimit dhe rikthimit.

Nuk duhet ta teprojmë së mërzituri për atë që ndodhë në Gaza, meqë është një fatkeqësi e përsëritshme, në të kaluarën dhe në të tashmen. Nuk është mirë ta teprojmë qarjen në momentin e ndodhisë e pastaj t’i rikthehemi: dashurisë ndaj dynjasë dhe urrejtjes së vdekjes. Përkundrazi, t’ia bëjmë me dije gjithë Umetit dhe t’ua shpjegojmë: Si u okupua Aksaja dy herë dhe si u rikthye dy herë? Le ta kuptojë dersin, le ta njohë realitetin dhe le ta mësojë rrugëdaljen?

Puna është e gjatë, e vështirë dhe duhet kohë. Ka mundësi të kalojnë ca gjenerata derisa të arrihet qëllimi. Këtu do të sjellim një shembull që pati sukses në ndërtimin e gjeneratës që kishte aftësi të qortojë dhe t’i rikthejë gjërat e shenjta.

Nurudin Mahmud Zenki

Një nga mbretërit e mëdhenj në Islam, u bë mbret në vitin 541 H (1146 G). Ibnul Ethiri për të ka thënë: “Përmendja e tij ka përfshirë tokën me biografinë e bukur që ka dhe me drejtësinë që mbajti. Kam lexuar biografitë e mbretërve të mëhershëm dhe përveç biografive të katër kalifëve dhe Omer b. Abdulazizit nuk kam lexuar biografi më të bukur e as orvatje më të madhe për të mbajt drejtësinë më shumë se ai”. (el Kamil 9/125).

Me të vërtet ai ishte mbret i rrallë, madhështisë së mbretërisë ia bashkëngjiti: ibadetin dhe nderin; pushtetit të tij: drejtësinë dhe bamirësinë; xhihadit: dijen dhe devotshmërinë. Vepronte për ta edukuar popullatën që t’i nënshtrohen sheriatit, punoi që të del në pah suneti, të zhduket bidati… nuk ësh dëgjuar asnjë fjalë e keqe prej gojës së tij, as në qetësi e as në zemërim… ishte i rrallë në raportin e tij me Zotin dhe me popullin e tij.

Ishte trim dhe muxhahid, ishte në safin e parë të ushtrisë, nuk mërzitej nëse do të vdiste… dynjaja për të nuk ishte asgjë. Ai thoshte: “Shehidllëku mu ka afruar disa herë por nuk ndodhi, sikur të isha i mirë apo të kisha ndonjë vlerë tek Allahu, do të ma mundësonte atë”.

Një ditë, Kutbudini i kishte thënë: “Pashë Allahun o mbret! Mos e rreziko veten tënde, se sikur të vritesh do të vriten të gjithë që janë me ty, do të okupohej vendi dhe do prishej halli i myslimanëve”.

“Hesht o Kutbudin, sepse kjo fjalë është sjellje e keqe ndaj Allahut. Çka mendon kë duhet falënderuar? Kush mbronte Fenë dhe vendin para meje përveç Atij që nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Tij? Kë mendon se duhet falënderuar?”

Dhe qanë të gjithë që ishin të pranishëm. (el Bidaje 2/289).

Kur bënte xhihad me krishterët në Damjat, disa prej nxënësve të hadithit, me buzëqeshje, ia lexonin një hadith me zinxhir (sened) dhe kërkuan që edhe ky të buzëqeshë që të vazhdojë senedin. Ai nuk pranoi, madje tha: “Unë kam turp nga Allahu nëse më sheh të buzëqeshur ndërsa myslimanët janë të rrethuar nga kryqtarët në Damjat”. (el Bidaje 2/261).

Krahas angazhimeve që kishte, sporti nuk i mungonte. Ai përgatiste veten dhe kalin e tij për në xhihad, luante me top kështu: i hipur mbi kalë i mëshonte topit me shkop dhe pastaj vraponte pas që ta zë në ajër. Disa nga njerëzit e mirë, por jo të zgjuar e qortonin duke menduar se po bën një lojë të kotë, por ai u përgjigjej: “Veprat shpërblehen sipas nijetit, unë me këtë po dua ta ushtroj dhe ta mësoj kalin që të jetë i zhdërvjellët, ne nuk e braktisim xhihadin”. (el Bidaje 2/279).

Ai, Allahu e mëshiroftë, e shoi fenë e shiave në Sham dhe Irak, e nxori në pah sunetin, e shkatërroi bidatin dhe urdhëroi që në ezan të thuhej: “hajj ales salah – ejani në namaz” ngase para kësaj, në ato vende thoshin: “hajj ale hajril amel – ejani në punën më të mirë”. (el Bidaje 12/278).

Ai e deshi sunetin dhe e madhëroi. Sheriatin e vendosi mbi çdo logjikë. Kur ia lexuan një pjesë të hadithit, ku thuhej:

(فخرج رسول الله صلى الله عليه وسلم متقلداً سيفه)

“dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, doli me shpatën e varur në qafë”, u habit pse ushtarët dhe udhëheqësit po e mbajnë shpatën në bel e jo siç e mbante Resulullahu, salallahu alejhi ue selem. Pastaj, i urdhëroi të gjithë ushtarët që shpatën ta mbajnë të varur në qafë, jo ndryshe”. (el Bidaje 12/281).

Një ditë, shejh Omer b. elMula i kishte shkruar: “Të këqijtë janë shtuar, ndaj duhet të bëjmë një politikë…”. Në anën tjetër të letrës, Nurudini i shkroi:

“Vërtet Allahu ka krijuar krijesat dhe për ta dërgoi sheriat. Ai e di ç’është më e mirë për ata. Pasi Ai e di se sheriati është më i dobishëm për ne, na e ligjësoi, prandaj nuk ka nevojë për asnjë shtesë më shumë sesa sheriati i Allahut. Ai që sjellë shtesa ai ka supozuar se sheriati është i mangët, ndaj dëshiron ta plotësojë me shtesën e tij. Ky është një guxim kundër Allahut dhe sheriatit, por mendjet e errëta nuk udhëzohen. Allahu na udhëzoftë neve dhe ty në rrugën e Tij të drejtë”. (el Bidaje 12/282).

Fekihu, Ebul Fet’h el Eshri, i cili kishte përgatitur një biografi të shkurtër për Nurudin Zenkiun, ka thënë: Nurudini kujdesej që namazet t’i falë në kohë dhe me xhemat, duke i plotësuar kushtet, ruknet dhe qetësinë gjatë rukusë dhe sexhdes. Falte shumë namaz nate. Për çdo gjë e luste dhe i nënshtrohej Allahut. Gjithashtu na tregon: Kemi dëgjuar se disa prej sufive që janë me nam kishin hyrë për të vizituar Kudsin – në ditët kur Kudsi ishte ndër kryqtarët – dhe atje kishin dëgjuar: Nurudin Zenkiu ka sekret me Zotin. Ai s’na ka fituar dhe luftuar me ndonjë ushtri të madhe, ai na fiton dhe na nënshtron me lutje dhe namaz nate. Ai falet natën, i ngrit duart për ta lutur Allahun dhe Allahu i përgjigjet dhe i jep çfarë të kërkojë. Kështu ai na fiton neve. Kështu thoshin qafirët për të”. (el Bidaje 12/283).

Njëherë, bashkëshortja e tij e ngushtuar nga varfëria i ishte ankuar dhe ky i kishte dhënë tre dyqane në Homs, që ishin të tija dhe prej të cilave fitonte 20 dinarë në vjet. Gruas së tij i tha: “Nuk kam tjetër veç kësaj, e tëra tjetër që kam, unë jam rojtar i tyre për myslimanët, nuk i tradhtoj dhe nuk dua të hy në Zjarr për shkakun tënd”. (el Kamil 9/125).

Zahirenë e tij e fitonte nga ato dyqane të cilat i kishte blerë me atë që i takonte nga preja e luftës. Gjithashtu kërkoi fetva nga dijetarët që t’i tregojnë sa guxon të merr nga Shtëpia e Mallrave (Bejtul Mal) dhe nuk shtonte më tepër seç i kishin thënë. Nuk vishte mëndafshin dhe nuk hante përveç atë që kishte fituar vetë. (el Bidaje 12/278).

Ky ishte raporti i tij me Allahun, ndërsa raporti i tij me njerëzit ndërtohej mbi nder, respekt dhe drejtësi.

Fikhun e mësoi sipas medhhebit hanefij – por jo në mënyrë të verbët – mësonte hadithet dhe ua lexonte të tjerëve që të fitojë shpërblimin. (el Kamil 9/125). I tubonte dijetarët, i afronte dhe i nderonte. Asnjëri nga princat nuk guxonte të ulej me të përveçse me leje, ndërsa kur hynin dijetarët dhe të varfrit, ai ngrihej në këmbë dhe bënte ca hapa nga ata dhe i ulte te vendi i tij, ndërsa kur i dhuronte ndonjërit prej tyre diç dhe dikujt i dukej si dhuratë e tepruar, ky thoshte: “Ata janë ushtria e Allahut, për shkak të lutjes së tyre në arrijmë fitoret, atyre u takon nga Shtëpia e Mallrave shumëfishi nga ajo që ua jap. Nëse ata pajtohen që një hise të na lënë neve, ky është nder i tyre për ne”. (el Bidaje 12/281).

Në prezencë të tij, një princ foli keq për dijetarin Kutbudin Nejsaburi, e ky u tha: “Mjerë për ty, nëse është e vërtet kjo që thua, dije se ai ka shumë të mira tjera që nuk i ke ti, që ia fshijnë atë të keqe që e përmende po qe se është e vërtetë, ndërsa unë pasha Allahun nuk të besoj. Nëse e përsërit këtë për të apo për dikë tjetër kam për të të dënuar”. (el Bidaje 12/281).

Drejtësia e tij: një njeri pretendonte se Nurudini duhej t’i kthente diçka, ndaj shkuan së bashku te kadiu, të cilin e urdhëroi që të sillet ndaj vet Nurudinit sikur i akuzuar – gjë e cila po na përkujton në kalifin, Alij, radijallahu anhu – dhe kadiu gjykoi në të mirë të atij njeriu. Me këtë rast Nurudini tha:

“Erdha deri te kadiu me qëllim që asnjëri të mos refuzojë të vijë para sheriatit. Më i madhi dhe më i vogli ndër nesh nuk ësh asgjë para Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe para sheriatit të tij. Ne po mundohemi të bëjmë atë që është në pajtim me atë që na ka mësuar. Atë që na ka urdhëruar, e bëjmë. Atë që na ka ndaluar, largohemi prej saj. Unë jam i bindur se ky njeri s’ka asnjë të drejtë tek unë, por prapë se prapë po dëshmoj se vërtet zotëroja atë që kërkoi personi dhe ia dhashë atij”.

Ky ishte i pari që ndërtoi Shtëpi të Drejtësisë, aty qëndronte dy herë në javë, tre herë dhe pesë herë. Aty vinin i dobëti dhe ai që i kishin bërë zullum, askush s’mund t’i pengonte. (el Bidaje 12/280).

Ndërtoi xhami dhe shkolla, zgjeroi rrugët dhe tregjet dhe i pasuroi të varfrit, saqë u tha: “Më i varfri i kohës së tij harxhonte më shumë se ky”. (el Bidaje 12/278). Iu bënte mirë të gjithëve, madje edhe dhimmive, shfuqizoi tatimet dhe detyrimet tjera, të cilat më herët i merrte për t’i harxhuar në luftë, por më vonë u shkroi emirëve që ta ndërpresin këtë. Pas kësaj, kur binte në sexhde, thoshte: “O Allah mëshiroje tatim-marrësin e një të dhjetës, zullumqarin e lëvduar” kishte për qëllim vetveten. (el Bidaje 12/281).

Ky njeri është ai që e çliroi Aksanë prej kryqtarëve. Ai e përgatiti ummetin për fitoren e madhe me mirësinë, devotshmërinë dhe xhihadin e tij. Ai edukonte popullin që të kapin sunetin dhe të flakin bidatin, të jenë punëmirë dhe të braktisin gjynahet, t’i nderojnë dijetarët dhe t’i mëshirojnë të varfrit. I edukoi të jenë asketë, të ndershëm, bamirës, të drejtë, adhurues dhe të nënshtruar ndaj Allahut.

Kështu, derisa Allahu ia hapi fortifikatat e mëdha të Shamit nga dora e kryqtarëve edhe pse ishin nën okupim disa shekuj me radhë. E shpëtoi Egjiptin nga sundimi i Fatimijëve Batinij. Mbretëria e tij u shtri nga Iraku, Jemeni dhe Hixhazi derisa Kudsi arriti të bëhej vend që jetonte në shtetin Islam. Ai fillimisht pastroi vendet përreth, derisa u dorëzuan njëra pas tjetrës, u thye fuqia e kryqtarëve dhe ndërsa përgatitej të bënte çlirimin e madh, saqë kishte ndrequr edhe minber për xhaminë e Aksasë, erdhi caktimi i Allahut dhe e mori vdekja në vitin 569 H (1173 G), pasi që harxhoi mbretërinë e tij plot 28 vjet duke bërë xhihad.

Ai bëri dhe ndërtoi një ummet me kujdesin e Allahut. Ai nuk do të mundte ta bëjë një gjë të tillë pa ndihmën e Allahun dhe pastaj prezencën e njerëzve të mirë dhe të devotshëm, të cilët ishin dijetarë, punues dhe muxhahidë. Shumë prej tyre nuk dukeshin, ndaj nuk i njeh askush. E flijuan veten e tyre për krenarinë e këtij ummeti. Ashtu që, kur ta arrijë atë le ta qeverisë në mënyrën më të mirë. Kështu plotësohet ummeti në veprimtarinë e tij.

Pas tij, erdhi Salahudin Ejjubi, e ky është vetëm një nga komandantët e dalluar të Nurudinit, një prej atyre të mirëve dhe të devotshmëve. Ky e kreu detyrën në betejën e Hittinit në vitin 583 H (1187 G) pasi që Nurudini ia kishte hapur dyert e mbyllura dhe kështu u kthye Aksaja në kujdesin e Islamit dhe myslimanëve, pas 90 vjetëve robëri.

Atëbotë, myslimanët kaluan një bela të rëndë, edhe më të madhe sesa ajo që po përjetojmë sot. Në ditën, kur kryqtarët okupuan Aksanë në vitin 492 H (1098 G) kishin vrarë mbi 60 000 muslimanë, saqë edhe kuajt rrëshqisnin në gjak. Nuk u dëgjua ezani dhe nuk u falë namazi përgjatë një shekulli… përdhosën xhaminë Aksa dhe bënë gjithçka të fëlliqur.

Mirëpo myslimanët, arritën të rikthejnë gjendjen e tyre të mirë, iu afruan Mbrojtësit të tyre me sinqeritet, jo me hile… me zemër dhe jo duke pasur qëllim dynjanë… me gjakftohtësi dhe jo me gremisje dhe vrull… me ibadet dhe namaz jo me loja dhe gara… me respektim të ulemave dhe mëshirë ndaj fukarave… derisa u rikthyen ashtu si do Allahu, prandaj edhe Allahu u bë sikur donin ata, e rikthyen Aksanë nën hijen e Islamit.

Ashtu dhe vazhdoi, derisa ndryshuan në një gjendje që nuk e do Allahu, atëherë ua ndryshoi gjendjen dhe ja, sërish u okupua Aksaja.

– (ذَلِكَ بِأَنَّ اللّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّراً نِّعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَى قَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُواْ مَا بِأَنفُسِهِمْ وَأَنَّ اللّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ). [الأنفال:53].

“E kjo, sepse Allahu nuk e ndryshon një mirësi që ia dha një populli, derisa ata ta ndryshojnë vetveten. Allahu dëgjon dhe është i Gjithëdijshëm”. (Enfal 53).

Xhamia e Aksasë nuk ka rënë rastësisht që të na kthehet rastësisht. Ajo ka rënë sepse Umeti e anashkaloi këtë Fe, nuk i mori seriozisht farzet, kërkonte lehtësimet dhe hilet dhe nuk shkuan rrugës së sinqertëve. Prandaj, nuk do të kthehet përveçse me mënyrën e atyre që ishin para neve.

Më saktësisht, me aktivitetet e Nurudin Zenkiut, Allahu e mëshiroftë. Ibnul Ethiri e ngjasoi me kalifët e drejtë, sepse në biografinë e tij shihej e gjallë biografia e tyre, pastaj edhe te populli i tij. U bë i mirë ai dhe të gjithë u bënë të mirë pas tij. U përmirësua ai dhe u përmirësuan të gjithë. Ia hapi Allahu dyert ashtu sikur ia hapi Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Sot, Ummeti jonë ka mundësi që të nxjerrë edhe një shëmbëlltyrë tjetër sikur të kthehej në rrugën e të parëve, sahabëve dhe tabiinëve, me fjalë dhe me punë.

Allahu i madhërishëm ka thënë:

(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن تَنصُرُوا اللَّهَ يَنصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ [محمد:7]

“O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ua forcojë këmbët”. (Muhamed 7).

Dr. Lutfullah HOXHA

Burimi: albislam.com

Përktheu: Omer BERISHA

0 2770

Për çdo vjet muslimanët gëzohen me rastin e Ashurës, ditën e dhjetë të muajit Muharem, për këtë arsye desha që në këtë shkrim modest të përmbledh hadithet e sakta që kanë të bëjnë me këtë ditë dhe të spjegoj kuptimin e tyre. Lusim All-llahun, subhanehu ve teala, që të na ndihmojë, se e qëlluara është vetëm në Dorë të Tij, në Të mbështetem, Ai më mjafton, sa përkujdesës i mirë që është Ai.


Historiku i Ashurasë

Dita e Ashurasë ka qenë ditë e dalluar edhe te popujt e kaluar. Ka qenë ditë e bekuar ashtu siç transmetohet në Sahihul-Buhari dhe Muslim se arabët në periudhën e injorancës kanë agjëruar në këtë ditë, kanë agjëruar Kurejshët këtë ditë si dhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Meke para se të bëjë hixhret. Aishja, radijallahu anha, thotë: “Kurejshët e agjëronin ditën e Ashurasë në xhahilijet. Edhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e agjëronte këtë ditë në xhahilijet e pasi që shkoi në Medine edhe të tjerët i urdhëroi të agjërojnë. Kur u obliguam të agjërojmë muajin e Ramazanit, dita e Ashurasë mbeti të agjërohet sipas dëshirës.

Si duket agjërimi i kësaj dite tek arabët kishte mbetur nga feja e pastër e Ibrahimit, alejhis-selam, që më vonë u shtrembërua.

Eshtë cekur nëpër disa transmetime se kjo ditë ka qenë e bekuar qysh në kohën e Nuhit, alejhis-selam. Transmeton Ebu Hurejreja se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kaloi pranë disa hebrenjëve të cilët agjëronin ditën e Ashurasë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i pyeti për shkakun që i shtynte ata të agjërojnë këtë ditë e ata u përgjigjën: kjo është dita në të cilën All-llahu, subhanehu ve teala, e ka shpëtuar Musain, alejhis-selam, … dhe në këtë ditë është ndalur anija e Nuhit, alejhis-selam, në kodrën Xhedva, dhe për këtë agjëroi Nuhi dhe Musa në shenjë falendërimi All-llahun, subhanehu ve teala. (Transmeton Ahmedi. Në zinxhirin e këtij hadithi është Habib ibën Abdullah el-Ezdij)

Pra edhe hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë duke festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit të cilin e fundosi All-llahu, subhanehu ve teala. Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijall-llahu anhu, i cili thotë: Erdhi Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Medine dhe aty pa hebrenjtë që agjëronin ditën e Ashurasë. Ai pyeti: ç’është kjo ditë? Ata u përgjigjën: Kjo është dita në të cilën All-llahu ka shpëtuar Beni Israilët nga armiku i tyre dhe për këtë Musai e agjëroi këtë ditë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kështu pra kthehet e mira me falenderim…

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka nxitur muslimanët për të agjëruar këtë ditë duke shpresuar që All-llahu, subhanehu ve teala, me këtë t’i shlyej mëkatet e një viti të plotë. Transmeton Ebu Hurejreja, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është pyetur për agjërimin e ditës së Ashurasë dhe është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar. (Transmeton Muslimi) kurse në transmetimin e Ibën Maxhes qëndron: “Unë shpresoj që me agjërimin Ashurasë t’i falë All-llahu, subhanehu ve teala, mëkatet e vitit që ka kaluar . “

Sa shpërblim i madh që është ky! I falë mëkatet e një viti të tërë! E ne jemi njerëz që bëjmë shumë mëkate, kundërshtojmë fenë e All-llahut në shumë raste, lëmë mangu obligimet tona ndaj Tij, lusim All-llahun që të na falë.

Nuk është për tu habitur pse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka nderuar këtë ditë në këtë mënyrë nëse vërtetohet se agjërimi i kësaj dite ka qenë prej fesë së Ibrahimit, alejhis-selam, sepse në fakt feja e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është ripërtërirje e fesë së Ibrahimit, alejhis-selam.

Agjërimi i ditës së Ashurasë te muslimanët ka kaluar në disa etapa:

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, agjëronte këtë ditë qysh në Meke siç përmendëm më lartë.

Po ashtu agjëroi pasi që bëri hixhret në Medine dhe i urdhëroi muslimanët të agjërojnë. Kështu ishte para se të shpallet obligimi i agjërimit të muajit Ramazan.

Ibën Haxheri në librin e tij Fethul-Bari thotë: Selefi nuk kanë qenë të një mendimi se a ka pasë agjërim të obliguar para Ramazanit apo jo? Pjesa dërmuese e tyre (e kjo është edhe mendimi i shafijve) kanë përkrahur mendimin se nuk ka pasë agjërim të obliguar para Ramazanit asnjëherë. Mendimi tjetër (këtë mendim e përkrahin hanefijtë) është se agjërimi i parë i obliguar për njerëzit ka qenë dita e Ashurasë e pasi që shpallet obligimi i Ramazanit derogohet vendimi për ditën e Ashurasë.

Prej argumenteve të shafijve është hadithi merfu’ që e transmeton Muaviu, radijall-llahu anhu: “All-llahu nuk iu obligoi agjërimin e kësaj dite.”

Hanefijtë kanë marrë për argument hadithin e Ibën Omerit dhe hadithin e Aishes, radiall-llahu anha, të përmendur më lartë ku qartë shihet urdhëri për agjërim si dhe hadithin që e transmeton Rubejj bint Muavvedh: “Ai që është gdhirë duke agjëruar le ta plotësoj agjërimin e tij. Ajo tha më tej: çdo herë e kemi agjëruar atë ditë dhe i kemi shtyrë fëmijët tanë të agjërojnë”.(Muslimi)

Argument tjetër i hanefijve është hadithi që e transmeton Seleme ibën Ekva’ ku Pejgmberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për ditën e Ashurasë ka thënë: “Kush ka ngrënë le të agjërojë pjsën e mbetur të ditës e ai që nuk ka ngrënë le të vazhdojë agjërimin” (Buhariu dhe Muslimi)

Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: Ajo që nënkuptohet prej fjalëve të dijetarëve, pa pikë dyshimi, është se agjërimi i Ashurasë nuk ka qenë obligim apo se ka qenë obligim e pastaj është deroguar.

Ibën Haxheri vërteton se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka urdhëruar muslimanët për herë të parë të agjërojnë ditën e Ashurasë në fillim të vitit të dytë të hixhretit. Këtë e argumenton fakti se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, emigroi në Medine në muajin Rebiul-evvel kështu që dita e parë e Ashurasë i takon muslimanët në Medine vitin e dytë të hixhretit.

Në po të njejtin vit bëhet obligim për muslimanët agjërimi i muajit të Ramazanit dhe derogohet obligimi i agjërimit të Ashurasë (kjo e fundit sipas mendimit të hanefijve) dhe mbetet hukmi i kësaj vepre sunnet muekked .

Ibën Haxheri nga e gjithë kjo konkludon se dita e Ashurasë ka qenë obligim vetëm një vit e pastaj ndërohet ky vendim në vepër të preferuar.

Ibën Abdul-Berri përmendë Ixhma-në se agjërimi i kësaj dite tani nuk është obligim por mustehab (vepër e preferuar).

Hadithet që aludojnë se kjo ditë është mustehab të agjërohet janë të shumtë. Po përmendim disa në vijim:

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Muaviu, radijall-llahu anhu, i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: Këtë ditë të Ashurasë All-llahu nuk ua ka bërë obligim ta agjëroni.Unë agjëroj, ai që dëshiron, le të agjëroj e kush dëshiron të ushqehet le të ushqehet.”

Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijall-llahu anhu, i cili thotë:” Nuk kam parë të Dërguarin e All-llahut të mbivlerësoj ndonjë ditë ndaj ditëve tjera me agjërim përveç kësaj dite: Ditës së Ashurasë dhe këtij muaji ” d.m.th. Muajin e Ramazanit. (Buhariu dhe Muslimi)

Transmeton Muslimi nga Ebu Katadeja i cili thotë: I Dërguari i All-llahut tha: “Shpresoj tek Al-llahu, subhanehu ve teala, që me agjërimin e ditës së Ashurasë t’i shlyej mëkatet e vitit që ka kaluar”.

Transmetohet nga Ebu Hurejreja, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është në muajin e All-llahut Muharrem “.

Na tregon zonja e nderuar, Rubej bint Muavedh ibën Afra, se Pegamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në mëngjes të ditës sëAshurasë dërgoi lajm nëpër të gjitha fshatërat e Ensarëve përreth Medinës: Se ai që është gdhirë duke agjëruar ta plotësoj agjërimin deri në mbrëmje e ai që është ushqyer ta agjëroj pjesën e mbetur të ditës”. (Buhariu dhe Muslimi) Si duket kjo ka ndodhë në kohën kur agjërimi i Ashurasë ka qenë obligim. Më tej kjo zonjë përmendë se pas këtij urdhëri të përgjithshëm për të agjëruar madje edhe ata që kishin ngrënë në fillim të ditës, muslimanët janë kujdesur me mish e me shpirt për të agjëruar këtë ditë. Ajo thotë: Pas atij urdhëri agjëronim Ashuranë dhe i shtynim të agjërojnë edhe fëmijët tanë të vegjël. Shkonim me ta në xhami dhe loznim për t’ua harruar ushqimin. Kur kërkonin ushqim, ua jepnim lodrat për t’i mashtruar dhe kështu për të plotësur agjërimin.

Përmendëm më lartë se hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë e me këtë kanë festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit. Desha që të shtoj në lidhje me këtë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur pa se hebrenjtë agjëronin këtë ditë dhe i pyeti për shkakun e këtij agjërimi e ata u përgjigjën se ajo ditë ishte dita kur All-llahu, subhanehu ve teala, kishte shpëtuar Musain, alejhis-selam, tha: “Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju.” Pastaj urdhëroi të agjërohet kjo ditë edhe kësaj herë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke u nisur nga parimi për t’u dalluar nga hebrenjtë nxiti muslimanët që ditës së Ashurasë t’ia bashkangjesin edhe një ditë tjetër para ose pas. Ai vendosi që nëse jeton deri në vitin e ardhshëm të agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem siç flasin për këtë transmetime të shumta.

Njëherit kjo tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka kushtuar rëndësi të posaçme kësaj dite deri në fund të jetës së tij. Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në lidhje me këtë ka thënë: “Po të jem gjallë deri në vitin e ardhshëm do ta kisha agjëruar edhe ditën e nëntë”. Transmetuesi thotë: erdhi viti i ardhshëm e Pegamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tani më kishte vdekur.(Muslim)

Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: nga kjo nënkuptohet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka agjëruar ditën e dhjetë dhe dëshiroi të agjërojë edhe ditën e nëntë mirëpo nuk arriti për shkak se ndërroi jetë.

Eshtë me rëndësi të ceken dy çështje:

1) Urtësia e agjërimit të kësaj dite.

2) Shkalla e haditheve të shumta që kanë të bëjnë me këtë temë.

Sa i përket çështjes së parë them (e All-llahu e din më së miri): Njeriu është i përbërë prej dy elementeve, prej trupit dhe shpirtit. Ashtu sikur trupi që ka nevojë për ushqim edhe shpirti ka nevojë për të njejtën gjë. Ndikimi i agjërimit në shpirtin e njeriut është i dëshmuar. Ai është mjet për të arritur devotshmërinë, metodë për ushtrimin e shpirtit në ambicie të larta. Agjërimi e liron shpirtin nga arroganca, i kalit emocionet, zbut zemrën dhe ngret moralin.

Pasi që Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës siç thotë All-llahu, subhanehu ve teala: “All-lahu ju dëshiron juve të lehtën dhe Ai nuk don që t’i vështirësojë gjërat për ju” (Bekare 185), “All-llahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka” (Bekare 286), “Nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim në fe” (Haxh 78), “All-llahu nuk don që t’ju vërë në vështirësi” (Maide 6) nuk i ka obliguar muslimanët me agjërim përveç muajit të Ramazanit dhe për çdo agjërim tjetër e ka lënë vullnetin e njeriut të lirë. Agjërimi pra në shumë raste është vullnetar (i preferuar, jo i obliguar) e një prej tyre është edhe dita e Ashurasë.

Mua më brengos fakti që shumica e fetarëve musliman e kanë lënë pas dore këtë sunnet. I sheh ata duke u kujdesur për namazet vullnetare mirëpo në agjërim pak prej tyre nxitojnë.

Sa i përket çështjes së dytë, janë transmetuar shumë hadithe që kanë të bëjnë me Ashuranë e që i kanë përmendur dijetarët në librat e haditheve të trilluara. Më i njohur është hadithi “për ndihmën e të varfërve ditën e Ashurasë” e për këtë nuk ka asnjë hadith të saktë por gjithë që është transmetuar në këtë temë janë hadithe të dobëta siç kanë përmendur dijetarët e hadithit.

Zanafilla e gjithë kësaj si duket kthehet te zënka ndërmjet injorantëve të EHLI SUNNETIT dhe SHIAVE. Eshtë e ditur se Husejni, radijall-llahu anhu, është vrarë në ditën e Ashurasë. Vrasja e tij ka qenë rastësi e pastër. Shiat e tepruan në këtë gjë dhe e bënë këtë ditë, ditë të pikëllimit, vuajtjes dhe mbajtjes zi. Ata i nxinë fytyrat në këtë ditë, i rrahin gjoksat dhe shpinat e tyre, vajtojnë, bërtasin, qajnë e bëhen sikur qajnë.

Ata me këtë mendojnë se afrohen tek All-llahu, subhanehu ve teala, për shkak se janë injorantë dhe të humbur. Ata në këtë ditë organizojnë gosti e ceremoni.

Disa injorantë të EHLI SUNNETIT duke dashur që t’i hidhërojnë e t’i pezmatojnë këta të humbur, trilluan hadithe që flasin se në këtë ditë muslimani duhet pastruar e parfymosur, duhet zbukuruar e zbardhuar, si dhe nxitin që të ndihmohen të varfurit e tjerë. Për këtë shumë mirë e ka thënë një fjalë Ibën Xheuzi: Disa injorantë të EHLI SUNNETIT patën për qëllim zemërimin e Rafidijve dhe për këtë trilluan hadithe për vlerën e Ashurasë kurse ne jemi largë dy palëve. ثshtë vërtetuar se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka urdhëruar agjërimin e Ashurasë kur ka thënë: agjërimi i Ashurasë i shlyen mëkatet e një viti. Mirëpo ata nuk u kënaqën me këtë por deshën me tepër dhe ranë në gënjeshtër.

Prej këtyre haditheve të trilluara është fjala: “Kush lahet ditën e Ashurasë nuk sëmuret asnjëherë përveç sëmurjes së vdekjes, e kush i lyen sytë me kuhël, nuk do të gleposen sytë e tij atë vit” (Hadithi është mevdu (i trilluar)).

Dijetari Mer’ij el-Kermij pasi që cekë këtë hadith thotë: Kështu edhe ngjyerja me këna ditën e Ashurasë, e gjithë kjo është gënjeshtër dhe trillim me pajtimin e të gjithë atyre që njohin shkencën e Hadithit. Pastaj përmendi fjalën e Ibën Tejmijjes: Asnjëri prej imamëve nuk e ka preferuar larjen e trupit ditën e Ashurasë, as kuhlin, as ngjyerjen me këna e as të ngjashme. Shkaku i trillimit të këtyre haditheve kanë qenë Rafidijt të cilët shfaqin pikëllim, vajtim, mosdurim, mundim të trupit dhe të kafshëve në ditën e Ashurasë për shkak se Husejni, radijall-llahu anhu, është vrarë në këtë ditë. Kjo shkaktoi që një grup prej Ehli Sunnetit të trillojnë hadithe për t’i kundërshtuar veprat e atyre risitarëve. Kështu kundërshtuan të kotën me të kotë dhe e kthyen bidatin me bidat

Në lidhje me këtë ditë ka edhe bidate tjera që nuk kanë bazë në fenë tonë por neve na mbetet të përkujtojmë gjithmonë fjalën e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Kush shpikë në fenë tonë diçka që s’është prej saj ajo është e refuzuar”(Buhariu dhe Muslimi) dhe fjalën e tij: “Fjala më e mirë është fjala e All-llahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjërat më të këqia janë shpikjet në fe dhe çdo shpikje në fe është humbje” (Muslimi)

Vel hamdu li-lahi rabbil alemine, ve sal-lall-llahu ve sel-leme ala abdihi ve resulihi muhammed ve ala alihi ve sahbihi.

Shqipëroi: Agim Bekiri

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË