Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.
Së pari:
Mënyra se si gjymtyrët e trupit janë larë ose janë fshirë (mes’h) gjatë abdesit nuk është e detyrueshme. Ajo që është e detyrueshme është të lahen pjesët që duhet të lahen dhe të fshihen pjesët që duhet të fshihen, në çfarëdo mënyre që të bëhet. Por, padyshim që veprimi i mënyrës e cila është transmetuar nga i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, është më i mirë dhe më i përsosur.
Së dyti: Janë transmetuar dy mënyra të fshirjes mbi kokë:
1 – Pasi t’i kesh lagur duart me ujë, i vendos në pjesën e përparme të kokës dhe e fshin kokën derisa të arrijnë duart në pjesën e prapme të kokës, pastaj i kthen ato në pjesën e përparme të kokës (prej nga ke filluar)
Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në “Sharh Muslim” thotë: Dijetarët janë pajtuar njëzëri se kjo mënyrë ë mes’hut mbi kokë është më e preferuara.
Kjo mënyrë është vërtetuar në një numër të haditheve nga i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, prej tyre:
Transmetohet nga Abdullah ibn Zejd, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili e përshkroi mënyrën e abdesit të profetit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e tha: “… Pastaj ai e fshiu kokën me dy duart e tij, duke filluar nga para deri mbrapa. Filloi prej pjesës së përparme të kokës, i çoi deri në pjesën e prapme të kokës, pastaj i solli përsëri aty ku filloi.[1]
Muavijeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, morri abdes para njerëzve, ashtu siç e kishte parë të dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, duke marrë abdes: Kur arriti në kokë, ai morri ujë në dorën e majtë dhe i vuri duart në mes të kokës derisa uji filloi të pikonte apo pothuajse po pikonte. Pastaj e fshiu kokën nga pjesa përpara deri në pjesën prapa, dhe nga prapa deri në fillim.[2]
Transmetohet se Mikdam ibn Madi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Unë e pashë të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, duke marrë abdes. Kur arriti të fshinte kokën, ai i vuri dy duart në pjesën e përparme të kokës (dhe e fshiu) derisa arriti në pjesën prapme kokës, pastaj i solli ato përsëri në vendin ku ai kishte filluar.[3]
Kjo mënyrë e mes’hut mbi kokë i përshtatet atij që ka flokët të shkurtëra.
2 – Fshirja e tërë kokës, por në drejtim të flokëve, në mënyrë që të mos ndryshohet forma e flokëve.
Kjo mënyrë e fshirjes i përshtatet atij që flokët e të cilit janë të gjata – qoftë burrë apo grua – që flokët të mos i prishen duke i kthyer duart.
Transmeton Rubeji’a bint Mu’avidh ibn Afra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, morri abdes në shtëpinë e saj, dhe ai fshiu gjithë kokën e tij nga maja e kokës çdo pjesë deri në fund të flokëve, por ai nuk ndryshoi formën e flokëve nga vendi.[4]
El-Irakiu ka thënë: Ajo që nënkuptohet është se ai fillonte të fshinte kokën prej pjesës më të lartë dhe deri sa përfundonte në fund të kokës, duke e bërë këtë në të gjitha anët e kokës së tij.
Ibn Raslan ka thënë: Kjo metodë është e veçuar për një person që ka flokë të gjata, sepse nëse ai i kthen duart deri në fillim të kokës për ta futur ujin të arrijë rrënjët e flokëve të tij, i prishet forma e flokëve, dhe personi dëmtohet duke i pështjelluar e duke i ngatërruar flokët.
Është pyetur Imam Ahmedi se si një grua ose një burrë që ka flokë të gjata të merr mes’h? Ai tha: Nëse dëshiron, mund të merr mes’h në mënyrën e transmetuar nga Rubejia, pasi që përmendi hadithin tha: “Kështu: Dhe vuri dorën në majë të kokës dhe e çoi atë në front, pastaj e ngriti dhe e vendosi aty ku kishte filluar (në krye të kokës së tij) dhe e çoi atë në pjesën e prapme.
Mund të kuptohet me fjalën (karn) e përkthyer më lart si “maja e kokës” të jetë pjesa e përparme e kokës, pra fshirja fillon që prej pjesës së përparme të kokës duke përfshirë të gjitha anët deri në pjesën e prapme të kokës, dmth. ai i dha mes’h kokës së tij vetëm një herë nga pjesa e përparme deri në pjesën e prapme të kokës, duke mos i kthyer duart përsëri, për të shmangur prishjen e flokëve.
Rubej’ia, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “nuk lëvizte formën e flokëve”.
Shiko (Avnul al-Ma’bud Sherh Sunan Abi Davud, Nejl al-Autar (1/189) dhe el-Mugni (1/178).
Çështja është, që në këtë mënyrë merr mes’h ai që ka frikë se flokët e tij do të pështjellohen, kështu që ai i fshin flokët në drejtim të rritjes së flokëve, e që forma e flokëve të tij nuk do të ndryshohet.
Islamqa.info / albislam.com
Përktheu: Shpend Zeneli
[1] E shënon Buhariu (185) dhe Muslimi (235).
[2] E shënon Ebu Davudi (124). Shejh Albaani e vlerësoi sahih në librin e tij (sahih ebu Davud).
[3] E shënon Ebu Davudi (122). Shejh Albaani e vlerësoi sahih në librin e tij (sahih ebu Davud).
[4] E shënon Ahmedi (26484) dhe Ebu Davud (128). Shejh Albaani e vlerësoi sahih në librin e tij (sahih ebu Davud).