39 DOBI NGA SUREJA el-FIL

39 DOBI NGA SUREJA el-FIL

0 1084

1. E rradhitur në Mus’haf me numër 105
2. E zbritur në Meke.
3. Posedon 5 ajete të shkurtëra me porosi dhe mësime jetësore në aspektin e begative të Allahut, se si Allahun i ruan ata që e ruajnë Fenë e Allahut.
4. Emërtimet e kësaj sure;
A. Sureja el Fil(Elefanti)
B. Sureja Elem tere kejfe.
5. Shkaku i zbritjes së kësaj sure;
Kjo sure ka zbritur për pronarët e elefantëve, kur synuan rrënimin e Qabes dhe se çfarë u bëri Allahu atyre duke i shkatërruar dhe larguar nga synimi i tyre i mbrashtë, për ta rrënuar dhe zhdukur nga fytyra e tokës Shtëpinë e shenjtë(Qaben).
6. Për çfarë flet kjo sure;
Kjo sure na rrëfen ndodhinë se si Allahu e shkatërroi një popull-një ushtri gjigande që synonte shkatërrimin e Xhamisë së Shenjtë të Qabesë. Në fillim të sures shfaqet në pah kujdesi i Allahut.
Andaj, a nuk po e ndien përkujdesjen e Allahut ndaj teje saherë që je duke i respektuar urdhërat e Allahut!
Atëherë, si mund të gjejë hapësirë dëshpërimi në zemrën e besimtarit, kur ka parasysh se Allahu ka ushtarë që nuk i di askush përveç Tij!?
7. Ti frikësohemi zemërimit dhe dënimit të Allahut, i cili mund të na vijë prej nga ne nuk e llogarisim.
8. Ta bëjmë veten krenarë, duke qenë robër të nënshtruar të Allahut dhe duke mos nënçmuar veten në kryerjen e gjynaheve.
9. Ta madhërojmë shtëpinë e Allahut, të mos i kalojmë kufijtë e Tij brenda saj, në mënyrë që Allahu të mos na dënojë përshkak të shkeljes së shenjtërisë së saj.
10.Idhujtarët,jobesimtarët tek Allahu nuk kanë aspak peshë e vlerë.
11. Kur Allahu do të shkatërrojë ndonjë popull, atëherë fuqia e tyre nuk bën dobi dhe nuk kanë mundësi ti zbrapsin shkaqet e shkatërrimit të tyre.
12. Allahu ka ushtarë, numrin e të cilëve nuk e di askush pos Tij.
Ai, i Lartësuari, u jep forco e pushtet krijesave më të vogla të Tij kundër krijesave të tjera më të mëdha dhe më të forta, pa pasur mundësi kush ti mbrojë.
13. Allahu është i Pasur, nuk ka nevojë ta ndihmosh për fenë e Tij, porse ne e kemi për detyrë ta falënderojmë Allahun që na ka bërë prej shërbyesëve të fesë së Tij.
14. Largimi dhe mbrojtja e shoqërisë nga ndalesat e Allahut është lartësim dhe sukses nga Allahu për shoqërinë e tillë.
15. Kujto tregimet e popujve të kaluar të rebeluar se çfarë ngjau me ta kur i refuzuan urdhërat e Allahut, kjo, se në rikujtimin e tyre ka dobi dhe këshillë për veten dhe shoqërinë në përgjithësi.
16. Përpiqu vazhdimisht ta rritësh besimin e bindjen në Allahu dhe ji i qetë, ngase Allahu ka urtësi të përsosur rreth përkujdesjes dhe organizimit të gjërave, edhe nëse të vonohet kërkesa, synimi, apo ajo që shpreson.
17. Fuqia e Allahut është mbizotëruese dhe vullneti i Tij përmbushet. Kur Ai do diçka, ajo bëhet.
18. Intrigat dhe kurthet e jobesimtarëve, sado të mëdha qofshin, Allahu ua shkatërron dhe ua prish ato.
19. Ta madhërojmë në zemrat tona pozitën e Qabesë, Xhamisë së Shenjtë, meqë Allahu e mbrojti atë prej armiqve të saj dhe i shkatërroi ata.
20. Të mos u bëjmë kurthe muslimanëve a dikujt tjetër me pa të drejtë, ngase kurthet e pasuesëve të së kotës do të jenë në humbje.
21. Allahu i bëri ata që deshën rrënimin e Qabesë si gjethe të përtypura nga shtazët dhe të shtypura prej tyre.
22. Allahu dërgoi kundër tyre shpendë që erdhën tufa-tufa, këta zogj i gjuajtën ata me gurë të nxehtë prej baltës së pjekur.
23. Ebreha, mbreti i Jemenit, ishte i krishterë, deshi rrënimin e Qabesë me pasuesit e tij, në mënyrë që kisha e tij të bëjë famëbotërore sikurse kishte Qabeja.
24. Zotëruesit e elefantit, deshtën shkatërrimin e Qabesë, por përpjekjen e tyre për ta shkatërruar Qabenë, Allahu ua bëri të dështuar, ashtu që nuk arritën ti largojnë njerëzit nga Qabeja, e as rrënimin e saj e as nuk përfituan gjë prej saj, përkundrazi u bën nga dënimi të gjithë pluhur dhe hi.
25. Sureja el Fil ka zbritur pas sures “El-Kafirun” dhe para sures “El-Felek”.
26. Ka gjithsej 5 ajete, 23 fjalë dhe 96 shkronja.
27.  Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 105, kurse në radhitjen e zbritjes është e 19-ta.
28. Emërtimi kryesor i kësaj sureje, e cila hap dhjetë suret e fundit në Mus’haf, është “El-Fil”. Me këtë emër është radhitur nëpër Mus’hafe dhe nëpër librat e Tefsirit. Arsyeja e këtij emërtimi është fakti se qysh në ajetin e parë:
“A nuk e ke parë )a nuk të ka arritur lajmi) se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?”, flitet për dënimin që goditi pronarët e elefantit (filit), të cilët Allahu i shkatërroi, atëherë kur Ebreheja deshi ta rrënonte Qabenë.
29. Emërtimi i dytë i kësaj sureje është “Elem tere”. Një emërtim i tillë është përcjellë nga sahabët, të cilët transmetojnë se Omeri, radijaAllahu anhu, në kohën e Haxhit ua kishte falur namazin e sabahut me “Elem tere” dhe “Li iIafi kurejsh”, e në një transmetim tjetër, se ua kishte falur namazin e akshamit me “Ve-t-Tini ve-z-Zejtuni ve Turi Sinin”, dhe “Elem tere” dhe “Li Ilafi…” së bashku (pa i ndarë).”
Me këtë emërtim e ka radhitur edhe imam Buhariu.
Arsyeja e këtij emërtimi janë fjalët e para të ajetit të parë: “Elem tere”.
Duhet theksuar se Fejruzabadi, këtë sure e ka emërtuar më gjatë, me emërtimin: “Elem tere kejfe”, me të cilin njihet gjerësisht edhe në mesin e popullatës sonë shqiptare.
30. Surja “El-Fil” bën pjesë në suret “El-Mufassal”, me të cilat Resulullahu, salallahu alejhi ve selem, është nderuar ndaj të dërguarve të tjerë.
Në lidhje më këtë është transmetuar nga Vathilete ibnul Eska’ë el-Lejthi të ketë thënë;
” Ka thënë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret prej El-Bekare deri te ato El-Enfal ose Et-Teube), më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Miejni”-njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete) më është dhënë në vend të Inxhilit “El-Methani”, ndërsa jam nderuar (ndaj të Dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (prej sures Kaf, e është thënë prej asaj El-Huxhurat,  e deri te  En-Nas).
– Transmetohet nga Ma’rur ibn Suvejdi të ketë thënë: “U nisëm së bashku me Omerin, radijaAllahu anhu, në Haxh, dhe ai na e fali namazin (farzin) e sabahut me “Elem tere” dhe “Ilafi kurejsh”.
– Transmetohet nga Omer ibn Mejmuni të ketë thënë: “Na e fali Omeri, radijaAllahu anhu, namazin (farzin) e akshamit, dhe në rekatin e parë e lexoi: “Ve-t-Tini ve-z-Zejtuni ve Turi Sinin”, ndërsa në rakatin e dytë i lexoi: “Elem tere” dhe “Li Ilafi…” së bashku (pa i ndarë).”
31. Sureja el Fil ka lidhshmëri të ngushtë me atë paraprake “El-Humeze”, duke u nisur nga fakti se në suren “El Humeze” Allahu, xhele ve ala, na tregoi për gjendjen e atyre që vetëm grumbullojnë mall-pasuri dhe krenohen me të, duke përqeshur të varfërit dhe ata që nuk kanë dhe duke menduar se kjo pasuri do t’i bëjë të përjetshëm. Allahu, xhele ve ala, këtij grupi të njerëzve i shpjegon se vendqëndrim i tyre do të jetë zjarri i Xhehennemit. Shikuar nga ky këndvështrim, kaptina “El-Fil”, ka një lidhshmëri të fortë me atë paraprake “El-Humeze”, sepse Allahu, në këtë sure, tregon se si i ka shkatërruar pronarët e elefantëve, përkatësisht ushtrinë e Ebrehesë, me gurë të vegjël që i hidhnin mbi ta zogjtë që vinin e shkonin tufa-tufa.
Me një fjalë, Ebreheja, që ishte shumë më i fuqishëm, u shkatërrua me tërë ushtri të madhe, nga disa zogj të vegjël, të cilët atë ushtri e bënë si gjethe të grimcuara. Ebrehesë në këtë rast nuk i bëri dobi as pasuria dhe as elefanti, veçse vdiq i nënçmuar e i përbuzur, prandaj ky pësim i tij është mësim për çdokënd që i ngacmon dhe i shqetëson të tjerët se fundi i tij do të jetë tragjik.
32. Në Jemen sundonte një mëkëmbës i mbretit të Abisinisë As’hame en-Nexhashiut, i quajtur Ebrehe bin Sabah el Eshrem, i cili kishte ndërtuar në San’a (Sanë) të Jemenit një katedrale të madhe që e kishte emërtuar “El-Kul-lejs”. Qëllimi i tij ishte që me ndërtimin e kësaj katedrale ta zbehte famën e Qabesë, të cilën arabët e konsideronin vend të shenjtë dhe vend ku kryenin Haxhin, i cili datonte qysh prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, ani pse i deformuar në rite dhe liturgji të ndryshme pagane.
Një ditë, një arab nga fisi Kenan e kishte ndotur atë katedrale, dhe ky ishte një pretekst i mjaftueshëm për Ebrehenë, që ta mësynte Mekën për ta shkatërruar Qabenë, njëherë e përgjithmonë, dhe ta lidhte Jemenin me tokat e Shamit, për ta përhapur gjithandej fenë e krishterë.
Për këtë ekspeditë ndëshkuese ai kishte përgatitur një ushtri të madhe, madje me vete kishte edhe disa elefantë, që për atë kohë ishte diçka që arabët ende nuk e kishin parë .
Në lidhje me numrin e elefantëve ka mendime kontradiktore; disa thonë se kanë qenë 8, disa 12 , disa 13, kurse disa të tjerë e stërmadhojnë këtë numër shumë.
Sidoqoftë, një gjë është më se e sigurt: në këtë ushtri kishte edhe elefantë, si kafshë bartëse dhe lufte.
Gjatë rrugës për në Mekë, Ebreheja u ndesh dy herë me disa fise arabe, të cilat u munduan ta ndalnin që të mos realizonte qëllimin e tij, por që të dyja këto përpjekje dështuan, dhe prijësit e tyre u zunë rob nga ana e ushtrisë së Ebrehesë.
Kur arriti afër Mekës u ndal në vendin e quajtur “El Mugammes” dhe aty ngriti kampin.
Ndërkohë, ushtarët e Ebrehesë filluan të plaçkitnin pasurinë e kurejshëve e ndër të tjera edhe 200 deve të gjyshit të Resulullahut, salallahu alejhi ve selem – Abdul Muttalibit.
Pastaj ai` dërgoi emisarët për t’i lajmëruar kurejshët se nuk kishte ardhur që t’i luftonte ata, por qëllimi i tij ishte vetëm rrënimi i Qabesë.
Prijësit kurejshë kuvenduan midis tyre dhe panë se nuk kishin forcë të mjaftueshme që t’i kundërviheshin Ebrehesë, prandaj vendosën të largoheshin përkohësisht në malet përreth për të pritur se çfarë do të ndodhte me Qabenë.
Ata ishin të bindur se se Zoti i Plotfuqishëm do ta mbronte shtëpinë e Tij.
Ebreheja urdhëroi që para se ta shkatërronin Qabenë, të fliste edhe një herë me të parin e kurejshëve për t’i treguar për qëllimin e tij.
Dhe kurejshët zgjodhën Abdul Muttalibin për të biseduar me të.
Meqenëse Abdul Muttalibi ishte njeri i pashëm dhe kishte tipare të një fisniku arab, Ebreheja e nderoi me nderimet më të larta, duke u ulur me të në dysheme, dhe jo siç e kishte zakon që njerëzit t’i vështronte nga pozita e të lartit.
Së pari e pyeti nëse kishte ndonjë nevojë apo ndonjë shërbim, të cilin Ebreheja mund t’ia kryente, e ai pa një pa dy ia ktheu: – “Unë dua që të m’i kthesh prapa 200 devetë e mia”.
Ebreheja u step nga kjo përgjigje dhe me habi i tha: – “Nuk kërkon nga unë që të heq dorë nga rrënimi i Shtëpisë suaj të shenjtë-Qabesë, e cila për ju simbolizon çdo gjë, mishërimin e fesë suaj dhe krenarinë tuaj, por po kërkon të t’i kthej devetë?!
– “Pikërisht këtë e kërkoj nga ju, mbret i nderuar, sepse unë jam pronar i deveve, kurse Qabeja e ka Zotin-Pronarin e saj, i Cili do ta mbrojë atë nga shkatërrimi, që synoni ju”, – ia ktheu Abdul Muttalibi.
I habitur nga një përgjigje e tillë plot urtësi, Ebreheja ia ktheu devetë Abdul Muttalibit, dhe të nesërmen mësyu Mekën-Qabenë dhe arriti deri në luginën “Muhassar”-“Vadi Muhassar”.
Për çudinë e të gjithëve, elefanti më i madh që kishin me vete për ta shkatërruar Qabenë, atë ditë nuk bënte asnjë hap përpara nga Haremi-Qabeja.
Diçka e ndalonte dhe e pengonte.
Kur e kthenin atë nga drejtimi i Jemenit, ai merrte vrapin andej. Njësoj vepronte edhe kur e kthenin nga drejtimi i Shamit (Sirisë).
Përpjekjet e ushtrisë së Ebrehesë për të hyrë në Harem me elefantë, vazhduan gjatë gjithë ditës së parë, kurse të nesërmen, u panë tufa të mëdha zogjsh nga drejtimi i bregdetit, zogj që kurrë më parë nuk ishin parë, tek bartnin në kthetrat dhe në sqepat e tyre gurë të vegjël.
Këta zogj, me urdhrin e Allahut, filluan të gjuanin gurë mbi ushtrinë e Ebrehesë dhe i shkatërruan ata.
Të tmerruar nga një sulm i tillë i papritur, ushtarët e Ebrehesë filluan të zmbrapseshin dhe morën arratinë.
Shumica prej tyre vdiqën rrugës për në Jemen, kurse Ebreheja u godit rëndë nga një sëmundje, prej së cilës i binte mishi nga trupi, dhe, posa arriti në San’a, vdiq.
Kjo humbje e ushtrisë së madhe të Ebrehesë pati një ndikim të madh në historinë arabe, dhe prej këtij momenti, kurejshët fituan edhe më shumë në famë, sepse fiset e tjera arabe për ta thoshin se kurejshët qenkëshin popull i zgjedhur i Allahut, se Allahu i mbrojti ata dhe Shtëpinë e Tij.
Në anën tjetër, kjo ishte një dëshmi dhe një parashenjë nga ana e Allahut, se Ai vërtet e kishte zgjedhur këtë popull, meqë nga mesi i tyre kishte zgjedhur më të madhin e njerëzisë- Muhammedin, alejhi selam, i cili do ta barte flamurin e misionit të fundit hyjnor në tokë.
Kjo ngjarje ndodhi në vitin 570 të erës së re, në vitin në të cilin u lind edhe Muhammedi, alejhu selam, dhe ky vit u quajt: “Amul fil”- “Viti i elefantit”.
Ky vit pati një rëndësi të veçantë për arabët, sepse qe fillimi i historisë së re të tyre.
Ishte kjo një prej parashenjave të mëdha të ardhjes së të Dërguarit të fundit, të cilin të gjithë popujt e atëhershëm po e prisnin me padurim në mos do të ishte nga mesi i tyre, si hebrenjtë ashtu edhe të krishterët.
Por deshi Allahu, që ky i Dërguar të ishte nga arabët, nga fisi më i zgjedhur i tyre-kurejshët, të ishte një njeri i ndershëm, besnik dhe i respektuar nga të gjithë edhe para se t’i vinte shpallja.
Allahu, ndër kaptinat e para të Dërguarit të Tij i zbriti këtë kaptinë, duke i treguar për një ngjarje të cilën Resulullahu nuk e kishte parë as përjetuar, veçse atëbotë në Mekë ende kishte njerëz të gjallë që kishin qenë dëshmitarë të kësaj mrekullie, dhe në asnjë mënyrë nuk arritën ta kontestonin fjalën e Allahut për ngjarjen në fjalë, sepse në realitet, ajo kishte ndodhur ashtu.
33. Që në fillim të kësaj sureje pason një pyetje hyjnore drejtuar Muhamedit, alejhi selam.: “A nuk e ke parë?”, po qëllimi këtu nuk është pyetja nëse e kishte parë apo jo, por: “A të ka arritur lajmi?” – ose “a e di se ç’bëri Zoti yt me pronarët e elefantit (me Ebrehenë dhe ushtrinë e tij)”, i cili mësyu Mekën për të rrënuar Shtëpinë e shenjtë-Qabenë.
Pyetja, edhe pse i është adresuar Muhammedit, alejhi selam, në fakt synon më tepër idhujtarët kurejshë, disa prej të cilëve ende ishin dëshmitarë të gjallë të kësaj ngjarjeje, dhe vetë e kishin parë ndëshkimin që Allahu, xhele ve ala, kishte zbritur mbi ushtrinë e Ebrehesë.
Ky adresim hyjnor ndaj kurejshëve u drejtohej për të shprehur habinë, si ishte e mundur që kurejshët, të cilët Allahu i mbrojti prej Ebrehesë, mbrojti Shtëpinë e shenjtë, mbrojti shenjtërinë e saj prej armiqve, dhe të cilët me sytë e tyre kishin parë tek shkatërrohej një ushtri e madhe nga disa tufa zogjësh që hidhnin mbi ta gurë të vegjël, nga goditjet e të cilëve binin të vdekur, e tash nuk besojnë që po Ai Allah të ka dërguar ty, o Muhammed, që të nxjerrësh mbarë njerëzimin në dritën e së vërtetës.
Si është e mundur që këta njerëz, që ishin dëshmitarë të gjallë të asaj mrekullie hyjnore, të mos i përulen tash Allahut, për ta falënderuar dhe adhuruar Atë, por ende adhurojnë gurë e idhuj të cilët vetë i gdhendin e i skalitin?!
34. A nuk ua bëri komplotin (përpjekjen) e tyre të dështuar?
(Ajeti nr.2)
Allahu, xhele ve ala, në këtë ajet, prapë në formë pyetjeje, na bën me dije se planet dhe intrigat e Ebrehesë i asgjësoi dhe i bëri të dështuara.
Ata nuk arritën qëllimin e tyre për ta shkatërruar Qabenë, prandaj a nuk mjaftonte ky fakt që kurejshët të mos i mbyllnin sytë para së vërtetës, po ta besonin Allahun, i Cili i shpëtoi nga armiku i tyre në një të kaluar shumë të afërt, dhe në të njëjtën kohë e ruajti Shtëpinë e Tij, shenjtërinë dhe pacenueshmërinë e saj. Në të kundërtën, edhe çdo plan dhe komplot i tyre kundër Muhamedit, alejhi selam dhe Islamit do të dështonte njësoj.
A nuk thotë i Plotfuqishmi në Kuranin fisnik:
“Ata bënin plane (kurtha-intriga) e Allahu i asgjësoi ato, se Allahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)”.  (El-Enfal, 30)
dhe:
“Allahu iu kundërvu dredhisë së tyre, Allahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi”.  (Ali Imran, 54)
35. Allahu i Plotfuqishëm deshi që në tërë këtë ngjarje të kishte një mrekulli, që ushtrinë e madhe të Ebrehesë ta shkatërronte me një ushtri të Tij, në këtë rast as me njerëz e dhe as me engjëj, por me tufa të mëdha zogjsh, të cilët vinin radhë-radhë.
S’ka dyshim që këta zogj, që erdhën në mënyrë të befasishme nga drejtimi i detit, ishin një prej ushtrive të panumërta të Allahut për të cilat i Gjithëfuqishmi thotë:
“ …Ushtritë e qiejve e të tokës janë vetëm të Allahut, e Allahu është shumë i dijshëm dhe shumë i saktë”., (El-Fet’h , 4)
Dhe në një ajet tjetër:
“Ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Tij” , (El-Mudethir, 31)
Këso tufa zogjsh, nga të cilët çdonjëri mbante nga tre gurë, një në sqep dhe nga një në të dy këmbët, nuk ishin parë e as njohur kurrë më parë nga arabët. Zogjtë patën ardhur nga drejtimi i detit, dhe pas kryerjes së misionit qenë kthyer prapë nga kishin ardhur.
Ata shkuan, por ngjarja e Ebrehesë mori dhenë, mbeti dhe u shënua në librat e historisë si një vërejtje se ata që nuk i frikësohen Allahut, do të kenë kësi përfundimi të keq.
36. Në këtë kaptinë shihet se nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me një veprim, por me veprim të kryer sipas mënyrës së posaçme që nuk mund të kryhet nga askush tjetër përpos nga Allahu, xhele ve ala!
Këtu Allahu, sikur dëshiron të na e tërheqë vërejtjen se në natyrë ka veprime që kryhen sipas rregullave dhe ligjeve të përcaktuara qysh më parë nga ana e Allahut, por ekzistojnë edhe disa veprime që nganjëherë kryhen drejtpërdrejt me ndërhyrjen dhe Vullnetin e Allahut, jashtë ligjeve ekzistuese në këtë natyrë.
Për disa veprime që kryhen nëpërmjet këtyre ligjeve, njeriu edhe mund të mendojë se ligji e jo Allahu kanë vepruar, si p.sh. kur zjarri djeg, uji njom dhe shuan etjen, shpata pret etj., mirëpo nëse ndodh diçka në mënyrë jo të rëndomtë jashtë këtyre ligjeve, atëherë gjithkush duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë drejtpërdrejt me ndërhyrjen hyjnore.
37. Kjo sure përmban në vete një mesazh shumë të fuqishëm për suksesin e misionit profetik të Muhamedit, alejhi selam Kur Allahu, xhele ve ala, merr dikë në mbrojtje.
Ai dhe e mban premtimin. Ashtu siç e mbrojti Shtëpinë e shenjtë–Qabenë, duke mos u dhënë rast idhujtarëve mekas ta mbronin atë, por intervenoi drejtpërdrejt me Vullnetin e Tij hyjnor për të zmbrapsur dhe asgjësuar agresorin, ashtu do ta mbrojë edhe të Dërguarin e Vet për ta përmbyllur me sukses misionin me të cilin e kishte ngarkuar.
38. Allahu, xhele ve ala, dëshiroi që Meka të mos binte në duart e autoritetit të asnjë despoti, por të mbetej e lirë dhe e gatshme për të pritur që nga gjiri i saj të lindte njeriu që do të ngrinte lart famën dhe namin e saj, njeriun i cili për një kohë të shkurtër, i udhëzuar nga Drita e Allahut, nga ato fise arabe të shkapërderdhura andej e këndej e të armiqësuara në mes veti, të krijonte një popull që do t’ua lëkundte themelet e vura në padrejtësi dhe eksploatim të popujve të tjerë, të Perandorive më të fuqishme të asaj kohe, – Persisë dhe Bizantit.
39. Dhe mesazhi i fundit i kësaj sureje u drejtohet të gjithë njerëzve:
Askush të mos krenohet në këtë botë se ka pasuri dhe është i fuqishëm, sepse armiqtë e rrugës së vërtetë, rrugës së Allahut, sado të fuqishëm të jenë, megjithatë herët a vonë në çdo përpjekje të tyre kundër muslimanëve, do të jenë të gjykuar të dështojnë
Allahu, xhele ve ala, pavarësisht nga dobësitë e kohëpaskohshme të muslimanëve, do ta mbrojë Islamin.
Ai edhe më do ta mbrojë Shtëpinë e Vet nga çifutët dhe të tjerët, të cilët synojnë shtrirjen e pushtetit dhe të autoritetit mbi Tokën dhe Shtëpinë e shenjtë, sepse Allahu, xhele ve ala, thotë:
“Ata (armiqtë e Islamit) dëshirojnë ta fikin Dritën (fenë) e Allahut me fjalët (propagandën) e tyre, po Allahu do ta plotësojë (përsosë) Dritën e Vet edhe pse këtë e urrejnë pabesimtarët” (Saff, 8).

Përmblodhi dhe përshtati;
Hoxhë Suad Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM