A lejohet që gjatë agjërimit tе ditëve të Shevalit të bëjmë nijet edhe kompensimin e ditëve të Ramazanit?

A lejohet që gjatë agjërimit tе ditëve të Shevalit të bëjmë nijet edhe kompensimin e ditëve të Ramazanit?

0 1416


A lejohet që gjatë agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval të bëjmë nijet edhe kompensimin e ditëve të Ramazanit që na kanë mbetur kaza, pra, të bashkojmë nijetet dhe të kryejmë dy ibadete?

Kjo është një çështje e rëndësishme rreth së cilës shpeshherë parashtrohen pyetje. Në lidhje me këtë them:

Detyrohemi të dimë se disa vepra janë me vlerë të caktuar në vetvete dhe disa të tjera janë të përgjithshme. Për shembull: namazi i Duhasë dhe ai i Tehijjetul mesxhidit. Po të thellohemi në hadithet e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, lidhur me këto dy namaze do të vërejmë se namazi i Duhasë ka një status të caktuar dhe një vlerë të veçantë, kurse namazi i Tehijjetul mesxhidit nuk është ashtu, sepse ai që hyn në xhami dhe fal farzin paraprak apo sunetin e sabahut, apo namazin e istihares apo e gjen xhematin në namaz dhe iu bashkëngjitet atyre, në të gjitha këto raste ai e ka kryer detyrimin e Tehijjetul mesxhidit dhe nuk ka bërë fare gabim dhe nuk detyrohet ta kompensojë namazin e Tehijjetul mesxhidit. Së këndejmi, del në pah urtësia e Ligjdhënësit, i cili e ka ndaluar atë që hyn në xhami të ulet para se të falet, mirëpo nuk e ka urdhëruar me ndonjë namaz të caktuar, porse çfarëdo namazi që do të falë do të jetë zbatues i këtij urdhri. Nëse hyn në xhami për namazin e drekës dhe fal dy rekate me nijet të Tehijjetul mesxhidit, nuk llogaritet se i ka falur sunetet e Drekës, mirëpo nëse hyn dhe i fal sunetet e drekës ai ka zbatuar urdhrin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kur na thotë që të mos ulemi para se t’i falim dy rekatë. Po ashtu nuk duhet të kompensojë rekatet e Tehijjetul mesxhidit. Në anën tjetër nëse ai fal Tehijetul mesxhidin dhe thirret ikameti për të hyrë në farz, ai ka të drejtë të kompensojë rekatet e sunetit të Drekës. Kur njeriu ta kuptojë se cilat vepra i ngjajnë “Tehijjetul mesxhidit”; e cilat “namazit të Duhasë” e zgjidh dilemën e parashtruar në këtë pyetje.

Prej punëve që i ngjajnë Tehijjetul mesxhidit është agjërimi i ditës së Hënë dhe të Enjte, për arsye se këto dy ditë nuk kanë vlerë të veçantë e të përcaktuar në vetvete siç janë agjërimi i Ditës së Arafatit dhe Ashurasë për shembull, porse me agjërimin e tyre qëllimi është që në këto dy ditë veprat ngrihen tek Allahu e Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dëshironte që të jetë agjërueshëm kur ngrihen veprat e tij. Sikur ndonjëri të agjërojë të Hënën dhe të Enjten me nijetin e kompensimit të kazasë, agjërimit të zotuar, agjërimit shpagues (kefaret), ditët e Shevalit apo Ditët e Bardha qëllimi do të arrihet, pra, veprat e tij do të ngrihen tek Allahu duke qenë agjërueshëm. Për këtë arsye e pëlqejmë për atë që dëshiron të agjërojë ditët e Shevalit, që këtë gjë ta bëjë të Hënën dhe të Enjten dhe këtu nuk themi se nijetet bashkohen, sepse agjërimi i të Hënës dhe të Enjtes nuk kanë vlerë të vetën të veçantë e të caktuar, madje as që mundet të bëhet bashkimi i nijeteve të veçantë me një të përkufizuar.

Pra, më e sakta është se nuk lejohet bashkimi i nijeteve të dy ibadeteve, ku çdonjëri prej të cilit ka mëvetësi në vlerën e tij, për shembull nuk bashkohen nijetet e agjërimit kaza dhe agjërimit të zotuar, as nijetet e agjërimit kaza dhe gjashtë ditëve të Shevalit, sepse qëllimi që shprehet në hadithe është që njeriu të agjërojë 36 ditë apo një muaj e gjashtë ditë, për ndryshe nëse bashkon nijetet ai do të agjëroje vetëm një muaj. Kjo gjë është në kundërshtim me qëllimin e hadithit, i cili është sqaruar në transmetimin e Ibën Maxhes me sened të vërtetë, ku thuhet: “Kush agjëron gjashtë ditë pas Fitër Bajramit për të llogaritet plot një vit. Kush bën një të mirë atij do t’i shpërblehet dhjetëfish.”

Ihsan b. Muhammed b. Ajish El-Utejbi

Perktheu: Agim BEKIRI