A më lejohet të punoj në restorant gjatë ditëve të Ramazanit?

A më lejohet të punoj në restorant gjatë ditëve të Ramazanit?

0 2318

Pyetje: selam alejkum hoxhë, a guxoj të punoj në ramazan nëse puna ime është në vende ku shërbehet ushqim si p.sh në qebaptore ose restorante të ndryshme, Allahu ju dhuroftë çdo të mirë në dynja dhe ahiret!

Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdërimi dhe paqja e tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij…

Nëse ju shërben ushqim atyre që duhet të agjërojnë, atëherë nuk ka dyshim se një vepër e tillë ndalohet. Allahu i madhëruar na ka urdhëruar të mos ndihmojnë njëri-tjetrin në punë të këqija “ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” (Maide:2)

Nga rregulli i sipërshënuar kuptojmë se është e lejuar t’u shërbejmë atyre që nuk e kanë obligim agjërimin sikur fëmijëve, udhëtarëve, të sëmurëve si dhe gjithë atyre që kanë ndonjë arsye të sheriatit për të mos agjëruar.

Gjatë ditëve të ramazanit ushqimi nuk ju servohet as mosbesimtarëve sepse sipas mendimit të shumicës dërmuese të dijetarëve të umetit ata përveç obligimit të besimit, janë të ngarkuar edhe me obligimet tjera fetare siç janë namazi, agjërimi, zekat, haxhi e tjerë, dhe për to do japin llogari ditën e kiametit. Allahu i madhëruar thotë: “Për idhujtarët është mjerim i madh, të cilët nuk e japin zeqatin dhe mu ata e mohojnë botën tjetër.” (Fusilet: 6,7)  Po ashtu Allahu thotë: “Përveç atyre të djathtëve. Që janë në xhenete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, përkitazi me kriminelët (e u thonë): “Çka u solli juve në Sekar?” Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); Nuk kemi qenë që ushqenim të varfrit; Dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota.” (Mudethir: 39-45)

Sikur të mos ishin të ngarkuar me obligimet fetare atëherë do na lejohej t’u shërbenim ushqim gjatë ditëve të ramazanit, t’u shesim stoli ari për meshkujt e tyre dhe gjëra të tjera të cilat i kemi të ndaluara t’i bëjmë me besimtarët, sepse në atë mënyrë ndihmojmë të keqen dhe bëhemi pjesëmarrës në të.