Ajetet e suret të cilat i dërguari (alejhi selam) i lexonte për çdo ditë!

Ajetet e suret të cilat i dërguari (alejhi selam) i lexonte për çdo ditë!

0 7528

Pyetja: Pyetja ime ka të bëjë për suret e ajetet të cilat i dëguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i lexonte çdo ditë; a është e vërtetë se ato janë suret; Isra, Sexhde, Mulk, Zumer, Hadid, Hashr, Saf, Xhumuah, Tegabun, Eala, Ihlas, Felek, Nas, Kafirun, si dhe ajetet: Ajeti Kursij, dy ajetet e fundit të sures Bekare, ajetet e fundit të sures Ali Imran gjatë zgjimit, kjo që e përmenda deri tani a është e saktë? Nëse janë të sakta shpresoj të shtoni argumente që t’i përhapim ato në mesin e muslimanëve e të ngjallim sunetin e profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), po edhe nëse ka të tjera, i përmendni edhe ato?

Përgjigjja: Lavdërimi i takon Allahut.

Së pari:

I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) shpeshtonte leximin e Kuranit gjatë natës e gjatë ditës, e zgjaste namazin e natës, ka ndodhur që në një rekat të lexonte suren Bekare, Ali Imran dhe Nisa, siç e shënon Muslimi me numër (722).

Kështu edhe Buhariu  me numër (5027) shënon hadithin e Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”

Dy:

-I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) lexonte para gjumit çdo natë dy suret; suren Sexhdeh dhe suren Mulk. E shënon Tirmidhiu me numër (2892) hadithin e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se: i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk flinte deri sa të lexonte “Elif, Lám, Mîm. Shpallja e këtij Libri.” (Sexhde) dhe “Është i lartësuar Ai, në dorën e të cilit është pushteti.” (Mulk).” Shejh Albani e vlerësoi sahih në (Sahih sunen Tirmidhi).

-Njashtu nuk flinte deri sa të lexonte suren Isra dhe suren Zumer. E shënon Tirmidhiu me numër (3405) hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se: i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk flinte deri sa të lexonte suren Zumer dhe beni Israil (Isra). Shejh Albani e vlerësoi sahih në (Sahih sunen Tirmidhi).

-Dy suret e fundit (Felek dhe Nas): e shënon Buhariu me numër (5017) hadithin e Aishes  se; i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur afrohej të shtrihej në shtrat për çdo natë, bënte bashkë dy duart, i fryente dhe lexonte: “Thuaj! Ai Allahu është Një” (Ihlas), “Thuaj: “I lutem dhe mbështetem te Zoti i agimit” (Felek) dhe “Thuaj: “I lutem dhe i mbështetem Zotit të njerëzve” (Nas).” E më pas fërkonte me dy duart aq sa mundte prej trupit të tij, duke filluar që nga koka e fytyra, e në pjesën e përparme të trupit, kështu vepronte tri herë.”

Suren Kafirun: e shënon Ebu Davudi me numër (5055) hadithin e Fervete ibn Neufel, që e përcjell nga babai i tij se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha një ditë Neufelit: “Lexoe “Thuaj! O ju të cilët jenë jobesimtarë” (Kafirun) dhe kur të përfundosh bjer të fleshë, sepse kjo sure është pastrim nga shirku.” Shejh Albani e vlerësoi hadithin -sahih- në librin e tij (Sahih sunen Ebu Davud)

Suret Hadid, Hashr, Saf, Xhumuah, Tegabun: e shënon Tirmidhiu hadithin e Irbad ibn Serijeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) lexonte “Musebihatet” (sh.p. janë suret të cilat fillojnë me fjalën –Subhane-) para se të shtrihej dhe thoshte: “Në këto sure ka një ajet që është më i vlefshëm se njëmijë ajete.”

Ky është një hadith i dobët, e vlerësoi të dobët shejh Albani në (Daif Tirmidhi).

Ajeti Kursij: e shënon Buhariu me numër (3275) hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: “Më aurotizoi i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) të ruaj Zekatin e muajit të Ramazanit, e më erdhi një njeri i cili filloi të vidhte nga ushqimi e unë e kapa atë, e i thash: Do të të dërgoj tek i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), -deri në fund të hadithit- tha: Kur të afrohesh afër shtratit lexoe ajetin Kursij, do të kesh mbrojtës prej Allahut e nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes”, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të i tha Ebu Hurejres: E tha të vërtetën gënjeshtari, ai ishte shejtan.

Dy ajetet e sures Bekare: e shënon Buhariu me numër (4008) dhe Muslimi me numër (807) hadithin e ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili thotë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dy ajetet e fundit të sures Bekare, kush i lexon në çdo natë i mjaftojnë.”

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Është thënë: fjala e tij (i mjaftojnë) domethënë: në vend të namazit të natës, të tjerët kanë thënë: nga shejtani, e të tjerë: nga sëmundjet. Por, ka gjasa që t’i përfshijë të gjitha.” Përfundoi nga libri (Sherh Muslim; 6/92).

Ajetet e fundit të sures Ali Imran, gjatë zgjimit nga gjumi: e ka shënuar Buhariu me numër (992) dhe Muslimi me numër (763) hadithin e Kurejbit nga ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre), i cili i kishte treguar këtij se; kishte fjetur një natë tek Mejmuneja, që ishte tezja e tij, u shtrira në pjesën horizontale të jastëkut, e i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) me familjen e tij u shtrinë në anën vertikale, fjeti deri sa erdhi mesnata –apo afër mesnate- më pas u zgjua duke fshirë jgumin nga fytyra e tij, dh elexoi dhjetë ajete nga sureja Ali Imran, më pas u ngrit i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e morri një enë të varur, morr abdes, në formë shumë të bukur, më pas u ngrit dhe u fal.”

-I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nxiste të lexohet ajeti Kursij pas çdo namazi: e shënon Nesaiu në (Sunen el Kubra; 9848) hadithin e Ebi Umames (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e lexon ajetin Kursij pas përfundimit të çdo namazi farz, nuk e epengon hyrja në xhenet përpos vdekjes.”

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ky hadith është transmetuar nga Ebu Umameja, Ali ibn Ebi Talib, Abdullah ibn Omer, Mugirah ibn Shu’beh, Xhabir ibn Abdullah dhe Enes ibn Maliku, dhe në të gjitha këto transmetime ka dobësi, mirëpo nëse të gjitha i bashkojmë me njëra tjetrën, duke pasë parasysh rrugët e ndryshme të transmetimit dhe nxjerrjes të hadithit, aludon se hadithi ka një bazë dhe nuk është hadith i shpikur.

Më kanë informuar se shejhu jonë Ebul Abas ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk e kam lënë pas çdo namazi.” Përfundoi nga libri (Zadul Mead; 1/294).

-Kështu ka nxitur të lexohen sureja (Felek dhe Nas) pas çdo namazi: e shënon Ebu Davudi me numër (1523) hadithin e Ukbeh ibn Amir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë: “Më urdhëroi i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) që të lexoj “muavidhatet” (Felek dhe Nas) pas çdo namazi.” Shejh Albani e vlerësoi sahih në librin e tij (Sahih sunen Ebu Davud).

-Njashtu porosiste që të lexohen në mëngjes e në mbrëmje; Abdullah ibn Hubej (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari i Allahut (paqja dh ebekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Thuaj: “Thuaj! Ai Allahu është Një” (Ihlas), dhe dy “muavidhatet” (Felek dhe Nas), në mbrëmje e në mëngjes nga tri herë, të mjaftojnë nga çdo gjë tjetër.” E shënon Tirmidhiu me numër (3575) dhe e konsideroi sahih.

Kjo ishte e tëra që arritëm ta përmbledhim nga suneti profetik rreth leximit të ajeteve e sureve të Kuranit gjatë natës e ditës.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM