DILEMA RRETH PËRFUNDIMIT TË JOBESIMTARËVE NË AHIRET

DILEMA RRETH PËRFUNDIMIT TË JOBESIMTARËVE NË AHIRET

0 1058

Unë pyetem: Pse shumica e njerëzve janë jomyslimanë? Sipas dijes sime është që dashuria e Allahut ndaj njerëzve është shtatëdhjetë herë më e madhe se dashuria e nënës për fëmijën e saj? Dhe a është e vërtetë se nuk do të hyj në xhenet askush pos se myslimanëve, ithtarët e sunetit më saktësisht? Nëse kjo është e vërtetë atëherë kuptohet se nuk hyn në xhenet pos një pakice në krahasim me numrin e popullsisë në tokë, atëherë pse Allahu është i pajtimit që shumica e krijesave të Tij të hynë në zjarr?

Falënderimi i takon Allahut.

Në fillim të përgjigjes po japim një vërejtje të asaj që ka përmendur pyetësi se “Dashuria e Allahut është më e madhe shtatëdhjetë herë se dashuria e nënës për fëmijën e saj” është e pabazë, si në Kuran ashtu edhe në sunetin e të Dërguarit. Allahu i Madhëruar nuk i do zullumqarët, nuk i do mëkatarët dhe nuk i do jobesimtarët, e si mund të thuhet se dashuria e Allahut përfshin gjithë krijesat e Tij, kur numri më i madh i tyre janë të këtyre llojeve?! Po, Allahu i do bamirësit, i do të devotshmit, ata që pendohen, të pastrit, durimtarët, ata që i mbështeten Atij dhe i do të drejtët, këta janë që Allahu e vërtetoi dashurinë e Tij ndaj tyre, e këta nuk janë pos monoteistë e jo prej atyre që i bëjnë shirk Atij.

Mirëpo, megjithatë prej emrave të Allahut janë: Mëshirues, Mëshirplotë, mëshira e Tij e ka tejkaluar hidhërimin e Tij, falja e ka tejkaluar dënimin, Ai është më i mëshirshëm për robërit e Tij se sa nëna për fëmijën e saj. Omer ibn Hatab ka thënë: “Një herë sollën te Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, disa robër lufte, gra dhe fëmijë. Aty pamë që një grua që shtrydhte qumësht nga gjoksi i vet për t’ua dhënë fëmijëve dhe, sapo të gjente ndonjë fëmijë mes robërve, ajo e vinte në gjoks dhe i jepte të pijë. (Ajo e kishte humbur fëmijën e vet, por më pas e gjeti). Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, na tha: “A mendoni se kjo grua mund ta hedhë fëmijën e saj në zjarr?” Ne i thamë: “Jo, në qoftë se ajo mundet të mos e hedhë atje.” Pastaj shtoi: “Allahu është më i Mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo grua me birin e saj.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ka dallim mes mëshirës dhe dashurisë, Allahu i Lartëmadhëruar ka zbritur një pjesë të mëshirës së Tij për krijesat, e i furnizon robërit e Tij, përkujdeset, është i butë ndaj tyre, duron mohimin dhe dëmin e tyre, e gjithë kjo në dunja, ndërsa në ahiret mëshira e tij është e veçantë për atë që besoi në Allahun dhe i është nënshtruar plotësisht Atij.

Dy: Sa i takon pyetjes: Pse shumica e njerëzve janë jomysliman? Përgjigja është ngase ata zgjodhën kufrin para Islamit. Ne të pyesim: Ç’është me ata që lexuan për Islamin, u arriti thirrja, shikuan mijëra prej atyre që u përkasin fesë së tyre e kaluan në Islam, shikuan miliona që përkasin kësaj feje të madhe, shikuan argumentet e qarta që aludojnë në vërtetësinë e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe thirrjes së tij, në vërtetësinë  e Kuranit dhe mrekullitë e tij, dëgjuan debatet të cilat kundërshtarët e Islamit frenojnë dhe nxjerrin dyshimet e tyre. Megjithatë nuk besuan në Islam, nuk e morën për fe, por miliona prej tyre janë të pajtimit të adhurojnë kryqin që vet e formuan, të adhurojnë ndonjë idhull, varr, apo të adhurojnë lopë.

E vërteta është e qartë, argumentet të cilat aludojnë për madhështinë e Islamit janë më shumë së sa që mund të numërohen, dhe argumentet për pavërtetësinë e asaj që ata jobesimtarë veprojnë nuk polemizon për ato i mençuri, natyra e pastër dhe mendja e shëndoshë refuzojnë këto adhurime dhe marrjen e tyre për zota pos Allahut Një, ja pra Allahu ka sqaruar argumentin dhe ua shfaqi atyre, por prapë shumë prej njerëzve nuk zgjodhën tjetër pos mosbesimit. Nuk do gjesh shumicën e njerëzve falënderues monoteistë por mohues dhe politeistë.

Tre:

Sa i takon pyetjes “Pse Allahu është në pajtim që shumica e njerëzve të hynë në zjarr? Përgjigjja është se Allahu i Madhëruar nuk është në pajtim me mosbesimin e tyre, nuk e dëshiron këtë nga ata, por ata e pranuan për vete, e Zoti Bujar e Krenar ka përmendur në Librin e Tij për mospajtimin e Tij ndaj mosbesimit të jobesimtarëve, Allahu thotë: “Nëse ju nuk besoni, All-llahu nuk është nevojtar për ju; megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju.” Zumer 7.

Ky është një citat i qartë se Allahu i Madhëruar nuk e dëshiron mosbesimin për robërit e Tij, por dëshiron nga ata teuhidin (monoteizmin) e Islamin, mirëpo janë vetë ata të cilët e dëshiruan mosbesimin fe të tyre, refuzuan të hynë në vargun e të nënshtruarve. Allahu i Madhëruar nuk e detyron askënd me Islam e as me kufër, por Ai i sqaroi dy rrugët, të vërtetën dhe të kotën, të saktën dhe të gabuarën, Islamin dhe kufrin, e më pas bëri që krijesat vet të zgjedhin, duke premtuar për të nënshtruarit shpërblim dhe duke kërcënuar jobesimtarët me zjarr, Allahu thotë: “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës. Të tillët e kanë vendin në xhennetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekulleshëm është dhe sa vend i bukur është ai.” Kehf 29-31

Po ashtu thotë: “Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë. Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës. Ne për jobesimtarët kemi përgatitur zinxhirë, pranga e zjarr. S’ka dyshim se të devotshmit do të pijnë nga gota që përzierja brenda saj është nga kafuri (aromatik). Eshtë një burim prej të cilit pijnë robërit e All-llahut dhe e bartin atë ku të duan.” Insan 2-6

Ja një shembull për të sqaruar udhëzimin e Allahut e një populli, duke iu dërguar pejgamber me argumente të qarta, dhe zgjedhjen e kufrit para Islamit, ata janë populli i Themudit: “Sa i përket Themudit, Ne atyre u patëm treguar rrugën e drejtë por ata megjithatë më shumë e deshën verbërinë, andaj ata i kapi tmerri i dënimit të turpshëm për shkak të asaj që vepruan. Ndërkaq, Ne i shpëtuam ata që kishin besuar dhe që ishin të ruajtur.”Fusilet, 17-18

Shembulli i këtyre dhe të tjerëve që mohuan Zotin e tyre dhe përgënjeshtruan të dërguarin e tyre, ishin të kënaqur me kufrin  në dunja dhe amshim në zjarr në botën tjetër. Jobesimtarët e sotëm kanë paraardhësit e tyre, të dërguarit e Zotit u erdhën me të drejtën, Allahu çdo populli i çoi të dërguar nga mesi i tyre, e njohin për nga sinqeriteti dhe besueshmëria, dhe për secilin të dërguar Allahu u dha nga një argument që në të të besojnë njerëzit, megjithatë ata thanë për të dërguarit e tyre magjistarë apo të çmendur “edhe sikur t’i shohin të gjitha faktet, ata nuk besojnë”  Enam 25. Këta popuj nuk u mjaftuan vetëm me përgënjeshtrim ndaj të dërguarve, bile bënin komplot për ti vrarë apo nxjerr nga vendbanimet e tyre, Allahu thotë: “Ata që mohuan të dërguarit e vet thanë: “Për Zotin, ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë, ose ju domosdo do të ktheheni në fenë tonë” Ibrahim 13. Allahu tregon për atë që thanë populli i Ibrahimit alejhi selam: “Po përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm të thonë: “Mbyteni atë (Ibrahimin) ose digjnie!” Ankebut 24. Allahu thotë për të dërguarin tonë alejhi selam: “Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).” Enfal 30

Nëse kjo është gjendja e atyre që u erdhën të dërguarit nga Zoti, të cilët i njihnin dhe shihnin argumentet me sytë e ballit, atëherë a thua si do ishte gjendja e indianëve, kinezëve e evropianëve po që se u vinte atyre i dërguari Muhamed salallahu alejhi ue selem përgëzues e qortues?!

Kur disa mushrikë pretenduan se Allahu i Madhëruar është në pajtim për kufrin e tyre, e të mos ishte ashtu do i largonte nga kufri, Allahu ua shfaqi gënjeshtrën e tyre dhe sqaroi se ata pasojnë epshet e tyre dhe baballarët e devijuar, Allahu thotë: “Ata që i bënin shok Zotit (idhujtarët) thanë: “Sikur të kishte dashur All-llahu, as ne, e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asnjë send pos Tij, dhe nuk do të ndalonim (nuk do ta konsideronim të ndaluar) asnjë send pos (ndalesave të) Tij” Nahl 35. Allahu iu përgjigj atyre me fjalën: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm All-llahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që All-llahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?” Nahl 36

Shejh Muhamed Emin Shenkiti Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Në këtë ajet hyjnor ka sqaruar se nuk është në pajtim me mosbesimin e tyre, dhe se në çdo popull ka dërguar pejgamber, i urdhëroi që ta adhurojnë vetëm Allahun Një dhe të largohen nga tabuti (zotrat e rrejshëm), pra të largohen nga adhurimi i çdo gjëje që adhurohet pos Tij, dhe se Allahu udhëzoi disa prej tyre që ta adhurojnë vetëm Atë, dhe disa prej tyre merituan devijimin, pra: e përqendroi në mosbesim dhe mjerim. Allahu thotë në suren EnAmë “Thuaj: “All-llahu ka argumentin më të plotë dhe sikur të donte Ai do t’ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve.” Sundimi i Allahut në udhëzim dhe mbarësi është argument i plotë për krijesat e Tij, pra: kënd e kemi udhëzuar dhe i kemi dhuruar mbarësi është dhunti dhe mëshirë nga Ne, e kujt nuk i kemi dhuruar këtë: është drejtësi dhe urtësi nga Ne, ngase nuk ka qenë borxh për ne e as obligim i detyruar për Ne, por nëse ia dhurojmë është dhunti, e nëse nuk ia japim është drejtësi”. Edvau Bejan 7/95,96.

Katër:

Thënia e pyetësit: A është e vërtetë se nuk do të hyjë në xhenet pos myslimanët, ehlu sune veçanërisht? Duhet sqaruar: pas shpalljes së të dërguarit salallahu alejhi ue selem, atëherë po, nuk hyn në xhenet pos myslimanit, ngase islami ka shfuqizuar gjithë fetë e mëparshme, dhe Allahu i Madhëruar e ka obliguar gjithë njerëzimin të hynë në këtë fe dhe ka treguar që nuk pranohet nga asnjëri fe tjetër, kush e takon Atë me fe tjetër është nga të humburit, Allahu thotë: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit.”Ali Imran 85. Për atë i dërguari salallahu alejhi ue selem e urdhëroi Bilalin që të thërret e tu thotë njerëzve: “Me të vërtetë nuk do të hyjë në xhenet pos shpirtit mysliman” Trasmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa nga umetet e mëhershme hynë në xhenet gjithë ata që besuan të dërguarin e tyre, këta janë myslimanët e asaj kohe, Allahu thotë: “Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi që besuan All-llahun, librat, të dërguarit në mesin e të cilëve edhe Muhammedin).”Bekare 62.

Ndërsa se xheneti është  i Ehlu sunetit në veçanti: është thënie e pasaktë, këtë nuk e thotë asnjë nga dijetarët, në fakt umeti i Muhamedit salallahu alejhi ue selem që iu kanë përgjigjur thirrjes së tij të gjithë do të hynë në xhenet, nuk pengohet askush nga xheneti pos atij që del prej fesë, apo prish islamin me ndonjë gjë që e nxjerr tërësisht na feja. Ithtarët e bidatit të cilët kundërshtojnë Kuranin e sunetin, që kundërshtuan ehlu sunetin, këta si edhe tjerët nga mëkatarët, do jenë nën dëshirën e Allahut, nëse do i dënon e nëse do ua fal.

Poashtu kush ngatërrohet me disa mëkate, apo bie në bidat, ka qenë nga ehlu suneti, në kuptim të përgjithshëm, po ashtu është nën dëshirën e Allahut, nëse do e dënon e nëse do ia fal, dhe nëse ka qenë praktikues i sunetit, ka mbrojtur, është stolisur me të në dituri dhe vepra, është më shpresë për të dhe më shpëtues për te nga dënimi dhe hidhërimi i Allahut.

Pesë:

Kush kupton nga hadithi i përçarjes dhe nga fjala e të dërguarit salallahu alejhi ue selem për shtatëdhjetë e dy grupet e ndryshme kundërshtuese të ehlu sunetit “të gjithë janë në zjarr” se do të jenë përgjithmonë në zjarr të xhehenemit, ka gabuar, dhe ka kundërshtuar konsensusin e myslimanëve, pra devijimi i këtyre grupeve dhe kërcënimi me zjarr nuk nënkupton amshim në te.

Shejh islam ibn Tejmije Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Kush thotë për shtatëdhjetë e dy grupet, që ka bërë kufr që e nxjerr nga umeti, ka kundërshtuar Kuranin, sunetin dhe konsensusin e sahabëve Allahu qoftë i kënaqur me ta, po edhe konsensusi i katër imamëve, dhe të tjerë.: Mexhmu fetava 7/218.

Të deklaruarit për jobesimtarë ndaj kundërshtarit është metodologji e ithtarëve të bidatit dhe devijimit, e jo nga metodologjia e ithtarëve të sunetit dhe xhematit.

Shejh islam ibn Tejmije Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Havarixhët janë të parët që shpallin jobesimtarë myslimanët, i shpallin për mëkate, po ashtu shpallin atë që i kundërshton në bidatin e tyre, e konsiderojnë të lejuar gjakun dhe pasurinë e tij, kjo është gjendja e ithtarëve të bidatit, shpikin bidate dhe i shpallin për jobesimtarë atë që i kundërshton ata.”

Ithtarët e sunetit dhe xhematit pasojnë Kuranin dhe sunetin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin, pra pasojnë të vërtetën dhe mëshirojnë tjerët.” Mexhmu fetava 3/279.

Gjashtë

Nga mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij është se nuk e dënon me zjarr atë që nuk i ka arritur thirrja islame, pra ata të cilët jetojnë në kohën tonë apo më herët dhe nuk u ka arritur asnjë lajm për islamin, ata do të sprovohen ditën e Kiametit, siç kemi sqaruar më herët. Allahut i takon dituria absolute.

Përktheu: Shpend Zeneli

Islam-qa.info

GJITHASHTU NË ALBISLAM