DURIMI NDAJ ATYRE QË TALLEN ME TY

DURIMI NDAJ ATYRE QË TALLEN ME TY

0 2932

Udhëzimi nga Allahu për njeriun është gradë nga Allahu, e këtë nuk e arrin çdo kush, ndërsa nga ligji i Allahut në këtë botë është ti sprovojë ata të cilët kapen për këtë, e kështu të dallohen të qëndrueshmit e drejtë. Allahu thotë: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën do t’i dallojë dhe gënjeshtarët.”[1] Edhe me të Dërguarit e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi to, janë tallur njerëzit e popullit të tyre. Allahut thotë për popullin e Nuhut: “Dhe ai ndërtonte anijen e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij përqeshej me të. Ai u thoshte: “Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju!”[2]

Po ashtu Allahu i Lartësuar tregon se për çdo të dërguar të Allahut kanë shpifur se gjoja janë magjistarë, se janë të çmendur dhe janë tallur me fjalët e tyre. Allahu thotë: “Ja, ashtu pra, edhe atyre që ishin më parë nuk u erdhi i dërguar e që nuk i thanë: “Është magjistarë ose është i çmendur!”[3] Po ashtu njerëzit janë tallur edhe me sahabët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Allahu thotë: “Dhe kur kalonin (besimtarët) pranë tyre(idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur.”[4]

Tallja është dukuri e cila vazhdon, prandaj kush tallet nga shkaku se je udhëzuar ose se e ke lëshuar mjekrën ose se praktikon ndonjë sunnet, mos u mërzit. Në qoftë se tallësin e stimulon epshi ose injoranca, atëherë dije se në thellësinë e shpirtit të tij është udhëzimi, mirëpo ai nuk e ka në dorë këtë gjë. Allahu thotë për udhëheqësit e devijimit: “Ata që nuk besuan shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë muslimanë.”[5] Edhe ai e din se haku është në atë rrugë që je ti. Allahu thotë: “Dhe, edhe pse bindshëm të besueshëm në to (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, pra shikoje se çfarë ishte fundi i shkatërrimtarëve.”[6]

Kush tallet me ty, ti përmbaju asaj çfarë i janë përmbajtur pejgamberët, siç është durimi, falja, urtësia, butësia dhe largimi nga ata që të ofendojnë. Allahu i thotë të dërguarit të Tij:  “Ti (Muhammed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta, sepse ditën kur do ta përjetojnë atë (dënimin) që u është premtuar, atyre u duket sikur nuk kanë jetuar vetëm se në një moment të shkurtër të ditës. Kumtesë e mjaftueshme! A mos shkatërrohet kush, pos popullit të shfrenuar.”[7]

Allahu i Lartësuar thotë: “Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë), edhe pasi që iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’ju kthejnë në mosbesimtarë, pra ju lini dhe largohuni prej tyre derisa Allahu ta sjellë urdhrin e vet. Allahu ka mundësi për çdo send.”[8] Allahu i Madhëruar urdhëron për falje dhe kraharorë të hapur e thotë: “Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të paditurve.”[9]

Kur të tallet dikush me ty, dije se kjo është përgëzim ndaj teje që tregon për sinqeritetin tënd në fe, madje kjo llogaritet ngritje për ty, e kjo pa dyshim se tregon se je duke u ngjitur në piedestalin më të lartë. Prandaj qëndro çdoherë i pajisur me durim, mos e prish veprën tënde me humbje shprese dhe pesimizëm, ngase je kapur për këtë fe.

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com


[1] Ankebut: 3.

[2] Hud: 38.

[3] Dharijat: 52.

[4] Mutafifin: 30-31.

[5] Hixhër: 2.

[6] Nemël: 14.

[7] Ahkaf: 35.

[8] Bekare: 109

[9] Araf: 199

GJITHASHTU NË ALBISLAM