KËSHILLA PROFETIKE

KËSHILLA PROFETIKE

0 2034

Ebu Katade (radijallahu anhu) përscjellë nga i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem) se ka thënë:

من نفس عن مؤمن كربة من كرب الدنيا نفس الله عنه كربة من كرب يوم القيامة و من يسر على معسر يسر الله عليه في الدنيا و الآخرة و من ستر مسلما ستره الله في الدنيا و الآخرة و الله في عون العبد ما كان العبد في عون أخيه و من سلك طريقا يلتمس فيه علما سهل الله له طريقا إلى الجنة و ما اجتمع قوم في بيت من بيوت الله يتلون كتاب الله و يتدارسونه بينهم إلا نزلت عليهم السكينة و غشيتهم الرحمة و حفتهم الملائكة و ذكرهم الله فيمن عنده و من أبطأ به عمله لم يسرع به نسبه.

“Kush ia largon besimtarit ndonjë brengë nga brengat e dynjasë, Allahu do t’ia largojë një brengë nga brengat e Ditës së Kijametit. Kush ia lehtëson ndonjë hallxhiut, Allahu do t’ia lehtësojë atij në dynja dhe në ahiret. Kush e mbulon muslimanin, Allahu do t’ia mbulojë në dynja dhe ahiret. Allahu është në ndihmë të robit Vet derisa ai robi është në ndihmën e vëllait të tij. Kush ndjekë rrugë me të cilën kërkon dituri, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet. Sa herë që tubohen njerëzit në shtëpi nga shtëpitë e Allahut ku e lexojnë Librin e Allahut dhe e mësojnë mes tyre, u zbret atyre qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe i përmendë Allahu te ata që i ka tek Ai. Atë që e ngadalëson vepra e tij, nuk e shpejton prejardhja e tij.”

Tra. Ahmedi dhe Muslimi

Jeta në botën të cilën jetojmë është e mbushur me sprova. Ne në të jetojmë në formë kolektive dhe kemi raporte mes nesh. Ka njerëz që janë me halle dhe kanë brenga. Ka prej tyre që janë të sprovuar me skamje, apo që kanë nevoja për t’i plotësuar gjërat në jetën e tyre, po ashtu në si krijesa, kemi të meta dhe bëjmë gabime. Asnjëri prej nesh nuk është i përsosur, e nuk i mungon asgjë. Duke i pasur parasysh të gjitha këto gjëra, zgjidhjen e gjejmë në porositë profetike ku na i paraqet me fjalët e tij të ndershme harmoninë e një shoqërie që trajtojnë njëri-tjetrin. Një shoqëri që beson në ahiret, që janë të bindur në llogarinë para Allahut të Madhëruar në Ditën e Gjykimit.

Në fjalët e të dërguarit të Allahut hasim në stimulim dhe inkurajim shumë të lartë që i dedikohet individit besimtar dhe një një shoqërie besimtare. Me një anë e vë në shprehje largimin e brengave të besimtarit që është në hall, mënjanimin e ndonjë borshi të ndonjë borxhliu, mbulimin e të metave të tij, ndihmën e besimtarit dhe nga ana tjetër e ndërlidhë me rezultate shumë të mëdha që e presin në Ditën e Kijametit kur njeriu do të ketë nevojë shumë për to.

Pastaj i dërguari i Allahut vazhdon me një stimulim për faktorin dituri si shkak optimal për të lehtësuar rrugën për në xhenet, pasiqë dituria është dritë dhe e ndriçon çdo rrugë, e sidomos ajo kur është për hirë të Allahut të madhëruar.

Në vazhdim i dërguari i Allahut i jep një theks të veçantë rëndësisë së studimit të librit të Allahut, vlerës së xhamive dhe të studijuarit së bashku besimtarët mes tyre. Rezultatet janë madhështore derisa edhe melekët i ndërojnë dhe luten për këta. U zbret mëshira e Allahut dhe qëtësia dhe pos këtyre, Allahu i Madhëruar i përmendë te melekët për angazhimin e tyre të mirë.

Përgatiti: Ali Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM