Kuptimi i fjalëve të Allahut në hadithin kudsij, “Unë jam dëgjimi i tij me të cilin ai dëgjon …”

Kuptimi i fjalëve të Allahut në hadithin kudsij, “Unë jam dëgjimi i tij me të cilin ai dëgjon …”

0 2492

Pyetja: A mund të shpjegoni këtë hadith:

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Unë  i  kam  shpallur  luftë  atij  që  armiqëson ndonjë rob Timin. Gjërat më të dashura tek Unë e me të cilat më afrohet robi janë ato që ia kam obliguar.  Ai  vazhdon  të  më  afrohet  me  vepra vullnetare derisa ta dua, e, kur ta dua, Unë i bëhem  dëgjimi  me  të  cilin  dëgjon,  shikimi  me  të  cilin sheh,  dora  me  të  cilën  prek  dhe  këmba  me  të cilën  ecën.  Nëse  më  kërkon  diçka,  ia  jap  dhe, nëse më kërkon mbrojtje, e mbroj.” E shënon Buhariu [me numër 6502].

Pjesën që kam nevojë për të shpjeguar është: “Unë i bëhem  dëgjimi  me  të  cilin  dëgjon,  shikimi  me  të  cilin sheh,  dora  me  të  cilën  prek  dhe  këmba  me  të cilën  ecën”.

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut.

Kuptimi i kësaj pjese të hadithit është se kur robi besimtar përpiqet t’i afrohet Allahut duke kryer vepra të detyrueshme të adhurimit (farze), më pas edhe me vepra nafile, Allahu do ta afron atë më pranë Tij dhe do ta ngrejë nga niveli i imanit (besimit) në nivelin e ihsanit, kështu që ai do të fillojë ta adhurojë Allahun sikur ta sheh Atë, dhe zemra e tij do të mbushet me njohuri për Zotin e tij, dashuri dhe madhërim për Të, me frikë ndaj Tij, me dro dhe nderim.

Kur zemra e tij të jetë e mbushur në këtë mënyrë, çdo lidhje tjetër përveç Allahut do të zhduket dhe personi nuk do të jetë më i lidhur me ndonjë prej aspiratave dhe dëshirave të tija, përveç asaj që Zoti i tij dëshiron. Kështu që personi nuk do të flasë përveçse me përmendje të Allahut, ai nuk do të lëvizë përveçse me urdhr të Tij. Pra, kur ai flet, ai flet për Allahun; kur dëgjon, dëgjon për Allahun; kur të shikon, shikon për Allahu; dmth. ai vepron me ndihmën dhe udhëzimin e Allahut dhe për hir të Allahut në këto çështje. Pra, ai dëgjon vetëm atë që Allahu e do; ai shikon vetëm atë me të cilën Allahu është i kënaqur; ai vepron me duart e tij dhe ecën me këmbët e tij për qëllime me të cilat Zoti i tij është i kënaqur.

Nga ky hadith nuk kuptohet se do të thotë; Allahu është dëgjimi i tij dhe pamja e tij, dhe Allahu është dora e tij dhe këmbët e tija. I lartësuar qoftë Allahu nga kjo, sepse Allahu është mbi Fronin (Arshin) e Tij dhe Ai është i lartësuar mbi të gjitha krijesat e Tij. Përkundrazi, ajo që nënkuptohet është se Ai e udhëzon atë në dëgjimin e tij, në shikimin e tij, në ecjen dhe dorën e tij. Kështu është transmetuar në një version tjetër ku Allahu thotë: “për Mua ai dëgjon, për Mua sheh, për Mua ai prek me dorë dhe për Mua ecën,” do të thotë që Allahu e udhëzon atë në veprimet, fjalët, dëgjimet dhe shikimet e tija. Kjo është ajo që nënkuptohet nga ky hadith sipas Ehlu sunetit dhe xhematit. Në të njëjtën kohë Allahu i përgjigjet lutjeve të tija, kështu që nëse ai kërkon prej Atij, Ai do t’i jep; nëse ai kërkon ndihmën e Tij, Ai do ta ndihmojë atë; nëse ai kërkon strehim tek Ai, Ai do t’i japë strehim.[1]

Kushdo që e shpjegon me një domethënie tjetër përveç kësaj, është e gabuar dhe është duke shkelur kufijtë dhe tregon mosrespektim ndaj Allahut dhe ai kundërshton kuptimin e arabëve për gjuhën e tyre dhe për atë që kuptojnë ata me fjalë të tilla.

Shejh Ibën Uthejmin në (Mexhmu el-Fetava, 1/145 9) ka thënë: Siç e shihni se Allahu ka përmendur adhuruesin dhe Atë që adhurohet, atë që afrohet dhe Ai tek i cili afrohet, atë që do dhe Ai që është i dashur, atë që kërkon dhe Ai nga i Cili kërkohet, që jep dhe dhuron, atë që kërkon strehim dhe Një, të Cilit i kërkohet strehimi. Hadithi flet për dy që janë të dallueshëm nga njëri-tjetri, secili dallon prej tjetrit. Nëse është kështu, nuk mund të jetë kuptimi i dukshëm i fjalëve “Unë jam dëgjimi i tij, shikimi i tij, dora e tij dhe këmbët e tija” se Krijuesi është një pjesë ose një atribut i qenies së krijuar, i lartësuar qoftë Allahu nga kjo gjë. Përkundrazi, kuptimi i dukshëm dhe i vërtetë është se Allahu e udhëzon këtë rob në lidhje me dëgjimin, shikimin dhe dorën e tij, kështu që ai dëgjon thjesht për hir të Allahut, me ndihmën e Allahut, duke ndjekur urdhrat e Allahut. E njëjta vlen edhe për shikimin e tij, dorën  dhe ecjen e tij.

Islamq.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

[1] Xhami el-Ulum vel-Hikem, 2/347; Fetava Nur ala-Derb, kaseta 10, nga Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë.