MUAJI I TAKIMIT !

MUAJI I TAKIMIT !

0 1269

Zemra, e lodhur nga udhëtimi nëpër shkretëtirën e kësaj jete, është përmalluar ta gjejë ushqimin për ta vazhduar rrugën.

I rëndë i duket edhe hapi për të ecur, por ka dëshirë të vrapojë drejt qëllimit. Është etur për ujë duke qëndruar në mesin e kroit.

E do takimin që zemrën ta qetësojë dhe e do qetësinë që takimin përherë në zemër ta ketë.

I thellë është malli ta ndiesh bukurinë e së vërtetës duke qëndruar buzë ujit dhe duke mos pasur mundësi ta shuash etjen. Zemra, arriti të pajtohet ta durojë vuajtjen veç ta përjetojë kënaqësinë e takimit.

Kur syri e lëshoi lotin ta përshkojë faqen në zemër e ndezi ndjenjën e mallit. E kërkoi takimin e shpirtit me ushqimin e vet dhe e dëshiroi hijen për ta kuptuar nxehtësinë e diellit.

Zemra nuk e ndien urinë kur shpirti është i ngopur dhe shpirti që ushqehet me etje bëhet më i qëndrueshëm në synimin e vet. Kur pafundësia bëhet qëllimi i takimit, në jetë heshtja flet më shumë se fjala.

Flet malli i cili shkrihet nga përvëlimi, por sërish të ftohtë e ndien veten kur mungon bashkimi.

Flet dashuria për vuajtjen që ia shkakton i dashuri kur ekzistojnë lidhjet, por mungon takimi.

Dëshira që zemra të arrijë aty ku synon, hapave ua lehtëson vështirësinë e rrugës. Zemrës ia freskon jetën me flladin që fryn përmes faljes së takimit.

E dua takimin me Atë që është Falës dhe i Cili më mësoi faljen në këtë Muaj të Faljes dhe më lehtësoi rrugën, aty ku ka synuar të arrijë dëshira ime. Aty ku është takimi i përuljes sime me qëllim të ngritjes së Qëllimit të cilit i përulem. Aty ku syri e humbi dritën nga i dashuri, kurse besimi pikërisht nga i dashuri e mori dritën e bindjes.

Më munguan fjalët kur sprovat si dallgë deti vërshuan në zemrën time dhe falë ushqimit që shpirti e mori me vete, arrita të ngrihem. Arrita të qëndroj i uritur, jo ta shijoj urinë, por ta ushqej shpirtin, sepse Fjala që zbriti në këtë muaj ishte ushqim i mendjes e shpirtit.

Kur arrita ta privoj veten nga e lejuara, ndjeva paqe me veten, por kur durova një forcë, u habita se si aq të fortë më bëri durimi.

U përmallova sërish nga malli që zemra pëshpëriti e nxitur nga besimi, por që nxori në pah një dritë e cila u pasqyrua nga vepra. Zemra, e do takimin me ushqimin e dhimbjes për të tjerët, pasi atij që i dhimbsen të tjerët, veten e vë në shërbim të tyre, sepse niset t’u ngjitet vështirësive vetëm ai që pengesat në rrugë i tejkalon me urtësi. Vetëm ai që pluhurin e zemrës e pastron me lotin e syrit dhe jetën e zemrës e freskon përmes faljes.

Kur “uji” e kërkoi dritën për ta ndriçuar rrugën që ta gjejë Burimin, vërejti se etja nuk shuhet duke i mbajtur duart shtrirë drejt kroit, por vetëm duke e afruar ujin te buzët. Vetëm duke e kthyer mendjen drejt qëllimit e lehtë të duket uria në kohën me diell.

E dua takimin me dikë që e dua, që zemra mallin ta shuaj përmes syrit dhe shpirti përmes ndjenjës ta përjetojë kënaqësinë. Përmes etjes gjuhës t’ia ofrojë ujin dhe përmes urisë barkut t’ia jap ushqimin. Gëzimi që arriti të ndjehet kur zemra u nis drejt takimit, loti me pikën e fundit, mallin në çmallje e ktheu. E ktheu bindjen në besim për të duruar një urdhër, ku rezultoi ta shijoj kënaqësinë duke u përpjekur.

Zemra e cila më frymëzoi të mendoj qetë, më bëri kohën ta përthekoj me vepra të cilat janë ushqim për të. Më bëri ta durojë pritjen e gjatë që ta realizojë një takim të shkurtër. Më bëri ta kuptoj çastin i cili nëse kalon, nuk kthehet më. M’u duk ushqim i mjaftueshëm uria që kisha në udhëtim, kur e dija kë do ta takoj në ushqim.

Zemra, nuk deshi t’i afrohet pa dije, por deshi të dijë se kujt i afrohet. Me ç’rast pëshpëriti: “Aty ku për dikë ka ndarje, për tjetrin ka bashkim dhe aty ku për dikë ka lot, për tjetrin ka gëzim!”

Blerim Muhaxheri

albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM