Kur fillon Ramazani?!

Kur fillon Ramazani?!

0 3547

Shpallja e fillimit dhe e mbarimit të ramazanit, nuk është çështje e masës së gjerë apo e individit, por është çështje e autoritetit dhe përfaqësuesit musliman, vendimi i të cilit shkon dhe gjen pranim te kolektivi dhe komuniteti musliman.

Madje në jurisprudencën islame nënvizohet se, nëse trupi autoritativ i muslimanëve e refuzon dëshminë e një individi (që, me shikim të lirë e ka parë hënën e re), ky si individ obligohet (sipas shumicës së dijetarëve) që të agjërojë, mirëpo e ka të ndaluar që ta shpallë fillimin e muajit tek pjesa tjetër e komunitetit (duke përfshirë këtu edhe familjarët e vet), të cilët si kolektiv dhe tërësi janë të obliguar që të presin vendimin e autoritetit, i cili e ka fuqinë që, në këtë çështje madhore, t’i bëjë muslimanët bashkë (qoftë shumicën e tyre, siç e thekson Tirmidhiu duke treguar qëndrimin e Ehlu’l-hadithit), nën dritën e hadithit: “Agjërimi i juaj: atë ditë që e agjëroni” – si bashkësi, pra, agjëroni dhe festoni në vijë dhe frymë kolektive, e jo veçmas, e të ndarë! E, përkitazi me këtë çështje, Imam Ahmedi (sipas një transmetimi) – dhe mëpastaj Shejhu’l-Islam Ibn Tejmije, vlerësojnë se individi edhe nëse e sheh hënën e re, prapëseprapë duhet të ecë në të njëjtën vijë me komunitetin që e rrethon. Kurse për festën e fitrit – pra, Bajramin, dijetarët (në përjashtim të Imam Shafiut), nuk e vënë në diskutim se i gjithë komuniteti duhet të festojë bashkërisht dhe të gjithë duhet ta ndërpresin agjërimin.

Autoriteti mund të jetë një personalitet – si puna e sulltanit apo presidentit, mund të jetë një bashkësi islame – si rasti i vendeve tona, po mund të jetë edhe ndonjë organizatë apo union që ngërthen në vete xhami e shoqata të ndryshme islame – si rasti i pakicave islame në Perëndim, e kështu me rradhë.

Kjo normë është valide dhe e fuqishme pa marrë parasysh nëse individi e ka në konsideratë apo jo përllogaritjen astronomike, ngase edhe debati rreth shikimit të lirë të hënës apo përllogaritjeve astronomike, në të vërtetë, është debat me të cilin duhet të mirren vetëm shtresat e larta autorative muslimane – dijetarët dhe udhëheqësit, e asesi masa e gjerë.

Ramazan të begatë, e të pranuar!

Mirsim Maliqi

P.S.
Në vazhdimësi e theksova termin “autoritet”, që kështu të lë hapësirë të gjerë për përkufizimin e këtij trupi apo subjekti me ndikim, siç i dhashë disa opcione në paragrafin e fundit; kur Imam Ahmedi qe pyetur për autoritetin, ai tha shkurtas: “Ai që ka mundësi t’i bëjë njerëzit bashkë!”

Hadithi për shikimin e hënës – në parim – e ngarkon me këtë detyrë trupin autoritativ të Umetit, e paskëtaj individët, të cilët prapëseprapë duhet t’i kthehen dhe t’i referohen autoritetit dhe, pa miratimin e tij ata nuk u lejohet që të shpallin diçka publike në lidhje me fillimin apo mbarimin e ramazanit!

Ritet dhe adhurimet kolektive kanë dispozitat e tyre përkatëse, të cilat nuk lejohet që të shpërfillen!

Hoxhë Mirsim Maliqi