QËNDRIMI ULUR MES DY SEXHDEVE

QËNDRIMI ULUR MES DY SEXHDEVE

0 4336

Namazin e përbëjnë lëvizje dhe fjalë të caktuara, fillohet me tekbir dhe përfundohet me selam. Qëndrimi në këmbë, rukuja, kthimi nga rukuja, sexhdeja, qëndrimi ulur në teshehud janë disa nga veprimet në namaz. Çdo pjesë e namazit shoqërohet me dhikër të veçantë, qoftë lexim Kurani, tesbih apo lutje. Forma e lëvizjes së trupit në bashkëveprim me dhikrin përkatës duhet të motivojë ndjenja të veçanta të zemrës dhe kjo gjë i jep kuptim të thellë namazit.

Është vetëm një pjesë e namazit e cila veçohet me parashtrim të kërkesave (lutjeve) dhe ajo pjesë është qëndrimi ndërmjet dy sexhdeve. Është e vërtetë se lutjet mund të bëhen në sexhde dhe në fund të teshehudit – para selamit, mirëpo pasi të jenë kryer dhikret e veçanta. Kësaj pjese të namazit – qëndrimit ndërmjet dy sexhdeve – i Dërguari, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, i ka kushtuar rëndësi të madhe.
Imam Muslimi shënon fjalët e Thabitit nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili kishte përshkruar namazin e të Dërguarit duke thënë: “kur ngritej nga rukuja dhe drejtohej në këmbë qëndronte aq sa mendonim se ka harruar dhe kur ngritej nga sexhdeja qëndronte aq sa mendonim se ka harruar”. Ngjashëm me këtë ka shënuar edhe Imam Buhariu me fjalët “I Dërguari kur thoshte ‘semiallahu limen hamideh’ ngritej dhe qëndronte aq sa mendonim se gaboi (në namaz), pastaj binte në sexhde dhe qëndronte ndërmjet dy saxhdeve aq sa mendonim sa gaboi”
Ibën Kajmi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij ‘Zadul mead’ (1/230) thotë: “praktika profetike ishte të qëndruarit gjatë në këtë pjesë të namazit po aq sa qëndrimi në sexhde. Kjo është vërtetuar në të gjitha hadithet…” pastaj përmendi hadithin e Muslimit nga Enesi r.a. dhe shtoi: “këtë sunet shumica e njerëzve, pas sahabëve, e kanë braktisur”
Atëherë, çfarë e bën këtë pjesë të namazit të veçantë për parashtrim të kërkesave apo lutjeve?
E para: forma e të ulurit është forma e atij që kërkon me përulje.
E dyta: lutjet që bënte Profeti në të janë aq domethënëse dhe kuptimplote sa që përfshijnë gjithçka që i nevojitet njeriut në këtë dhe botën tjetër: “Allahummegfirli, verhamni, vexhburni, vehdini, verzukni, veafini verfa’ni” që d.m.th: “O Allah, më fal, më mëshiro, më plotëso çdo nevojë dhe më kompnezo (çdo dëm), më udhëzo, më furnizo, më shpëto (nga çdo gjë e keqe) dhe më ngrit (në të dy botët)”

Agim Bekiri
25, shaban, 1439 h.
11, maj, 2018
Mekë

GJITHASHTU NË ALBISLAM