Kur mbaron saktësisht këtu koha e syfyrit?

Kur mbaron saktësisht këtu koha e syfyrit?

0 3564

Pyetja: Kur mbaron saktësisht këtu koha e syfyrit. Allahu ju shpërbleftë?

Përgjigjja: Dije që koha e namazit të sabahut, me të cilin përfundon syfyri dhe  fillon agjërimi është agimi i cili quhet agimi i dytë. Allahu, subhanehu ue teala thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” (El Bekare, 187) Në këtë kohë horizonti i lindjes është i zbardhur edhe ne anën e djathtë edhe në anën e majtë, për dallim nga agimi i rrejshëm (agimi i parë) i cili paraqitet në formë të zbardhjes e cila është në mes të horizontit dhe ngritët lartë drejt mesit të qiellit si shtyllë. Agimi i rrejshëm është afro njëzet minuta para agimit të vërtetë me ndryshime të vogla varësisht nga stina. I dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:Agimi është dy lloj. Agimi në të cilin ndalohet ushqimi dhe lejohet falja e namazit të sabahut (agimi i vërtetë) dhe agimi në të cilin lejohet ushqimi dhe ndalohet namazi i sabahut (agimi i rrejshëm). (Transmetuan Bejhakiu dhe Hakimi prej Ibën Abbasit, radijallahu anhu. Albani thotë: hadithi është i saktë- Sahihul xhami’ nr. 4278).

Në një hadtit tjetër i Dërguari i Allahut e shpjegon se bardhësia e agimi të rrejshëm nuk shpërndahet në gjitha anët por drejt qiellit si shtyllë. (Bejhakiu prej Xhabirit dhe Albani thotë se hadithi në fjalë është i saktë-Es Silsile es Sahiha, nr. 2002)

Në shumë hadithe të Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, përmendet vlera e vonimit të syfyrit.

Duke e pasur këtë parasysh banorët e një vendi duhet të janë të sigurt kur fillon koha e  agimit të vërtetë dhe të fillojnë agjërimin prej asaj kohe. Nëse nuk kemi njerëz të ditur dhe besnik që këtë munden ta vërtetojnë atëherë na mbetet që tu përmbahemi imsakijeve që i përpilojnë Bashkësitë Islame duke e pasur parasysh se veprimet individuale, që pastaj përhapen pa maturi dhe urtësi, munden të ndikojnë negativisht tek masa e cila nuk ka dije fetare dhe të bëhen shkak për shpifje dhe sulme, pasojat e të cilëve munden të na dëmtojnë më shumë se sa të ndihmojnë në përhapjen e sunetit.

Allahu na ndihmoftë të jemi në rrugën e drejt dhe të kryejmë me përpikëri adhurimet tona.