Kur u bë farz (obligim) namazi? Si u falën muslimanët para se të bëhej obligim?

Kur u bë farz (obligim) namazi? Si u falën muslimanët para se të bëhej obligim?

0 4764

Pyetja: A është e vërtetë se namazi u bë obligim para natës së Israsë? A u fal i dërguari në atë mënyrë që ne falemi tani, me të njëjtin numër të rekateve? Kur u bë obligative namazi, në këto kohë dhe në mënyrën që ne falemi tani?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.

Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) hadithi i famshëm Israsë, se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Pastaj Allahu më shpalli atë që Ai më shpalli dhe më obligoi me pesëdhjetë namaze për çdo ditë e natë. U ktheva tek Musai (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe ai më tha: Çfarë urdhëroi Zoti yt për umetin tënd? Unë i thashë: Pesëdhjetë namaze. Ai tha: Kthehu te Zoti yt dhe kërkoi Atij që ta zvogëlojë atë … Unë vazhdoja të shkoj me radhë mes Zotit tim, i lartësuar, dhe Musait (paqja qoftë mbi të), derisa Ai tha: “O Muhamed , ato janë pesë namaze, çdo ditë dhe natë, për çdo namaz do të ketë dhjetëfish (shpërblim), dhe kështu janë pesëdhjetë namaze.”

Dijetarët janë pajtuar njëzëri se pesë namazet nuk u bënë të detyrueshme deri në këtë natë.

Hafidh Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Në natën e Israsë, një vjet e gjysmë para Hixhretit, Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) me pesë namazet e përditshme dhe shpjegoi kushtet, shtyllat e tyre dhe çdo gjë që kishte të bëjë me të, dal ngadalë.

Pastaj Xhibrili (alejhi selam) zbriti dhe i mësoi Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) kohët e namazeve:

Transmetohet nga Ibën Shihabi se; Omer ibën Abdul-Azizi e vonoi një ditë namazin, e hyri tek ai Urveh ibën Zubejri dhe i tha atij se Mugirah ibën Shubeh e kishte vonuar namazin një ditë kur ishte në Kufeh dhe Ebu Mes’ud el-Ensari hyri tek ai dhe tha: Ç’është kjo, O Mugire? A nuk e dini se Xhibrili zbriti dhe u fal, dhe me të u fal edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), pastaj u fal dhe me të u fal edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), pastaj u fal dhe me të u fal edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), pastaj u fal dhe me të u fal edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), pastaj u fal dhe me të u fal edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Pastaj i tha: Kjo është ajo me çfarë je urdhëruar. Omeri i tha Urves: Mendoe mirë atë që e flet, O Urveh! A është Xhibrili (alejhi selam) ai që e mësoi të Dërguari e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) për kohët e namazeve? Urveja tha: Kjo është ajo që Beshir ibën Ebi Mes’ud e transmetonte nga babai i tij.

Transmetohet se Xhabir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Xhibrili (alejhi selam) erdhi tek Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) kur dielli kishte kaluar zenitin e tij dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed. Fale namazin e drekës kur dielli të ketë ketë kaluar (dalur) nga zeniti. Pastaj ai priti derisa hija e një njeriu të ishte e barabartë me lartësinë e tij, atëherë ai erdhi tek ai për namazin e iqindisë dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale namazin e iqindisë. Pastaj ai priti derisa perëndoi dielli, pastaj erdhi tek ai dhe i tha: Ngrihu dhe fale namazin e akshamit. Ai u ngrit dhe e fali namazin në kohën kur dielli kishte perënduar plotësisht. Pastaj ai priti derisa muzgu të ishte zhdukur, pastaj ai erdhi dhe i tha: Ngrihu dhe fale namazin e jacisë, kështu që ai u ngrit dhe u fal … deri në fund të këtij hadithi ku thuhet: Ai (dmth. Xhibrili) ka thënë: Periudha midis dy kohërave është koha për t’u falur.

Abdurrazaku transmeton në Musanef-in e tij (1773) dhe Ibën Is’haku në Sirah – siç thuhet në Fet’h el-Bari (2/286) – se kjo ndodhi në mëngjesin pas natës në të cilën u bë obligim namazi.

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

(Dijetarët) nuk kanë mospajtim në lidhje me faktin se Xhibrili (alejhi selam) zbriti në mëngjes pas natës së Israsë, kur dielli e kalonte zenitin e tij dhe e mësoi Pejgamberin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi atë) për formën e namazit dhe kohët e tij.

Shejhul Islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Shpjegimi i Xhibrilit për kohët e namazit ishte në mëngjesin e parë pas natës së Israsë.

Për herë të parë u bënë obligim vetëm dy reqate, për çdo namaz, pastaj pas hixhretit kjo u konfirmua në rastin e udhëtimit dhe dy rekate u shtuan për ata që janë vendas, përveç namazit të akshamit, i cili mbeti ashtu siç ishte. Transmetohet se Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Namazi u bë farz dy reqate, pastaj, atëherë kur Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) emigroi, u urdhërua me katër reqate, por namazi gjatë udhëtimit mbeti si në fillim.

Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij faleshin edhe para se të bëheshin të detyrueshme pesë namazet e ditore.

Në librin (el-Mevsuah el-Fikhije) me numër (27 / 52-53) thuhet:

Namazi fillimisht ishte obliguar në Mekë në fillim të Islamit, sepse ekzistojnë ajete Mekase që u zbritën në fillim të profetësisë të cilat nxisin në faljen e namazit. Ndërsa pesë namazet e përditshme në formën që është e njohur, u bënë të detyrueshëm në natën e Israsë dhe Miraxhit.

Disa nga dijetarët janë të mendimit se namazi u bë obligativ që në fillim, dy reqate në mëngjes dhe dy reqate në mbrëmje.

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Një numër dijetarësh janë të mendimit se para Israsë nuk kishte asnjë namaz obligativ, përveç urdhërit për namaz të natës, pa caktuar ndonjë numër reqatesh. El-Harbi ishte i mendimit se namazi u bë farz; dy reqate në mëngjes dhe dy reqate në mbrëmje. Shafiu ka transmetuar nga disa dijetarë se namazi gjatë natës ishte obligativ, e që më pas u shfuqizua nga ajeti: “Pra recitoni ju Kur’anin sa më shumë që mund të jetë e lehtë për ju” Muzamil, 20. Pra, u bë e detyrueshme për t’u falur vetëm se një pjesë të natës. Pastaj kjo u shfuqizua nga pesë namazet e përditshme.

Ai gjithashtu tha:

I dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) padyshim që falej para Israsë, ashtu si edhe shokët e tij, por ekziston mospajtim në mendimin nëse ndonjë lloj namazi është bërë farz para pesë namazeve të përditshme ose jo?. Thuhet se farz në fillim ishte namazi para lindjes së diellit dhe namazi para perëndimit të diellit. Argument për këtë është ajeti në të cilin Allahu thotë: “dhe lavdëroje me falenderim Zotin tënd para lindjes së diellit, dhe para perëndimit të tij, dhe lavdëroje (Perëndinë) në orët e natës dhe në kohërat e ditës, për të qenë ti i kënaqur.” Ta-Ha, 130, dhe ajete të ngjashme.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM