MOS U DOBËSO

MOS U DOBËSO

0 1477

Mos  u dobëso

 

Ligj i Allahut në këtë botë është që mëkatarët të jenë në numër më shumë se sa respektuesit e Tij. Allahu thotë: “Në të vërtetë, një shumicë e njerëzve janë jashtë rrugës.”[1]

Allahu thotë: “Në qoftë se u bindesh shumicës (mohuese që janë) në tokë, ata do të largojnë ty nga rruga e Allahut.”[2] Po ashtu Allahu thotë: “E shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”[3]

Kur ti shohësh mëkatarët se janë shumicë kjo le të mos jetë shkak që ti të mos kapesh për fenë, shiko në të vërtetën dhe mos shiko në numrin e pasuesve, sepse Allahu e ka cilësuar Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi të, si ummet edhe pse ishte i vetëm. Allahu thotë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtarë i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.”[4]

Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ti je ummet edhe poqëse je i vetëm.”

Degjenerimi i madh në shumicën e rasteve ndikon te besimtarët, e si pasojë shpëtimi i vetëm është kapja pas fesë dhe ruajtja nga dobësimi në të, pasi që shikimi në veprat e të devijuarve duhet të të bëjë falënderues ndaj Allahut që të ka udhëzuar ty në mes të krijesave të Tij, ndërsa dikë tjetër pos teje e ka lënë në humbje. Përkujtoje çdoherë këtë begati të lartë mbi ty!

Po ashtu kjo ndoshta do të jetë arsyeja që ti të thërrasësh edhe të tjerët në fenë e Allahut.

Fudajl ibn Ijadi thotë: “Mos ano kah e pavërteta nga shkaku i pasuesve të shumtë të saj, si dhe mos u distanco nga pasuesit e të vërtetës nga shkaku se janë pak.”

Kur ta marrësh rrugën e të vërtetës, dije se të tjerët dëshirojnë të jenë si ti, mirëpo udhëzimi nuk arrihet me shpresa, prandaj falënderoje Allahun që ta ka begatuar ty me dritën e udhëzimit.

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

 

[1] Maide: 49.

[2] En’am: 116.

[3] Sebe: 13.

[4] Nahël: 120.

GJITHASHTU NË ALBISLAM