NUK HYN NË XHENET BARTËSI I FJALËVE

NUK HYN NË XHENET BARTËSI I FJALËVE

0 3088

HADITHI:

Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk hyn në xhenet bartësi i fjalëve.”[1]

KOMENTI:

Është një kërcënim i madh, bartës i fjalëve është për qëllim: ai i cili përcjell informata në mesin e njerëzve për të shkaktuar trazira e shpifje, që të përçan njerëzit e të ngjall armiqësi në mesin e tyre, ky llogaritet bartës i fjalëve (nemam), Allahu thotë: “dhe mos ju përul ti atyre që betohen (rrejshëm), e që janë të poshtër, lajkatarit dhe atë që transmeton fjalët për të keq.” Sureja Kalem, ajeti 10-11.

Bartja e fjalëve është prej mëkateve të mëdha, për të cilin mëkat njeriu dënohet në varr, siç është përmendur në hadith, kur i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, kaloi pranë dy varreve, tha: “Këta dy po dënohen, dhe nuk dënohen për ndonjë vepër të madhe; njëri prej tyre bartte fjalë mes njerëzve, e tjetri nuk ishte i kujdesshëm gjatë urinimit.”[2]

Kështu që ky hadith tregon se bartësi i fjalëve dënohet në varr, që është një kërcënim i madh, dhe në hadithin e lartpërmendur i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, tregoi se ai nuk hyn në xhenet, në shenjë kërcënimi për të, e nuk nënkupton se personi është jobesimtar, por, është një lloj kërcënimi dhe qortimi, hyrja e tij në xhenet mund të vonohet e të dënohet në zjarr për shkak mëkatit të madh, andaj muslimani duhet të largohet nga bartja e fjalëve.

Kanë thënë: Atë që bartësi i fjalëve e prish për një orë, magjistari nuk mund ta bëjë për një vit.

I dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, konsideroi bartjen e fjalëve si një lloj magjie, ngase kjo prish raportet mes njerëzve më shumë se sa mund të prish magjia, ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se ç’është sihri (magjia)? Ajo është bartja e fjalëve, fjalët mes njerëzve.”[3]

Bartja e fjalëve është një lloj i llojeve të magjisë nga aspekti që ajo shkakton prishje në një shoqëri sikur magjia, sikur që magjia shkakton armiqësi mes njerëzve, siç thotë për këtë Allahu: “Dhe njerëzit mësuan nga këta dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët – pa lejen e Zotit nuk mund t’i bënin dëm askujt.” Sureja Bekare, ajeti 102.

Shkaktojnë armiqësi mes burrit dhe gruas deri sa të ndahen, e të shkatërrojnë një çift bashkëshortor, që është pasojë e magjisë, njashtu bartësi i fjalëve mund të prish raportet mes një burri dhe gruas së tij, apo mes prindit dhe fëmijës së tij, mes të afërmve, apo mes muslimanëve, bile mund të ndezen luftëra për shkak bartjes së fjalëve. Kështu që rreziku i bartjes së fjalëve është i madh, për këtë Allahu kërcënoi se ai person nuk hyn në xhenet.

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I NJËZET E PESTË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Buhariu me numër (6056)

[2] E shënon Buhariu me numër (216 dhe 218) dhe Muslimi me numër (292)

[3] E shënon Muslimi me numër (2606).

GJITHASHTU NË ALBISLAM