Pika e lotit

Pika e lotit

0 1010

“Njeriu që kujton Allahun në vetmi dhe sytë i lotojnë” – (hadith)

Ky është njëri nga ata që do të strehohen nën hijen e Tij atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër.

Për të qenë njeriu në vetmi me Allahun, nuk ka nevojë të rezervojë një takim paraprakisht, përkundrazi, të gjitha kohët janë në dispozicion dhe ai bën zgjedhjen dhe vendos se kur, e Zoti Bujar pranon përgjërimet, lutjet e kërkim faljet në çdo moment!

Allahu është i madhëruar, i Lartësuar, atëherë kur njeriu bën përsëritjen e temës; kërkesës së njejtë, nuk ka nevojë të kërkojë falje për këtë, sepse Ai i do ata që insistojnë në lutje!

Allahu është afër çdo lutësi, Ai e di kërkesën e robit përpara se ai ta kërkojë atë! Sikur që nuk ka nevojë doemos të ketë një thurrje elegante, shprehje të stilit të lartë, dhe një argument bindës për të marrë përgjigje për kërkesën e shtruar; gjuha më e mirë që flet është gjuha e zemrës.

Allahu është i butë dhe i mëshirshëm, njeriu nuk do të turpërohet nëse sytë e tij lotojnë ose fjalët e tija belbëzojnë. Dobësia e njeriut para Allahut është forcë dhe krenari!

Allahu i do ata që kthehen e pendohen, ashtu që njeriu rrëfen mëkatet e tija pa pasur frikë nga pasojat e rrëfimit; Sepse Allahu dëshiron që njeriu të pranojë se e ka kryer atë vepër!

Më në fund, kur njeriu në vetmi kujton Zotin:

Momentet e tua të vetmisë mbarojnë, dhe nevojat e tua ti i ke vënë në duart e Tij, dhe ti vazhdon jetën, e Allahu rregullon për ty atë që është më e mirë dhe do të përmirësojë situatën e tanishme dhe fatin tënd në të ardhmen, ndërkohë që ti nuk e kupton.

Lum për ata që në vetmi Allahune kujtojnë!

Përgatiti: hoxhë Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM