SINQERITETI DHE GJURMA E TIJ NË JETËN E BESIMTARIT

SINQERITETI DHE GJURMA E TIJ NË JETËN E BESIMTARIT

0 6798

Çështje e rrezikshme të cilën e kanë anashkaluar shumë njerëz. Nëse mungon ose dobësohet  veprat tona shndërrohen në hi, bëhen të pavlefshme pa ndikim të prekshëm në realitetin njerëzor. Atëherë kur kjo çështje është e pranishme shihet qartë ndikimi i saj. Bëhet fjalë për sinqeritetin, për çiltërsinë e veprave.

Allahu, i Lartësuari na ka urdhëruar  me sinqeritet në praktikimin e fesë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit)” (El Bejjine, 5)

I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, na ka treguar qartë se Allahu, subhanehu ue teala, nuk pranon prej veprave përveç asaj që është e sinqertë dhe synohet me të kënaqësia e Allahut. Ebu Umame El Bahili, radijallahu anhu, rrëfen: Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti: Ai që kërkon shpërblim dhe të përmendet çfarë ka për të (prej shpërblimit)? I Dërguari u përgjigj: Asgjë. Pasi që tre herë e përsëriti të njëjtën pyetje, përgjigja ishte e njëjtë: Asgjë. Në fund shtoi: Allahu nuk pranon prej veprave përveç asaj që është sinqerisht për të dhe me të cilën synohet kënaqësia e Tij. (Transmeton Nesaiu dhe Albani e vlerëson si hasen).

Në një hadith tjetër kudsij të transmetuar nga sahabiu Ebu Hurejre, radijallahu anhu, Allahu subhanehu ue teala, thotë: Unë jam ai që më i panevojshmi për tu barazuar dikush me mua. Kush e bën ndonjë vepër në të cilën më barazon mua me dikë tjetër e lë atë dhe shirkun e tij. (Muslim)

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka shkruar: Ihlasi është vetë feja të cilën e pranon Allahu, subhanehu ue teala. Me këtë janë dërguar të parët dhe të fundit prej të Dërguarve, me detyrën e  ihlasit janë zbritur gjitha librat, gjithë imamët janë të pajtimit se ihlasi është thelbi i thirrjes pejgamberike. Ihlasi është boshti rreth të cilit sillet çdo çështje e fesë. (Et Tuhfe El Irakije)

Vepra e vogël në të cilën ka sinqeritet jep frytet e saj, shtohet dhe është e vazhdueshme. Në të njëjtën kohë vepra e madhe në të cilën janë investuar shumë mund dhe resurse, nëse nuk është e sinqertë, nuk i jep frytet e saj dhe nuk është e vazhdueshme. Është thënë: Ajo që është për Allahun do vazhdojë ndërsa vepra që nuk është për Allahun do të zhduket dhe nuk do të vazhdojë.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Puna pa sinqeritet dhe ndjekje te sunnetit është si njeriu që thesin e mbush me dhe e mban për së rëndi duke mos pasur dobi prej tij. (El Fevaid, 67)

Fudaj ibn Ijadi në komentin e ajetit: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë…” (El Mulk, 2) tha: Ajo është vepra më e sinqertë dhe më e saktë. Nëse vepra bëhet si duhet por nuk është e sinqertë nuk pranohet. Nëse është e sinqertë por nuk është e saktë nuk pranohet. E sinqertë është kur është për Allahun, e saktë është nëse është në pajtim me sunnetin. Pastaj e lexoi ajetin: “Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (El Kehf, 110)-Medarixhu Salikin, 2/93.

Mekhuli ka thënë: Ai që e ruan sinqeritetin dyzet ditë në gjuhën e tij do të shfaqen urtësitë nga burimet e zemrës.

Sinqeriteti ka frute të mëdha dhe dobi të shumëfishuara prej tyre janë:

Është kushti i pranimit të veprave dhe fjalëve

Është kusht i pranimit të lutjeve.

Sinqeriteti ngrit pozitën e njeriut në dynja dhe ahiret.

E largon njeriun nga cytjet dhe iluzionet.

E liron njeriun nga nënshtrimi ndaj tjetërkujt përveç ndaj Allahut.

Forcon lidhjet shoqërore.

Ndihmon në tejkalimin e vështirësive

Ndihmon në qetësimin e njeriut dhe i mundëson të shijojë lumturinë e vërtetë.

Lehtëson arritjen te bereqeti

Forcon imanin e njeriut dhe e vetëdijson për dëmin e shirkut dhe mëkateve.

Allahun e lusim për sinqeritet në fjalë dhe vepra, Ai dëgjon çdo gjë, sheh çdo gjë dhe u përgjigjet lutjeve që i bëjnë njerëzit.

www.alimam.ws

Përktheu: M-r. Talha Kurtishi

GJITHASHTU NË ALBISLAM