URTËSITË E AGJËRIMIT

URTËSITË E AGJËRIMIT

0 1386

Robër të Allahut, dijeni se Allahut tëLartësuar i takon gjykimi absolut dhe urtësia në atë që ai ka krijuar dhe e ka ligjësuar, Ai (Allahu) është i Urti, nuk i krijoi robërit e Tij për lojë, nuk i ka lënë ata për kotë dhe as që i ka detyruar me ligje  për kot, por i ka krijuar për një gjë madhore, ua sqaroi atyre rrugën e drejtë, i detyroi me ligje e urdhra me të cilat shtohet besimi, plotësohet adhurimi i tyre. E nuk ka asnjë adhurim (ibadet) të cilin e ka obliguar Allahu për robërit e Tij pos në të ka urtësi të mëdha, të cilat i ka kuptuar kush i ka kuptuar e nuk i ka kuptuar injoranti. Injoranca jonë, mosdija, moskuptimi i urtësisë së ndonjë ibadeti nuk është argument se ai adhurim është i mangët nga urtësitë, por gjithsesi kjo gjë është argument për pa aftësinë e mangësinë që kemi për të kuptuar urtësinë e Allahut të Lartmadhëruar, për këtë flet edhe fjala e Allahut: “dhe nuk u është dhënë juve nga dituria, vetëm se pak”. Isra 85.

Allahu i ka ligjësuar adhurimet, ka detyruar zbatimin e tyre nëpërmjet teksteve të Kuranit apo Sunetit të, të Dërguarit salallahu alejhi ue selem i ka rregulluar marrëdhëniet, si test që të qartësohet se kush është adhurues i Zotit e kush është adhurues i epshit të tij, kush i pranon këto urdhra e rregulla me zemër të hapur dhe shpirt të qetë është adhurues, rob i Allahut, i kënaqur me ligjin e Tij, që i jep përparësi adhurimit të Allahut para epshit së tij, e kush nuk i pranon adhurimet e as që pason rregullat,  vetëm në ato që i përshtaten dëshirës dhe egos së tij ai është adhurues i epshit të tij, i hidhëruar ndaj ligjit të Allahut dhe refuzues i adhurimi të Zotit. Epshin e tij e ka bërë prijës që duhet pasuar dhe dëshiron që ligji i Allahut të jetë pas dëshirës së tij, Allahu thotë: “A e ke parë ti atë, që epshin e vet e ka marrë për hyjni” A donë t’i bëhesh mbrojtës atij.”

Po ashtu Allahu thotë: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to. E megjithate që Ne atyre u sollëm (me këtë Kur’an) famën e tyre, ata u zbrapsën ndaj përkujtimit të vet”. Muminun 71

Nga urtësia e Allahut është që adhurimet i ka bërë të llojllojshme që të gjejnë pranim dhe të shkaktojnë kënaqësi tek njerëzit, dhe që Allahu ti pastrojë ata që kanë besuar. Është interesante se ka prej njerëzve që pajtohet me një lloj të adhurimi dhe i përmbahet atij dhe hidhërohet me një lloj tjetër dhe e neglizhon, nënvlerëson, anashkalon atë adhurim.

Allahu bëri disa adhurime të cilat lidhen me vepra të gjymtyrëve sikurse namazi, e disa që kanë të bëjnë me dhënien e pasurisë, që është e dashur për njeriun, sikur që është zeqati, e prej adhurimeve që ka të bëjë edhe me vepra me gjymtyrë edhe me shpenzim të pasurisë siç është haxhi apo xhihadi, e prej adhurimeve që ka të bëjë me pengimin e nefsit nga gjërat që i dëshiron dhe e tërheqin sikur që është agjërimi. Nëse robi i Allahu i kryen këto adhurime të ndryshme, i realizon ato në formën e kërkuar pa teprim e as neglizhencë, lodhet për to, vepron, mundohet për gjërat që i dëshiron dhe ndalet e pengohet nga ato gjëra që ia dëshiron nefsi në shenjë respekti dhe zbatimi të urdhrit të Tij, i kënaqur me ligjin e Allahut, është argument për adhurimin e tij të plotë, për bindjen, nënshtrimin, dashurinë për Zotin, për ta madhëruar Atë.

Nëse kjo gjë është e qartë, atëherë agjërimi ka urtësi të shumta si rezultat i të cilave është bë që të jetë obligim prej obligimeve të islamit dhe një rukn (shtyllë) prej shtyllave të tij.

Pre urtësive të agjërimit fillimisht mund të përmendim se agjërimi është adhurim, ibadet për Allahun e Madhëruar, me të cilin afrohet robi tek Zoti duke lënë gjërat e dëshiruara si ushqimet, pijet e marrëdhëniet intime, me këtë shfaq sinqeritetin dhe vërtetësinë e besimit të tij, adhurimin e plotë, dashurin e fortë për Allahun dhe shpresën që ka tek Ai për të fituar shpërblimin.

Ngase njeriu nuk i le gjërat e dashura për të, vetëm për hir të dikujt që është më i madh tek ai se sa ato gjëra. E kur besimtari të din se kënaqësia e Allahut gjatë agjërimit është me lënien e epsheve, i jep përparësi kënaqësisë së Zotit para epshit të tij, për atë shumica e besimtarëve po nëse rihet po edhe burgoset vetëm se ta prish agjërimin qoftë edhe një ditë të Ramazanit pa arsye nuk e prish. E kjo është një urtësi pre urtësive më të mëdha të agjërimit.

Prej urtësive tjera është se agjërimi është shkak i devotshmërisë, siç thotë Allahut i Lartmadhëruar: “O ju që keni besuar, u është bërë obligim agjërimi ashtu siç ka qenë obligim për ata para jush, që të bëheni më të devotshëm”.Bekare 183

Agjëruesi është i urdhëruar ti veproj adhurimet e të largohet nga mëkatet, sikur që ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “Kush nuk e le gënjeshtrën, të vepruarit me të, Allahu nuk është i nevojshëm që ai të le ushqimin e pijen”. E transmeton Buhariu.

Kur agjërues është i veshur me agjërim ai çdo herë që i vije ndërmend të bën një mëkat kujton se është agjërueshëm dhe ndalohet nga mëkati, për atë i dërguari salallahu alejhi ue selem ka urdhëruar që agjëruesi të përgjigjet për atë që e fyen apo e shanë të thotë: “Unë jam njeriu që agjëroj”. Për të pas kujdes se agjëruesi është i urdhëruar të abstenon nga sharja e fyerja, dhe ta përkujton veten se ai është i veshur me agjërim e duhet ndaluar nga kundërpërgjigjja me sharje e fyerje.

Prej urtësive është se zemra pasurohet me meditim dhe përmendje të Allahut, ngase pasimi i epsheve sjell shkujdesin, ndoshta edhe ngurtëson zemrën dhe e verbëron ndaj hakut, për atë i dërguari salallahu alejhi ue selem ka udhëzuar për pakësimin e ushqimit dhe pijes, dhe ka thënë: “Nuk ka mbushur biri i Ademit enë më të keqe se sa barkun e tij, i mjaftojnë atij disa kafshata që do ta mbajnë, e nëse është me doemos atëherë një të tretën për ushqim, një të tretën për pijë dh enjë të tretën për frymëmarrje”. Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe ibn Maxhe.

Në sahihun e Muslimit shënohet se Handhale Esedij që ishte prej shkruesve të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, një ditë i tha të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Handhaleja është bërë mynafik dyfytyrësh? Pra i thoshte për veten e tij, e i Dërguari salallahu alejhi ue selem i tha: Për çfarë? I tha: “O i dërguar i Allahut kur jemi me ty, na e përkujton zjarrin dhe xhenetin sikur ta shohim me sytë tanë, e kur të largohemi prej teje preokupohemi me gratë e fëmijët dhe gjëra që të humbin kohën e harrojmë shumë. Atëherë i Dërguari salallahu alejhi ue selem i tha: “Betohem në Atë që shpirti im në dorën e Tij nëse ju do të vazhdonit ashtu siç kur keni qenë tek unë do t’u përshëndetshin melaqet për dore kur ju jeni të lirë apo të zënë me punë, mirëpo o Handhale një çast kështu e një çast ashtu”.

Ebu Sulejman Darani ka thënë: “Nefsi kur të ndjen uri apo etet, zemra pastrohet dhe zbutet e kur ngopet zemra verbërohet.”

Prej urtësive të agjërimi është se i pasuri kupton madhështinë e dhuntisë së Allahut për pasurinë që ia ka dhënë, që Allahu e ka begatuar atë me ushqim, pije e familje që shumë prej krijesave janë privuar nga ato të mira, e falënderon Allahun për dhuntinë dhe këtë mundësi që ia ka dhënë, e të kujton vëllanë e tij që është i varfër i cili ndoshta fle i uritur e ai i jep lëmoshë me çka ai do të mbulon trupin e tij dhe të ndal urinë. Andaj i Dërguari salallahu alejh iue selem ishte më bujari prej njerëzve dhe ishte edhe më bujar gjatë Ramazanit kur e takonte Xhibrilin i cili ia mësonte Kuranin.

Prej urtësive të agjërimit është ushtrimi i përmbajtjes dhe kontrollimit së nefsit, fuqia për ta frenuar atë, që të mundet ai ta udhëheq atë në gjëra që janë mirësi dhe lumturi për të, ngase nefsi është tërheqëse e nxit kah e keqja pos atij që Allahu e ka mëshiruar dhe e ka mbrojtur.

Ta ndal nefsin e tij nga mendjemadhësia deri sa ti nënshtrohet të vërtetës dhe të bëhet i butë me krijesat.

Prej urtësive të agjërimit është se damarët e gjakut ngushtohen për shkak të urisë dhe etjes, e me këtë ngushtohet qarkullimi i shejtanit nëpër trup, ngase shejtani qarkullon nëpër damarët e gjakut siç citohet edhe në hadithin që gjendet në dy sahihët, e me agjërim heshtin cytjet e shejtanit e thyhet intensiteti i epshit dhe nevrikosjes. Për atë i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju të rinj kush  ka mundësi prej jush të martohet le të martohet, ngase kjo e ul shikimin dhe mbron nderin, e kush nuk ka mundësi le të agjërojë, kjo për të është mbrojtje”. Mutefekun alejhi.

Po ashtu urtësi e agjërimit janë edhe dobitë shëndetësore të cilat i sjell agjërimi duke pakuar ushqimin, dhe lehtësimin e sistemit të tretjes për një periudhë të caktuar dhe të depozitimit të disa yndyrave dhe mbeturinave të dëmshme për trupin, etj. A ka urtësi më të madhe të Allahut, ligje më të dobishme për krijesat?

Allahu na bëftë ta kuptojmë fenë dhe urtësitë e fshehtësitë të ligjeve të tij, të na përmirësojë neve punët e fesë e të kësaj bote, të na falë neve prindërve tanë dhe gjithë myslimanët, me mëshirën e Tij, vetëm Ai është Gjithëmëshirshmi Mëshiruesi. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguari e fundit.

Muhamed ibn Salih Uthejmin

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM