VLERA E NAMAZIT TË NATËS

VLERA E NAMAZIT TË NATËS

0 7064

” Ata, kanë fjetur pak natën (duke iu lutur Allahut), po dhe në agim kërkonin falje.” (Dharijat: 17-18).

Ky është përshkrim i bamirësave nga ana e Allahut,- xhele veala.

Transmetohet nga Muaxhahidi dhe Katadeja,- Allahu qoftë i kënaqur me ta!,- se kanë thënë: “Ata ishin të cilët nuk flenin natën (bënin ibadet) deri në mëngjes”.

Transmetohet nga Ibn Abasi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: “Nuk ndodhte asnjëherë atyre t’u kalonte nata deri në mëngjes e që mos ta merrnin një pjesë të natës për të bërë ibadet (namaz)”.

Duke i përshkruar robërit e Tij të sinqertë, Allahu,- xhele ueala thotë: “Dhe ata që e kalojnë natën duke i bërë sexhde Zotit të tyre, dhe duke ndenjur në këmbë.” (Furkan: 64).

“Pjesët e trupit të tyre ngriten nga shtrati (për t’u falur); i luten Zotit të tyre duke druajtur dhe shpresuar, dhe japin (lëmoshë) nga ajo që u kemi dhënë Ne.” (Sexhde: 16).

Allahu, pasi përmendi këtë adhurim madhështorë, pastaj përmend edhe shpërblimin e këtij adhurimi nga Allahu,- xhele ueala: “Askush nuk di se çfarë gëzime të fshehta janë për ta – shpërblimi për atë që kanë punuar.” (Sexhde: 17).

Pasi këta robër të Allahut i fshehën veprat e tyre dhe e shfrytëzuan natën si mbulesë e veprave të tyre, atëherë edhe Allahu ua fshehu shpërblimin për t’ua bërë befasi (në ditën kur ta takojnë Zotin e tyre).

Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- thotë: “Namazi më i preferuar (më i mirë) pas namazit të caktuar (farz) është namazi i natës”.

(Shënuan; Muslimi: 8/55(në kapitullin e agjërimit), Ebu Davudi: 2412(në kapitullin e agjërimit), Tirmidhiu: 2/227(në kapitullin e namazit dhe Nesaiu: 3/207(në kapitullin e namazit të natës).

Transmetohet nga Aisheja,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: ”Ishte pejgamberi alejhi selam, ai i cili kur e falte namazin e jacisë i fatle edhe njëmbëdhjetë rekate deri në mëngjes. Jepte selam pasi falte dy rekate dhe në fund e falte vitrin një rekat.”

(Shënuan: Buhariu: 7/3(kapitulli mbi namazin e natës) dhe Muslimi: 6/16(kapitulli mbi namazin).

I treguan njëherë të Dërguarit të Allahut se një njeri e kalon tërë natën në gjumë, deri në mëngjes, atëherë pejgamberi alejhi selam, tha: “Këtij njeriut shejtani i ka urinuar në veshët e tij.” (Shënuan: Buhariu: 3/34(kapitulli mbi namazin e natës) dhe Muslimi: 6/63,64(kapitulli mbi namazin e udhëtarit, musafirit).

Transmetohet nga Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se i Dërguari i Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Shejtani ia lidhë tre nyje secilit nga ju në kokë, në momentin kur vjen koha e gjumit. Tek secila nyje shejtani thotë: Bëje një gjumë të thellë, sepse para vetes tënde ke një natë të gjatë. Nëse zgjohet ndonjëri nga ju dhe e përmend Allahun, në atë moment njëra nga nyjet zgjidhet. Nëse merrë abdes, i zgjidhet nyja e dytë dhe nëse pas abdesit falë namaz i zgjidhet edhe nyja e fundit e shejtanit (e treta). Nëse vepron kështu, ky njeri do të zgjohet i lumtur dhe do të jetë i disponuar. E nëse zgjohet dhe nuk i vepron, atëherë do zgjohet i dëshpëruar dhe dembel”.

(Shënuan: Buhariu: 3/30(kapitulli mbi namazin e natës), dhe Muslimi: 6/65,66(kapitulli mbi namazin e udhëtarit).

Thuhet për Abdullah Ibn Mes’udin,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se kur vinte koha e gjumit (mbrëmja) dhe njerëzit binin nè gjumë, ai çohej dhe duke falë namaz (tërë natën) deri në mëngjes dëgjohej prej tij një zë sikurse zhurma e bletës.

I është thënë Hasanit,- Allahu qoftë i kënaqur me të: “Si është puna me njerëzit që kalojnë natën në namaz duken sikur të jenë ata njerëzit me fytyra më të bukura? Hasan el Basriu i tha: Ata duken kështu , sepse ata u vetmuan me Mëshiruesin (Allahun) dhe Ai u dha dritë nga drita e Tij”.

Gjithashtu Hasani ka thënë: “Me të vërtëtë njeriu mund të privohet nga namazi i natës si shkak i mëkatit të vepruar”.

Dikush e pyeti njërin nga njërzit e mirë: “Nuk mundem të fali namaz nate, më trego ilaçin? Njeriu i mirë, iu përgjigj: Kujdes, mos bën mëkate ndaj Allahut ditën e Allahu të zgjon natën”..

Transmetohet se Sufjan eth Theuriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Jam privuar pesë muaj rreshtazi nga falja e namazit të natës, si shkak i një mëkati që kam vepruar.”

Abdullah ibn Mubareku,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Dhe kur nata errësohet të gjithë pothuajse flejnë e pushojnë. Përveç një grupi të veçant, të cilët kalojnë natën në ibadet (namaz nate) deri në orët e para të mëngjesit. Edhe ata kishin nevoj për pushim natën, mirëpo frika dhe dashuria ndaj Allahut atyre ua humbi gjumin dhe kaluan natën të vetmuar para Allahut. Kurse, të tjerët të cilët e ndien vetën të sigurtë nga denimi dhe zjarri i xhehenemit, kaluan gjitha netët në gjumin e rëndë dhe të thellë deri në orët e para të mëngjesit.”

Ebu Sulejman ed Darani ,Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Ata të cilë kalojnë natën në adhurim, kënaqen më shumë sesa njerëzit të cilët kënaqen me dëfrimet e tyre. Po mos të ishte nata nuk do doja të jetoja në këtë dynja”.

Ibn Munkediri,-Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Nuk ka mbetur asgjë nga kënaqësitë e kësaj dynjaje, përveç tre gjërave: Namazi i natës, takimi me vëllezërit dhe namazi kolektiv (me xhemat).

Autor: Ahmed Ferid

Nga arabishtja: Suad Burhan Shabani.

GJITHASHTU NË ALBISLAM