Arhiva DitoreSep 19, 2014

0 2410

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, i Cili dhuron atij që do udhëzimin në besim, dhe dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush pos Allahu i Cili është Një dhe pa rival dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij, e dërgoi me udhëzim dhe fe të drejtë në prag të Kiametit si përgëzues e kërcënues, thirrës në rrugën e Allahut pishtar ndriҫues, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

O ju njerëz keni frikë Allahun e Madhëruar dhe dijeni se dhuntia më e madhe të cilën e arrinë njeriu është udhëzimi në besim (të drejtë), luteni Allahun që tua bën të dashur juve imanin dhe ta zbukuron në zemrat e juaja, e të bën ta urreni mosbesimin, shfrenimin e mëkatin. Besimi nuk është vetëm sa për ta dalluar dhe shpresuar, por është bindje që ngulitet në zemrat dhe e vërtetojnë veprat. Imani (besimi) është thënie me gojë, bindje me zemër dhe vepër me gjymtyrë, shtohet me adhurime dhe pakohet me gjynahe, i ka gjashtë kushte: Besimi në Allahun, melaiket, librat, pejgmberët, ditën e Fundit dhe në caktimin e tij të mirë apo të keq. Poashtu imani ka shenjat e tij, i ka shtatëdhjetë e disa degë, më e larta është dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush pos Allahut dhe më e ulëta është të larguarit e një pengese nga rruga, edhe turpi është një prej dëgëve të imanit.

Allahu i Madhëruar i thërret besimtarët në shumë ajete Kuranore, i urdhëron dhe i ndalon ata, ngase besimi i shtyn ata të veprojnë urdhërat dhe të largohen nga ndalesat, ngase ai i cili shpreh me gjuhën e tij se është besimtarë, mirëpo nuk vepron atë që ka urdhëruar Allahu, e as që largohet nga ajo që ka ndaluar Ai, ai është gënjeshtar në pretendimin e tij dhe thirrjen si besimtarë.

Allahu thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar All-llahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen ta mashtrojnë All-llahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë.” Bekare, 8-9.

Besimi është nxitës i veprave të mira dhe virtyteve të larta, Allahu thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin.” Enfal, 2-3.

Besimi i përmirëson veprat dhe i bën ato të jenë të pranuara tek Allahu i Madhëruar, Allahut thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” Nahl,97.

Dhe e kundërta, nuk pranohet me pabesim asnjë vepër sado që të jenë ato vepra të shumta. Allahu thotë: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” Furkan, 23.

Besimtarët janë ata të cilët gjykojnë gjatë hasmërive dhe kundërshtimeve me Librin e Allahut dhe sunetin e të dërguarit : “Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe respektuam!” Të tillët janë ata të shpëtuarit.” Nur, 51.

Ndërsa jobesimtarët dhe munafikët refuzojën gjykimin e Allahut dhe të dërguarit, refuzojnë të gjykohen me to dhe dëshirojnë të gjykohen tek djajt dhe kanunet njerëzore, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata (hipokritët) thonë: “Ne i kemi besuar All-llahut, të dërguarit të Tij, dhe u jemi bindur. Por pas asaj, një grup prej tyre zbrapsën. Të tillët nuk janë besimtarë. E kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë All-llahu dhe i dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjen asaj.” Nur, 47-48.

Poashtu Allahu thotë për ta: “i vure re ata që mendojnë se besuan atë që të zbriti ty, dhe atë që zbriti para teje, se si dëshirojnë që mes tyre të gjykojë djalli, e duke qenë se janë të urdhëruar që të mos e besojnë atë. E djalli dëshiron t’i humbë në pafundësi. Kur u thuhet atyre: “Ejani (për të gjykuar) te ajo që e zbriti All-llahu dhe te i dërguari!” i sheh se si dyfytyrëshit ta kthejnë shpinën.” Nisa, 60-61.

O robër të Allahut, në kohën tonë kemi njerëz që dëshirojnë besim vetëm për emër, dëshiron besim pa vepra, besim pa namaz e as zeqat, as agjërim e as haxh, bile dëshiron iman pa teuhid e as akide, dëshiron besim me adhurimin e varreve, pllakave të evlijave dhe njerëzve të mirë. Dëshiron iman me gjykimin e kanuneve dhe djajve në zgjedhjen e hasmërive dhe kundërshtimeve, ndërsa për të realizuar besimin e drejtë duhet mohuar besimin në djallin. Allahu thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Eshtë sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues i dijshëm.” Bekare, 256.

Poashtu për të qenë adhurimi i pranuar duhet që të mos i besohet djallit, Allahut thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm All-llahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Nahl, 36. Poashtu thotë: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send” Nisa, 36.

Robër të Allahut, disa gjynahe nuk e shkatërrojnë imanin mirëpo e mangësojnë dhe e dobësojnë atë, duhet që besimtari të largohet nga gjitha mëkatet për të ruajtur besimin e tij, të mos tradhton në marrëdhëniet, as të pëlcet gjatë mosmarëveshjes, nuk gënjen gjatë të folurit, nuk e then premtimin, nuk tradhton në amanet, nuk e then afatin, nuk përgojon dhe nuk mirret me bartjen e fjalëve, largohet nga përfitimi i ndaluar, nuk mirret me kamatë, nuk merr ryshfet dhe nuk keqpërdorë pasurinë e jetimit, ngrit veten nga gjërat e nënçmuara, nuk fyen e as nuk shan, ngase besimtari nuk është akuzues, as mallkues, as sharës as që fol pistë, por e dëshiron për vëllaun e tij besimtarë atë që dëshironë për vete, sillet mirë me kundërshtarin duke vepruar me fjalën e Allahut: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj” Huxhurat, 10.

Ndjenë dhimbje kur vëlezërit e tij besimtarë kanë dhimbje, vepruar sipas hadithit të të dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën e ndërsjellë, është sikur shembulli i një trupi, nëse një vetëm një organ i tij ankohet, atëherë i gjithë trupi pason pagjumësi dhe dhimbje”.

Poashtu prej virtyteve të besimtarëve është falënderimi në gjendje të rehatshme dhe durimi në gjendje të vështirë, i dërguari salallhu alejhi ue selem ka thënë: “E quditshme është gjendja e besimtarit, e gjithë çështja e tij është mirësi, e kjo nuk është për askend tjetër pos besimtarin, nëse e godet një gjë që e gëzon falënderon (Allahun) dhe kjo është mirësi për te, dhe nëse e godet një gjë e keqe bën durim dhe kjo është mrësi për te”.

O ju besimtarë sikurse gjynahet mangësojnë dhe dobësojnë besimin poashtu edhe adhurmiet shtojnë dhe përforcojnë imanin. Allahu thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” Enfal, 2. Poashtu thotë: “Ai është që në zemrat e besimtarëve dhuroi qetësinë për ta shtuar ata bindjen në besimin e vet që kishin. Ushtritë e qiejve e të tokës janë vetëm të All-llahut, e All-llahu është shumë i dijshëm dhe shumë preciz.” Fet’h, 4.

Pra imani shtohet me leximin e Kuranit, me kryerjen e adhurimeve, ndejat me të mirët dhe shtohet me përmendjen e Allahut. Allahu thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” Rad, 28.

Kujdesuni o robër të Allahut për atë që e përforcon besimin e juaj dhe ngritë shkallët e jauja. Kërkoj mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” Bekare, 177.

Përktheu: Shpend ZENELI

0 5776

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia ndaloi Vetes bërjen e padrejtësisë dhe po ashtu e bëri të ndaluar në mesin e robërve të Tij. Falënderimi i takon vetëm Allahut që iu kërcënua zullumqarëve me mallkim dhe me dënim  të dhembshëm në dynja dhe ahiret. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. I cili na parandaloi nga veprimi i padrejtësisë dhe na lajmëroi se mes duasë së të dëmtuarit dhe Allahut nuk ka pengesw. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju vëllezër besimtarë,

Frikohuni Allahut dhe largohuni padrejtësisë. Çdo ditë dëgjoni për përfundimet e zullumqarëve dhe shikoni me sytë e juaj se çfarë ndëshkime u dërgon Allahu atyre dhe familjeve të tyre duke ua shkatërruar pasuritë, shtëpitë dhe duke ua  zhdukur gjurmët sikur se të mos kishin qenë prezentë asnjëherë më herët. Këto pamje le të mbeten mësim për ju, i lumtur është ai i cili merr mësim prej të tjerëve.

Padrejtësia ndahet në tre lloje:

Lloji i parë: Padrejtësia mes robit dhe Zotit të tij, e ajo është shirku. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Llukman 13. Këtë lloj padrejtësie Allahu e falë vetëm se me pendim të sinqertë. Në rast se robi vdes pa u penduar prej këtij mëkati Allahu nuk do t’ia falë asnjëherë në ahiret. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij”. Nisa 48, dhe “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës”. Maide 72.

 

Lloji i dytë: Padrejtësia që ia bën njeriu vetvetes me veprimin e mëkateve duke e përjashtuar këtu shirkun. Në këtë rast njeriu është vet shkaktar për fitimin e   zemërimit dhe dënimit të Allahut ndaj tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. Tehrim 6. Ky lloj i padrejtësisë është nën vullnetin e Allahut, nwse të donë ia falë robit të Tij e nwse donë e dënon. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. Nisa 48.

 

Lloji i tretë: Padrejtësia mes njerëzve, duke ia cenuar njëri tjetrit shenjtërinë e gjakut, nderit dhe pasurisë. Ky lloj i padrejtësisë nuk falet, përveç se kur donë ta falë ai që i është bërë padrejtësi. Në rast se i dëmtuari nuk dëshiron që t’ia fal dëmbërësit, atëherë i jepet mundësia të kërkon që dëmbërësi të dënohet në dynja dhe ahiret.

 

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e shënon një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do tw hakmerreni Ditën e Kiametit mes veti (dëmbërësi do t’i kthejë padrejtësitë me dhurimin e të mirave tek i dëmtuari dhe do t’i marrë të këqijat), derisa edhe kafshët do të hakmerren mes veti, delja pa brirë do të hakmerret ndaj deles me brirë”.

 

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith tjetër prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ”Kush i ka bërë një padrejtësi vëllait të vet në nderin e tij a diku tjetër, le t’i kërkojë falje atij për sot, para asaj kur nuk do të ketë dinarë e as dërhemë: por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum)”.

 

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, po ashtu e shënon një hadith tjetër prej Ebu Hurejrws, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” I thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para, as mall”. Tha: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me zekat, me agjërim dhe vjen me mëkatin e sharjes së një personi, me shpifje të një tjetri, me ngrënien e pasurisë së një tjetri, me gjakderdhjen e një personi, me rrahjen e një tjetri, kur t’u jepen atyre prej veprave të mira të këtij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj ky do të hidhet në zjarr”.

 

O ju musliman, nuk lejohet marrja e pasurisë së muslimanit përveç se me lejen dhe me dëshirën e plotë të tij. Shenjtëria e pasurisë së muslimanit është e barabartë me shenjtërinë e gjakut dhe nderit të tij, prandaj nuk të lejohet marrja e pasurisë dhe banimi në shtëpinë e tij pa lejen dhe dëshirën e tij. Profeti, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: ” Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e gjykimit)”.

 

Disa prej njerëzve mendojnë se gjykimi i sunduesit apo gjyqtarit në favor të tij kundër vëllait të vet musliman ia jep të drejtën që t’ia merr pasurinë apo t’ia largon vetes përgjegjësinë e marrjes së asaj pasurie. Kjo është gabim. Gjyqtari është njeri i cili mund të gabon dhe t’ia qëllon, por ti në rast se e din se nuk je meritor për atë pasuri detyrohesh që të largohesh prej saj. Ky është i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,i cili u thoshte njerëzve: “Vërtet unë jam njeri, ju në konfliktet tuaja më drejtoheni mua. Është e mundshme që ndonjëri prej jush është më i aftë që t’i shtrojë argumentet e veta dhe unë të gjykoj në dobi të tij, sipas asaj që kam dëgjuar. Andaj kujt t’ia shqiptoj të drejtën e vëllait të tij, vërtet ia kam shkëputur një pjesë të zjarrit (të Xhehenemit)”.

Ky hadith është prej argumenteve më të qarta se gjykimi i gjykatësit nuk e bën të ndaluarën hallall dhe nuk mundet të jetë arsye për zullumqarin që nëpërmjet këtij gjykimi ta arsyeton marrjen e pasurisë së huaj. Profeti, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e padit tjetrin në të kotë dhe e dinë atë, do të jetë Allahu i zemëruar me të derisa ta largon atë padi”.

 

Zullumqari i cili fshihet pas kësaj “perdeje” po t’ia kishte marrë ndokush pasurinë e tij me të njëjtin pretekst do t’i vinte shumë keq, do të ndjente në vete dhembje, do të kërkonte prej gjyqtarit që përsëri ta rishikon çështjen e tij dhe do ta rriste zërin twrw ditën e natën kundër atij që i ka bërë padrejtësi.

 

Prandaj, o ju robër të Allahut frikojuni Allahut dhe frikojuni padrejtësisë dhe të gjitha llojeve të saj dhe dijeni se padrejtësia Ditën e Kiametit do të shumëfishohet: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes)“. Shuara 227. Përfundimi i zullumqarëve është i keq, dënimi i tyre në ahiret është me zjarr të xhehenemit dhe Allahu u kërcënohet me mallkim dhe me dënim të dhembshëm. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët”. Hud 18, dhe “Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)“! Kehf 29.

 

Hutbeja e dytë

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ti njeri i padrejtë e dëmbërës, mos mendo se Allahu nuk do të hakmerret dhe nuk do të ndëshkon për ato padrejtësi e dëme që ua ke bërë njerëzve, të cilët nuk gdhihen në mëngjes vetëm se të zemëruar prej teje dhe nuk flenë natën vetëm se duke bërë dua kundër teje. Dije se duaja e të dëmtuarit ngrihet mbi qiej dhe mes saj dhe mes Allahut nuk ka hixhab: ” Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!”. Fexhër 6-14.

 

Mjerë për ata që bëjnë padrejtësi ata janë të humbur në dynja, ndërsa në ahiret i pret dënim i dhembshëm. Do të kërkojnë ndihmë që t’ju lehtësohen vuajtjet, mirëpo nuk do t’ju përgjigjet askush. Për ta nuk do të ketë pushim, nuk do të ketë rehati, nuk do të ketë ndihmës dhe mëshirë, për ta do të ketë vetëm se dënim dhe dënim. Do të pendohen prej veprave të tyre dhe do t’ju rrjedhin lot si lumenj kur do t’ju kujtohen padrejtësitë dhe dëmet që ua bënin njerëzve, mirëpo ky pendim do të jetë i shumë vonuar.

O ju musliman,

 

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.” Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim. Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah. Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari. Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur! Ibrahim 42-52.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

0 2393

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

Vëllezër besimtarë,

Allahu kur i përshkruan besimtarët prej robërve të Tij thotë: “Dhe kur dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”. Kasas 55.

O ju musliman, me llomotitje nënkuptojmë të folurit kot, dërdëllisje dhe preokupim me diçka prej të cilës nuk ka dobi. Allahu na urdhëroi që të shmangemi prej saj dhe e ndaloi rënien në të duke na bërë me dije se ajo njeriun e largon prej gjërave të dobishme dhe prej qëllimit të krijimit të tij i cili është adhurimi i Allahut të Lartësuar. Për këtë shkak të shmangurit prej llomotitjes, fjalëve të kota, gjepurave dhe dërdëllitjeve është një prej argumenteve të përsosura dhe shpëtimit të robit. Allahu i Lartësuar largimin prej llomotitjes e përmendi në Kuran në mes të dy shtyllave të Islamit, edhe atë në mes të namazit dhe zeqatit. Allahu i Lartësuar thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin”. Muminun 1-4.

Llomotitja merr forma të ndryshme si: zhytja në të kotën, të folurit me mëkate, përhapja e të shëmtuarës, pasimi i të metave të njerëzve, përbuzja dhe tallja me njerëzit, etj. Le t’i frikohet Allahut çdo besimtar dhe besimtare prej rënies në këto vepra, mjerë për çdo përqeshës – shpifës, mjerë për shpifarakun që përhap thashetheme dhe mjerë për atë që betohet shumë dhe është i poshtër.

Nëse e mediton gjendjen e njerëzve në përgjithësi do të vëresh se kohën e tyre e kalojnë në gjëra të kota. Tërë ditën flasin për të tjerët, shpifin fjalë e vepra, i bartin fjalët e të tjerëve, mallkojnë, akuzojnë, përgojojnë, shajnë, analizojnë, lexojnë gazeta e revista që nuk u bëjnë aspak dobi, shumicën e kohës e kalojnë pranë televizionit dhe internetit ose nëpër kafe e diskoteka. Madje disa prej njerëzve i vëren se këtë e marrin si profesion, nuk dinë të veprojnë gjë tjetër përveç se t’i përbuzin të tjerët, të tallen me ta, të shpifin për gratë e ndershme dhe besnike, të tallen me ndokënd se është i gjatë apo i vogël, apo është ahmak apo injorant, sikurse t’ia kishte besuar këtë detyrë ndokush që tërë ditën e natën të merret me këtë vepër. Vallë ky njeri a nuk i dëgjoi thëniet e Allahut: “Ne do ta shënojmë atë që thanë” Ali Imran 181 dhe  “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)“. Kaf 18.

Çështja rritet më shumë dhe belaja bëhet më e madhe kur vëren se këto vepra të shëmtuara i veprojnë disa njerëz të cilët paraqiten para tjerëve se janë të devotshëm e dijetarë, ndërsa në fakt ata nuk lënë njeri pa folur keq për të, me gjuhë apo me penë, qoftë ai njeri i gjallë apo i vdekur. Vallë ata a i shëruan të metat e tyre dhe nuk u mbeti gjë tjetër pos të merren me të metat e të tjerëve? Po të merreshin me të metat e tyre do të ishte shumë më mirë se sa të merren me të metat e të tjerëve. Lum për atë që gjuhën e ka të përmbajtur, e dorën e ka të lirë në shpenzimin e pasurisë dhe përmbahet prej përmendjes së meritave të tij.

Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur kur i dëgjojnë fjalët e kota dhe llomotitjet i shmangen atyre. Prej tyre nuk del fjalë e kotë dhe e pahijshme, nuk e kanë synim reputacionin dhe prestigjin, kur ulen në mexhlise dallohen morali dhe virtytet e larta të tyre krahas atyre që merren me dërdëllisje dhe të gjepura.

O ju robërit e Allahut,

Për t’iu shmangur të kotës dhe për ta pajisur veten me moral të lartë duhet që t’i ndjekim disa prej parimeve, si: të shmangurit prej bërjes së shakave dhe humorit të tepërt, për shkak se ato e largojnë seriozitetin dhe shkaktojnë smirë e urrejtje, kurse veprimi i saj në sasi të vogël për gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit nuk është problem, mirëpo duhet të jetë konform parimeve Islame. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bënte shaka dhe se në to nuk e thshte përveçse të vërtetën.

Prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe mposhtja e zemërimit, falja e njerëzve dhe largimi prej të paditurve. Si mundet të jetë njeriu fisnik dhe me moral të lartë kur ai nuk largohet prej gabimeve, nuk e frenon mllefin dhe nuk ua fal të keqen njerëzve? Po ashtu, prej parimeve që duhet t’i ndjekim është edhe largimi prej polemikave dhe mbyllja e derës së debateve edhe po të ishe në hak. Kush flet shumë i zvogëlohet respekti tek njerëzit.

Me pak fjalë, gjëja që i bashkon këto të gjitha dhe parimi më kryesor që duhet t’i kushtojmë rëndësi është përmbajtja e gjuhës dhe ruajtja e saj. Në ruajtjen e saj ka mirësi dhe paqe. E folmja e tepërt dhe dërdëllitjet janë shkak për humbjen e maturisë, për njollosjen e autobiografisë dhe për vendosjen e perdes në zemër.

Sufjan ibën Abdullah Thekafij, Allahu qoftë i kënaqur me të, e pyeti të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, se prej cilës gjë frikësohet më së shumti për të? -I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, e kapi gjuhën e tij dhe i tha: “Kjo është ajo që  frikësohem më së shumti për ty”.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, i tha Muadh ibën Xhebelit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Të pastë nëna o Muadh, a thua njerëzit hidhen në zjarr me fytyra të tyre për diç tjetër pos për shkak të gjuhëve të tyre?

Gjuha është një litar i dobët në dorën e shejtanit me të cilin e udhëheq njeriun nga të dojë. Personaliteti i njeriut fshehet nën gjuhën e tij, në rast se fillon të flas atëherë paraqitet gjendja e tij. Për këtë shkak Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Pasha Allahun që nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveçse Atij, nuk di ndonjë gjë që ka më shumë nevojë për burgim të gjatë se sa gjuha”.

Madje të gjitha gjymtyrët e njeriut janë të lidhura me gjuhën qoftë në rrugë të drejtë apo në atë të devijuarën. Imam Tirmidhiu dhe të tjerët prej dijetarëve të hadithit, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë hadithin të cilin e përcjell Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, prej Muhamedit, alejhi salatu ue selem, i cili kishte thënë: “Kur gdhihet njeriu të gjitha gjymtyrët e tij i drejtohen gjuhës duke i thënë: “Kij frikën Allahut lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur”.

O ju musliman frikësohuni Allahut, largojuni llomotitjes dhe injorantëve dhe frikësohuni të metave të gjuhës. Atij që i shpeshtohen gabimet e saj i shtohen mëkatet, e atij që i shtohen mëkatet, zjarri është më meritor për të, ashtu siç tha Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të.Vërtet robi e thotë një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi fare dhe për shkak të saj hidhet në zjarr të xhehenemit nga një largësi sa lindja e perëndimi, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam.

O ju besimtarë,

Allahu i Lartësuar na porositi: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

E lus Allahun të na bëjë dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Prej çdo mëkati kërkoj falje tek Allahu për vete dhe për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

 

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë,

Frikësojuni Allahut, ruani gjymtyrët e juaja dhe mbroni veten prej çdo fjale dhe vepre të keqe. Dijeni se patjetër duhet të dallojmë mes fshehjes prej mendjehollëve dhe largimit prej të paditurve dhe mes kërkimit të vërtetës dhe kundërshtimit të atyre që e pasojnë të kotën.

Me fshehje dhe largim nënkuptojmë të frenuarit e vetes prej provokimeve të injorantëve dhe prej gjërave që e shkaktojnë zemërimin dhe urrejtjen. Kurse me kërkim të vërtetës dhe me kundërshtim të atyre që e pasojnë të kotën nënkuptojmë thirrjen për në rrugë të Allahut me urtësi e këshillë të mirë dhe polemika me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira, pastaj paraqitjen e krenarisë të pasuesve të vërtetës dhe largimin e budallallëkut dhe idiotizmit. Ky lloji i fundit është kapitull i gjerë ku në të përfshihet thirrja në të mirë dhe ndalimi prej të keqes, mësimi i injorantit, tërheqja e vërejtjes së të shkujdesurit, thirrja për në rrugë të Allahut, përmendja e Tij, falënderimi i Tij, dhe për këto të gjitha Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. Nisa 114.

Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: “Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveçse nga të dëmtuarit. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. Në qoftë se ju bëni ndonjë vepër të mirë haptazi ose fshehurazi ose falni ndonjë vepër të keqe, Allahu është Falës i madh dhe i Plotfuqishëm”. Nisa 148-149.

O ju musliman, patjetër e kemi që t’ua tërheqim vërejtjen edhe për një çështje tjetër me rëndësi. Ajo është se muslimani detyrohet që kur t’i bashkëngjitet ndonjë mexhlisi mos të harron ta përmend Allahun. I Dërguari juaj i Allahut, alejhi salatu ue selem, thotë: “Nuk ka popull i cili ngrihet prej një mexhlisi ku nuk përmendet Allahu, vetëm se i përngjajnë cofëtinave të gomarit dhe për ata ky mexhlis do të jetë humbje Ditën e Kiametit”.

Me një transmetim tjetër: “Çdo popull që tubohet në një vend, e pastaj ngrihet prej tij duke mos e përmendur Allahun, kjo do të jetë hidhërim për ta Ditën e Gjykimit”

Këto mexhlise janë shkak për faljen e mëkateve, ashtu siç na njoftoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem: “Kush rri në tubim ku shpeshtohen gabimet, pastaj para se të ngrihet thotë lutjen: Subhaneke Allahume ue bi hamdike eshhedu en la ilahe il-la ente estagfiruke ue etubu ilejke, i falen gabimet e atij tubimi.”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NA NDIQNI NË