Arhiva DitoreNov 17, 2014

0 25677

1-Nata e Kadrit.

2-Në thellësinë e natës.

3-Pas namazeve farze.

4-Mes ezanit dhe ikametit.

5-Një orë prej çdo nate (pjesa e tretë e natës).

6-Kur thirret ezani për namazet farze.

7-Kur të bie shi.

8-Kur përballen muslimanët me armikun në rrugë të Allahut.

9-Një orë gjatë ditës së  Xhuma. Thënia më e vërtetë që flet për vlerën e kësaj kohe është se ajo orë është ora e fundit prej kohës të ikindisë deri në kohën e akshamit, ose mund të jetë në orën kur mbahet hutbeja ose në namaz.

10-Gjatë pirjes së ujit Zemzem me nijet (qëllim) të sinqertë.

11-Në sexhde.

12-Kur të çohesh natën prej gjumi, duke u lutur me duatë që transmetohen në këtë kontekst.

13-Nëse ke fjetur me abdes pastaj je ngritur natën dhe je lutur.

14-Gjatë lutjes me fjalën (La ilahe il-la ente subhaneke ini kuntu minedh dhalimin).

15-Lutja e njerëzve për njeriun që është në momentet e fundit të jetës.

16-Lutja pas falënderimit të Allahut dhe salavateve mbi Pejgamberin alejhi selam gjatë teshehudit të fundit në namaz.

17-Gjatë lutjes së Allahut me emrin e Tij të Madh, me të cilin emër po qe se i lutesh, të përgjigjet dhe nëse kërkon diç prej Tij të jep.

18-Lutja e muslimanit për vëllanë e tij musliman në mosprezencën e tij.

19-Lutja në ditën e Arafatit në Arafat.

20-Lutja në muajin e Ramazanit.

21-Gjatë mbledhjes së muslimanëve në ndenjat e dhikrit (përmendjes së All-llahut).

22-Lutja në fatkeqësi me “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenzo atë me një më të mirë se atë që kisha).

23-Duaja ndaj Allahut me sinqeritet të madh.

24-Lutja e atij që i është bërë padrejtësi ndaj zullumqarit.

25-Lutja e prindit për fëmijën e tij dhe për prindërit e tij.

26-Lutja e udhëtarit.

27-Lutja e agjëruesit derisa të bëjë iftar.

28-Lutja e agjëruesit gjatë kohës së iftarit.

29-Duaja e atij që është në zor.

30-Duaja e imamit (udhëheqësit) të drejtë.

31-Lutja e fëmiut të ndershëm për prindërit e tij.

32-Duaja pas abdesit pasi i thotë duatë që përcillen nga Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem.

33-Lutja pas gjuajtjes së gurëve tek Xhemerati i vogël.

34-Lutja pas gjuajtjes së gurëve tek Xhemerati i mesëm.

35-Duaja brenda Qabes, andaj kush falet në hixhr[2] kjo llogaritet pjesë e Qabes.

36-Lutja në Safa.

37-Lutja në Merva.

38-Lutja tek Mesharil-Harami.

   Besimtari i vërtet e lut Zotin e tij çdoherë kudo që të jetë “Dhe kur robërit e mi të pyesin ty (o Muhammed) për Mua, atëherë (përgjigjju atyre): “Vërtet Unë jam pranë, Unë i përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më drejtohet Mua me lutje.[3], mirëpo këto kohë, raste dhe vende që i cekëm duhet të veçohen më shumë me dua.

[2] Vendi rreth i cili gjindet ngjitur me Qaben.

[3] Suretul-Bekare,ajeti:186.

0 4323

1. Të jetë e sinqertë për Allahun.

2. Të fillosh me falënderim ndaj Allahut dhe lavdërim ndaj Tij, pastaj duke dërguar salavate mbi Pejgamberin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) si dhe të përfundosh me këtë.

3. Kërkimi dhe besimi i palëkundur në pranimin e tyre.

4. Insistimi në lutje dhe mosnxitimi.

5. Prezenca e zemrës në lutje.

6. Lutja të bëhet kur je në begati dhe vështirësi.

7. Ta lutësh vetëm Allahun Një.

8. Të mos lutet kundër për familjen, pasurinë, fëmijët dhe veten e tij.

9. Ulja e zërit gjatë lutjes ndërmjet uljes së zërit dhe shprehjes me zë.

10. Pranimi i gabimit dhe kërkimi i faljes për atë, pranimi dhe dëshmia e të mirave dhe falënderimi i Allahut për to.

11. Mos ta teprojë në lutje duke thurur ritëm poezie.

12. Këmbëngulja, përulësia dhe strehimi.

13. Tu kërkojë falje atyre që u ka bërë zullum (padrejtësi), duke ia bashkëngjitur asaj pendimin.

14. Lutja të bëhet nga tri herë.

15. Drejtimi nga Kibla.

16. Ngritja e duarve gjatë duasë.

17. Marrja abdes para duasë po që se i lehtësohet një gjë e tillë.

18. Të mos e teprojë në dua.

19. Lutësi të fillojë të lutet për vete, para se të lutet për të tjerët në qoftë se lutet për dikë tjetër.[1]

20. Ta lusë Allahun nëpërmjet emrave të Tij të bukur dhe cilësive të Tij të larta, ose nëpërmjet ndonjë vepre të mirë që e ka bërë, apo nëpërmjet duasë së ndonjë personi të mirë që është gjallë dhe prezent tek ai.

21. Ushqimi, pirja dhe veshja e tij të jenë hallall.

22. Të mos lutet për të bërë mëkat, apo për t’i ndërprerë lidhjet farefisnore.

23. Të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja.

24. Të largohet nga të gjitha mëkatet.

[1] Përcillet në hadithe të sakta se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem kur është lutur ka filluar me vetveten e tij në fillim, njashtu përcillet se ai në disa raste nuk ka filluar me veten e tij siç është rasti kur bëri dua për Enesin, Ibën Abasin, Umu Ismailin e të tjerë. Për më shumë shih në: sherh sahihul Muslim të Neveviut 15/144, tuhfetul ahfedhi sherh sahihu Tirmidhij 9/328, Buhariu meal fet-h 1/218.

1 122177

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që pasuan rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.

Në vijim do të mundohemi t’i cekim disa sunete për të cilat na ka udhëzuar i Dërguari ynë Muhamedi – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lindë fëmija. Sunete të cilat disa praktikohen, disa janë harruar, disa aspak nuk janë praktikuar, disa prej tyre sot shkenca po na i zbulon etj, kurse neve si pasues të shëmbëlltyrës më të lartë njerëzore që ka ecur ndonjëherë mbi sipërfaqen e kësaj toke Muhamedit, jemi të obliguar t’i njohim e t’i praktikojmë sa më mirë.

A – Ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lind fëmija?

  1. Është e pëlqyeshme që të përgëzohet, t’i jepet “myzhde” prindit të cilit i ka lindur fëmija, thotë Allahu në Kuran: Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut Jakubin”. (Hud:71) Kurse në ajetin tjetër thotë: Allahu të përgëzon ty me Jahjanë”. (Ali Imran:39)
  2. Është e pëlqyeshme t’i këndohet ezani në veshin e djathtë, kurse ikametin në veshin e majtë[1]. Hadithin e ezanit e përcjell Ebu Rafiu -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke e kënduar ezanin në veshin e Hasenit, djalit të Aliut pasi e kishte lindur vajza e tij Fatimeja”.[2]
  3. Është e pëlqyeshme që fëmijës së porsalindur t’i fërkohen buzët me hurma të përtypura, nga ndonjë njeri i devotshëm apo nga vetë familjarët e tij, kjo bazuar në hadithin e Ebu Musa el-Eshariut – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: Kur më lindi mua fëmija, shkova me të tek i Dërguari i Allahut, e ai e emëroi Ibrahim, pas kësaj e mori një hurmë e përtypi dhe pastaj e fërkoi gojën e fëmijës me hurmë”.[3]

B – Ç’duhet bërë në ditën e shtatë pas lindjes së fëmijës?

  1. Është e pëlqyeshme t’i rruhen flokët fëmijës (ose t’i shkurtohen që mos të dëmtohet) dhe pastaj ato flokë peshohen, pesha e tyre në gram jepet sadaka në vlerën e argjendit (p.sh. nëse flokët peshojnë 2 gr. jepet sadaka në të holla aq sa bëjnë 2 gr. argjend), kjo vlen vetëm për djemtë e jo për vajzat. Kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i tha Fatimes kur i lindi Haseni: Qethjani kokën dhe jepni sadaka sa vlera e argjendit për flokët e tij e më pas shpërndava atë pasuri të varfërve”. Ndërsa unë i mata flokët e tij (Hasenit) të cilat peshonin dy gr. ose disa gr. [4]

     Po ashtu hadithi të cilin e përcjell Semure Allahu qoftë i kënaqur prej tij ku thotë: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, theret akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët”.

  1. I vendohet emri në ditën e shtatë kjo është më e mira, mirëpo emri mund t’i vendohet qysh në ditën e parë ose të tretën deri në ditën e shtatë, ose pas ditës së shtatë, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, pritet akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët “. Po ashtu fjala e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: Mbrëmë mua më lindi një fëmijë dhe unë e emërova me emrin e babait tim (babait të profetëve Ibrahimit)”.[5] Prandaj prindërit duhet që fëmijës t’i vendosin një emër të mirë, pasi që me ato emra do të thërriten në ditën e gjykimit.
  2. Është obligim synetimi i djemve, preferohet që sunetimi të bëhet në ditën e shtatë, siç thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:Pesë gjëra janë prej fitres (natyrshmërisë njerëzore): Sunetimi, heqja e qimeve në pjesët e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, heqja e qimeve nën sqetulla.”[6] Po ashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i erdhi një njeri dhe i tha: O i Dërguari i Allahut e pranova islamin. – i tha: “Hiqi qimet e kufrit (nën sqetulla dhe në pjesët e turpshme dhe merr gusëll) dhe bëhu sunet”.[7] Për kohën e sunetimit disa dijetarë kanë thënë se mirë është të bëhet në ditën e parë të lindjes, disa tjerë kanë thënë se lejohet edhe më vonë deri sa të afrohet koha e pubertetit, kurse mendimi më i saktë është se synetimi duhet bërë në ditën e shtatë. Të mos harrojmë se synetimi është obligim për meshkujt sipas shumicës së dijetarëve islam.

C – Akika dhe rregullat e saj:

Akika – është therja e kurbanit për fëmijën e porsalindur, akika është sunet i fortë, madje sipas një mendimi të dijetarëve edhe obligim, për fëmijët meshkuj priten dy dele kurse për fëmijët femra pritet një kurban, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ku thotë: “Për çdo fëmijë ka akika, andaj therni kafshë për ta dhe hiqjani flokët”.[8] Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, theri për Hasanin dhe Husejnin nga dy dele për secilin.[9] Transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Pritni dy dele të barabarta për djalë dhe një dele për vajzë”.[10]

Koha e saj: Akika bëhet në ditën e shtatë kjo bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Për secilin fëmijë që lind, akika theret për të në ditën e shtatë”.[11] Duhet ditur se ato dispozita që vlejnë për kurbanin vlejnë edhe për kurbanin e akikës, vetëm se në kurban Bajram në të njëjtën kafshë mund të marrin pjesë më shumë vetë, gjë e cila nuk vlen për kurbanin e akikës, andaj në qoftë se e ther një lopë kjo vlen vetëm për një fëmijë, e jo për shtatë persona siç është rasti i kurbanit të Bajramit.

Akika theret edhe për fëmijën i cili vdes në barkun e nënës, që i ka mbushur katër muaj, njashtu edhe i vendohet edhe emri.

D – Obligimet e prindërve ndaj fëmijëve të tyre:

  1. Prindërit e kanë  për obligim t’i edukojnë fëmijët e tyre sipas edukatës islame, sepse Allahu i ka bërë ata që të lindin në natyrshmërinë e islamit, thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e islamit, ndërsa janë prindërit e tij që më vonë e bëjnë të krishterë, çifut ose zjarrëputist”.[12]
  2. Fëmija urdhërohet të fal namaz qysh në moshën shtatëvjeçare siç tregohet në hadithin e saktë profetik .
  3. Prindërit obligohen tua mësojnë fëmijëve hallallin dhe haramin kur të hynë në pubertet.
  4. Fëmija duhet mësuar ta dojë Allahun, të Dërguarin e Tij, leximin e Kuranit si dhe ta pasojë në jetën e tij shëmbëlltyrën më të lartë njerëzore Muhamedin -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
  5. Duhet t’i mësohet njësimi i Allahut, ta dijë se Ai e mbikëqyrë vazhdimisht, jetëpërshkrimi i Muhamedit -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, madje edhe i profetëve të tjerë, të edukohen të bëhen të devotshëm, t’i mësohet se çfarë vlere ka vëllazëria në islam, të jetë i sjellshëm, i butë, i  mëshirshëm, i guximshëm.
  6. Të edukohet që të mos gënjejë, të mos kacafytet me shokët e tij, të mos shahet, të mos degjenerohet, duke e këshilluar se të gjitha këto janë vese tepër të ulëta.
  7. Të ndalohet të ndjek çdo shembull tjetër përveç Muhamedit -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, edukata dhe sjellja e të cilëve bien ndesh me edukatën e shëndoshë islame, të edukohet që mos të shpenzojë në gjëra të ndaluara, por edhe të mos e teprojë në ato të lejuarat.
  8. T’i këshillojmë vazhdimisht që të mos shoqërohen me njerëzit e paedukuar, pra t’i largojmë nga shoqëria e keqe, pasi që çdoherë fëmija në sjelljen e tij pos prindërve të tij, ndikohet më shumë nga shoqëria e tij e afërt.
  9. T’i mësohet fëmijës rëndësia e respektimit të prindërve, familjarëve, vëllezërve, motrave, farefisit, komshiut, të moshuarve dhe nevojtarëve, mësuesve edukatorëve etj.
  10.    Më në fund duhet ta dijë se Allahu ia ka dhënë këtë fëmijë dhe ai mund t’ia merr .

E – Shkaqet të cilat çojnë në devijimin e fëmijëve:

  1. Divorci i prindërve shpesh sjellë deri tek prishja e familjes dhe kjo çon deri në degjenerimin e fëmijëve të tyre.
  2. Mos shfrytëzimi i kohës së lirë të tyre (gjatë pushimeve verore dhe dimërore) me aktivitete të dobishme e të hairit (kurse Kurani, mësime fetare, marrja me sport, pikniqe me shoqëri të mirë, bashkëpunimi në kryerjen e punëve të shtëpisë, kopshtit, etj.)
  3. Lejimi i tyre që të ndjekin e të shohin seriale kriminalistike e të degjeneruar, të cilët ndikojnë me të madhe tek ata.
  4. Moskujdesi i prindërve për edukimin e tyre në përgjithësi duke i lënë ato që t’i edukojë lagjja, shkolla apo rruga dhe mediet. Të gjitha këto sjellin që fëmija t’i konsiderojë të gjitha veset nga të cilat vuajnë rinia si gjëra normale siç janë: pirja e duhanit, alkoolit, lidhjet e paligjshme ndërmjet gjinive të kundërta qysh në fëmijëri.

Prandaj këshillohen prindërit që të merren seriozisht me këtë çështje, pasi që çdo prind do të merret në llogari se si e ka edukuar fëmijën e tij, e jo sa ka harxhuar për të, sa a e ka shkolluar atë, sa është munduar që ai të avancohet në jetën e tij etj, pasi që i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë për prindërit dhe udhëheqësit: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdokush prej jush do të pyetet për kopenë e tij, prijësi është bari e ai do të merret në llogari për kopenë e tij, burri është bari i familjes së tij, e ai do të merret në llogari për të, gruaja është bareshë për shtëpinë e saj, e ajo do të merret në llogari për kopenë e saj, skllavi është bari për mallin e zotërisë të tij (sot punëtori apo i punësuari për vendin, institucionin ku punon) edhe ai do të merret në llogari për kopenë e tij, çdokush prej jush është bari dhe do të pyetet për kopenë e tij”.[13]

Këtë këshillë ia kushtoj çdo prindit besimtarë i cili dëshiron që shoqëria jonë të ketë një të ardhme të shëndoshë, me perspektivë, që të ndërtojmë një rini në mes dy shtyllave që e bëjnë një komb apo një civilizim përparues dhe të shëndoshë në brendësinë e tij, madje në shtylla në të cilat kanë thirrur të gjithë profetët e njerëzimit në to, e ato janë: Besimi i shëndoshë në një Zot të vetëm dhe moralet e larta, të cilat sot po i rrënojnë edhe popujt më të zhvilluar, pikërisht këto dy shtylla, humbja apo zbehja e këtyre dy tipareve bazë, thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: Nuk është dërguar ndonjë profet përveçse për dy gjëra: Që njerëzit ta adhurojnë Zotin e tyre duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim dhe të përsosin moralin e njerëzve”.

[1] Kurse për ikametin në veshin e majtë ka dy hadithe njeri prej tyre është i sajuar, e tjetri është i dobët sipas dijetarëve që verifikojnë hadithet, shikoni në “Silsiletu ehadithu daife” të shejh Albanit. Ibën Bazi gjatë komentimit të “Zadul-mead” 2/333,thotë:”Ikameti përcillet në hadithe që zinxhirin e tyre nuk e kanë në rregull, mirëpo një vepër e tillë përcillet nga disa prej selefit”.

[2] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasenu-sahih, ndërsa Albani thotë se hadithi është i mirë në “Sahihu Tirmidhi” nr. 1514.

[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi, kurse Buhariu shton në këtë transmetim edhe fjalët: “Dhe e luti Allahun që fëmija të jetë i bereqetshëm”.

[4] Transmeton Ahmedi, Taberaniu në “El-kebir”, Bejhakiu në Sunenin e tij kurse zinxhiri i hadithit është i mirë, Albani hadithin e bënë të mirë në “Sahihu Tirmidhi” , si dhe në “Irvau-galil”  .

[5] Transmeton Muslimi

[6] Transmeton Buhariu dhe Muslimi

[7] Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i mirë.

[8] Transmeton Buhariu

[9] Transmeton Ebu Davudi, Albani e saktëson në “Sahih ebu Davud” nr. 2841.

[10] Transmeton Ebu Davudi, Albani e saktëson hadithin në “Sahih Ebu Davud” nr. 2834.

[11] Transmeton Buhariu

[12] Transmeton Buhariu dhe Muslimi

[13] Transmeton Buhariu

0 8925

Namazi me xhemat është vaxhib për çdo besimtarë dhe nuk arsyetohet lënia e tij përveçse me arsye. Argumentet që të tregojnë për obligueshmërinë e tij janë të shumta, prej tyre :

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se ka thënë: erdhi tek i Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, një njeri i verbër dhe i tha:  O i Dërguari i Allahut, nuk ka kush të më sjellë në xhami! Pra, kërkoi leje prej të Dërguarit të Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që të mos prezantojë në xhami, t’ia lehtësojë që ta falë namazin në shtëpi. I Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ia lejoi këtë gjë dhe i verbëri u drejtua që të dalë nga xhamia, por në ato momente e thirri i Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: “A e dëgjon ezanin për namaz? “– Tha i verbëri: Po. – I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të i tha: “Atëherë përgjigju thirrjes ”.[1]

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet gjithashtu se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi më i rëndë për munafikët është namazi i jacisë dhe i sabahut, e sikur ta dinin se çfarë vlere kanë këto dy namaze do të vinin në to duke u zvarritur. Dëshiroja që të urdhëroj dikë që t’i prijë njerëzit në namaz e unë me vete të marr disa burra të cilët me vete kanë togë me drunj dhe tua djeg shtëpitë me to atyre personave që nuk kanë dalë në namazin e sabahut me xhemat.[2]

  1. Nga Ebu Derda – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Nuk ka tre vetë që janë në ndonjë fshat apo shkretëtirë të cilët nuk e falin namazin me xhemat vetëm se i mposht shejtani ata, ju porosis që t’i përmbaheni xhematit sepse me të vërtet ujku e ha delen e cila është ndarë nga kopeja.[3]

  1. Nga Ibën Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet nuk ka namaz përveçse me arsye.[4]

  1. Nga Ibën Mesudi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: “Kush dëshiron ta takojë Allahun i kënaqur nesër si besimtar në ditën e Kiametit le t’i ruaj (falë) këto namaze ku thërret ezani për t’i falur ato, sepse Allahu ia ka bërë të ligjshme të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, sunetet e udhëzimit e këto janë prej suneteve të udhëzimit. E sikur ju të faleshit në shtëpitë tuaja sikur falet një kundërshtar në shtëpinë e tij do ta kishit lënë sunetin e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e sikur ta linit sunetin e të Dërguarit tuaj do të shkonit në dalalet – humbje dhe e kemi parë se nuk e lente namazin me xhemat në kohën tonë vetëm se munafiku i cili ishte i njohur me nifak – hipokrizi. Kishte ndonjë person të cilin e mbanin dy persona derisa të qëndroj në saf vetëm të mos i ikë namazi me xhemat. – Në një transmetim tjetër qëndron: Me të vërtet i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na i ka mësuar sunetet e udhëzimit e prej tyre është namazi në xhamitë në të cilat thirret ezani.[5]

Vlera e namazit me xhemat :

Vlera e namazit me xhemat është e madhe dhe shpërblimi i saj është gjithashtu i madh, sepse shumë hadithe aludojnë në të, si:

  1. Nga Ibën Omeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi vetë, për njëzet e shtatë shkallë.[6]

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi i personit me xhematë shtohet nga namazi i atij që e bën në shtëpi apo në treg njëzet e ca shkallë, kështu që kur ndonjëri merr abdes dhe e merr abdesin siç është më mirë pastaj vjen në xhami duke mos e shtyrë gjë tjetër përveçse namazi dhe e ka të vetmin qëllim namazin, nuk e bën një hap përveçse me të i ngrihen shkallët (në xhenet) e me hapin tjetër i fshihet një mëkat derisa të hyjë në xhami, ndërsa në namaz është sa e ka kapluar namazi dhe melaiket luten për ndonjërin prej jush derisa është në atë vend që është falur. Ata (melekët) thonë: O Allah mëshiroje, o Allah fale, o Allah pranoja pendimin, përderisa nuk i bën dëm dikujt apo e prish abdesin.[7]

Xhemat llogaritet qoftë edhe një person me imamin :

Xhemat llogaritet qoftë edhe një person me imamin, edhe në qoftë se xhematliu me imamin është fëmijë apo grua kurse çdoherë kur shtohet numri i njerëzve gjatë namazit me xhemat kjo është më e dashur për Allahun :

 –  Nga Ibën Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: “Bujta një natë tek tezja ime Mejmuneja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj, gruaja e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kështu që u çua i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, natën për të falur dhe u çova edhe unë me të të falem, u lidha nga ana e majtë e tij e ai më kapi për kokën time dhe më nxori nga ana e djathtë e tij .[8]

 –  Nga Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, transmetojnë se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush ngrihet natën dhe e zgjon edhe gruan e tij dhe i falin dy rekate bashkë shkruhen tek Allahu prej atyre që e përmendin Allahun shumë .[9]

 –  Ebu Seid Hudriu – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se një njeri ka hyrë në xhami dhe i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, me shokët e tij e kishin falur namazin. Atëherë, kur i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e pa këtë person tha: “Kush jep sadaka mbi këtë e të falet me xhemat me të.”  –  U ngrit njëri prej të pranishmëve dhe u fal me të.[10]

 –  Ubej ibën Kabi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “… Namazi i njeriut me një tjetër është më mirë se namazi i tij vetë, kurse namazi i dy personave me një person tjetër është më i mirë se namazi i një personi me një person tjetër dhe çdoherë që është më shumë kjo është më e dashur tek Allahu.[11]

Prezantimi i grave në xhami dhe vlera e namazit të tyre në shtëpitë e tyre

Grave u lejohet të dalin në xhami dhe të prezantojnë në namazin me xhemat me kusht që tu largohen gjërave që e ngacmojnë epshin apo diçka që i shtyjnë në sprovë – fitne të tjerët, siç është zbukurimi dhe parfumimi i tyre, pasi që i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga xhamitë mirëpo le të dalin të paparfumuara.[12]

Gjithashtu ka thënë: “Çdo grua e cila parfumohet le të mos prezantojë me ne në jacinë e fundit.[13]

Çdo grua që parfumohet pastaj del për në xhami nuk i pranohet asaj namazi derisa të pastrohet.[14]

 “Mos i ndaloni gratë tuaja nga xhamitë mirëpo shtëpitë e tyre janë më të mira për to.[15]

 “Namazi i gruas në shtëpinë e saj është më i mirë se namazi i saj në dhomën e ndejës, namazi i saj në dhomën e fjetjes së saj është më i mirë se namazi i saj në shtëpinë e saj.[16]

 “Xhamitë më të mira për gratë janë vendet më të fshehura në shtëpitë e tyre.[17]

[1] Transmeton Muslimi.

[2] Mutefekun alejhi.

[3] Transmeton Ebu Davudi, Ahmedi, Nesaiu kurse hadithi është hasen.

[4] Ebu Davudi, Ibn Maxhe kurse hadithi është sahih.

[5] Transmeton Muslimi.

[6] Mutefekun alejhi.

[7] Mutefekun alejhi.

[8] Mutefekun alejhi.

[9] Transmeton Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[10] Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu Ebu Davudi kurse hadithi është sahih.

[11] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu kurse hadithi është hasen.

[12] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[13] Transmeton Muslimi.

[14] Transmeton Ibn Maxhe kurse hadithi është sahih.

[15] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[16] Transmeton Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[17] Transmeton Ahmedi, Bejhakiu kurse hadithi është sahih.

NA NDIQNI NË