Arhiva DitoreNov 29, 2014

0 1593

Si ndiheni në momentin kur ju kaplon brengë e madhe, kur mbi ju peshon rëndësia e borxhit, kur luftoni me sëmundje të rrezikshme, kur ju vjen lajmi për vdekjen e ndonjë të afërmit të dashur?!

Të nderuar ka adhurime që nuk dalin në shesh përpos në momentet e vështirësisë. Ato adhurime janë durimi, kënaqësia me caktimin e Allahut , bindja, mbështetja tek Allahu, përulësia, dorëzimi, lutja e sinqertë, shfaqja e nevojës që e kemi për Allahun dhe qetësia që e ndiejmë si besimtarë.

Është lehtë të lexohet për këto adhurime,të flitet rreth tyre, të dëgjohen ligjërata me këto tema, ta lusim Allahun të na zgjeroi gjoksin për këto adhurime. Vështirë është  ti përjetojmë në shumicën e situatave, ti kemi shtylla bartëse në momentet e sprovës, goditjeve, katastrofave…

Ndoshta dikë e kemi njohur si besimtar të devotshëm i cili në momentin e goditjes shfaqi pakënaqësi dhe hidhërim me caktimin e Allahut.

Ka edhe të tillë që janë të arsimuar dhe të edukuar e që shprehin fjali që nuk përkojnë me durimin dhe pajtimin (me kaderin) në momentet kur dikush i afërt i tyre sprovohet me sëmundje. Jo rrallë dëgjojmë edhe shprehje që flasin për dobësi të imanit dhe bindjes.

Ndoshta për veten mendon se je i edukuar që të mbështetesh tek Allahu dhe të mos kesh frikë prej askujt përveç prej Tij dhe në rastin kur rrezikohesh nga disa matrapazë magjistarë të kaplon frika dhe fillon të flasësh ashtu siç nuk do Allahu.

Sprovat e nxjerrin në realitetin e njerëzve duke na lajmëruar se në çdo moment kemi nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e Allahut, subhanehu ve teala.

Kemi nevojë të edukohemi me adhurimet në kohërat e vështirësive.

Sa çast i bukur është momenti kur në fund të natës ti zgjohesh dhe i lutesh Allahut të largojë prej teje brengën, frikë…kur së bashku me lutjet tuaja dërgon edhe lot. Mundësoja faqeve tuaja që të kënaqen me këto lot që ndoshta nuk do rridhnin po të mos ishte ajo sprovë dhe goditje.

Adhurimi i nënshtrimit dhe mbështetjes në Allahun asnjëherë nuk shfaqet, ashtu si në momentet e vështira. Allahu dëshiron të dëgjojë zërin tënd.

Në momentet kur shërimi vonohet dhe sëmundja zgjatet është pikërisht koha e adhurimit pajtim me caktimin e Allahut. Gjendja jote le të thotë: O Allah unë jam i kënaqur me Ty edhe pse më është vonuar përgjigja e lutjes sime.

Allahu im s’kam tjetër ndihmës pos Teje. Çfarëdo që të ndodh nuk hidhërohem sepse të dua o Allahu im.

Shtohet sprova dhe shfaqet adhurimi i dorëzimit të plotë Allahut. Duke ia dorëzuar plotësisht Allahut çështjen tënde Allahu ta dhuron ndjenjën e afrimit të zgjidhjes së problemit.

Në këto çaste e shijon edhe ëmbëlsinë e adhurim të quajtur bindja se Allahu do të na shpëton nga kjo sprovë. Të zgjerohet kraharori, të qetësohet zemra dhe të kaplon qetësia. Nuk kalojnë edhe shumë ditë dhe vjen lirimi, shërimi, largimi i brengave dhe mundimeve dhe tani është koha të shfaqet adhurimi i falënderimit në formën e tij më të plotë.

Këto kuptime nuk i njeh ai që nuk është sprovuar me lloj-lloj sprovash, që nuk ka përjetuar goditje të llojeve të ndryshme. Stabiliteti në fe është dhunti e Allahut të Lartësuar, prandaj korrigjo e mendimin që e ke për Allahun, mbështetu në Të dhe qaj para Tij.

Lidhe zemrën tënde me Atë që i jep gjallëri, bëhu më i zellshëm që të arrish kënaqësinë e Atij që është më i Mëshirshmi dhe më i Buti.

Në fund çoji duart dhe lutu së bashku me mua për neve dhe gjithë muslimanët.

Përktheu: M-r. Talha Kurtishi

0 1902

Reputacioni nuk dhurohet, ai fitohet. Reputacioni nuk është vetëvlerësim, atë e di, dhe sipas tij vepron dikush tjetër. Edhe shteti e ka reputacionin e vet dhe ai si i tillë është rezultat i mënyrës së veprimit të tij. Ai mund të jetë i mirë por gjithashtu edhe i keq. Përsëri them reputacionin e vlerëson dikush tjetër. Në këtë kontekst dua ta zhvilloj bisedën time lidhur me ndodhitë e fundit në këtë vend. Shumë keq është kur dikush perceptimin për vetën e tij e ndërton në bazë të asaj që i serviret e jo në bazë të parimit “njihe vetveten”. Atëherë i pashmangshëm është vlerësimi i gabuar që pas vete tërheq edhe veprime të gabuara. Në Maqedoni po vërehet  një tendencë që perceptimin që e kanë qytetarët për shtetin e tyre të ndërtohet në bazë të asaj që si fushatë po zhvillohet. Thelbi i kësaj fushate është motoja “we’re the best (jemi më të mirët)”, që pasohet me krizë kur populli kupton se “we’re not even close (as që jemi afruar)” Në realitetin e kësaj fushate shpeshherë bëhen gabime të mëdha ngase realiteti nuk përkon me vetëvlerësimin. Supermeni i paraqitur, në realitet është një njeri i thjesht që vuan nga shumë paqartësi që prekin edhe vet thelbin e identitetit individual dhe kolektiv. Në këtë rast bashkuesi i popullit është armiku. Pasi e kuptuan se opsioni ti akuzojmë gjithë shqiptarët për vrasjen e pesëfishtë, nuk do kaloje aq lehtë pa gjeneruar një krizë më të gjerë nga xhepi nxorën opsionin “islamistët radikal”. Me logjikën njëherë vepro e pastaj mendo ata i rrënuan gjithë parimet e “shtetit ligjor” në të cilin besojnë. Përsëri vepruan me parimin dëno para se të vërtetohet faji. Kështu veprojnë mendjelehtët që jetojnë në ëndrrën “we’re the best”. Pas zgjimit del në shesh se më shumë se 50% prej të arrestuarve ishin të pafajshëm, lirohen dhe pushteti dhe megafonët e tij vazhdojnë të glorifikojnë aksionin të cilin nuk arrijnë të bëjnë as shtetet më të zhvilluar.

E kam thënë edhe më herë se dy parime duhet të merren parasysh nëse dëshirojmë të ndërtojmë shtet me reputacion të “shtetit”. Parimi i parë është të mos bëhen kompromise me drejtësinë. Nëse në raste të këtilla e sakrifikojmë parimin e drejtësisë ne krijojmë viktima të dyfishtë, të vrarët si dhe të akuzuarit padrejtësisht për atë krim të shëmtuar. Parimi i drejtësisë duhet të zbatohet edhe ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj me shtetin. Shteti me reputacion nuk i quan radikalë ata që besojnë se feja e tyre dhe parimet e saj janë modeli më i mirë i jetesës që kanë zgjedhur për vete. Shteti me renome nuk e lajthit popullin e vet duke e portretizuar popullin tjetër si armik, i rrezikshëm dhe shpeshherë si kryes i gjitha të këqijave nga të cilat vuan shteti. Një parim i tillë vë në pyetje vendosmërinë e shtetit ta ndërtojë ose jo vetveten. Prandaj drejtësia  është ndihma më e madhe që qeveria mundet me ja ofrue vetës në ndërtimin e një shoqërie në të cilën çdokush, pa dallim kombi dhe besimi, do të gëzojë të drejtat. Një hap i tillë do të stimulojë angazhimin pozitiv e  të gjithëve.

Parimi i dytë është që duhet respektuar është të krijohet një situatë në të cilën populli do të arrijë të njeh veten, ashtu si është, pa zbukurime, pa mistifikime, pa kompleks të vlerës së lartë. Duke e njohur veten do të hapen horizontet e njohjes të tjerëve. Atëherë pa paragjykime do të analizojmë vlerësojmë, pse jo edhe do të korrigjojmë gjitha dukuritë shoqërore. Njeriu që e njeh veten ashtu si duhet është i aftë ti njeh edhe të tjerët pa i nënvlerësuar, pa i stigmatizuar dhe pa i flijuar. Vetëm ideologjitë e dështuara janë ndërtuar mbi parimin e racave dhe popujve të zgjedhur. Shikoni historinë nëse nuk ju kujtohet për kë po flas.

Nëse pushteti nuk i merr parasysh këto parime mendoj se hendeku mes njerëzve në rrafshin individual dhe atë kolektiv dita ditës do të zgjerohet. Do të krijohen situata të padëshiruara. Do të mbesin vetëm përcaktimet protokollare që tanimë nuk i besojnë as besnikët partiak. Këtu dua ti rikujtoj edhe pjesëmarrësit shqiptarë në pushtet se nuk ja vlen të mbrohet një sistem i cili ende nuk ka vendosur parimin e drejtësisë dhe qasjes reale ndaj problemeve. Së paku hapni sytë dhe shikoni realitetin i cili tanimë është shumë i qartë. Ende i mbetem besnik thirrjes sime të drejtuar pushtetit. Zbatoni këto dy parime që i nënvizoj dhe do të shihni se gjërat do të nisin të ecin në drejtimin e duhur.

Është momenti i duhur të kujtojmë se nga do vazhdojmë. Është thënë: Progresi njerëzor nuk është automatik dhe i paevitueshëm. Çdo hap në drejtim të qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe angazhim të paepur. Ai arrihet me përpjekje të palodhshme dhe interes të pasionuar të individëve të përkushtuar. (Martin Luther King jr.)

Allahu u jep urtësi atyre që i do.

M-r. Amel Kurtishi

0 3791

Prezantim i librit

“Akideja e Ehli Sunetit në dritën e Kuranit dhe Sunetit”

Shkruan: Agim Bekiri

‘Akide’ është një fjalë e gjuhës arabe që ka kuptimin e gjykimit, vendimit dhe besimit të prerë. Me këtë fjalë emërtohet disiplina fetare që trajton çështjet e Besimit Islam. Kjo disiplinë fetare ka paraqitur në të kaluarën dhe vazhdon të paraqes interesim të madh gati në të gjitha nivelet e shoqërisë. Tërë kjo, për faktin se Akideja është esenca dhe shpirti i fesë dhe siç është thënë: vlera e një lëmi varet nga lënda që studion. Akideja është ajo që dallon të vërtetën nga e kota, besimtarin dhe mosbesimtarin, të shpëtuarin nga i dështuari.

Që këndej, shërbyesit e fesë Islame përpiqen vazhdimisht që të ndriçojnë këtë aspekt kaq të rëndësishëm të fesë për lexuesin shqiptar, sidomos në këtë kohë kur koncepti i besimit është pluhurosur me shpjegime të huaja dhe shpeshherë të papranuara për metodologjinë e pastër të ndjekësve të rrugës profetike – e kam fjalën për Ehli Sunetin.

Një kontribut shumë i çmuar në këtë drejtim, që hedh dritë mbi Akiden, është edhe përkthimi i z. Nexhat Cekës – hoxhë i diplomuar në Universitetin Islamik të Medinës – të librit “Akideja e Ehli Sunetit në dritën e Kuranit dhe Sunetit” botuar nga shoqata kulturore Guraba – Gostivar.

Ky libër, i shkruar nga dijetari Seid ibn Musfir ibn Mufrih El-Kahtani, konsideroj se është një libër i mrekullueshëm dhe shumë i dobishëm për këto arsye:

  1. Libri është i kompletuar nga aspekti përmbjatësor, që d.m.th. se autori ka prekur gati të gjitha çështjet që i preokupon lexuesit dhe të interesuarit e këtij lëmi.
  2. Autori, ndjek një metodë shkencore në argumentimin dhe shtjellimin e çështjeve të besimit duke u bazuar në Kuran, Hadith dhe shpjegimin e dijetarëve që i përkisnin periudhës së artë të Islamit, të pa influencuar nga kulturat dhe civilizimet e huaja.
  3. Gjuha e përdorur në këtë libër është e lehtë dhe e kapshme për të gjithë lexuesit, duke mënjanuar debatet shterpe filozofike për çështje të cilat, njohja e tyre nuk të shton besimin ndërsa mosnjohja e tyre nuk e dobëson të njëjtin.
  4. Libri është përkthyer direkt nga gjuha arabe, gjuha në të cilën është shkruar nga autori, pastaj është kontrolluar dhe recensuar nga hoxha i njohur Ali Shabani, i diplomuar në Universitetin Xheresh të Jordanisë, gjë që i jep një siguri lexuesit për saktësinë e bartjes së kuptimeve dhe fjalëve të librit origjinal, në gjuhën shqipe.

Të gjithë dashamirësve të librit fetar, ua sugjeroj leximin e këtij libri i cili do ju ndriçojë shumë çështje të besimit islam në një mënyrë të lehtë dhe shkencore.

0 1740

Falënderimi i takon Allahut të vetëm, paqja dhe selami qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin të birin e Abdullahut, mbi familjen dhe mbi gjithë shokët e tij.

Me të vërtetë Allahu na sheh e ne nuk e shohim, e di të fshehtën dhe të jashtmen tonë, Ai është Mbikëqyrësi Llogaritësi, Allahu i Madhëruar thotë: “All-llahu është mbikëqyrës mbi ju.” Nisa: 1. Po ashtu thotë: “A nuk e di ai se All-llahu e sheh?.” Alek: 14.

I Dërguari salallahu alejhi ue selem na ka urdhëruar që të turpërohemi prej Alllahut në mënyrën e drejtë, ibn Mes’udi radijallahu anhu ka thënë: i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Turpërohuni nga Allahu ashtu siç meriton” i thanë: “O i dërguar i Allahut ne turpërohemi, falënderimi i qoftë Allahut, tha: “jo kështu porse turpërimi i vërtetë ndaj Allahut është ta ruash kokën dhe atë që është në të (mendjen), barkun dhe atë që mban në të, të përkujtosh vdekjen dhe sprovën. Ai i cili dëshiron Ahiretin braktis zbukurimet e kësaj bote, e ai i cili i bën këto është turpëruar nga Allahu ashtu siç meriton.”[1]

Ruajtja e kokës përfshin ruajtjen e gjithë shqisave, si përdorimi i saj në gjëra që e hidhërojnë Allahun, e ruan kokën nga pirja e verës që shëmton mendjen, apo gjëra të ngjashme, e ruan syrin të mos shikon në gjëra që nuk i lejohet të shikon, si në gratë apo foto  amorale, të ruan dëgjimin të mos dëgjon përgojim e bartje të fjalëve, apo instrumente muzikore, të ruan gjuhën  to mos flet fjalë që hidhëron Allahun, Allahu thotë: “pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” Isra: 36.

Ruajtja e barkut përfshin barkun, zemrën e organin gjenital, të ruan zemrës nga sëmundjet e saj, si syefaqësia, zilia, mendjemadhësia, vetëpëlqimi, etj. Të ruan barkun të mos fut në te ushqim haram, të ruan organin nga veprimi i mëkateve si amoraliteti, intimiteti njëgjinor, vetëkënaqja, etj.

Më pas, të kujton çdo herë vdekjen, ngase përkujtimi i vdekjes zvogëlon shpresën, dhe nxit për punë, i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpeshtoni përkujtimin e shkatërruesit të kënaqësive.”[2]

Të përkujton vdekjen dhe sprovat  në atë gropë të errët, nuk ka të afërt as dikë tjetër pos veprave, nëse ato janë mirë falënderimi i qoftë Allahut, e nëse nuk janë të tilla atëherë të mos e fajëson pos veten e tij, kush dëshiron ahiretin le të le zbukurimin e kësaj bote, dëshirën për tu ngrit në te dhe nënçmimin e tjerëve, dëshirën për tu ngrit në udhëheqje, pasuri, pozitë dhe bukuri, Allahu thotë: “Atë vend të përjetshëm (xhennetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen All-llahut.” Kasas: 83.

Ky lloj i turpit quhet turp i adhurimit, me të cilën njeriu arrin gradat më të larta të fesë,që është ihsani, kur njeriu ndien gjithmonë se shikimi Allahut është kah ai, se Ai e shikon në çdo lëvizje dhe qëndrim të tij, e ai zbukurohet para Zotit me adhurime, dhe ka turp që Ai ta sheh në mëkat, apo në një gjendje që nuk i takon të jetë, siç është shfaqja e pjesëve tw turpshme siç përmendet në hadithin e Behz ibn Hakim, kur e pyeti të Dërguarin salallahu alejhi ue selem: “prej kujt ti mbulojmë pjesët e turpshme e prej kujt të ruhemi? Tha: “Ruaji pjesët e turpshme pos prej gruas tënde apo atë që ke nën pushtetin tënd.” Tha: O i Dërguar i Allahut, nëse dikush prej nesh është i vetëm? Tha: “Allahu është më meritor të turpërohemi nga Ai se sa njerëzit.”[3]

Rrëfehet se Ebu Bekri, radijallahu anhu, ka thënë: “Pasha Allahun unë e vendoj rrobën time mbi fytyrë kur jam vetëm i turpëruar para Allahut.”

Erdhi një njeri tek Husejn ibn Ali,  radijallahu anhu, e i tha: Unë jam njeri mëkatar, dhe nuk kam dot durim ndaj mëkatit, më këshillo? Husejni i tha: “Veproi këto pesë gjëra, e më pas vepro çfarë të duash. Pyetësi i tha: më trego. Tha: “Mos ha nga furnizimi i Allahut, atëherë vepro çfarë të duash. Pyetësi i tha: Si? Prej nga të ushqehem, çdo gjë që është në gjithësi është furnizim i Tij. Hysejni itha: Dil nga toka e Allahut, dhe vepro çfarë të duash. Pyetësi tha: Si ka mundësi kur Atij nuk mund ti fshihet asgjë? Husejni i tha: Kërko një vend ku nuk do të sheh Allahu dhe vepro çfarë të duash. Pyetësi tha: Kjo është edhe më e rëndë se e kaluara, ku të banoj? Husejni i tha: Kur të vjen melaqja e vdekjes, largoje prej teje dhe vepro çfarë të duash. Pyetësi tha: Është e pamundshme! Husejni  tha: Kur të fusin në zjarr ti mos hy, dhe vepro çfarë të duash, pyetësi i tha: Mjaft, prej sodit nuk do më sheh Allahu asnjëherë në mëkat.

 Të nderuar mysliman, duhet gjithsesi të dimë se Allahu na mbikëqyr, ta Madhërojmë, ta nderojmë dhe të turpërohemi ashtu si meriton, e të mos konsiderojmë shikimin e Tij gjë e thjeshtë, ashtu siç pranojmë shikimet tjera.

E lus Allahun të na jep sukses në gjërat që i do dhe është i kënaqur me to, dhe të na largon nga gjërat që hidhërohet dhe i refuzon, falënderimi i takon Zotit të botëve.

Përktheu: Shpend ZENELI

[1] Tirmidhiu, Albani e ka vlerësuar hasen.

[2] Tirmidhiu, Nesaiu, ibn Maxhe, Albani e ka vlerësuar hasen sahih.

[3] Tirmidhiu, ibn Maxhe, Albani e ka vlerësuar hasen.

NA NDIQNI NË