Cila ngjyrë është e ndaluar për meshkujt?

Cila ngjyrë është e ndaluar për meshkujt?

0 3742

Desha me t’pyet hoxhë për ndalesën e një ngjyre, dikush thotë  është e ndaluar ngjyra e kuqe e dikush thotë se jo e kuqja por është ngjyrë si e portokallit (sikur qe është ajo veshja e budistëve ) çka është e vërteta që përmendet në hadith cila është ngjyrë e ndaluar të vishet edhe nëse është e përzier d.m.th laraman a prish punë apo duhet te jetë komplet e njëjtë p.sh. maica, këmisha etj. Allahu të shpërbleftë, te ruajt dhe të, gradoftë me xhenet firdeus.

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin, shokët, familjen dhe ithtarët e tij:

Në esencë të gjitha ngjyrat janë të lejuara përpos atyre që i ka ndaluar sheriati. Ngjyrat e ndaluara në rroba për meshkujt janë ngjyra e kuqe e pastër dhe e verdhja e cila fitohet nga dy bimë që do t’i sqaroj më poshtë. Ibën Kajimi në librin e tij “ZadulMead” ndanë mendimin se rrobat me këto dy ngjyra janë haram për meshkujt. Shumica e dijetarëve mendojnë se kjo ndalesë ka të bëjë me mekruhin më shumë se sa me haramin.

Abdullah b. Abasi thotë: “më është ndaluar të vesh rroba të kuqe, unazë të arit dhe të lexojë Kuran gjersa jam në ruku” (Sahih Nesai).

Duhet theksuar se në disa hadithe të sakta është përmendur se i Dërguari ka veshur rrobe të kuqe siç transmetohet në hadithin “I Dërguari kishte shtat mesatar, e kam parë me një veshje të kuqe, s’kam parë diçka më të bukur se ai”. (Muslimi)

Dijetarët kanë përmendur se kjo veshje ka qenë jemenase siç është përmendur në disa transmetime e që nënkuptohet se nuk ka qenë e kuqe e pastër por me disa vija me ngjyrë tjetër. Nisur nga ky fakt, ata kanë thënë se po qe se një veshje është me ngjyrë të kuqe të përzier me ndonjë ngjyrë tjetër, atëherë e njëjta lejohet.

Me këtë kuptim janë edhe hadithet të cilat ndalojnë rrobat e ngjyrosura me ngjyrën e lules së quajtur asfar në arabisht kurse safflowers në gjuhën angleze. E përmenda emrin e saj në këto dy gjuhë sepse nuk arrita të gjej përkthimin e kësaj bime në shqip. Ngjyra e përfituar nga kjo lule është e kuqja dhe e verdhja. Abdulla b. Amri tregon: “I Dërguari më pa me dy rroba të ngjyrosura me asfar dhe më tha: këto janë rrobat e mosbesimtarëve, mos i vish!” (Muslimi)

Sipas mendimit më të saktë për meshkujt ndalohen edhe rrobat e ngjyrosura me shafran ose siç quhet në gjuhën arabe za’feran,. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka ndaluar që njeriu të ngjyroset me ngjyrë shafrani (Buhariu dhe Muslimi). Çfarë ngjyre është kjo? Në fjalorin e gjuhës shqipe shafrani përshkruhet si bimë ngjyrëvjollce nga krezat e të cilës nxirret një lëndë e verdhë që përdoret për ngjyrosje.

Pra, ngjyra e kësaj bime është vjollcë në të kuqe mirëpo lënda që përfitohet nga ajo e që përdoret për ngjyrosje është e verdhë, prandaj themi që rrobat që ngjyrosen me shafran e që bëhen të verdha janë të ndaluara për meshkujt. Sa i përket ngjyrës së verdhë që nuk është përfituar nga shafrani ose asfari atëherë lejohet me konsensus.

Ka disa mendimi për shkakun e ndalimit të këtyre ngjyrave. Sipas disa dijetarëve është se mosbesimtarët i përdorin këto ngjyra në rrobat e tyre. Disa mendojnë se janë ngjyra për femrat. Mendimi i tretë është se këto ngjyra cenojnë burrërinë dhe bien shumë në sy. Allahu e di më së miri.

Burimi: albislam.com