BAZAT E BESIMIT NË ALLAHUN E MADHËRUAR

BAZAT E BESIMIT NË ALLAHUN E MADHËRUAR

0 1960

Prej njohurive të para që Allahu i madhëruar ia mësoi profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) është çështja e besimit (akides), e që është themeli i çdo diturie. Themeli është bazamenti mbi të cilën ndërtohet çdo gjë, besimi pra është bazamenti, është bazament edhe i adhurimit, i marrëdhënieve, e i shpresës dhe i botës tjetër.

Për këtë, gjejmë që Allahu i madhëruar kur zbritit ajetet e para, ishin ajete që thërrasin në dituri, meqenëse ishin fjalët e para, fillimi i shprehjeve, Allahu thotë: “Lexo, në emër të Zotit tënd i cili krijoi.” Surja Alek, 1.

Duhet ditur secili besimtar se e ka për detyrë të besojë gjashtë bazat e imanit që janë përmendur në Kuran dhe në hadithet profetike, ato janë: Besimi në Allahun, në melekët, në librat, në pejgamberët, në ditën e fundit dhe në kaderin (caktimin) të mirë apo të keq.

Allahu thotë: “mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve.” Surja Bekare, 177.

Në hadithin që e transmeton Omeri (radijAllahu anhu) ka thënë: i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: Iman është të besosh në Allahun, melekët, librat, pejgamberët, ditën e fundit dhe të besosh në kaderin e mirë apo të keq.

Besimi në Allahun është prej bazave më të rëndësishme të imanit, më e madhja dhe më e vlefshme, bile konsiderohet si bazë e të gjitha bazave tjera të besimit, të tjerat janë degë të kësaj baze, kthehen tek ajo, dhe ndërtohen mbi të.

Allahu thotë: “I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij.” Surja Bekare, 285.

Duhet ditur se Besimi në Allahun ndërtohet mbi katër shtylla, që secili musliman duhet t’i besojë, ato janë:

Një: Besimi në ekzistencën e Allahut të madhëruar: e që nënkupton të besosh se Allahu ekziston, e të mos mohosh ekzistencën e Tij.

Dy: Besimi në të për Zot: që nënkupton të besosh se Allahu është Krijues, Sundues, Posedues, Ai udhëheq gjithësinë, është Allahu dhe Ai s’ka shok.

Tre: Të besosh në Allahun si të vetmin që duhet adhuruar: që nënkupton se të gjitha adhurimet duhet kushtuar vetëm Allahut Një, si: namazi, therrja, frika, shpresa. Të mos ketë hise aty askush tjetër pos Tij, pra të falesh vetëm për hir të Allahut, të therrët kurbani për Allahun, të kesh frikë vetëm nga Allahu, të kesh shpresë vetëm nga Ai. E kështu të gjitha adhurimet të mos i kushtohen askujt tjetër pos Allahut të madhëruar.

Katër: Besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut: që nënkupton të besosh se Allahu posedon emra të bukur dhe atribute të larta, e që asnjë nga atributet e Tija nuk i ngjason ato të krijesave, e të pohosh atë që Allahu ka pohuar prej emrave dhe atributeve të përmendura në Kuranin Famëlartë dhe në sunetin autentik të pejgamberit, e të mos i shoqërosh askënd në këto atribute.

Pra, Allahu ekziston dhe Ai është Krijuesi, i Vetmi, pa shoqërues, i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim, dhe asisoji nuk mund të parashtrohet pyetja se kush e krijoi Allahun, dhe atë për disa arsye:

1)Ngaqë nuk është krijesë që të pyetet se kush të krijoi.

2)Ata që parashtrojnë këtë dyshim të pabazë, përfundojnë në një varg të papërfunduar, pasi që nëse Zoti do mendohej se është krijuar, paska një Krijues që e krijoi, dhe ashtu që pyetjet nuk përfundojnë dhe shkakton në një rrethrrotullim pa fund.

3)Ligji i shkakut nuk vlen tek Krijuesi sepse shkaku lidhet me krijesat.

4)Është vërtetuar logjikisht dhe shkenctarisht se gjithësia është e krijuar dhe se ka një fillim, dhe kjo nuk mund të pretendohet për Krijuesin.

E as që mund të pretendohet se natyra apo rastësia është ajo që krijoi njeriun, me vetitë e tij unike që dallojnë nga njëri tjetri, atyre që e thonë këtë u themi:

Pse kjo natyrë nuk krijon tani male e lumënjë, kopshte  e planete të reja?

Allahu në librin e Tij thotë: “A mos u krijuam prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues? .” Surja Tur, 35.

Qoftë nëse një atesit thotë se gjërat janë të vetëkrijuara. Themi se kjo nuk përkon logjikisht, sepse çdo send në gjithësi që tani ekziston më herët ishte joekzistent dhe më pas janë krijuar, e si të mendohet se kanë ekzistuar kur kanë qenë joekzistente? Joekzistenti nuk është asgjë, e as që mund të krijojë veten, sepse në fakt ajo nuk ekziston, e joekzistenti nuk e formon veten, e si të krijojë dikë tjetër?

Ashtu që mbi këto katër bazamente ndërtohet imani, besimi në Allahut, dhe se nuk konsiderohte imani i pranueshëm nga ai që nuk i beson të katërtat.

Pastaj, do gjesh se gjëja e parë me të cilën e obligoi Allahu dhe ia mësoi të dërguarit të Tij është çështja e besimit që Allahu e përmendi këtë në fjalën e teuhidit, si një shenjë reale gjithëpërfshirëse të kësaj diturie, Allahu thotë: “Dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut.” Muhamed, 19.

Tantavi në tefsirin e tij thotë: “dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut”, përqendrohu në këtë dituri, vepro sipas saj, vazhdo në këtë veprim.

Shejh Sadi thotë: këtë dituri që Allahu ia bëri obligim – që është fjalë e teuhidit- është farz për secilin individ, nuk bie nga obligueshmëria për askënd, kushdo qoftë ai.

Çdo besimtar e ka për detyrë të besojë se krijimi, furnizimi, dhënia e pozitave, begative, formësimi, dhuntitë, privimi, dobia, dëmi, ngjallja dhe vdekja, menaxhimi dhe gjykimi, caktimi dhe përcaktimi, e të tjera janë vepra të Allahut të madhëruar, askush nuk është rival me Të në këto veprime.

Allahu thotë: “A mos u krijuam prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues? .” Tur, 35.

Ai i krijoi qiejt pa shtylla, sikurse po i shihni, e në tokë vendosi kodra të rënda që të mos luajë vendi bashkë me ju, e nëpër të shpërndau nga të gjitha gjallesat, dhe nga qielli Ne kemi lëshuar shi e kemi bërë të mbijnë në të nga të gjitha llojet më të dobishme. Kjo është vepër e krijimit të Allahut, e më tregoni pra mua se ç’krijuan ata të tjerët pos Tij. Jo, asgjë, pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund.” Llukman, 10-11.

Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”! Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do!.” Ali Imran, 26-27.

Transmeton Tirmidhiu me zingjir autentik nga ibën Abasi (radijAllahu anhuma) i cili ka thënë: një ditë isha prapa të dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ai më tha: o djalosh do të mësoj disa fjalë; ruaje Allahun (fenë e Tij), Ai të ruan ty, ruaje Allahu do ta gjesh pranë teje (me përkrahje), nëse lutesh lutju Allahut, nëse kërkon ndihmë kërko prej Allahut, dije se gjithë njerëzimi nëse mblidhen që të të bëjnë dobi nuk do arrijnë të të sjellin dobi pos asaj që Allahu ka regjistruar për ty, dhe poqëse ata mblidhen që të të dëmtojnë me diç nuk do të dëmtojnë përveç aq sa Allahu ka regjistruar për ty, janë ngritur lapsat dhe janë tharrë fletët.

Ai që i bindet Allahut në njëshmërinë e Tij do të arrijë kënaqësinë me atë që Allahu e ka furnizuar, do të jetë i lumtur me atë që Allahu i ka dhuruar, dhe me atë që i ka deponuar atij për në ditën e Kijametit.

Allahu thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” Rad, 28.

Secili njeri duhet që adhurimet t’ia kushtojë vetëm Allahut Një, si; urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e keqja, namazi, therja, frika, dashuria, e të tjera.

Allahu thotë: “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm .” Bekare, 21.

Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send.” Nisa, 36.

Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni.” Enbija, 25.

Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!.” Nahl, 36.

Tagut është term që i dedikohet secilit dhe çdo gjëje që adhurohet pos Allahut.

Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Dharijat, 56.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë hadithin e ibën Abasit (radijAllahu anhu) i cili ka thënë: kur i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) dërgoi Muadh ibën Xhebelin tek banorët e Jemenit i tha atij: ti je duke shkuar tek një popull që janë ithtarë të librit, le të jetë gjëja e parë që ti i thërret që ata ta besojnë Allahun një, nëse ata këtë e njohin, atëherë lajmëroi se Allahu i ka detyruar me pesë namazi përgjatë ditës dhe natës, nëse e falin, atëherë lajmëroi se Allahu ua ka bërë obligim zekatin e pasurive të tyre, merret nga të pasurit dhe u kthehet të varfërve nga mesi i tyre.”

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Xhabir ibën Abdullahu (radijAllahu anhu) ka thënë: kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: kush e takon Allahun pa i bërë Atij shirk asgjë do të hyjë në xhenet, e kush e takon duke i bërë shirk do të hyjë në zjarr.”

Muslimi transmeton nga Abdullah ibën Mesudi (radijAllahu anhu) i cili ka thënë: i dërgauri (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: kush vdes duke iu lutur dikujt tjetër pos Allahut do të hyje në zjarr. “ unë thashë:  kush vdes duke mos iu lutur askujt tjetër pos Allahut do të hyjë në xhenet.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Muadhi (radijAllahu anhu) se i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: O Muadh, a e di cila ësjtë e drejta e Allahut mbi robërit e Tij, dhe cila është e drejta e robërve të Tij te Allahu? Thash: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri. Tha: e drejta e Allahut është që të adhurohet e mos t’i bëhet Atij shirk në asgjë, kurse e drejta e robërve tek Allahu është që të mos dënojë asnjë prej tyre që nuk i ka bërë shirk Atij.”

Kushdo që i kushton dikujt tjetër pos Allahut çfarëdo lloji prej adhurimeve, vepra e tij konsiderohet pagane dhe ai mund të konsiderohet si jobesimtar poqëse plotësohen kushtet.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “E kush adhuron me Allahun edhe ndonjë zot tjetër, për të cilin nuk ka kurrfarë fakti, përgjegjësia e tij është para Zotit të vet, e mohuesit nuk do të shpëtojnë.” Muminun, 117.

Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?.” Nahl, 36.

Kurani famëlartë në shumë ajete tregon se dedikimi i adhurimeve vetëm Allahut është çështja primare e thirrjes së tyre, dhe se çdo pejgamber që e ka dërguar Allahu, thirrja e tij e parë ka qenë thirrja në njëshmërin e Allahut, dhe në sinqeritet në adhurime.

Edhe te (populli) Ad-i (dërguam) vëllain e tyre Hudin, e ai tha: “O populli im, adhurojeni (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot pos Tij, a nuk po frikësoheni?.” Araf, 65.

Edhe te (populli) Themud ua dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im, besojeni Allahun (Një) nuk keni zot tjetër pos Tij.” Araf, 73

E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhurojeni Allahun (Një), ju nuk keni zot tjetër pos Tij.” Araf, 85.

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM