Arhiva Vjetore2015

0 1848

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Ebu Musa, radijAllahu anhu,  tregon se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe i dijes (Kuranit dhe Sunetit) rne të cilin Allahu më ka dërguar mua, është si shembulli i një shiu të bollshëm që bie në tokë. Një pjesë e saj është tokë pjellore, prandaj e thith shiun dhe rrit bimë e bar me begati. Një pjesë tjetër është e fortë, prandaj e mban ujin sipër dhe Allahu u sjell dobi njerëzve nëpërmjet saj, sepse ata e përdorin ujin për të pirë, për t’ua dhënë bagëtive dhe për të ujitur tokën. Bie edhe në një pjesë tjetër të tokës që është djerrë, as nuk e mban ujin dhe as nuk jep bereqet. E para është shembulli i atij njeriu, i cili e kupton fenë e Allahut dhe përfiton (nga dija) të cilën Allahu e ka shpallur nëpërmjet meje, e mëson atë dhe pastaj ua mëson të tjerëve. Shembulli i fundit është si ai i një njeriu, i cili nuk vret mendjen për të dhe nuk e pranon udhëzimin e Allahut me të cilin unë jam dërguar.”[1]

SHPJEGIMI I HADITHIT

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sa i takon kuptimeve dhe synimit të hadithit, është një shëmbëllim i udhëzimit me të cilin erdhi ai, sal-Allahu alejhi ve selem, me shiun, që nënkupton se toka është tri llojesh, njashtu edhe njerëzit.
Lloji i parë; toka e cila e pranon shiun, e ngjallet pasi që ishte e vdekur, aty rritet bima, e kanë dobi prej saj njerëzit, kafshët e kopshtet, etj. Kështu është me llojin e parë të njerëzve, u arrin udhëzimi e dija, e ruajnë atë, e zemrat e tyre ngjallen, veprojn me të, i mësojnë të tjerët, kështu që ata përfitojnë dhe përfitojnë të tjerët prej tyre.

Lloji i dytë i tokës është ajo e cila nuk pranon të përfitojë, por ka një dobi, e që është se e mban ujin për të tjerët, e kështu përfitojnë njerëzit e kafshët. Kështu është edhe me llojin e dytë të njerëzve, kanë zemrat të ruajtura, mirëpo nuk kanë sy largpamës, e as që janë të thelluar në dije, që të nxjerrin kuptime e dispozita, nuk posedojnë mund në adhurime, ata e ruajnë  atë derisa të vijë ndonjë kërkues, nevojtar, e i etur për dijen që ata e posedojnë,  kërkues të dobisë dhe të dobishëm për të tjerët, e merr prej tyre, dhe përfiton, e këta u bënë të dobishëm me atë që e arritën.

Lloji i tretë i tokës, moçal ku nuk mbien asgjë, as që përfiton nga uji, e as që  e mban që të tjerët të përfitojnë, e kështu është me llojin e tretë të njerëzve, as që kanë zemra të ruajtura, e as që kanë ndërgjegje, kur dëgjojnë nga dija nuk përfitojnë, e as që e ruajnë që të përfitojnë të tjerët. Allahu e di më së miri.”[2]

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kurtubiu dhe të tjerët kanë thënë: I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, solli një shëmbëllim të asaj me të cilën erdhi prej fesë, si një shi normal i cili zbret kur ata janë të nevojshëm për të. Kështu ishin njerëzit para shpalljes, ashtu si shiu që ngjall tokën e vdekur, njashtu shkencat e fesë e ngjallin zemrën e vdekur.

Më pas i ngjasoi ata që dëgjojnë dijen me tokën mbi të cilën bie shiu. Prej tyre është dijetari, i cili vepron sipas dijes dhe i mëson të tjerët, ai është në pozitën e tokës së mirë, e cila e pi ujin dhe sjell dobi për veten, mbinë në të bimët, e përfitojnë edhe të tjerët. Prej tyre është edhe tubuesi i dijes, që një kohë të gjatë ka kaluar në të, pos që ai nuk vepron sipas saj, ose nuk e kupton atë që ka tubuar, por e përcjell tek të tjerët, e ky është në pozitën e tokës në të cilën qëndron uji,  ku njerëzit përfitojnë prej saj. Ky është për qëllim në fjalën e tij, sal-Allahu alejhi ve selem: “Allahu e ndriçoftë fytyrën e atij personi që e dëgjon fjalën time, e më pas e përcjell atë ashtu siç e ka dëgjuar.”

E prej tyre ka të atillë që e dëgjon dijen, por nuk e ruan, as që vepron sipas saj, e as që e përcjell tek të tjerët, ky person është në pozitën e tokës së djerrë, apo të tharrë që nuk pranon ujin, apo e prish edhe për të tjerët.

Dy shembujt e parë të lavdëruar i ka përmendur bashkarisht, për shkak që marrin pjesë në sjelljen e dobisë, e grupin e tretë të nënçmuar e ka veçuar për shkak që nuk ka dobi prej saj. Allahu e di më së miri.”[3]

DOBI NGA HADITHI

  1. Vlera e dijes fetare, pasi që i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem e ngjasoi me shiun. Arsyeja e ngjasimit mes tyre është se shiu e ngjall tokën, kafshët e njerëzit. Njashtu edhe dija fetare e ngjall zemrën, pasi që përmes saj ai e njeh Zotin, është rrugë e arritjes së kënaqësisë së Tij, për këtë njerëzit janë të nevojshëm për të, po sikur që janë të nevojshëm për shiun.
  2. Vlera e dijetarëve, mendimtarëve, të cilët memorizuan dijen, meditojnë, i kuptojnë mësimet, nxjerrin dispozita e dobi prej saj, dhe duke vepruar sipas dijes. Këta janë njerëzit më të mirë.
  3. Vlera e atij i cili i memorizon citatet fetare nga Kurani dhe suneti, dhe i kumton ashtu siç i ka mësuar, e duke vepruar sipas saj, por nuk kanë aftësi të kuptimit të domethënieve që nxirren prej saj, e as që të nxjerrin dispozita e dobi. Këta janë në një mirësi të madhe, por janë në gradë më të ulët se të parët.
  4. Njerëzit më të këqij janë ata të cilët e refuzojnë dijen, as që mësojnë, as që e kuptojnë, po edhe nuk veprojnë me dije dhe nuk i mësojnë të tjerët.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

____________

[1] Buhariu79, Muslimi 2282.

[2] Shpjegimi i Sahih Muslimit nga Neveviu, 47/15-48.

[3] Nga libri “Fet’hul Bari” 1/130.

0 5680

Kurani Famëlartë shpesh herë, e në shumë ajete flet për Isain, alejhi selam, për faktin që është një i dërguar prej të dërguarve të Zotit, të cilët u dërguan për t’i ftuar beni israilët të adhurojnë vetëm Krijuesin e tyre, të pajisen me virtyte të larta morale. Ai (Isau) është një rob prej robërve të zgjedhur të Allahut, Allahu i Madhëruar për ta vërtetuar këtë besim, thotë: “Ai (Isai), është vetëm rob (njeri), të cilin Ne e kemi dhuruar (me profetni), dhe e kemi bërë shembull për bijtë e Israelit.” Zuhruf, 59.

Njashtu si konfirmim i këtij besimi është edhe fjala e Allahut: “Rasti i Isait te Perëndia, në të vërtetë, është si rasti i Ademit, që e krijoi prej baltës e pastaj tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” Ali Imran, 59.

Ky ajet flet për ata të cilët pretenduan për Isain, alejhi selam, hyjnësi, nga shkaku se u lind pa babë; në qoftë se krijimi i Isait, alejhi selam, pa babë ju lejon ta bëni atë Zot, apo bir të Zotit, atëherë më primare, më e drejtë dhe më e detyruar është që Ademin, alejhi selam, ta konsideroni Zot,  për shkak se ai u krijua pa babë e pa nënë, e nuk ka ekzistuar asnjë njeri të ketë pretenduar Ademin, alejhi selam, si Zot për këtë arsye, atëherë konsiderohet e kotë fjala mbi Isain, alejhi selam, të jetë hyjni.

Në suren Maide janë përmendur disa ajete të cilat hedhin poshtë thëniet e kota të cila i shpikën ithtarët e Librit mbi Isain dhe nënën e tij, alejhima selam. Këto ajete kanë sqaruar se Isau, alejhi selam dhe nëna e tij nuk janë gjë tjetër pos, dy robër prej robërve të Allahut, të cilët i janë përkushtuar Atij me adhurim, dhe i urdhëruan edhe të tjerë që të ndjekin rrugën e tyre, Allahu i Lartësuar si vërtetim i kësaj thotë: “Mesihu – i biri i Merjemës, është vetëm Pejgamber, – edhe para tij kanë kaluar pejgamberë. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, ngrënin ushqim.” Maide, 75.

Gjithashtu thotë: “E, Mesihu tha: “O bijt e Israelit, adhuronie Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj. Se, me të vërtetë, kush i ën shok Perëndisë, Perëndia ia ndalon atij Xhenetin dhe strehim i tij është zjarri. Dhe, për zullumqarët nuk ka ndihmëtarë.”Maide, 72.

Këto dy ajete tregojnë se Isai, alejhi selam dhe nëna e tij janë dy robër prej robërve të Allahut, Ai i zgjodhi nga mesi i tyre.

Në fund të sures Maide, Kurani na tregon për atë se çfarë do thotë Isau, alejhi selam ditën e Kiametit, me çfarë do përgjigjet ai, në mënyrë që atyre që besuan t’u shtohet besimi, kurse atyre që e përshkruajtën atë dhe nënën e tij me çfarë ata janë larg prej gjërave të tilla t’u shtohet dëshpërimi, Allahu thotë: “E, kur Perëndia thotë: “O Isa, i bir’i Merjemës, a mos ti u ke thënë njerëzve: “Merrmëni mua dhe nënën time si dy zotra, përpos Allahut?” Isai thotë: “Ti je i pastër nga të metat!” Mua nuk më përket të them ate çka ka në Ty. Vetëm Ti i di të gjitha ato që janë të fshehta. Unë nuk ju kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuronie Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar deri sa kam qenë në mesin e tyre. E pasi më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. E, Ti je dëshmitar për çdo gjë. Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i falë ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” Maide, 116-118.

Isau, alejhi selam, e sqaron të vërtetën, që është se ai nuk e urdhëroi popullin e tij për diç tjetër pos që ta adhurojnë Allahun Një, të mos i përshkruajnë ortak, Ai është Zoti i tij dhe Zoti i gjithë njerëzimit, Ai është i Cili e krijoi atë dhe krijoi gjithësinë, dhe se ai i përkushtohet Allahut Një me adhurim dhe respekt, dhe e urdhëroi popullin e tij me atë që ai u përkushtua, e besoi dhe thërriste në të.

Kurani Famëlartë e përshkroi Isain, alejhi selam me katër cilësi: “Dhe do të bisedojë (Isai) me njerëzit edhe duke qenë i vogël në djep edhe duke qenë si njeri i rritur, dhe do të jetë nga më të mirët.” Ali Imran, 46.

Allahu i Madhëruar i dha të dërgarit të Tij, Isait, alejhi selam, autoritet, pozitë të lartë tek Ai, që në këtë botë, pasi që i shpalli atij sheriatin, ia zbriti librin, e të tjera gjëra më çfarë e begatoi Allahu atë, e bëri që ditën e Kiametit të jetë ndërmjetësues për te Allahu, për ata që do t’i lejohet të ndërmjetësojë, Allahu e bëri atë thirrës në adhurim ndaj Tij, në Një Zot, të pashoq, që në periudhën e fëmijërisë, si një mrekulli dhe argument, dhe në moshën e ritur  kur Allahu i shpalli atij, dhe mbi të gjitha e bëri njeri me dije të vërtetë dhe punë të mira.

Allahu i Lartmadhëruar tregon se ai ia mësoi Isait, alejhi selam: “shkrimin dhe diturinë, Teuratin dhe Ungjillin.” Ali Imran, 48.

Dhe se ai është i dërguar i Allahut, e dërgoi tek beni israilët, e ndihmoi atë me mrekulli të jashtëzakonshme, që të jetë udhërrëfyes i drejtë i të vërtetës që u erdhi atyre, ashtu sç thotë Allahu: “e (pastaj) do ta dërgojë atë Pejgamber te bijtë e Israelit (të cilëve do t’u thotë): “U solla një mrekulli nga Zoti juaj”. Do të bëjë diçka prej balte në formë shpendi, dhe do të fryejë në te, e me urdhërin e Perëndisë do të bëhet shpend. Dhe do të shërojë të verbëtit dhe abrashët dhe me emrin e Perëndisë do t’i ngjallë të vdekurit. Ju informojë juve çka hani dhe çka ruani në shtëpitë tuaja. Në këto, nëse jeni besimtarë të vërtetë, me të vërtetë, ka argumente për ju.” Ali Imran, 49.

Atë që e solli Isai nuk ishte risi e asaj të pejgambervë të mëparshëm, por ishte konfirmim i librave dhe të dërguarve, duke kërkuar prej popullit të tij të pranojnë atë, t’i përulen urdhrave të tija, për ta adhuruar Allahun dhe Atë ta respektojnë, e për hallallin e haramin, Allahu thotë: “Dhe (u kam ardhur juve) për t’ju vërtetuar Teuratin që është para meje dhe t’ua lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Dhe ju kam sjellur argumentin nga Zoti juaj. Druajuni Perëndisë dhe bindmuni!.” Ali Imran, 50.

Dhe Allahu e rikonfirmon – pasi që pohoi të vërtetat dhe besimin e sakt – Hyjninë e Tij, se Ai është Zot i gjithë zotëve të supozuar, dhe se ai i cili e beson këtë është udhëzuar në rrugën e vërtetë, Allahu thotë: “Me të vërtetë Allahu është im Zot dhe Zot i juaji, andaj adhuronie Atë. Kjo është rruga e drejtë!.” Ali Imran, 51.

Pasi që Allahu i Madhëruar në suren Merjm tregoi për lindjen e Isait, alejhi selam, pa babë, dhe sqaroi se qëllimi kryesor i përmendjes së kësaj ndodhie është të bëhet e ditur realiteti i saj, dhe çfarë obligohemi ne të besojmë, Allahu thotë: “Ky është Isai, i biri i Merjemës. Tregimi i tij është fjalë e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë. Për Allahun nuk është (as afër mendjes) të marrurit dikë për fëmijë. Qoftë lavdëruar Ai! Kur të vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” Dhe, ajo bëhet. (Isai tha): “Dhe me të vërtetë, Perëndia, është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuronie vetëm Ate! Kjo është udha e vërtetë.” Merjem, 34-36.

Kjo ishte e vërteta për Isain, alejhi selam, e jo ajo që e thonë ata që e përshkruan atë si hyjni, e as ata të cilët shpifën mbi nënën e tij, Ai e tregoi të vërtetën ndaj së cilës kishin dilema e dyshime “Për Allahun nuk është (as afër mendjes) të marrurit dikë për fëmijë.” I Lartësuar, dhe larg çdo të mete është Ai, nuk është çështje e Tij të ketë bir, Por Ai është Një, i Vetëm, i pashoq, është Ai i Cili : “nuk ka lindur prej ndokujt, as nuk ka lindur kë, dhe askush nuk i gjason Atij!.” Ihlas, 3-4.

Allahu u tregoi robërve të Tij për begatitë që ia kishte dhuruar të dërguarit të tij, Isait, alejhi selam, që e kishte ndihmuar me mrekulli të ndryshme, që të jenë dëshmi të vërteta për profetësinë e tij, Allahu thotë: “(Kujtoje o Muhammed!), kur Perëndia tha: “O Isa, i biri i Merjemës, kutjoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës tënde: kur të forcova ty me Shpirtin e shenjtë (Xhebrailin), e ju flitje njerëzve duke qenë fëmijë (në djep) dhe si njeri i rritur; dhe kur ta mësova shkrimin dhe dijeninë e thellë, Teuratin dhe Inxhilin, dhe kur krijove një figurë shpendi prej balte me urdhërin Tim e fryeve në të, e u bë zog, me urdhërin Tim; dhe kur me urdhërin Tim, i ngjalle të vdekurit; dhe kur i pengova sulmet e Israelitëve në Ty, atëheë kur ju solle atyre argumente të qarta, e ata që nuk besuan ndër, ta, thanë: “Kjo është vetëm magji e kulluar! dhe kur i urdhërova Havarijjunët (Apostujt): “Besomëni Mua dhe Pejgamberin Tim!” Ata u përgjigjën: “Na besojmë, e ti bëhu dëshmues që ne jemi muslimanë!.” Maide, 110-111.

Në këtë ajet Allahu numëroi shtatë dhuntitë e Isaut, alejhi selam.

Njejtë, Allahu kërkoi nga i dërguari i Tij, Muhamedi, sal-Allahu alejhi ve selem, të mos polemizojë më tepër me ata të cilët polemizojnë rreth Isait, alejhi selam, pas asaj që i zbriti atij, rreth tregimit të Isait, për arsye se ai që është inatçi nuk e bind argumenti, sado që të jetë i qartë, por i thuhet atij dhe të ngjashmëve prej të devijuarve e inatçorëve: “thuaj: “Ejani, (e) po i thërrasim bijt tonë dhe bijt tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, dhe po e thërrasim na dhe ju veten, pastaj, të lutemi, që mallkimi i Perëndisë t’i goditë gënjeshtarët!.” Ali Imran, 61.

Më pas Allahu tregoi se çështja e Isait, alejhi selam, që nga lindja, thirrja  tij, dhe mrekullitë, është e vërteta në të cilën nuk ka fare dyshim, Allahu thotë: “Padyshim, të gjitha këto janë lajme të vërteta. S’ka zot tjetër përveç Perëndisë. Se Perëndia është i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëdijshëm.” Ali Imran, 62.

Kjo pra, është e vërteta për Isain, alejhi selam, se ai është rob i Allahut dhe i dërguari Tij, secili që polemizon për këtë të vërtetë, ai është inatçi ndaj një çështjeje të qartë si dielli në mesditë, e kështu që nuk duhet thelluar me të, e as që t’i tregohet interes.

Kështu Kurani e sqaroi të vërtetën e Isait, alejhi selam, me një shpjegim të qartë, udhëzon zemrat, i bind mendjet, i shpien shpirtrat në meditim, dhe në besnikëri në adhurimin ndaj Allahu Një e të Vetëm.

Përktheu: Shpend Zeneli

 Burimi: albislam.com

0 2318

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.” (El Huxhurat: 10).

Pa dyshim se tek Allahu më i nderuari prej jush është ai që është më i devotshëm (i ruajtur nga gjunahet).” (El Huxhurat: 14).

Shokët atë Ditë do të jenë armiq me njêri tjetrin, përveq të devotshmëve (atyre që janë ruajtur nga mëkatet).” (Zuhruf: 67)

Ndihmohuni mes vete në punë të mira dhe në të mbara e mos u ndihmoni mes vete në punë të këqija (mëkate) dhe armiqësi.” (Maide: 2).

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush përderisa nuk e dëshiron për vëllain e tij atë që e dëshiron për vete.” (Buhariu dhe Muslimi).

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Ai i cili ka mjet transportues tepër, le t’ia dhuroj atij që nuk ka fare. Dhe ai i cili ka veshmbathje dhe gjëra tjera tepër, le t’ia dhurojë atij që nuk ka. (Shejh Albani ka thënë se hadithi është Sahih, Sahihul Xhamiu: 6497).

Transmeton Abdullah Ibn Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i bën padrejtësi dhe nuk e braktis atë. Kush i gjendet në nevojë vëllait të tij, Allahu i gjendet atij në nevojë. Kush ia largon muslimanit një brengë, Allahu ia largon atij një brengë në ditën e gjykimit. Kush ia mbulon një të metë muslimanit, Allahu ia mbulon atij një të metë në ditën e gjykimit.” (Buhariu).

Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashuri ndaj njëri tjetrit, në mëshirën dhe ndihmesën që ata ia bëjnë njëri tjetrit është sikurse shembulli i një trupi. Nëse njëra pjesë e trupit ankohet nga diçka, atëherë i gjithë trupi ndien dhimbje dhe temperaturë.” (Buhariu dhe Muslimi).

Transmeton Ebu Seid el Hudriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Mos e shoqëro dikë tjetër pos besimtarin dhe mos ta hajë ushqimin tënde, pos të devotshmit.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu. Shejh Albani thotë se hadithi është Hasen, Sahihul Xhamiu : 7341).

Transmeton Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikojë njeriu se kë po e shoqëron.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu. Shejh Albani thotë se hadithi është hasen, Sahihul Xhamiu: 3545).

Transmeton Ibn Abasi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salAllahu alejhi ue selem!,- ka thênë: “Shtylla më e fortë e imanit është miqësia për hir të Allahut dhe armiqësia për hir të Allahut, dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut.” (Taberani. Shejh Albani thotë se hadithi është sahih, Sahihul Xhamiu: 2539).

Transmeton Xherir Ibn Abdullahu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: ” Jam besatuar para pejgamberit, alejhi selam!,- se do ta fali namazin, do ta jap zeqatin dhe që do ta këshilloj çdo musliman.” (Buhariu dhe Muslimi).

Përgatiti dhe ligjeroi: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

0 1738

MËSIME DHE POROSI ISLAME ( 07 )

Obligimet tona ndaj Pejgamberit alejhi selam:

1. Besimi i paluhatshëm në pejgamberllëkun e tij dhe se ai është vula e gjithë pejgamberëve.
2. Pasimi i sunetit të tij, largimi nga çdo gjë që ndalon ai dhe veprimi i çdo gjëje që ai urdhëron.
3. Mosteprimi në të, siç bënë Krishterët më Isain, alejhi selam (ngase ai dhe gjithë pejgamberët tjerë janë krijesa të Allahut).
4. Nuk lejohet betimi në të, psh. Pasha Muhamedin, alejhi selam, ngase betimi duhet të bëhet vetëm në Allahun.
5. Nuk lejohet ofendimi, sharja e shokëve të tij, grave dhe familjës së tij.

Shejh Abdulaziz Ibën Muhamed Ibën Abdullah es Sed’han

Burimi: albislam.com

0 4579

Dr. Seid ibn Alij ibn Vehf El-Kahtanij

Hutbeja e parë

Bismilahi rahmani rahim

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu ska kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, ska kush e udhëzon. Dëshmoj se ska hyjni tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kijametit, më pas:

O ju njerëz: kini frikë Allahun siç ju ka mësuar Ai ku thotë: “O ju të cilët keni besuar kini frikë Allahun realisht dhe vdisni vetëm si musliman” 1.

Robër të Allahut dijeni se kush e realizon teuhidin hyn në xhenet pa llogari. Koka e teuhidit, esenca, e baza e saj më e madhe është fjala La ilahe il Allah Muhameduresulullah. Dy fjali shumë të mëdha, njëra e patjetërson përmendjen e tjetrës. Andaj nuk pranohet asnjë vepër nga njeriu nëse nuk punon sipas kushteve të saj dhe të largohet nga ato gjëra që bien ndesh me të.

Fjala La ilahe ilAllah është: fjala shkaku i të cilës qëndron toka dhe qielli, shkaku i saj janë krijuar gjitha krijesat, Allahu thotë: “Njerzit dhe xhinët i kam krijuar vetëm për të më adhuruar mua”; Për shkak saj është krijuar dynjaja dhe ahireti, për të janë dërguar profetët, kanë zbritur librat e shenjtë, kanë zbritur ligjet e Allahut: “Çdo të dërguar që kemi dërguar para teje i shpallëm se: nuk ka Zot pos meje andaj më adhuroni vetëm mua”.

Për shkak të saj është ngritur Mizani (peshorja e veprave), janë shkruar fletushkat, për të qëndron xheneti dhe xhehenemi, për të njerëzimi janë ndarë në: besimtarë dhe jobesimtarë, të mirë dhe të këqinj, nga ajo starton lumturia dhe dështimi, nga këtu fillon çdo krijim dhe caktim, nga ajo del dënimi dhe shpërblimi, shkaku i saj libri mirret në anën e djadhtë ose në të majtë, për të rëndohet ose pakohet mizani, me të njeriu e kalon urën e siratit përndryshe përfundon në zjarr.

Kjo fjalë është realitet, nga shkaku i së cilës u krijuan krijesat, për të Allahu ka marrë premtim nga ne, për të është llogaria dhe pyetjet në ditën e gjykimit, për të ka shpërblim dhe dënim, për të u ngrit kibleja, për të janë krijuar popujt; Kjo njëherit është haku i Allahut për gjithë njerëzimin, Pejgamberi, -salAllahu alejhi ve selem-, thotë: “Haku i Allahut karshi robërve të tij është që ata ta adhurojnë dhe mos t’i bëjnë shok Atij” (Mutefekun alejhi).

Kjo fjalë është begatia më e madhe që Allahu ua dhuroi robërve të Tij besimtar, të cilët i udhëzoi në të, kjo fjalë është shprehja e islamit, çelësi i lumturisë, shkaku i saj garantohet gjaku dhe pasuria, për të shpalohen këllëfet e shpatave, i Dërguari, -salAllahu alejhi ve selem-, thotë: “Jam i urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i tij, ta falin namazin, ta japin zeqatin, e kur të veprojnë kështu atëherë nga unë e kanë të sigurt gjakun dhe  pasurinë e tyre, përveç me hakun e islamit ndërsa (për sinqeritetin e tyre) do të japin llogari para Allahut” (Mutefekun alejhi).

Kjo fjalë është e para që duhet të thërrasim në të. I Dërguari i Allahut, -salAllahu alejhi ve selem-, i tha Muadhit kur e dërgoi në Jemen: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të librit, andaj puna e parë që do t’i thërrasësh ata le të jetë; ta Adhurojnë vetëm Allahun” , në një transmetim tjetër:”thirri në dëshminë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se unë jam i Dërguari i tij…”(Mutefekun alejhi).

Kjo fjalë është baza e fesë, esenca e saj, krye e çdo çështjes, kërcell e shtyllë e saj; Pejgamberi, -salAllahu alejhi ve selem-, thotë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit” (Mutefekun alejhi).

Kjo është lidhja më e fortë, fjala e hakut, fjala e devotshmërisë, fjala e qëndrueshmërisë, fjala më e mirë, vepra më e madhe, dëshmia e hakut , fjala e sinqertë, thirrje në të vërtetë, dhikri më i vlefshëm, më e veçanta që e kanë thënë profetët, vepra më e vlefshme, kjo barazohet me lirimin e robërve, me të thënësit të saj i hapen tetë dyert e xhenetit, kjo është fjala për të cilën do të pyetën të parët dhe të fundit, andaj nuk mund të ec këmba e njeriut përpara Allahut para se të pyetet: Cka keni adhuruar? Dhe si ju i jeni përgjigjur pejgamberëve? Përgjegjja e të parës është: duke kompletuar fjalën la ilahe ilAllah me dije, me nënshtrim dhe veprim sipas saj. Ndërsa përgjigjja e të dytës është: duke realizuar fjalën Muhameduresulullah, me njohje, dorëzim, respektim e nënshtrim ndaj saj, sepse ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, besniku në shpalljen që Allahu ia dërgoi, më i miri nga krijesat e tij, ambasador i Tij ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij, i dërguari me fenë drejtë, me metodologjinë më të pastër, Allahu e dërgoi atë mëshirë për njerëzimin, prijës i të devotshmëve, argument mbi të gjitha krijesat, me të Allahu udhëzoi njerëzimin në rrugën më të mirë dhe më të qartë, nëpërmjet tij Allahu drejtoi sytë e verbër, zemrat e mbyllyra, veshët e shurdhër, obligoi robërit e Tij atë ta ndjein, ta ndihmojnë, ta respektojnë, ta duan, të çojnë në vend e obligimet që kanë ndaj tij, xheneti hapet vetëm me pasimin e rrugës së tij.

Allahu ia pastroi zemrën, e ngriti në pozitë të lartë, largoi nga ai të ndytat, e bëri të poshtërsuar atë i cili kundërshton çështjen e tij. Për aq sa e pason atë, -salAllahu alejhi ve selem-, je i udhëzuar dhe i shpëtuar. Allahu e ka lidhur ngushtë lumturinë në të dy botët me pasimin e tij, kurse humbje është kundërshtimi i tij. Ata që e pasojnë atë kanë: udhëzim, shpëtim, krenari, ndihmë, mbrojtje, sundim, jetë të mirë, në këtë dhe në botën tjetër. Ndërsa kundërshtarët e tij kanë: poshtërsim, nënçmim, frikë, devijim, dezertim, mjerrim në dynja dhe në ahiret.

Kërkoj mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar: “Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson tagutët , e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm”.

Allahu më bekoftë mua dhe juve me Kuranin Famëlartë, më bëftë dobi mua dhe juve me ajetet e tij dhe përkujtimin e urtë. Them këto fjalë duke kërkuar nga Allahu të më falë mua dhe juve si dhe gjithë besimtarët, kërkoni falje nga Ai sepse me të vërtet ai është Falës dhe Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Falenderimi i takon Allahut Zotit të botrave, Zotit të vërtet, përfundimi ju takon të devotshmëve, armiqësia ju takon vetëm zullumqarve, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut të pashoq, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij me mirësi deri në ditën e fundit, o Allah lësho mirësi të shumta mbi ta, më pas:

Fjala më e vërtetë është libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, -salAllahu alejhi ve selem, gjërat më të këqija janë të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat të çon në devijim dhe çdo devijim të çon në zjarr.

Robër të Allahut: Dëshmia la ilahe ilAllah nuk i bën dobi thënësit të saj vetëmse kur veprohet sipas kritereve të saja dhe largimit nga gjërat që bien ndesh me të si dhe të vepruarit sipas shtyllave të saja.

Shtyllat e saja janë: mohimi dhe pohimi,

1. Mohimi: që nënkupton mohimin e hyjnisë nga çdokush tjetër pos Allahut, kushdo qoftë ai.

2. Pohimi: pohimin e hyjnisë vetëm për Allahun, të vetëm të pashoq, si dhe se Ai është Zoti i vërtetë, ndërsa çdo zot pos tij është batil(i pavlefshëm). “Kjo sepse Allahu është hak dhe se çdogjë që lutet pos tij është batil (i pavlefshëm) dhe se Allahu është Më i Larti dhe më i Madhi

Kushtet e kësaj fjale janë:

1. Dituria në kuptimin e saj, se nuk ka të adhuruar që e meriton adhurimin pos Allahut si dhe gjithçka që adhurohet nga njerzit përpos Allahut është e pavlefshme , Allahu i Lartësuar thotë: “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut dhe kërko falje për mëkatin tënd”

2. Bindja në gjithë përmbajtjen e saj

3. Pranimi i asaj në çka aludon kjo fjalë

4. Nënshtrimi i plotë ndaj saj

5. Drejtësia

6. Sinqeriteti

7. Dashuria

8. Mohimi i çdo gjëje që adhurohet pos Allahut.

Andaj nëse njeriu vepron sipas këtyre që u cekën, ka hyrë në xhenet dhe ka shpëtuar nga zjarri i xhehenemit.

Dërgoni sa më shumë salavate mbi të dërguarin më të mirë, mbi pejgamberin tonë Muhamedin të birin e Abdullahut -paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. O Allahu lëshoj bekimet dhe mirësit tua mbi të, o Allah je i kënaqur me shokët e tij: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun si dhe sahabët e tjerë të pejgamberit tonë në përgjithësi, poashtu na mëshiro neve bashkë me ta me mëshirën Tënde o më Mëshiruesi i të mëshirshmëve. O Allah ndihmoje islamin dhe muslimanët, poshtërsoe shirkun dhe paganët, ndihmoji robërit e tu të drejtë që të të njësojnë Ty, o Allah ndihmoju luftëtarëve që luftojnë për ta ngritur fjalën Tënde, o Zoti i botëve. O Allah kush dëshiron kësaj fesë tonë apo neve të na bën dëm apo vendit ku jetojmë, kurthat e tij ktheja në kurriz, poshtëroe, humbja shpresat dhe zbrit frikë në zemrën e tij. Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë dhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!” O Allah, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret qofshin ata të gjallë apo të vdekur.

Robër të Allahut: “Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”

Përmendeni Allahun e Madh që Ai t’ju përmend juve, falënderoni Atë që t’ua shton të mirat, pasi që të përmendurit e Allahut është diçka e madhe, e Allahu di atë çfarë ju punoni!

Përshtati: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com

0 1758

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Ebu Hurejra, -radijAllahu anhu-, përcjell se i dërguari, -sal-Allahu alejhi ve selem-, ka thënë: “Shembulli im dhe i profetëve para meje është si shembulli i atij njeriu i cili ndërtoi një shtëpi, e zbukuroi dhe e përsosi, përveç një pjesë të një tulle në një skaj, njerëzit filluan të sillen rreth saj, e mahniteshin nga bukuria, e thonin: Ah po të ishte vënduar edhe kjo tullë? Tha: “Unë jam ajo tulla, dhe unë jam vula e pejgamberisë.”[1]

Dobitë e hadithit:

  • Imam Neveviu, -Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: “Këtu tregohet vlera e tij –sal-Allahu alejhi ve selem-, dhe se Allahu vulosi me të pejgamberinë, dhe plotësoi ligjet e fesë.
  • Nevoja e njerëzimit për të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem, për të plotësuar mesazhet dhe për të vulosur ligjet.
  • Allahu e dërgoi Muhamedin, sal-Allahu alejhi ve selem, për njerëzit dhe xhinët, që prej kohës së pejgamberllëkut e deri ditën kur do të ndodh Kiameti, për këtë sheriati i tij erdhi i plotë dhe gjithëpërfshirës, valid për çdo kohë e çdo vend.
  • Nuk ka të dërguar pas tij, sal-Allahu alejhi ve selem, me këtë bëhet e qartë gënjshtra e çdo secilit që pretendon se është i dërguar.
  • Të dërguarit janë fenerë të cilët të udhëzojnë, thirrës për të mirë, që duhet t’i ndjekim, feja e tyre është e njejtë, ajo është njëshmëria e Allahut në besim, njësimi i Tij në adhurim, edhe pse ligjet i kanë të ndryshme, është obligim të besojmë në të gjithë ata, e t’i duam. Të gjitha ligjet janë shfuqizuar me ardhjen e të dërguarit Muhamed, sal-Allahu alejhi ve selem-.
    Nuk ka rrugë të shpëtimin e lumturisë, më herët a më vonë, pos duke i besuar atij, duke e dashur, duke ndjekur udhëzimin e tij, sal-Allahu alejhi ve selem.
  • Ky hadith sjell shembull për të lehtësuar kuptimin.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

_________

[1] Buhariu, 3534 dhe Muslimi, 2286.

0 3095

Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Sa e çuditshme dhe e vajtueshme që është sjellja e shumicës së njerëzve në bisedat, mospajtimet dhe gjykimet e tyre. Duke u larguar nga drejtësia dhe baraspesha, e rënia në padrejtësi dhe dëm ndaj të tjerëve.
Porse, cili është shkaku i kësaj, dhe cili është shërimi?

1.Dija është bazë e çdo mirësie dhe burim i çdo virtyti, sado që njeriu të ngrihet në dije pakohen tek ai fatkeqësitë dhe problemet në të cilat mund të bie. Pakohen hapësirat dhe mashtrimet prej të cilave shejtani mund të dëmton adhurimin e besimtarit.

Ai i cili humb shpresën nga mëshira e Allahut, i mungon dija rreth mëshirës së gjerë të Allahut, bujarisë dhe vlerës së saj.

Ai i cili mburret me veprat e tij, i mungon dija për dobësinë që e ka, për mangësitë e tij, dhe i mungon dija për obligimet e tija ndaj Allahut.

Ai i cili gjykon ndaj muslimanëve me kufër, dhe e bën të lejuar gjakun e tyre, i mungon dija rreth dispozitave të fesë.

Ai i cili humb kohën e tij në gjëra nuk i bëjnë dobi, apo në gjëra që nuk janë aq me rëndësi, i mungon dija rreth parimeve.

Dhe kështu, aq më shumë që njeriu të mëson, mund të vepron atë që është më e mirë për të dhe të largohet nga shumë fatkeqësi dhe gabime.

Andaj, nuk ka gjë që rit dobinë e një individi apo një shoqërie sikur dituria, e as që ka gjë që më shumë e rit dëmin dhe shkatërrimin se sa injoranca e mosdija

Shumë probleme, shkakun kryesor e kanë injorancën, dhe zgjidhja për të nuk mund të jetë tjetër përpos dijes.

2.Ai i cili dëshiron që të merr dije në bazat e saja të shëndosha dhe të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm, ai duhet të merr dije nga dijetarët e besueshëm, të shton numrin e atyre prej të cilëve ai ka dobi dhe merr prej tyre.

Sado që të shtohen njohurit tek njeriu, zgjerohet gjoksi i tij kur ballafaqohet me mospajtime, dhe shtohet respekti nga palët tjerë. Ai që ka dije të pakët i shtohen kundërshtimet e tija, në gjëra që nuk duhet ekzistuar kundërshtime. Çdo kundërshtim nuk e ka shkakun: dijen, sa prej kundërshtimeve janë zhvilluar për shkak të injorancës dhe kuptimit të ngushtë.

Shtimi i dijes, me synimin e sinqertë e ngrit njeriun në pozitën e lartë të drejtësisë, kurse injoranca dhe pasimi i epshit e fundosin njeriun në thellësitë e padrejtësisë.

3.Injoranca është me e mirë se sa një dije e shoqëruar me epsh dhe ekstremitet.

Allahu thotë: “E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në te (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë), nga zilia ndërmjet tyre”. Bekare 213.
Allahu ka sqaruar se shkaku i mospajtimeve mes tyre ishte “zilia”.  Dhe kështu dija kur shoqërohet me padrejtësi dhe zili.

Në të vërtetë, Ne i vendosëm beni israilët (pas shkatërrimit të armiqve të tyre) në një vend të mirë, i furnizuam ata me ushqime të dobishme dhe nuk ishin të përçarë (rreth fesë), vetëm pasi që u erdhi atyre dituria (Tevrati). Zoti yt, do të gjykojë mes tyre në ditën e kijametit, për atë që ishin përçarë”. Junus 93.

4.Sa e mjerueshme që është kur disa njerëz kënaqësinë e tyre e gjejnë në nxjerrjen e shumë prej muslimanëve nga metodologjia e ehlu sunetit, në devijimin  dhe konsiderimin e tyre bidatçinj, dëshirojnë të ngushtojnë hapësirën e gjerë të islamit e ta përkufizojnë atë në një grupacion të vetëm. Këtë fe madhështore të cilën Allahu e bëri të jetë mëshirë për gjithë njerëzimin, ata e shndërrojnë atë në mëri dhe dënim për njerëzit.

Ata, sikur i përvetësojnë dyert e xhenetit për veten e tyre dhe nuk dëshirojnë që të jenë dyer edhe për të tjerë! Pra, fatkeqësia e këtyre a është injoranca? Apo kuptimi i zbehët? Apo pasimi i epshit? Apo egoizmi dhe mosdashjena e të mirës për të tjerët? Apo është një përzierje e gjithë asaj që u cek deri më tani?

5.Dallim i madh mes atij i cili diskuton dhe dëshiron të arrijë deri tek e vërteta, dhe mes atij i cili dëshiron të vërteton dhe të argumentohet se pala tjetër është në devijim. Që kur ndokush kthehet nga gabimi i vepruar ai ende vazhdon  duke e qortuar dhe duke i sqaruar atij se tani ka ndruar thëniet pasi që ka qenë i devijuar…

Do të ishte më e udhës që ta ndihmon atë në pranimin e të vërtetës, duke e respektuar se ai u kthye nga një gabim, e jo të ndërhyjë mes tij dhe mes pranimit të së vërtetës me qortim.

6.Nëse ai bisedon me dikë, dhe personi nuk i bindet fjalës së tij, e akuzon atë se ai nuk dëshiron të kthehet në të vërtetën, dhe ia rreshton atij argumentet rreth rëndësisë së kthimit në të vërtetën! Dhe ai i cili thotë se është i bundur në fjalët e tija, por nuk dëshiron t’i merr në konsideratë! Mund të jetë ose për shkak të argumentimin, të mos jetë shumë bindës, apo të posedon argumente që bien ndesh me fjalën e tij.

7.Nuk pajtohet me të në mendime, e i thotë atij me një shprehje të mprehtë: Ke firkë Allahun! Sikur mospajtimi me të të jetë për mangësinë që e ka në frikën ndaj Allahut.

Nxitja për frikë ndaj Allahut është e kërkuar dhe e lavdëruar, por nëse vije me një shprehje nga e cila kuptohet akuzë ndaj tjetrit, atëherë nuk mund të jetë e lavdëruar.

8.Ndodhitë të cilat i japin vullnet njeriut kanë shumë dobi, ato e ushtrojnë njeriun për durim, ngjallin vullnetin dhe mendjen, e i vijnë mendime dhe kuptime të cilat nuk i ka menduar më herët, po të mos ishin këto ndodhi.

Sa vepra shkencore me dobi të mëdha ishin shkak për to kundërshtimet e mospajtimet në qëndrime dhe mendime.

Apo, ekzistimi i armiqve të cilët dëshirojnë keqbërje, që shpiejnë në kundërveprim tek shumë prej njerëzve, për të ndihmuar të vërtetën.

Pra, prej mençurisë dhe urtësisë është që njeriu të vepron edhe me atë të cilin ai ka mospajtim, e të mos përkufizohet vetëm se me ata të cilët është në pajtim.

Andaj ai i cili nuk ka marrëdhënie pos me ata që pajtohet, do të humb shumë prej dobive, dhe nuk i jepet atij mundësia që të jetë më shumë i pjekur, i qëndrueshëm, dhe i drejtë.

9.Kritikojnë personin, ngase ai ka ndryshuar dhe nuk është kthyer ashtu siç ka qenë!

A nënkupton ndryshimi, vetëm në kahje për në një gjendje më të keqe?! A nuk ka ndryshim në më të mirë?!

Kthimi në të vërtetën është më mirë se sa qëndrimi në të kotë…

A nuk ka thënë Halifja Omer in Hatabi, radijallahu anhu, për një çështje: “Ajo është me çfarë kemi gjykuar në të kaluarën, e kjo është ajo me çfarë gjykojmë sot…”.

A ka mundësi që njeriu kur të shton dijen dhe kuptimin të mbetet në mendimet sikur që ka qenë para se të shton dijen?!

A nuk ka imam Shafiu, medh’hebin e vjetër dhe atë të riun?!

Imam Ahmedi a nuk ka më shumë se një transmetim në shumë prej çështjeve fetare?!

E më pas, të vije ndokush që të kritikon dhe të nënçmon dikë me argumentis se ai ka ndryshuar!

Padyshim se biseda është në ndryshimet që ndodhin në gjërat dytësore dhe metoda, e jo në gjëra parimore dhe të pandryshueshme.

Por, gjithashtu prej mangësisë së madhe është që njeriu të llogarit çdo çështje në të cilën është i bindur se është çështje e prerë (pandryshueshme), që nuk lejohet të ketë mospajtim në ato çështje, se çdo sen në të cilën ai ka jetuar është e vërtetë dhe të tjerat janë devijime.

10.Imam Ebu Jusuf Jakub ibn Ibrahim el Ensari dhe Imam Muhamed in Hasen Shejbani, Allahu i mëshiroftë, ishin dy prej nxënësve më të dalluar të Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë. Megjithatë nuk ishin fanatik në thëniet e imam Ebu Hanifes, andaj dijetarët përmendin prej thënieve të Imam Ebu Hanifes që ishin në kundërshtim me nxënësit e tij, e që ndoshta fetvaja e medhhebit të jetë e bazuar në fjalët e atyre dyve.

Kanë qenë në dijeni se të ndihmohet e vërteta është ndihmë e vetë Ebu Hanifes, e nuk është mbrojtja e thënies të Imamin me të vërtetë apo pa të vërtetë ndihmë për të.

Sa dallim i madh që është kjo ndodhi- e imamit në pranimin e diskutimeve me nxënësit e tij në gjëra që e kundërshtonin atë- dhe mes qëndrimit të disa mësimdhënësve të cilët nuk pranojnë diskutimet e nxënësve, gjithashtu disa nxënës të cilët nuk pranojnë që ndokush të kundërshton mësuesin e tyre.

11.Disa të cilët nuk kanë njohuri rreth realitetit të diturisë, gjerësinë dhe thellësinë e saj, kur t’i përmendësh atij një thënie prej katër imamëve apo të ndokuj tjetër nga imamët, të thotë i nevrikosur dhe mohues i asaj që e thua: Unë dëshiroj të bazohem në argument!

Vallë, katër imamët dhe të tjerët nga dijetarët, a nuk bazohen në argumente? Qoftë argumenti të jetë citat, apo alegori, apo të themi tekst nga Kurani e suneti dhe logjika.

Apo ka për qëllim të merret me kuptimin e sunetit, edhe pse të gjithë këta imamë kanë qenë fekihë, që të gjithë bazë të medh’hebit të tyre e kishin: Kuranin, Sunetin, Ixhmanë (Konsensusin) dhe Kijasin (analogjinë).

Por, Kurani dhe Suneti përmbajnë më shumë kuptime, aty janë temat që kanë të bëjnë me nocionet e përgjithshme dhe ato të veçanta, gjithëpërfshirëse e të përcaktuara, citatet shfuqizuese dhe ato të shfuqizuara, etj.

Andaj, a mundet që secili të bën dallim në kuptimet që ngërthejnë shprehjet e ndryshme, e të bën dallimin mes citatit shfuqizues nga ai i shfuqizuar, a ka aftësi të bën bashkimin e dy teksteve kur gjendet kundërshtin sipërfaqësor mes tyre.

Të gjithë imamët dëshirojnë të argumentohen, por parashtrohet pyetja: Ky argument a është i sakt tek ky imam? Nëse është konfirmuar dhe vërtetuar, atëherë si të kuptohet argumenti, dhe si të bëhet bashkimi i këtij dhe argumenteve tjera.

Shkak i divergjencës mund të jetë: Argumenti qëndron apo nuk qëndron si argument, njashtu mund të jetë edhe në kuptimin e ndryshëm të argumentit.

Ai i cili dëshiron të pavarësohet nga fjalët e imamëve, e të merr argumentin të cilin ai e sheh, e të shndërron kundërthëniet e njerëzve ndaj kuptimit të tij kundërshtim i argumentit, ky në fakt ua tërheq vërejtjen njerëve të mos i imitojnë  imamët e mëdhenj, e më pas dëshiron prej njerëzve që ta pasojnë atë!

Nuk është për qëllim që të mohohet ixhtihadi i dijetarëve të specializuar, po është mohim i atyre që dëshirojnë të bëjnë ixhtihad, por që nuk posedojnë mjetet e ixhtihadit.

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi prijësin tonë, Muhamed, familjen e tij, shokët e tij.

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve.

Omer ibn AbdulMexhid El Bejanuni

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

NA NDIQNI NË