Arhiva DitoreJan 31, 2015

0 3247

Të afërmit nuk janë të një mase në lidhje, dashuri dhe mëshirë. Lidhjet farefisnore janë adhurim i madh, i cili nuk bëhet për shkak të njerëzve dhe le të mos mbahen për hir të njerëzve.

Besimtari i vërtetë i mban lidhjet farefisnore edhe në qoftë se farefisi e bojkoton apo distancohen nga ai, sepse ky e kryen adhurimin që e ka urdhëruar Allahu, nuk i viziton ata sepse ata e vizitojnë, mirëpo sepse këtë e llogarit si adhurim ndaj Allahut.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk llogaritet mbajtës i lidhjeve farefisnore, ai i cili i mban lidhjet me atë që i mban lidhjet me të, mirëpo mbajtës i vërtetë i lidhjeve farefisnore llogaritet ai i cili i mban lidhjet farefisnore edhe pse ato nuk i mbajnë lidhjet me të.”[1]

Ne e dimë se të afërmit e familjes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i shkaktuan shumë vuajtje atij, të cilët ishin pabesimtarë mirëpo përskaj kësaj i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i mbante lidhjet farefisnore me to dhe thoshte: “Unë ju kam të afërm në familje dhe nxehtësitë (përleshjet) tuaja ndaj meje do ti shuaj me ujë nga shkaku se ju kam familje.”[2]

Ndërsa Allahu i drejtohet atij me gjithë luftën e tyre ndaj tij me fjalët: “Unë nuk kërkoj prej jush shpërblim përpos dashurisë farefisnore.”[3]

Kështu që poqëse ndonjë i afërm i yti sillet keq me ty, ti sillu mirë më të. Ky është mjekimi i sheriatit, të mësohesh që të keqen ta kthesh me të mirë. Ky lloj veprimi të ngrit dhe ti rrit shkallët tua te Allahu. Po ashtu të bën krenar ndaj krijesave duke të mbrojtur prej të këqijave. Allahu thotë: “Të keqen ktheje me të mirë.”[4]

Këtë virtyt nuk mund ta arrij kush pos atij i cili e shet veten e tij për Allahun, madje diçka shumë e rëndësishme që duhet kuptuar është se ky besimtarë që ka vepruar kështu e ka gëlltitur te keqen e dikujt, kurse tjetrit i ka servuar diçka të mirë, e kjo është cilësi e banorëve te Xhennetit. Allahu thotë: “Dhe ngutuni në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një xhennet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.”[5] Kështu që poqëse distancohesh nga të afërmit e tu, atëherë nuk e ke kryer këtë adhurim siç duhet dhe ke rënë në kurthin e shejtanit dhe pasuesve të tij.

Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: Unë shkoj te familjarët e mi e ata nuk vijnë tek unë, unë sillem mirë me ta e ata sillen keq me mua, sillem butësisht ndaj tyre e ata këtë nuk ma vlerësojnë? – I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Poqëse është e vërtet kjo që thua, kjo është sikur t’ju japësh atyre mirësi dhe poqëse vazhdon kështu do ta kesh Allahun ndihmësin tënd.”[6]

 

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

[1] Transmeton Buhariu.

[2] Transmeton Muslimi.

[3] Shura: 23.

[4] Mu’minun: 96.

[5] Ali Imran: 133,134.

[6] Transmeton Muslimi.

0 2195

Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Një shok i imi, Allahu i dhashë të mira, më ka treguar: Falënderimi i takon Allahut azze ve xhel-le, që kur e njoha veten nuk mund të bëj gjumë, ndërsa në zemrën time të ketë, mllef, inat apo xhelozi për ndonjë prej myslimanëve! Shërimi është shumë i lehtë me lejen e Allahut, vazhdon të thotë: Çdo herë që më ndodhte ndonjë ndodhi, e ndjeja se më le gjurmë në zemër, merrja abdes dhe falja dy reqate namaz, bëja lutje për atë që më ka bërë padrejtë në sexhde, apo unë i kam bërë padrejtë, ashtu siç lutem për veten time për të mirat e dynjasë dhe ahiretit.

Kujtova hadithin e atij sahabiu, për të cilin kishte dëshmuar i Dërguari salallahu alejhi ue selem se është prej banorëve të xhenetit:

Në hadithin që e transmeton Enes ibn Maliku radijallahu anhu tregohen për sahabiun për të cilin ka dëshmuar i Dërguari salallahu alejhi ue selem për xhenet, tre herë në tre ditë. I shkoi pas Abdullah ibn Amr ibn As radijallahu anhuma, që të vepron si ai. Qëndroi me të tre ditë radhas, e nuk pa një vepër shtesë prej veprave të tija, nuk vepronte natën asgjë, pos që kur zgjohej dhe rrotullohej në shtratin e tij përmendte dhe madhëronte Allahun azze ve xhel-le deri sa të vinte koha e namazit të sabahut. Nuk ë dëgjoi duke thënë diç, vetëm se fjalë të mira. Pasi kaluan tre ditë, Abdullahu gati se nuk e nënçmoi punën e këtij sahabiu. E pyeti dhe i tha: ç’është ajo me të cilën ke arritur atë që e tha i dërguari salallahu alejhi ue selem? Tha: Nuk është diçka tjetër vetëm se unë kur shoh tjerët, nuk mbaj në zemër për asnjë prej myslimanëve mashtrim, as nuk kam zili për dikë që Allahu i ka dhen një mirësi. Atëherë Abdullah ibn Amr tha: Me të vërtetë kjo është ajo me të cilën ti e ke arritur, e që ne nuk mundemi. E transmeton Nesaiu.

Vëlla i nderua, Allahu të gëzoftë në dynja e ahiret, medito këtë hadith.

Ebu Hurejra radijallahu anhu ka thënë: i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk lejohet për myslimanin që të heq dorë nga vëllai i tij më tepër se tre ditë, kush heq dorë më tëpër se tre ditë dhe vdes, do të hyjë në zjarr”. Albani, Allahu e mëshiroftë, e ka vlerësuar të vërtetë në librin “Sahih Ebu Davud”.

Vëlla i dashur, a e di se veprat çdo të hënë dhe të enjte ngritën tek Allahu, e Allahu në atë ditë ia falë çdo secili që nuk i ka bërë shirk Atij, pos një njeriu (nuk i falë) që mes tij dhe vëllait të vet ekziston mllef, mbështetur në hadithin e Ebu Hurejres radijallahu anhu se i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dyert e xhenetit hapen ditën e hënë dhe ditën e enjte, e Allahu ia falë çdo myslimani që nuk i ka bërë shirk Allahut në asgjë, pos një njeriu që mes tij dhe vëllaut të vet ka inatë, e ju thuhet (melaqeve): Lëni këta të dy deri sa të pajtohen, lëni këta të dy deri sa të pajtohen, lëni këta të dy deri sa të pajtohen”. E transmeton Muslimi.

Prej shkaqeve që shërojnë zemrën, janë:

1-    Lutja e shpeshtë drejtuar Allahut, për t’ja shëruar zemrën.

2-    Përmendja e vazhdueshme e Allahut, në çdo gjendje.

3-    Largimi nga rënia në gjynahe e mëkate.

4-    Shpeshtimi i veprave të mira.

5-    Largimin e të keqes me të mirë.

6-    Përhapja e përshëndetjes me selam.

7-    Dhurata.

8-    Stimulimi në vepra të mira.

9-    Falja e tjerëve, tolerancش dhe lënia e qortimit.

10- Sadakaja dhe bamirësia.

O Allahu ynë, kërkojmë prej Teje  të na shërosh zemrat, na pastro zemrat tona, o Allah na pastro zemrat nga syefaqësia dhe dëshira për famë, na bën prej banorëve të Firdeusit të Lartë, O Zot i botëve.

Ahmed Halid Utejbi

Përktheu: Shpend Zeneli

0 5481

– Në ditën e martesës së saj e thirri prindi i saj dhe i tha:

Bija ime, ti sot transferohesh tek dy duar të huaja. Në këtë natë do të mbulon një kulm i huaj në shtëpinë e një burri të huaj. Në këtë natë do të qëndroj afër krevatit tënd të pastër në shtëpinë time dhe nuk do ta nuhasë më aromën e pastërtisë mbi jastëkun tënd të bardhë. Për herë të parë gjatë jetës sime më rrjedhin lotët sikurse lumi. Sot nga sytë e mi më mungon fytyra e vajzës sime e cila do ta ndriçon shtëpinë e re.

Sot emocionet dhe ndjenjat e mia më kthejnë mbrapa dhe ma rikujtojnë atë ditë kur familja e nënës tënde ma dorëzoi vajzën e tyre duke iu rrjedhur lotët si lumi nga sytë e tyre. Unë mendoja se ato janë lot gëzimi. Nuk e dija deri më sot se ata i mundonte atë ditë ajo që sot mua më mundon dhe ajo që ma djeg shpirtin në këtë orë ata i djegke atë ditë dhe ajo që ma shtrëngon zemrën dhe shpirtin në këtë moment kur unë të dorëzoj me dy duart e mia te një njeri i huaj, ua shtrëngonte atyre shpirtin dhe zemrën atë ditë.

Bija ime më beso, se po t’i kisha pasur atë ditë kur e martova nënën tënde ndjenjat e prindit që i ndjej sot, do ta kisha harxhuar jetën time që ta bëj të lumtur nënën tënde ashtu si kam dëshirë sot që burri jot ta harxhon jetën e tij që ty të bën të lumtur. Në këtë moment pendohem për çdo moment që kaloi dhe në të e mundova dhe e ofendova nënën tënde. Sot e paramendoj të ardhmen dhe të parafytyroj se si qëndron para meje duke më thënë se burri im më mundon dhe ofendon. Nuk di çka të veproj? I lutem Allahut që të mos më mundon mua nëpërmjet teje.

Vajza ime e vogël, njeriu gjithmonë krenohet se gruaja e tij e donë. Për këtë arsye përkujdesu ta paraqesësh dashurinë tënde para familjes së tij. Respektoje familjen e tij se ai donë të krenohet para tyre se e ka martuar një grua e cila e donë dhe e respekton atë dhe familjen e tij.

Bija ime, kur burri jot zemërohet pranoje zemërimin e tij me qetësi dhe kur gabon shëroje gabimin e tij me durim dhe kur atij i ngushtohet dynjaja zgjeroja atë me gjoksin tënd. Dije se ti je kurorë mbi kokën e tij e zbukuruar me xhevahire ose me thera që ia gjakosin kokën e tij.

E dashura ime, bëhu për të tokë e nënshtruar dhe ai për ty do të bëhet qiell dhe bëhu për të shtrat e ai për ty do të bëhet si shtyllë. Ruaja nderin dhe syrin e tij dhe përkujdesu që të mos nuhat nga ti përveç se të mirën dhe të mos dëgjon nga ti vetëm se të këndshmen dhe të mos shikon syri i tij vetëm se të bukurën.

Bija ime rikujtoje se sa u lodha për ty dhe me sa mund të edukova me edukatën më të mirë. Për këtë arsye bëhu shëmbëlltyrë e mirë që të shihet në ty morali i jonë i mirë.

E lus Allahun e Madhëruar që të sjell lumturi në jetë.

 Vajza ia kap prindit dorën, i rrjedhin lot nga sytë e saj dhe i thotë: Prindi im, sa shumë të dua dhe sa shpresoj që burri im të jetë si ti.

Prindi im, unë tani nuk posedoj diçka tjetër përpos lutjes sime për ty: O Zot, bëje prindin tim banorë nga banorët e Xhenetit dhe shpërbleje për të gjitha mundimet e tij që i kishte me mua dhe mundësona që të takohemi së bashku me familjet e tona në Xhenetin Tënd.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU 

0 5451

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Dynjaja është vend i provës dhe i belasë dhe fushë për ahiretin, ku njeriu sot mbjell në dynja për të korrur nesër në ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”.Mulk 2.

Allahu i Madhëruar dynjanë e përshkruan si kalimtare dhe shkatërruese dhe thotë: “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim”. Rrahman 26-27.

Kjo jetë e dynjasë pas të cilës garojnë njerëzit karshi ahiretit është shumë e vogël. Allahu thotë: “Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm kënaqësi kalimtare”. Rad 26.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Krahasimi i dynjasë me ahiretin është porsi ndonjëri prej jush që fut gishtin e tij në det, dhe të shikojë se çfarë mbart”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E ç’kam unë e dynjaja? Vërtet, shembulli im dhe shembulli i dynjasë është si shembulli i udhëtarit i cili fle nën hijen e një peme në një ditë vere pastaj shkon dhe e lë atë”.

O ju robërit e Allahut, dynjaja nuk është vend i përhershëm, po është kalimtare. Nga ajo ditë kur vendoset këmba e njeriut në këtë dynja, ai është udhëtar drejt Zotit të tij dhe jeta e tij e caktuar është kohëzgjatja e udhëtimit të tij. Ditët dhe netët janë periudha të jetës së tij, të cilat vijnë vazhdimisht njëra pas tjetrës, derisa të përfundon udhëtimi i tij. I mençur është ai që din ta shfrytëzon dhe të kujdeset për çdo periudhë sikurse kujdeset për dy sytë e ballit të tij.

Zemrën nga meditimi i këtyre realiteteve rreth dynjasë e pengojnë joshja e tokës dhe sprovat e dynjasë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër”, që nënkupton, e ëmbël në shije dhe e gjelbër në shikim. Nëse një gjë është e ëmbël në shije dhe në shikim e mirë, njeriu sprovohet me të. Kështu është edhe dynjaja, e ëmbël dhe e gjelbër, Pastaj i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vazhdon dhe thotë: “dhe Allahu ju ka bërë mëkëmbës në të, që të shikon se si do të punoni”.

Kurani Fisnik dynjanë e përshkruan si një lule, e cila lulëzon me freskinë dhe bukurinë e saj, dhe e cila ia tërheqë shikimin të gjithëve e pastaj, për një kohë shumë të shkurtër fillon ajo bukuri dhe freski t’i vyshket, dhe fryma ta dëmton e në fund ta shkatërron, sikurse të mos kishte qenë fare. Shembulli i dynjasë është i njëjtë, lule sprovuese, zhytëse dhe mashtruese. E ka thënë të vërtetën Allahu në Librin e Tij: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë! Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim)“. Kehf 45-46.

Ky përshkrim preciz e paraqet realitetin e dynjasë në peshoren e Islamit, me qëllim që njerëzit të mos bëhen rob të saj dhe t’i mashtron gjelbërimi i saj dhe ajo të bie shkak e të ndikon në ahiretin e tyre. Nuk është nga logjika e shëndoshë që robi ta shet ahiretin me dynjanë e tij dhe të shton nga haramet për ta kënaqur epshin e tij.

Njerëzit zakonisht vrapojnë pas dynjasë nga frika e humbjes së saj dhe nga dëshira për shtim. Për hir të saj sakrifikojnë shumë kohë të vlefshme dhe ballafaqohen me mundime të rënda, kurse në anën tjetër i sheh se e neglizhojnë çështjen e namazit, nuk e falin me xhemat apo edhe fare nuk i kushtojnë rëndësi, dhe nuk japin nga pasuria që Allahu i ka furnizuar.

Jeta e dynjasë pa marrë parasysh se sa e arrin bukurinë e saj, nuk peshon sa një kokërr zalli karshi begative të ahiretit. Dhe ajo që është më e madhja nga sprovat dhe belat e dynjasë nuk mundet të barazohet me një xixë të vogël të dënimit të Xhehenemit.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, frikohej për umetin e tij se mos binte pas dynjasë dhe frikohej nga të sprovuarit me të.  Amru ibën Auf, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha njërit nga ensarëve kur i erdhi pasuri nga Bahrejni: “Përgëzohuni me atë që ju erdhi. Pasha Allahun nuk i frikësohem për ju varfërisë por frikësohem se do të shtrihet para jush dynjaja siç ndodhi me ata që qenë para jush dhe do të konkurroni për të ashtu siç konkurruan ata dhe do t`ju shkatërrojë siç i shkatërroi ata”. 

Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, me një hadith tjetër përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur të çlirohet Persia dhe Roma si do të veproni?” Abdurrahman ibën Aufi tha: Do të themi siç na ka urdhëruar Allahu. Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mund të veproni edhe ndryshe. Të konkurroni mes njëri-tjetrit (për dynjanë), pastaj do të keni smirë njëri-tjetrin, pastaj do të ktheni shpinat e pastaj do të urreni njëri-tjetrin”.

Këto janë disa nga gjurmët që lë dynjaja e tepërt, konkurrim, e pastaj urrejtje dhe zili, e pastaj vrasje dhe derdhje të gjakut. Prej gjurmëve që le dynjaja është shthurja, harrimi i Allahut dhe i botës tjetër dhe rënia në gjynahe dhe mëkate.

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e mëshiroftë atë popull, ku dynjanë e kuptuan si amanet për ta dhe  në fund ia dorëzuan amanetin pronarit të saj dhe pastaj u larguan nga ajo me lehtësi”.

Malik ibën Dinar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sipas sasisë së mërzisë për dynjanë, del nga zemra jote brenga për ahiretin. Dhe sipas sasisë së mërzisë për ahiretin del nga zemra jote brenga për dynjanë”.

Dashuria ndaj dynjasë i sundoi disa zemra të njerëzve, i lëvizën ato kah të donë derisa dynjaja është bërë brenga e tyre kryesore dhe i janë nënshtruar plotësisht, si rob të saj, gjë që ndikon dhe len gjurma të këqija në ahiretin e tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për këtë lloj të njerëzve thotë: “Ka humbur robi i dinarit dhe dërhemit. Nëse i jepet diçka kënaqet e nëse nuk i jepet gjë nevrikoset.”

Disa të tjerë u veshën me petkun e varfërisë, mjerimit e nënçmimit, u larguan nga të mirat dhe u tërhoqën nëpër skaje dhe faltore me pretekst, të jemi më të lirë për adhurim dhe për të bërë vepra të mira për ahiret. Kjo bëhet shkak që ata më vonë të goditen nga përtacia dhe dembelia dhe të sprovohen me sëmundjen e pritjes ndihmë materiale nga të tjerët, e cila sëmundje do ti shkatërron dhe nga adhurimi do ti largon. Humbja e baraspeshës mes çështjeve të dynjasë dhe fesë, e dobësoi umetin dhe e largoi nga luajtja e rolit të saj në udhëheqjen e popujve.

O ju robërit e Allahut, Islami nuk e pengon përdorimin e gjërave të mira dhe të pastra dhe nuk e qorton fitimin e dobive dhe përdorimin e ushqimeve dhe pijeve dhe pasurive: Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”. Earaf 32.

Nga ajo që folën më lart nuk duhet nënkuptuar se Islami nxit të lihen shkaqet e ndërtimit dhe të përparimit të dynjasë dhe të përfituarit nga dobitë e saj, po qëllimi është që njeriu të merr nga dynjaja atë që ia ka lejuar Allahu dhe në anën tjetër ia tërheq vërejtjen ë të mos i bëhet dynjaja mjet i mashtrimit, dhe t’ia ngrit vlerën mbi çdo gjë dhe me të njeriu ta humb vetëdijen dhe ta shkatërron fenë dhe moralin.

Dynjanë të cilën e qorton Islami është ajo e epsheve dhe dëfrimeve, ajo e cila të largon nga dhënia e të drejtave dhe detyrimeve dhe të zhyt në gjynahe dhe mëkate, dynja e cila të preokupon nga Allahu dhe ta harron ahiretin. Allahu dëshiroi që dynjaja të jetë nën sundimin tonë, mirëpo erdhën disa me ambicie të ulëta dhe refuzuan çdo gjë përveç se të jenë rob të saj.

Grada shembullore dhe ajo më e larta është ajo që i bashkon mes dynjasë dhe ahiretit, mes durimit dhe varfërisë, mes devotshmërisë dhe pasurisë, dhe kjo është arsyeja se pse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha:Sa e mirë është ajo pasuri, që është në dorën e një burri të mirë”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e luste Allahun duke thënë: “O Zot, më përmiso mua fenë time, e cila është mbrojtje e çështjeve të mia, dhe më përmiso dynjanë time, ku në të është jetesa ime, dhe më përmiso mua ahiretin tim, ku në të do të jetë kthimi im, dhe bëje jetën time të dynjasë vend ku do t’i shtoj të mirat, dhe bëje vdekjen time rehati për mua nga çdo sherr”.

Ndarja mes çështjeve të dynjasë dhe ahiretit është shkaku i prapambeturisë me të cilën u sprovua ky umet dhe nuk mundi ta përcjell mesazhin e saj. Disa nga njerëzit kur e kuptuan se dynjaja është të distancuarit nga jeta e dynjasë dhe të distancuarit nga ndërtimi i saj dhe nga përmisimi në të dhe largimi nga të thirrurit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, tek ata lindi dobësia, ndjenjat negative dhe të distancuarit nga të tjerët, gjë që e refuzon kjo fe. Allahu i madhëruar thotë: “Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)“. Bekare 201.

Të mirat e kësaj bote e përfshijnë çdo gjë të nevojshme nga dynjaja si, shëndetin, shtëpinë, furnizimin e gjerë, diturinë e dobishme dhe veprën e mirë, mjetin e udhëtimit të rehatshëm, etj. Kurse të mirave të ahireti i paraprinë ajo më e larta, hyrja në Xhenet, pastaj shpëtimi  nga frika e tmerrshme e Ditës së Kiametit, llogaritja e lehtë, etj.

Sahabët janë modeli më i mirë i kuptimit të Islamit. Ata i merrnin shkaqet e fitimit dhe furnizimit nga tregtia dhe të mbjellurave dhe kërkonin dituri, dhe për këtë qëllim e shpenzonin kohën dhe shpirtrat dhe pasuritë e tyre. Në mesin e tyre kishte pasanik mirëpo jo kryelartë, kishte të varfër, mirëpo të mbrojtur, nuk e shfaqnin veten para tjerëve, dhe me gjithë këtë ishin shumë larg shkatërrimit nga dynjaja. Ata çliruan vende, , ngritën qytete dhe shtete dhe e përhapën Islamin.

Nga sahabët e mëdhenj kishte që ishin pasanik, mirëpo i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, qofshin mbi të, nuk i nxiste në lënien e pasurisë dhe tregtisë.. Dynjaja në jetën e tyre nuk vlente as sa një krah i  mushkonjës, siç edhe e përcjell Sufjan ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Nuk do të thotë se ti e donë dynjanë nëse ti e kërkon atë që të përmison”.

Seid ibën Musejeb, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Nuk ka hajr në atë njeri që nuk e kërkon nga dynjaja atë që i mjafton t’i lan borxhet e tij dhe ta mbron nderin e tij, kurse pas vdekjes së tij e le atë si trashëgimi pasardhëseve të tij”.

Dynja pra sipas botëkuptimit të Islamit është mjet për të arritur deri te qëllimet e sheriatit dhe për të arritur deri te fitimi i ahiretit. Pra besimtari pasurinë e sheh si mjet për të arritur deri te qëllimi final i tij, e ai është Xheneti i Allahut. Për këtë arsye ai punon dhe vepron në këtë botë dhe i kërkon të mirat e saj, mirëpo duke mos e harruar ahiretin: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët”. Kasas 77.

Kurani na paraqet gjendjen e atyre që shikimin kah jeta e dynjasë e kanë të ngushtë dhe të kufizuar, të cilët e njohin të jashtmen e saj, e cila është dëfrimi dhe kënaqësia, epshet dhe pasionet, ndërtimet dhe pasuritë, mirëpo nuk e njohin të brendshmen e saj: “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm”. Rum 7.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, qofshin mbi të, ka thënë:“Dynjaja është vendbanim i atyre që nuk kanë vendbanim, dhe pasuri e atyre që nuk kanë pasuri dhe asaj i bashkëngjitet vetëm se ai që nuk ka mendje”.

Ata që mendojnë se do të jetojnë gjatë, le ta dinë se nga dynjaja e tyre nuk fitojnë asgjë, edhe nëse i tubojnë të gjitha pasuritë dhe thesaret e dynjasë dhe tek ta prapë do të mbetet etja shpirtërore dhe ajo materiale edhe atë në vazhdimësi.

Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën”. Earaf 176.

SHEJH DR. ABDULBARIJ THUBEJTI

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

NA NDIQNI NË