AGJËRIMI, MBUROJË PËR BESIMTARIN

AGJËRIMI, MBUROJË PËR BESIMTARIN

0 1348

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Agjërimi është mburojë. Kur ndonjëri prej jush të jetë me agjërim, atë ditë nuk duhet ta fëlliqë
gojën dhe nuk duhet të bërtasë, edhe nëse ndonjëri e shan apo e mallkon, le t’i thotë: unë jam agjërues. Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu në Ditën e Gjykimit, sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: në kohën e çeljes gëzohet me çeljen dhe kur të takohet me Allahun do të gëzohet me shpërblimin e agjërimit që pati bërë”.

E shënon Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith na mëson se agjërimi është mbrojtës dhe na ruan nga gjërat që kemi frikë; ai na mbron nga rënia në gjynahe, e të cilat janë shkaktarë të dënimit, “agjërimi është mburojë nga zjarri”.

Kështu që, besimtari duhet të kujdeset për agjërimin, dhe atë duke u pajisur me sjellje të mira e duke u larguar nga të këqijat, në mënyrë që edhe agjërimi t’i jep frytet e duhura, dhe të sjell faljen e premtuar.

Veprat e këqija që u përmendën janë edhe më të shëmtuara gjatë agjërimit.

Agjërim i saktë e i pranuar është agjërimi i gjymtyrëve nga gjynahet, agjërimi i gjuhës nga gënjeshtra e fjalët e liga, agjërimi i barkut nga ushqimi.

Agjërimi është një shkollë edukative, na mëson butësinë, durimin e sinqeritetin, na nxit për moral të mirë, për fjalë e vepra të mira.

Koha e agjërimit është shumë e shtrejtë, nuk bën të harxhohet në gjëra që neve na shkatërrojnë, e që ndikojnë direkt në dobësimin e shpërblimit të agjërimit, bile mund edhe ta asgjësojnë.

O Zot, prano prej nesh, ti je Ai që dëgjon dhe di çdo gjë.

#përkthim
Hoxhë Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM