Gjykimi mbi agjërimin e udhëtarit

Gjykimi mbi agjërimin e udhëtarit

0 4225

PYETJE: “Allahu dëshiron që të merren lehtësimet e Tij…”, a është kuptimi i këtij hadithi se duhet patjetër të mos agjëroj nëse jam në udhëtim?

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet qofshin mbi Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë pasuesit e tij.
Në vijim: Dijetarët janë ndarë në mendime rreth asaj se cila është më e mirë për udhëtarin, agjërimi apo prishja e agjërimit.
Hanefitë, malikitë dhe shafitë, si dhe një mendim tek hanbelitë kanë mendimin se agjërimi është më i mirë, nëse agjërimi nuk e lodhë dhe nuk e dobëson agjëruesin. Hanefitë dhe Shafitë e kanë shprehur qartë se kjo është e lejuar.
Ata u argumentuan me Fjalën e të Lartësuarit: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim…” [El-Bekare: 183], deri te ajeti: “Që të plotësoni numrin.” [El-Bekare: 185]. Ajetet tregojnë se agjërimi është vendosmëri (obligueshmëri) dhe iftari (prishja e agjërimit) është lehtësim dhe nuk ka dyshim se obligueshmëria është më e mirë, siç u përcaktua në baza. Ibn Rushdi ka thënë: “Ajo që është lehtësim, më e mira është që të lihet lehtësimi.”
Ata gjithashtu argumentohen me hadithin e Ebu Derdasë, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: “Ne dolëm me të dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, gjatë muajit të Ramazanit në nxehtësi të madhe… nuk kishte agjërues prej nesh përveç Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe Abdullah bin Ravaha.”
Hanbelitë kanë mendim se prishja e agjërimit në udhëtim është më e mirë.
El-Hirakij ka thënë: “Për udhëtarin preferohet (është më mirë) prishja e agjërimit.”
El-Merdavij ka thënë: “Ky është medhhebi.” Dhe në librin “El-Iknaà” thuhet: “Udhëtarit të cilit i lejohet shkurtimi i namazit, e ka sunnet prishjen e agjërimit dhe e ka të urryer agjërimin edhe nëse nuk ndien vështirësi.” Ky është mendimi i shokëve tanë, pavarësisht nëse ndien vështirësi apo jo. Ky është edhe medhhebi i Ibn Umerit dhe Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, si dhe i Sejidit, Shabiut dhe Euzaiut.
Këta janë argumentuar edhe me hadithit e Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: “Nuk është prej mirësisë agjërimi në udhëtim.” Ka shtuar në një transmetim tjetër: “Ju porosisë për lehtësimin e Allahut, të cilin ua ka lehtësuar juve, prandaj pranojini ato.”
Imam Neveviu dhe Kemal ibn Hemmam thonë: “Hadithet që tregojnë se prishja e agjërimit është më e mirë, me to kihet parasysh kur agjërimi i dëmton dhe në disa prej tyre kjo tregohet qartë. Këtu patjetër duhet interpretim që të punohet me të gjitha hadithet dhe kjo është më parësore sesa të neglizhosh disa prej tyre ose të pretendosh shfuqizim pa argumente të prera.”
Ata që kanë barazuar midis agjërimit dhe prishjes në udhëtim, argumentohen me hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila ka thënë: “Hamza ibn Amr El-Eslemij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e kishte pyetur Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “A të agjëroj gjatë udhëtimit?” – ai ishte që agjëronte shumë.
Profeti i tha: “Nëse do, agjëro, e nëse do, prishe (mos agjëro).” [Muttefekun alejhi].
Më e sakta është: medhhebi i hanbelive, se prishja e agjërimit në udhëtim është më e mirë, sipas hadithit të Hamza ibn Amr El-Eslemij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i kishte thënë Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguari i Allahut, unë gjej te vetja ime forcë që të agjëroj gjatë udhëtimit, a kam gjunah për këtë?”
Profeti i tha: “Ky është një lehtësim nga Allahu. Kushdo që e merr atë, ka bërë diçka të mirë dhe kush dëshiron të agjëroj, nuk ka gjunah.” [Transmeton Muslimi]. Në hadith tjetër: “Allahu dëshiron që t’i veproni (t’i merrni) lehtësimet e Tij, ashtu siç urren t’i bëni mëkat Atij.” Në version tjetër: “Ashtu siç dëshiron t’i shfrytëzoni obligimet e Tij.”
Kjo nuk bie në kundërshtim me lejueshmërinë e agjërimit për atë që nuk ka vështirësi dhe gjen tek vetha e tij fuqi, kështu që nuk ka asgjë të keqe për të. Transmeton Muslimi nga Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, doli Vitin e Çlirimit për në Mekë në muajin Ramazan, agjëroi derisa arriti në Kuraā El-Gamijm (vend midis Medines dhe Mekës) dhe sahabët ishin agjërues bashkë me të, pastaj kërkoi një enë me ujë dhe e ngriti derisa njerëzit e panë dhe pastaj e piu.
Pas kësaj atij i thanë: “Disa njerëz e mbajtën agjërimin.”
Profeti u tha: “Ata janë të pabindurit (kundërshtues), ata janë të pabindurit.”
E në një transmetim tjetër: “Atij iu tha: “Njerëzve u është vështirësuar agjërimi dhe po shohin se çfarë do veprosh, kështu që ai kërkoi një enë me ujë pas ikindisë.”
Ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, atë që agjëronte me vështirësi e përshkroi si të pabindur.
Allahu më mirë e di!

Burimi: www.islamweb.net
Përktheu nga arabishtja: Amir Shabani