GJËRAT QË ASGJËSOJNË VEPRAT E MIRA

GJËRAT QË ASGJËSOJNË VEPRAT E MIRA

0 2778

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i tij qofshin mbi të dërguarin, sal-Allahu alejhi ue selem, dëshmoj se nuk ka të adhuruar (me meritë) tjetër pos Allahut, i Cili është  Një dhe i Vetëm, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Allahu thotë: “Vërtet, ata të cilët ndaj madhërisë së Zotit të tyre kanë frikë, ata, të cilët u besojnë argumenteve të Zotit të vet, dhe ata, të cilët nuk i përshkruajnë shok Zotit të vet, dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara. Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do t’i arrijnë ato”. Mu’minun 57-61.

Përcillet nga Aisheja radijallahu anha të ketë thënë: Kam pyetur të Dërguarin e Allahut, sal-Allahu alejhi ue selem, për këtë ajet “ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara” Aisheja ka thënë: A janë ata të cilët pinë verën dhe të cilët vjedhin? Tha: “Jo, oj bija e të Sinqertit, por ata janë të cilët agjërojnë, falen, japin lëmoshë, dhe kanë frikë se a u pranohet prej tyre, ata janë të cilët shpejtojnë në vepra të mira”.[1]

Shokët e të Dërguarit, sal-Allahu alejhi ue selem, me gjithë mundin e tyre në vepra të mira, frikoheshin që të mos u shkatërroheshin veprat dhe të mos u pranoheshin, nga dija e thellë dhe besimi i fuqishëm.

Ebu Derdaja ka thënë: Po ta dija se Allahu më ka pranuar mua dy rekate, është më e dashur për mua se e gjithë bota dhe çfarë ka në te, se Allahu thotë: “Me të vërtetë Allahu pranon prej të devotshmëve”.

Abdullah ibn Ebu Melika ka thënë: “Kam takuar tridhjetë shokë të Pejgamberit, sal-Allahu alejhi ue selem, secili prej tyre kishte frikë hipokrizinë për veten e tij, asnjëri prej tyre nuk thoshte se ai është në një shkallë të besimit me Xhibrilin e Mikalilin, alejhima selam.

Gjërat që shkatërrojnë veprat janë të shumta, prej tyre që shkatërron gjithë veprat sikur që është shirku, dalja prej fesë, hipokrizia dhe mendjemadhësia, e prej tyre që shkatërron vetëm veprën e caktuar sikur që është përmendja e sadakasë apo tjera, në vijim do të përmendi vetëm pesë gjëra, që ndoshta do të jenë sqarim edhe për gjërat tjera:

Një: Shirku, është që shkatërron gjitha veprat, Allahu i Madhëruar i thotë të dërguarit, sal-Allahu alejhi ue selem: “ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve”. Zumer 65.

Allahu thotë: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur”. Furkan 23.

Ebu Sad ibn Ebu Fadale Ensarij i cili ishte prej sahabëve ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Kur Allahu do ti mbledh njerëzit Ditën e Kiametit, në ditën që nuk ka dyshim në të, thërret një thirrës: Kush ka qenë që ka bë shirk në një vepër që e ka vepruar për Allahun, le ta kërkojë shpërblimin tek dikush tjetër pos Allahut, ngase Allahu është i panevojshëm për shirkun e atyre”.[2]

Dy: Syefaqësia, ajo është në dy lloje:

a)    Të shpreson me veprën e tij dikë tjetër pos Allahut, e kjo është shirk i madh që i prish gjithë veprat. Disa dijetarë e quajnë shirk i qëllimit, synimit, dëshirës. Allahut thotë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar”. Hud 15-16.

Ibn Abasi radijallahu anhu ka thënë: “Ata që janë hipokritë, i japin të mirat e tyre në këtë botë, sepse atyre nuk u bëhet e padrejtë aspak. Thotë: Kush vepron një të mirë që të arrijë dynjanë, me agjërim, apo namaz, apo namaz të natës, nuk e vepron pos për të arritur dynjanë, Allahu thotë: Do t’ia jap shpërblimin atij që ka synuar këtë botë dhe do t’ia shkatërroj veprën të cilën e ka vepruar për fitime të kësaj bote,  në ahiret do të jetë prej të humburve.[3]

b)    Të vepron një vepër, me të cilën do ta ketë synim Allahun, e më pas ti paraqitet syefaqësia pasi të ketë nisur të veprojë, kjo është shirk i vogël.

Transmeton Mahmud ibn Lebid radijallahu anhu se i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Më së shumti që kam frikë për ju është shirku i vogël” Thanë: E cili është shirk i vogël? Tha: “Syefaqësia, Allahu i Madhëruar do të thotë Ditën e Kiametit, kur do ti shpërblen njerëzit për veprat e tyre: Shkoni tek ata për të cilët vepronit në dynja,e shikoni se a do të gjeni tek ata shpërblim”.[4]

Nga Ebu Said Hudriju radijallahu anhu transmetohet se i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për një gjë që është më e frikshme se mesihu Dexhxhall, është shirku i fshehtë, të çohet njeriu të falet, e të zbukuron namazin kur sheh se tjetri e sheh atë”.[5]

Disa njerëz mund të neglizhojnë këtë lloj për nga emërtimi i tij si shirk i vogël, ndërsa është quajtur i vogël për tu dalluar nga shirku i madh, përndryshe është më i madh se gjitha mëkatet e mëdha, andaj dijetarët kanë thënë:

1-Shirku i vogël po që se gjendet në një vepër e prish veprën dhe e shkatërron.

2-Shirku i vogël nuk i falet vepruesit, dhe nuk është nën vullnetin e Allahut, siç është personi me mëkate të mëdha, por dënohet sipas tij, Allahu thotë: “Është e vërtetë se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron”. Nisa 116.

Pra besimtari obligohet të ketë kujdes nga shirku me të gjitha llojet e tij, të ketë frikë për veten, se Ibrahimi alejhi selam u frikua nga shirku e ai është prijësi i besimtarëve të drejtë, ai iu lut Zotit: “më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh)”. Ibrahim 35.

Ibrahim EtTejmi ka thënë: e kush është i sigurt nga sprova pas Ibrahimit alejhi selam.

Tre: Të përmendurit e veprës dhe mburrja, Allahu thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim”. Bekare 264.

“Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje”. Bekare 262.

Ebu Dherri radijallahu anhu përcjell se i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Tre njerëzve nuk do tu flet Allahut ditën e Kiametit, as që do ti shikon, e as që do ti pastron, e do të kenë dënim të dhembshëm”. Ebu Dherri tha: E tha këtë i Dërguari salallahu alejhi ue selem tre herë. I tha: Kanë humbur dhe janë shkatërruar, kush janë ata o i Dërguar i Allahut? Tha: “Ai i cili mban rrobat e gjata (ndër nyjen e këmbës, që është shenjë e mendjemadhësisë), ai që përmend (veprën e mirë), dhe ai i cili e shet mallin e tij duke u betuar rrejshëm”.[6]

Katër: Lënia e namazit të ikindisë, Allahu thotë: “Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm”. Bekre 238.

Burejde radijallahu anhu përcjell se i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e le namazin e ikindisë, atij i shkatërrohen veprat”.[7]

Pesë: Të gjykosh para Allahut, Damdam ibn Xheus Jemami ka thënë: Hyra në xhaminë në Medine, kur më thërriti një plak: “O Jemamas (nga vendi i Jemames) eja këtu. Unë nuk e njihja, më tha: Ju po thoni për një njeri: Pasha Allahun Allahu ty nuk do të falë asnjëherë, e nuk do të fut Allahu ty asnjëherë në xhenet. I thashë: Kush je ti Allahu të mëshiroftë? Tha: Unë jam Ebu Hurejra. I thashë: Këtë fjalë e thotë ndonjë prej nesh ndaj një të familjeje apo gruas kur jemi të nevrikosur. Tha: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, sal-Allahu alejhi ue selem, duke thënë: “Dy njerëz nga Beni Israilët ishin vëllazëruar njëri me tjetrin, porse njëri prej tyre ishte i përkushtuar në adhurim, kurse tjetri ishte gjynahqar. I devotshmi i thoshte: “Mjaft mjaft nga ajo që po e vepron!” Ai ia ktheu: “Më lër mua dhe Zotin tim. Sa që një ditë e pa në mëkat që e hiperbolizoi, e i tha: Mjaft më. Ai ia ktheu: Më lër mua dhe Zotin tim,  a mos vallë je dërguar mbikëqyrës mbi mua?!” Ky i tha: “Betohem në Allahun, Allahu nuk do të, të falë asnjëherë dhe Allahu asnjëherë nuk do të, të fusë në xhenet!” Allahu dërgoi melek e ua mori shpirtin atyre të dyve dhe u takuan para Zotit. I tha gjynahqarit: Hyn në xhenet me mëshirën Time. E tjetrit (atij që adhuronte Allahun) i tha: “A ke mundësi ta ndalësh mëshirën Time për robin tim? Tha: Jo o Zot. Tha: Dërgoheni në zjarr”. Ebu Hurejra radijallahu anhu tha: “Betohem në atë që shpirti im është në duart e Tij, ka folur me një fjalë që ia ka shkatërruar dynjanë e ahiretin.[8]

Përktheu: Shpend ZENELI

Autor: Emin ibn Abdullah Shekavi

[1] Suneni i Tirmidhiut 5/327-328,  numër 3175.

[2] Suneni i Tirmidhiut 5/314, me numër 3154.

[3] Tefsiri i Ibn Kethirit 2/439.

[4] Musnedi i Imam Ahmedit 5/428.

[5] Musnedi i Imam Ahmedit 3/30.

[6] Sahihu i Muslimit 1/102, me numër 106.

[7] Sahihu i Buhariu 1/200, me numër 594.

[8] Sherh Sune 14, 384, 385.

GJITHASHTU NË ALBISLAM